PËRPLASJE RUMANI-BULLGARI PËR KUFIRIN DETAR Nga SHABAN MURATI
E Hënë, 12.16.2013, 06:12pm (GMT+1)
Dete të kripura, që po ëmbëlsohen nga rezervat gjithnjë e më të mëdha natyrore të gazit dhe të naftës të zbuluara në to, dhe që nuk janë vetëm "ujë dhe kripë", siç shpreheshin disa diplomatë shqiptarë, që shitën në vitin 2009 detin e vendit të vet, kanë shtuar përplasjet për kufijtë detarë mes shteteve të ndryshme. Në datën 9 dhjetor, në Sofje u zhvilluan bisedimet mes sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, Georgi Dimitrov, dhe sekretarit të shtetit të Rumanisë, Bogdan Auresku, për procesin e delimitimit të kufijve detarë mes dy vendeve në Detin e Zi. Komunikata e botuar në këtë rast thekson se bisedimet e tyre ishin rezultat i një marrëveshjeje mes ministrave të Jashtëm të të dyja vendeve, në gusht të këtij viti, për të zhvilluar një analizë të progresit aktual dhe intensifikimin e bisedimeve dypalëshe për këtë çështje.
Në fakt, kufiri detar mes Rumanisë dhe Bullgarisë është caktuar që në vitin 1940, i pranuar edhe nga qeveritë komuniste të të dyja vendeve gjatë pesëdhjetë vjetëve, dhe nuk ka pasur pretendime territoriale ndaj hapësirave detare të njëri-tjetrit. Pas shembjes së komunizmit, në vitin 1994, kanë filluar bisedimet mes dy vendeve për delimitimin e hapësirës detare, të shelfit kontinental dhe të zonave ekonomike ekskluzive të tyre në Detin e Zi. Bisedimet kanë vazhduar për afro 20 vjet në nivelin e ekspertëve ose të departamenteve juridike të të dyja ministrive të jashtme, pa u hedhur në publik dhe pa shkaktuar përplasje të hapura diplomatike dhe politike. Tani është hera e parë që niveli i bisedimeve ngrihet në formatin e sekretarëve të shtetit dhe që u bë objekt i bisedimeve edhe mes dy ministrave të jashtëm në verën e këtij viti. Ngritja e nivelit të bisedimeve, nga ekspertët juridikë, në atë të sekretarëve të shtetit, pra në një nivel të lartë diplomatik dhe politik, tregon rritjen e mprehtësisë së problemit dhe jo afrimin e zgjidhjes së tij. Ky është elementi i parë i vështirësisë së çështjes së hapur të kufijve detarë mes dy vendeve. Elementi i dytë është krijimi i një presioni të opinionit publik, i cili u sensibilizua për ekzistencën e një pretendimi të Rumanisë ndaj një hapësire detare të Bullgarisë në një sipërfaqe prej 17 kilometrash katrorë.
Se si këta 17 kilometra katrorë, nga objekt i një cikli të stërzgjatur bisedimesh rutinë të ekspertëve juridikë të të dyja vendeve gjatë 17 raundeve të një odiseje 20-vjeçare, u shndërruan befas në një grindje juridike, publike dhe diplomatike për kufijtë detarë, duhet pranuar se "merita" i takon ministrit të Jashtëm rumun, Kristian Diakonesku. Ishte pikërisht ministri i Jashtëm rumun, i cili në 20 mars të vitit të kaluar ngriti publikisht çështjen, duke deklaruar se mes Rumanisë dhe Bullgarisë ekziston një grindje juridike lidhur me delimitimin e kufijve detarë. Ministri rumun thekson se ky nuk është pretendim territorial, sepse sipas arsyetimit të tij, derisa çështja është në diskutim e sipër prej kaq kohësh, do të thotë se të dyja vendet kanë pretendime territoriale për hapësirën detare prej 17 kilometrash.
Shumë vëzhgues dhe diplomatë kanë bërë pyetjen se përse Rumania dhe konkretisht ministri i saj i Jashtëm e ngriti çështjen e kufijve të diskutueshëm detarë, në një kohë që me dokumentet e nënshkruara prej Rumanisë dhe Bullgarisë në procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian është sanksionuar realiteti faktik se mes dy shteteve nuk ekzistojnë grindje dhe konflikte territoriale për kufijtë tokësorë dhe detarë. Sepse është e njohur se BE nuk pranon si anëtare, shtete që kanë konflikte territoriale të pazgjidhura.
Përgjigjja gjendet tek ajo që po zbulohet, se çfarë përmban deti dhe toka nën të, dhe më konkretisht tek rezervat e mëdha të gazit dhe të naftës. Pikërisht një muaj para hapjes së çështjes së kufijve detarë nga ministri i Jashtëm i Rumanisë, kompania amerikane "Exxon" dhe kompania austriake "OMV", të ngarkuara nga qeveria e Bullgarisë për eksplorimin e hapësirave detare bullgare, njoftuan zbulimin e rezervave të mëdha të gazit natyral, pikërisht në zonën detare që pretendon Rumania dhe që tani ndodhet nën sovranitetin bullgar. Nga ana tjetër, në zonën ku sipas Rumanisë është i diskutueshëm kufiri detar, do të kalojë dhe gazsjellësi rus "South Stream", që do të vijë nga Rusia nëpër Detin e Zi në territorin bullgar dhe punimet për ndërtimin e të cilit në seksionin bullgar filluan në 31 tetor të këtij viti. Kjo do të thotë që, në rast se Rumania ia arrin ta fitojë sovranitetin në këtë zonë, ajo do të fitonte të drejtën të ishte dhe një tranzituese, sado e vogël, në këtë gazsjellës, gjë që tani ajo nuk e gëzon, sepse është e përjashtuar gjeografikisht nga ky projekt energjetik i madh. Në Rumani ishte parashikuar të kalonte gazsjellësi europian "Nabucco", i cili nuk fitoi në garën për gazin azerbajxhanas me gazsjellësin tjetër europian TAP. Kështu Rumania, me sa duket, shikon mundësitë e përfshirjes në një formë apo tjetër edhe në gazsjellësin rus, gjë që mund ta sigurojë vetëm duke marrë një pjesë të hapësirës detare, ku do të kalojë "South Stream".
