VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ËNDRRAT E PAREALIZUARANga RESHAT KRIPA

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
ËNDRRAT E PAREALIZUARA
Nga RESHAT KRIPA

E Djelë, 09.22.2013, 09:07am (GMT+1)


Sot po afrohem te tetëdhjetat. Flokët janë zbardhur. Protezat kanë zëvendësuar dhëmbët. Hedh vështrimin larg, shumë larg, në rininë time. Ishin vite të vështira. Nuk e di nëse mund ta quash rini atë tonën. Rini e rritur nën hijen e pleqërisë. Mjegulla e kohës që sundonte në vend, e kishte mbuluar. Donim të studjonim, por nuk na linin për të studjuar. Donim të punonim, por nuk na linin për të punuar. Donim të jetonim, por nuk na linin as për të jetuar. Këto mund t'ju duken si mendime abstrakte por, në atë kohë, jetohej në një botë abstrakte.

Jetoja në botën e ëndrrave. Vetëm ëndrrat nuk mund të m'i ndalonte njeri. Mbi të gjitha, ëndrra më e bukur, ishte ajo për një botë më të mirë. Kjo ishte ëndrra e fëminisë time. Por edhe këtë ma ndërprenë. Shpata e Damokleut ma ndërpreu në mes. Më përplasën në rrethin e nëntë të ferrit, ku mbizotëronin tri gojët e Luçiferit. E përse do të thoni ju? Do t'ju duket e pabesueshme, por vetëm e vetëm sepse shkruaja nëpër mure: "Rroftë Shqipëria?"

Kështu filluan për mua, aventurat e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit, burgut të Vlorës, kampeve të punës së detyruar të Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit dhe Bulqizës. Ëndërroja të studioja dhe të dilja jurist, inxhinier, mjek, artist apo shkrimtar. Por kjo ëndërr nuk u realizua. Mbarova shkollën e vuajtjeve, shkollën e urisë, shkollën e torturave. Megjithatë pata fatin që mbeta njeri dhe kjo për hir të atyre burrave të shquar që munda të takoj në atë skëterrë, që më hodhën dorën dhe nuk më lanë të bija në greminë. Ata u bënë për mua prind, mik edhe shokë. Ata u bënë mësuesit e mi.

Së fundi u ktheva përsëri në gjirin e familjes.Kisha një dëshirë. Kisha një ëndërr. Të shkruaja poezi, tregime dhe romane. Por druhesha se a do të më botoheshin vallë? Viti 1957. Vazhdoja vitin e parë të gjimnazit të mbrëmjes. Ora e hartimit. Profesor Milo Duni na dha temën. Ishte një temë e lirë mbi fillimin e vitit të ri shkollor.

Shkruajta një prozë poetike të titulluar: "Dalç faqebardhë!"

Erdhi ora e korigjimit të hartimeve. Mora fletoren dhe vura re se profesori i nderuar nuk kishte vënë notë. Në vend të saj kishte shkruar me laps blu:
Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime...

Ndërsa më poshtë vazhdonte me laps të kuq, të vendosur në thonjëza:
"Po të kesh kohë të lirë".

I nxitur nga ky shënim shkruajta një tregim mbi jetën e një jetimi, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës, Në fund të tregimit, jetimi gjendet i vdekur në mes të një pylli. E dërgova për botim në një gazetë letrare të kohës. Prita përgjigjen, por ajo nuk erdhi kurrë. Atëherë u binda se për mua do të mbeteshin të mbyllura për gjithnjë dyert e botimit. Edhe kjo ëndërr e imja mbeti e parealizuar.Vendosa të mos shkruaja më. Nuk e di, nëse bëra mirë apo keq, por kështu e mendova. U mbylla në veten time. U bëra njeri i heshtur që vetëm ëndërronte. Sikur të jetonte Erih Maria Remarku do të më kishte quajtur " I fundmi i romantikëve", si heroin e romanit të tij.

Vitet kaluan. Kuçedra ra së fundi nga piedestali ku qëndronte prej vitesh. Një botë e re filloi të lulëzonte. Mendova se kishte ardhur koha që të filloja përsëri karrierën time letrare. Ishin ditët e eksodeve të mëdha të vitit 1991. Flitej për të vrarë dhe shkrehje armësh. Flitej për të plagosur, madje edhe për të humbur. Vetëm televizioni shtetëror heshte. Shkruajta një artikull me këtë temë që e titullova "Quo vadis R.T.SH.?" E dërgova për botim në të vetmen gazetë të djathtë që botohej atëherë. Kësaj here përgjigja erdhi negative. Kryeredaktori më njoftonte se nuk mund ta botonte pasi, gjoja, nuk mund të bënte polemikë me televizionin dhe se për eksodin na paskëshin qenë shkruar mjaft deri atëherë. Në të vërteë, për këto tema, gazeta vazhdoi të shkruante edhe për shumë kohë. Madje, edhe sot, vazhdohet të shkruhet.

Një gjë e tillë më habiti jashtë mase. Nuk i jepja dot shpjegim. Fillova të mendoj me veten time:

- Mirë deri dje që nuk na lejonin, pasi i përkisnim kampit kundërshtar, po sot, në demokraci, ende do të vazhdojë çensura e shtypit?

