VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MANDELA - NJI LEGJENDË E PAQES DHE PAJTIMITNga SAMI REPISHTI

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
MANDELA - NJI LEGJENDË E PAQES DHE PAJTIMIT
Nga SAMI REPISHTI

E Shtunë, 12.14.2013, 07:03am (GMT+1)



Më 5 dhetor 2014, në Afrikën e Jugut, në moshën 95-vjeçare, mbylli përfundimisht sytë e lodhun nga vuejtja, Nelson Mandela, babai i demokracisë në atdheun e tij. Mandela (Madiba në gjuhën e vendit) do të kujtohet nga bota mbar si zezaku me zemër të bardhë dhe mendje të ndritun, luftari për lirinë dhe drejtësinë e mohueme shumicës zezake në Afrikën e Jugut nga nji system i urryem "apartheid" dhe mendimtari njikohësisht që udhëhoqi përpjekjet e shumicës, bijëve dhe bijave ma të mira të vendit, në luftën kundër "apartheid", i konceptuem si nji sistem vicioz, racist dhe arrogant, që mohoi të drejtat ma fillestare të popullsisë zezake në vendin e tyne.

Mandela lindi në fshatin Mveze (Transkei), nji protektorat britanik, më 18 nandor 1918. Simbas dëshirës së tij ai do të vorroset në fshatin Qunu, ku u rrit dhe u burrënue. Bashkë me pjekuninë që sjell mosha, ai pati sukses me tejkalue mosbesimin personal që kufizohej në përbuzeje, dhe bashkëpunoi me "kundërshtarin" tue përdorue cilësitë e nalta që posedonte dhe kapitalin moral që gëzonte me zbutë inatin e masave të shtypuna dhe, në të njëjtën kohë, me sigurue për të "bardhët" uzurpatorë se nuk do të ketë "hakmarrje zezake".

    Tue përjashtue nji periudhë rinore revolucionare, kur ai u bashkue me "nacionalizmin zezak", arma politike për çlirim me forcë dhe përzanje me dhunë e padronëve "të bardhë", Mandela tejkaloi valën e pasioneve raciale që shkyen për së gjalli vendlindjen e tij. Ky sukses personal i jashtëzakonshëm spjegohet me"... aftësinë e tij me shikue veten si qenie superiore ndaj persekutuesve të tij" (The NY Times). Nji qëndrim i këtill ashtë esencial në fitoren e çdo të persekutuemi që kundërshton me sukses njeriun, ose shtetin, persekutues.

   I rritun në oborrin mbretnor lokal, Mandela zhvilloi nji zgjuersi politike që i shërbeu shumë ma vonë në përpjekjet e tia me pengue nji luftë civile në Afrikën e Jugut, e që vendet e tjera afrikane nuk u treguen të afta me e evitue. Kjo zgjuersi u tregue sidomos në organizimin e "Lidhjes së të Rinjëve", ku ai punoi pa pushim për përgatitjen e kuadrove që, pesë vjet ma vonë, do të udhëheqshin Kongresin Kombëtar Afrikan (African National Congress-ACN), instrumenti kryesor që siguroi emancipimin e popullsisë zezake.

   Mbas masakrës së Sharpsville (1961), Mandela vendosi përdorimin e forcës kundër "Qeverisë raciste", qëndrim që ai e spjegoi: "Heqja dorë nga metoda paqësore nuk ishte nji parim moral, por nji strategji; nuk vjen nji e mirë morale nga përdorimi i nji metode joefektive!" (Kjo ka qenë periudha e demonstratave të mëdha të zezakëve amerikanë, nën udhëheqjen e Rev. Martin L. Kingh, JR. dhe e metodave paqësore të tia që ma në fund prodhuen legislacionin e të drejtave civile dhe emancipimin e plotë të popullsisë zezake vendëse në SHBA.)

   Rezistenca e armatosun e detyroi të hidhet në ilegalitet. Gjatë kësajë periudhe ai bashkëpunoi edhe me Partinë Komuniste vendëse. I pyetun ma vonë për nji hap të këtill, ai spjegoi: "Nëse me fjalën "Ëœkomunist' ju kuptoni nji anëtar të PK dhe nji person që beson në teoritë e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, dhe që pranon pa devijim disiplinën e asaj partie, atëherë unë nuk kam qenë "Ëœkomunist'", raporton gazeta "The NY Times".

