VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SHKUPI KËRKON SHKES TË RI PËR EMRINNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
SHKUPI KËRKON SHKES TË RI PËR EMRIN
Nga SHABAN MURATI

E Martë, 11.12.2013, 08:34am (GMT+1)


Takimi që zhvilloi në 5 nëntor kancelarja gjermane Anxhela Merkel me ambasadorin Metju Nimic, ndërmjetësuesin e OKB në bisedimet mes Athinës dhe Shkupit për emrin, u dha shkas shpresave dhe përpjekjeve të reja të diplomacisë dhe mediave maqedonase, që të rishtrojnë çështjen e një ndërmjetësimi dhe ndërmjetësuesi të ri mes dy shteteve. Shpresat e Shkupit tek Gjermania për një rol ndërmjetësimi, janë jo vetëm se është shteti më i fuqishëm europian, por edhe sepse është shteti determinant në akordimin e paketës së qindra miliarda eurove, që BE i ka dhënë Greqisë për të marrë veten dhe për të dalë nga kriza e rëndë financiare që e ka mbërthyer prej gjashtë vjetësh. Zëra për mundësinë dhe efikasitetin e një ndërmjetësimi të Gjermanisë në bisedimet e dy shteteve ballkanike për emrin, janë dëgjuar edhe në Bundestagun gjerman. Një deputet gjerman, Jurgen Klimke, në një intervistë për radion "Dojçe Vele" deklaronte se "Gjermania mund të ofrojë propozime të përshtatshme dhe solide për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjithë. Nëse ne duam ta ndihmojmë Greqinë, ne presim kundërfavore. Greqia duhet t'u bindet donatorëve të saj".

Përveç Gjermanisë, diplomacia maqedonase është përpjekur që të tërheqë ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Kjo shpresë e Shkupit është shtuar sidomos pas misionit të suksesshëm diplomatik të përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme Ketrin Eshton, e cila, me ndërmjetësimin e saj arriti të krijojë një situatë të frytshme bisedimesh dhe marrëveshjesh të dobishme mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat kulmuan me marrëveshjen e 19 prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Diplomacia maqedonase mendon se një ndërmjetësim nga ana e BE dhe e përfaqësueses së saj të lartë të politikës së jashtme, Ketrin Eshton, mund të kishte sukses në kapërcimin e bllokimit njëzetvjeçar të bisedimeve mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit.
Por edhe Gjermania si shtet i veçantë, edhe Bashkimi Europian si organizatë, e kanë bërë të qartë se ata janë gati të japin çdo lloj ndihme në krijimin e kushteve të një marrëveshjeje mes dy shteteve, por nuk duan kurrsesi që të marrin përsipër ndërmjetësimin e këtij konflikti të stërzgjatur. Kancelarja gjermane Anxhela Merkel, në takimin me ndërmjetësin e OKB, Metju Nimic, u mjaftua të shprehej se qeveria gjermane do të vazhdojë t'u japë mbështetje përpjekjeve të ndërmjetësuesit të OKB në misionin e tij. Kjo do të thotë që Gjermania nuk merr përsipër ndonjë ndërmjetësim, dhe nga ana tjetër, ajo i qëndron mendimit se kjo është detyrë e OKB dhe e ndërmjetësuesit të OKB, sado e vështirë që të duket.

Edhe Brukseli u detyrua të konfirmojë mbajtjen e distancës nga çdo lloj oferte për një mision ndërmjetësimi apo ndërhyrjeje diplomatike në konfliktin e dy shteteve për emrin. Maja Koçijançiç, zëdhënësja e Ketrin Eshtonit, në një deklaratë për agjencinë maqedonase të lajmeve "MIA", theksoi se "BE dhe përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme, Ketrin Eshton, nuk duan dhe nuk do të ndërmjetësojnë për zgjidhjen e debatit për emrin mes Shkupit dhe Athinës, siç veproi me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Me gjithë interesimin e Gjermanisë dhe të disa shteteve anëtare të BE, që sa më shpejt të zgjidhet debati për emrin, Brukseli nuk ka ndërmend të përzihet direkt në ndërmjetësimin mes Shkupit dhe Athinës".