Megjithatë, kësaj here, nuk veprova si disa vite më parë. Fillova përsëri të shkruaj dhe t'i botojë nëpër organe të ndryshme të shtypit, madje edhe në atë gazetë që ma refuzoi shkrimin e parë. Kam shkruar një mori artikujsh qysh atëherë. Shkruajta edhe një libër me tregime dhe një me kujtimet e fëminisë të cilat i botova me ndihmën e fëmijve të mi. Botova edhe dy romane për të cilat më sponsorizuan dy miq. Tani kam gati për botim një libër me përmbledhjen e publicistikës së viteve 1991-2012, një përmbledhje me poezi modeste dhe dy romane. Gjendja ime financiare është e tillë që nuk kam mundësi të përballojë botimin e tyre. Kisha dëshirë të botoja së pari përmbledhjen publicistike. Kërkova ndihmën e Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, shoqatë në cilën bëj pjesë edhe vetë. Ajo u tregua e gatshme të më ndihmojë.

Me shkresën Nr. 484 protokolli, datë 31.07.2012, shoqata iu drejtua Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, për sponsorizimin e botimit të librit tim. Pas një periudhe prej dhjetë muajsh, më në fund njoftohem se bordi i kësaj qendre kishte miratuar sponsorizimin e botimit dhe, në mbështetje të këtij vendimi, me shkreësën Nr. 343 protokolli, datë 21.05.2013 lidha kontratën-tip me këtë qendër, që u nënshkrua nga unë dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës. Mora takim edhe me kryetarin dhe sqaruam disa pika të ndryshme të librit në fjalë.

Në pikën "A" të nenit 3 të kontratës thuhet:
" 40% të shumës së akorduar subjekti e përfiton menjëherë me lidhjen e kontratës tip.
20% të shumës së akorduar, e përfiton pas realizimit dhe përfundimit të projektit.
40% të shumës së akorduar e përfiton pas dorëzimit të gjithë dokumentëve origjinalë justifikuese të projektit.

Qysh nga ajo datë kanë kaluar gati katër muaj dhe unë nuk kam marrë ende 40% e parë nga qendra. Jam interesuar pranë zyrave të saj por nuk më kanë dhënë asnjë arsye. Kam kërkuar të takojë kryetarin, por deri më sot ka qenë e pamundur. Më datën 16.08.2013 i kam dërguar një letër por, çuditërisht, edhe ai nuk më është përgjigjur. Heshtja e tij më kujtoi një thënie të luftëtarit të madh për të drejtat e njeriut, Doktor Martin Luter Kingut:

"Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë."


Është pikërisht kjo heshtje që më vret më tepër. Nuk mund të imagjinoj që një nëpunës i një institucioni demokratik të heshtë përpara kërkesave të qytetarëve, aq më tepër, kur një kërkesë e tillë është bërë nga një shoqatë si ajo e të përndjekurve politikë, shtresës më të përvuajtur nga rregjimi komunist.

Ëndrrat e mia të parealizuara vazhdojnë. Tani, kur kthehem në shtëpi, hap kompjuterin dhe shkruaj diçka. Këto ua dërgoj organeve të shtypit, të cilat e botojnë ose jo, sipas orientimit të tyre. Unë vazhdoj të shkruaj, pamvarësisht nëse botohen ose jo. Fëmijtë e mi, kur të kenë mundësinë, le t'i botojnë. Në të kundërt le të qëndrojnë aty. Koha do të bëjë të vetën. Tani po punoj për një roman të ri.. Kapitujt e tij i lexoj dhe i rilexoj. Më duken si "Kangët e pakëndueme" të Migjenit.

Dhe në ato çaste më kujtohen vargjet e tij:

"O kangët që fleni, reliket e mia,
Q'ende s'keni prekun asnji zemën t'huej,
Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija,
Unë djepi juej, ndoshta vorri juej!"

RESHAT KRIPA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Barometri diplomatikHEQJA E PORTRETIT TË PRESIDENTIT NISHANI, AKT PRIMITIV POLITIK DHE ANTIKUSHTETUESNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.21.2013)
NEVOJA PËR TË RIPARË KONCESIONET E HECeveNga MENTOR KIKIA (09.20.2013)
KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN NDERON FILIP RIKERNga FRANK SHKRELI* (09.18.2013)
DITAR PËR QEVERINË RAMA - RRETH VIZITËS NË BRUKSEL DHE SHKRIMIT TË NEUE ZÃœRCHER ZEITUNGNga ELIDA BUÇPAPAJ (09.18.2013)
LOJA PËR VOTËN DHE ISMAIL QEMALINNga AFRIM KRASNIQI (09.18.2013)
SKAFANDRAT POLITIKENga RAMIZ LUSHAJ (09.17.2013)
VIZITË HISTORIKE PËR FITOREN E PARTISË SOCIALISTE, JO PËR BASHKIMIN E KOSOVËS ME SHQIPËRINË!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.17.2013)
DITAR PËR QEVERINË RAMA – ETËRIT E VENDIT DHE KRERËT E SHTETIT KANË STATUSIN E TYRE  - Referim Republikës së ItalisëNga ELIDA BUÇPAPAJ (09.16.2013)
PLATFORMA E PARË SERIOZE SHTETËRORE PËR KOSOVËNNga SHABAN MURATI (09.16.2013)
SHQIPËRINË NË EUROPË E ÇOJNË VEPRAT E JO FJALËTNga FRANK SHKRELI (09.15.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]