I arrestuem, para gjyqit Mandela mbrojti haptazi qëllimet e lëvizjes çlirimtare të zezakëve të Afrikës së Jugut me guxim për katër orë, dhe me nji retorikë të klasit të parë, si nji avokat i vërtetë që ai ishte. Ai pohoi se përqafoi rezistencën e armatosun, kur lëvizja paqësore nuk dha fryte. "Unë kam luftue kundër dominimit racist të të bardhëve dhe kam luftue kundër dominimit racist të zezakëve... Unë kam përqafue idealin e demokracisë dhe të shoqënisë së lirë, ku të gjithë qytetarët jetojnë së bashku në harmoni dhe mundësi të barabarta. Ky ashtë nji ideal për të cilin unë shpresoj të jetoj dhe të shoh të realizuem. Por, zoti gjykatës, në qoftë se ashtë e nevojshme, ky ashte nji ideal për të cilin jam gadi të jap edhe jetën". (The NY Times)
(Zotërinj Gjykatës të Botës! Kjo ashtë nji thirrje e frymës së vëllazenimit në mes popujve, pa kufij dhe e përherëshme jo akt për dënim!)

Ky qëndrim kurajoz dhe parimor para kërcënimit të vdekjes e transformoi Mandelën në rolin e udhëheqsit të lëvizjes së ANC. Para botës së jashtëme, Mandela u ba simboli i anti-apartheidit. "Free Mandela!" tingëlloi në të gjitha sheshet e Amerikës dhe Europës. Të gjithë të akuzuemët pranuen veprimtarinë e tyne revolucionare dhe u betuen të mos kërkojnë "falje" nga gjykata supremaciste nëse dënoheshin me varje në litar. Nji akt heroizmi i rrallë!

    Mandela ishte nji avokat 44-vjeçar kur u dërgue në burgun e tmerrshëm të ishullit Roben Island. Ai ishte 71-vjeçar kur u lirue. Në moshen 75-vjeçare ai votoi për herën e parë. Gjatë viteve të burgut ai mësoi gjuhën "afrikanas" të torturuesve të tij dhe u angazhue në debate të vazhdueshme me shokët e tij dhe me rojet e zyrtarët e burgut. Në nji mënyrë natyrale, burgu u ba nji universitet. Aty ai fitoi cilësitë e nevojshme për nji "udhëheqës", nji negociator dhe nji predikues i suksesshëm i kauzës së tij.

Më 1986, qeveria raciste filloi nji dialog jopublik me "kundërshtarët" që përfaqësoheshin nga i burgosuni Nelson Mandela. Prestigji i tij u rrit dhe mori përpjestime botënore. Ai përfaqësonte të ardhmen e Afrikës së Jugut. Në fillim, kolegët e tij dyshuen se Mandela do të kapitullojë. Por ai zhvilloi diskutime të vazhdueshme me ata, dhe pa u lodhë fare predikoi bindjen e tij se "kundërshtari" ishte moralisht "i dështuem", politikisht "i mundun" se pushteti i tij ishte vetëm "forca ushtarake" dhe se vendi po rrëshqiste në kaos. Strategjia e Mandelës ishte "...me lehtësue "˜tërheqjen strategjike' të supremacistëve tue ruejtë nji atmosferë ku respektohej ligji dhe evitohej kaosi i nji lufte civile". Kjo strategji ka qenë kryevepra e nji personaliteti që kuptoi dhe mori në duer drejtimin e nji momenti historik. Ai bani histori; nuk e pësoi atë! Mandela hyni në histori si nji çlirimtar për të gjithë.

    Në shkurt 1990, mbas 27 vjet burgimi, Mandela u lirue. Afrika e Jugut nuk mujnd të mbijetonte ma gjatë pa praninë, mendimin dhe veprën e Nelson Mandelës. Për nji vitë të tanë ai punoi randë me bindë udhëheqsit zezakë e të bardhë njikohësisht, mbi domosdoshmëninë e dialogut dhe të zgjidhjes së situatës me nji transferim të pushtetit në duert e "shumicës" zezake, tue sigurue "pakicën" e bardhë se nuk do të kishte hakmarrje. Ai bashkëpunoi ngusht me Presidentin e bardhë de Klerk dhe në përpjekjet e tia u kunorëzue me çmimin "Nobel" për Paqe (1993).