Nga këto zhvillime rezulton se diplomacia maqedonase nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të ndërruar statusin e bisedimeve, nga bisedime në kuadër të OKB dhe me ndërmjetësimin e një të dërguari të posaçëm të OKB, në bisedime në kuadër të BE dhe me ndërmjetësimin e saj, ose bisedime me ndërmjetësimin e ndonjë shteti të rëndësishëm europian. Kaq e ngutur ka qenë diplomacia maqedonase pas kësaj ideje të zëvendësimit të kuadrit të OKB me një kuadër tjetër, saqë ajo i është drejtuar edhe Serbisë, edhe Rusisë, për të konsideruar mundësinë e një ndërmjetësimi, duke u nisur nga fakti i marrëdhënieve shumë të ngushta mes Serbisë dhe Greqisë, dhe mes Rusisë dhe Greqisë. Burime të mirinformuara nga Shkupi bëjnë të ditur se qeveria maqedonase ka tentuar të luajë në planin diplomatik dhe të nxisë solidaritetin ortodoks të shteteve të mësipërme, me qëllim që të inkurajojë një ndërmjetësim diplomatik të një shteti ortodoks në bisedimet mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin.

Fushata e përpjekjeve të diplomacisë maqedonase për një ndërmjetësim dhe ndërmjetësues të ri nuk duket e rastit. Ajo ndërmerret në prag të marrjes së presidencës së Bashkimit Europian nga Greqia në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe Shkupi i trembet efektit, që mund të ketë presidenca greke e BE në zhvleftësimin e argumenteve të Shkupit për çështjen e emrit. Në të njëjtën kohë, qeveria e Maqedonisë synon që t'u dalë përpara situatave dhe t'i tërheqë vëmendjen Brukselit me prognozifikimin e një stanjacioni apo keqësimi në marrëdhëniet e dy shteteve ballkanike për emrin.

Është e kuptueshme se qeveria e Shkupit manifeston në këtë mënyrë, jo vetëm pakënaqësi nga bllokimi, që i është bërë prej çështjes së emrit anëtarësimit të vendit në BE dhe në NATO, por dhe një pakënaqësi të drejtpërdrejtë të saj kundrejt OKB dhe ndërmjetësuesit amerikan Metju Nimic. E zbërthyer në një kënd më thellësor, Shkupi shpreh një pakënaqësi edhe ndaj SHBA, sepse ndërmjetësi Nimic është ambasador amerikan dhe që nga fillimi i bisedimeve greko-maqedonase për emrin, ndërmjetësuesi ka qenë gjithmonë amerikan.
Përpjekjet e reja të diplomacisë maqedonase për të nxitur, kërkuar dhe gjetur shkes të ri mes Maqedonisë dhe Greqisë për mosmarrëveshjen e emrit, kanë pak shanse të kenë sukses. Kanë pak shanse të kenë sukses, në radhë të parë sepse Athina ka konfirmuar që herët qëndrimin e saj të patundur se është kundër çdo lloj transferimi të statusit të bisedimeve në një kuadër tjetër, përveç atij të OKB.

Në të njëjtën kohë, që të mënjanohet roli dhe misioni i OKB për ndërmjetësimin ndërkombëtar, do të duhet miratimi i Këshillit të Sigurimit të OKB dhe në radhë të parë i pesë shteteve anëtare të përhershëm të KS të OKB. Kjo duket një mision i pamundur, sepse vështirë që SHBA, Britania e Madhe dhe Franca të pranojnë largimin e kësaj përgjegjësie dhe këtij misioni nga OKB. Nuk duhet harruar edhe një element tjetër, se është e kuptueshme që SHBA nuk do të mund të ishin dakord me mënjanimin e ambasadorit të tyre, Metju Nimic, si i dërguar i posaçëm i OKB në ndërmjetësimin e bisedimeve greko-maqedonase për emrin.

Kështu që, duken të mbyllura shanset se mund të ndodhë një spostim i OKB dhe i ndërmjetësit amerikan dhe kalim i misionit të ndërmjetësimit tek BE, Gjermania apo ndonjë shtet tjetër anëtar i BE. Aq më pak mund të mendohet se SHBA dhe BE do të lejonin diskutimin e propozimeve që këtë mision ndërmjetësimi ta marrë Serbia apo Rusia.

Duke intensifikuar përpjekjet për gjetjen e një ndërmjetësuesi të ri ndërkombëtar për konfliktin me Greqinë për emrin, Shkupi synon të fshehë thelbin e problemit, që është qëndrimi intransigjent dhe obstruksionist, që ka aplikuar qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski për çështjen e emrit. Qeveria "Gruevski" është çimentuar në sintagmën "kushtetuese" për emrin dhe nuk ka paraqitur asnjë propozim të ri në tryezën e bisedimeve për një formulë të pranueshme nga të dyja palët. Ndërkohë, Athina ka paraqitur shumë propozime, ndër më të fundit e të cilave janë "Maqedonia e Epërme" dhe "Maqedonia sllavo-shqiptare". Por edhe këto propozime Shkupi i ka refuzuar apriori, siç ka vepruar gjatë shumë viteve.

Ky obstruksionizëm, gjatë qeverisjes "Gruevski", ka ardhur nga viti në vit duke u ashpërsuar, dhe duke dëshmuar se qeveria aktuale e Shkupit nuk ka predispozicion dhe interes që të zgjidhet çështja e emrit. Me sa duket, kryeministrit të Maqedonisë i intereson një konflikt i hapur me fqinjin e jugut, sepse nëpërmjet tij mban gjallë dhe fryn vazhdimisht emocionet dhe zjarrin nacionalist maqedonas, nëpërmjet të cilit qëndron në pushtet. Tek qeveria "Gruevski", ambicia e pushtetit demonstrohet më e madhe sesa interesi për anëtarësimin në BE dhe në NATO. Ky është realiteti i vështirësive, që shtohen në tryezën e bisedimeve.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHQIPËRIA DHE ARMËT KIMIKE TË SIRISËNga FRANK SHKRELI (11.11.2013)
KTHIMI I ILIR KERNIT NË SHQIPËRI SI DREJTOR I TOB Nga ELIDA BUÇPAPAJ (11.11.2013)
BEDRI MYFTARI - JETOI PËR NJË ËNDËRR, IKU PA TËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.10.2013)
DEMONSTRATË PËRPARA AMBASADËS AMERIKANE NË SHQIPËRI...? E TURPSHME, THJESHT EDHE TË MENDOHETNga BARDHYL UKCAMAJ (11.10.2013)
KËTË FUNDJAVË KINA DO TË SHPALLË TË ARDHMEN E SAJ EKONOMIKENga ANATOL KALETSKY, Reuters (11.09.2013)
SHQIPËRIA DHE KUADRI JURIDIK NDËRKOMBËTAR PËR ARMËT KIMIKENga AGRON ALIBALI (11.09.2013)
OPOZITA AS NË FACEBOOK ASNJË RRADHË PËR TRAGJEDINË E 7 VIKTIMAVE – ALTERNATIVA E VETME OSE SHTET LIGJOR DHE HUMANIST, OSE TË SHPORRET KJO KLASË POLITIKENga ELIDA BUÇPAPAJ (11.08.2013)
A KA VLERË JETA E NJERIUT NË SHQIPËRI?Nga FRANK SHKRELI (11.07.2013)
NE DUHET TA NDIHMOJMË LUGINËN KONKRETISHT[Letër publike kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edvin Rama.]Nga UK LUSHI* (11.07.2013)
A PO E DJEGIN SALI BERISHA DHE KLANET E PD-së LULZIM BASHËN!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (11.06.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]