Negociatat përfunduen me nji "great bargain", që siguronte zgjedhje të lira në shkëmbim për premtimin se partitë opozitare do të bashkëndajshin pushtetin dhe se popullsia e bardhë nuk do të persekutohej. ANC fitoi 62 për qind të votave (252 deputetë nga 400) dhe më 10 maj 1994, Nelson Mandela u zgjodh President i Republikës së Afrikës së Jugut. Ish-presidenti de Klerk u zgjodh nënpresident. Në fjalimin inaugural Mandela deklaroi: "Kurrë, kurrë dhe kurrë përsëri në të ardhmen kjo tokë e bukur do të pësojë përvojën e shtypjes së njenit nga tjetri dhe të vuej poshtënimin që ndjehet kur bota na shikon si kafshë të zgjebura". Gjatë viteve të presidencës ai vazhdoi me jetue në nji shtëpi modeste, ku rregullonte vetë krevatin e fjetjes. "Tani, iu drejtue ai kolegëve të tij, na duhet të lëvizim nga pozita e rezistencës në lëvizjen e ndërtimtarëve!"

Mandela tregoi nji aftësi të rrallë për pajtimin e kundërshtarëve, nji instinkt i pakompromis në interes të bashkimit kombëtar. Për këtë ai krijoi "Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin" dhe faljen e fajit, me qëllim që të dilte e vërteta në shesh, si dhe të zbritej tensioni i krijuem nga vuejtjet. Komisioni fali fajet e të gjithë atyne që dëshmuen ndershmënisht për krimet e kryeme në "apartheid". Disa "kolegë" vuen në pyetje këtë politikë sepse preferonte qetësine e mbrendshme mbi drejtësinë, si dhe me pajtimin ai la mbas dore të padënueme krimet e randa kundër njerëzimit. "Komisioni" me gjithë qëllimet e tia fisnike, nuk ka qenë i aftë me shërue plagët e randa të shtypjes raciste. Këto plagë dhe ne e dijmë mirë! nuk shuhen shpejt. Por, Mandela krijoi policinë e re të integrueme me zezakë, si garanci kundër dhunës.

Në përfundim të mandatit presidencial, 1999,  Mandela nuk pranoi të rizgjidhet dhe ia kushtoi energjitë e veta punës për ndalimin e luftave civile në Afrikë dhe sigurimit të investimeve për zhvillimin ekonomik të vendit të vet. Por, ai mbeti gjithëherë nji figurë qendrore morale me përpjestime botënore dhe nji figurë legjendare e bashkëkohore në luftën për paqe dhe pajtim në mes të njerëzimit.

Si ish-i burgosun politik, unë çfaqë nderimin tim të thellë për këtë hero civil që përfaqësoi aq madhënisht vlerat morale e parimet politike për të cilat unë sakrifikova rininë time në Shqipëri gjatë diktaturës së kuqe. Pushoftë në paqe që ai deshti dhe për të cilën punoi aq shumë. Qoftë mendimi e vepra e tij nji dritë ndriçuese për të gjithë njerëzimin, si dhe për Shqipërinë time në luftën e saj për çlirim nga frika e pajustifikueme dhe nga kërcënimi i vorfënisë degraduese.
SAMI REPISHTI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PËR NJË REPUBLIKË TË PESTË TË SHQIPËRISËNga ROMEO GURAKUQI, Universiteti Europian i Tiranës, Instituti i Historisë Bashkëkohore (12.13.2013)
FILMI 'WALESA - NJERIU I SHPRESËS' "Pa Zërin e Amerikës unë nuk do të isha njeriu që jam sot" (Lek Valesa)Nga FRANK SHKRELI (12.13.2013)
RUGOVËS I DOLI NË KRAH AKADEMIK MARK KRASNIQI SI SHENJTORI I GJALLË - RUGOVËS ADEM DEMAÇI T'I KËRKOJË NDJESË!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.12.2013)
AS NOSTRADAMUS NUK DINTE ASGJË PËR 17 DHJETORIN E TRETË TË SHQIPTARËVENga RAMIZ LUSHAJ (12.12.2013)
NELSON MANDELA - GJIGANT I HISTORISËNga FRANK SHKRELI (12.11.2013)
DY PËRPLASJE TË MËDHA GJEOPOLITIKE BE-RUSINga SHABAN MURATI (12.09.2013)
REABILITOHET ENVER HOXHANga FRANK SHKRELI (12.09.2013)
PRESIDENTI KUKULLNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.07.2013)
DY FJALË PËR NJË VRASJE NË SHKOLLË DHE NJË SHOQËRI NË KRIZËNga MENTOR KIKIA (12.05.2013)
PROTESTUESIT UKRAINAS - PO EUROPËS, JO RUSISËNga FRANK SHKRELI (12.04.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]