Duke synuar të fitojë të drejta të reja në këtë zonë detare, Rumania me ndryshimin e pronësisë së kësaj cope të detit arrin të krijojë një status të ri kufitar detar për vendin e vet dhe mundet të puqet me zonën ekonomike ekskluzive të Turqisë. Në këtë alternativë, ajo vendos lidhje të drejtpërdrejtë territoriale detare me Turqinë, gjë që i krijon asaj mundësinë që, në një perspektivë, çdo lloj gazsjellësi që mund të vijë nga Turqia për në Europë, të ketë mundësinë të kalojë drejtpërdrejt në Rumani, pa qenë i detyruar të kalojë më parë në territorin e Bullgarisë.
Sikurse shihet, motivet janë shumë të forta dhe nxitëse për të hapur dhe krijuar një sherr kufitar në marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje. Duke e bërë publike grindjen dhe duke e ngritur nivelin e negociatave në planin politik, diplomacia rumune synon që të krijohen kushte të një presioni mbi Bullgarinë dhe për të hapur mundësitë e përfitimit, çfarë mund të përfitohet, nga publiciteti i një patateje të nxehtë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kuptohet se kërkesa e Rumanisë ka shkaktuar një nervozizëm në Bullgari, ku u cilësua si një rivendikim i shtetit fqinj ndaj hapësirës detare bullgare.
Çështja e debatit apo e grindjes për kufijtë detarë mes Rumanisë dhe Bullgarisë duket shumë më e vështirë sesa shfaqet në pamjen e parë. Sepse të dyja shtetet kanë biseduar për 20 vjet për këtë temë, në formatet e ekspertëve juridikë dhe të specialistëve të së drejtës së detit, dhe nuk kanë qenë në gjendje që t'i japin një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Nuk duket se ngritja në nivelin politik do ta lehtësojë atë proces, aq më tepër që Bukureshti e hodhi në publik për të ndihmuar pozitën e vet biseduese, por duke mos llogaritur efektet në palën tjetër, ku zhurma publike rumune bëhet një pengesë e madhe, sepse opinioni bullgar vështirë të pranojë atë, që gazeta bullgare "Standart" e cilësonte si "grabitje e detit tonë nga Rumania". Që çështja është e vështirë e dëshmon edhe fakti se, kur plasi grindja për kufijtë detarë në mars të vitit të kaluar, Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, deklaroi se ajo do të zgjidhet brenda 15 prillit 2012. Kaloi edhe 15 prilli i vitit 2013, dhe pas bisedimeve të tanishme të sekretarëve të shtetit të të dyja vendeve, nuk duket se zona prej 17 kilometrash katrorë do të ketë fatin të shohë së shpejti shiritin e inaugurimit të një marrëveshjeje dypalëshe detare.
Nga hapja dhe zhvillimi i këtij problemi të delimitimit të kufijve detare të dy shteteve ballkanike dalin disa mësime:
Së pari, që anëtarësimi në NATO dhe në BE, ku bëjnë pjesë të dyja shtetet, nuk është zgjidhje automatike e problemeve kufitare, që shtete fqinje kanë me njëri-tjetrin. Nuk do të thotë as që njëri shtet t'i lëshojë tjetrit në sovranitetin e integritetin territorial, për hatër se janë anëtarë të një organizate të përbashkët ushtarake apo politike.
Së dyti, hapja e këtij problemi do të thotë që secili shtet është dhe duhet të jetë më i kujdesshëm në kontrollin, administrimin dhe ruajtjen e sovranitetit të vet territorial dhe detar, sepse poshtë tokës apo poshtë detit mund të fshihen rezerva dhe thesare të mëdha të burimeve natyrore, të cilat do të nxisin gjithmonë orekset dhe ambiciet e shteteve fqinje. Hapësirat detare janë pasuri, të cilat i përkasin gjithë popullit, dhe jo atyre pesë apo dy vetëve, që zhvillojnë bisedime për kufijtë e detit, dhe pas bisedimeve janë në gjendje të blejnë vila.
Së treti, hapja e çështjes së kufijve detarë mes Rumanisë dhe Bullgarisë dhe zgjatja e tyre prej 20 vjetësh, do të thotë se çështjet e delimitimit të kufijve detarë nuk janë çështje që negociohen për dy muaj apo dy vjet. Nxitimi do të thotë të luhet me papërgjegjshmëri me sovranitetin, siç veproi diplomacia e Shqipërisë, e cila me marrëveshjen e detit të vitit 2009, (për fat e anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë), i fali Greqisë 350 kilometra katrorë det me lehtësinë më të madhe. Dhe delegacioni shqiptar i turpit negocionte pretendimin detar të shtetit fqinj me harta greke. Rumania dhe Bullgaria kanë 20 vjet që bisedojnë për 17 kilometra katrorë. Është një mesazh dhe përvojë kuptimplotë për diplomacinë e Shqipërisë, se nuk duhet të ngutet dhe të mos përsërisë gabimet fatale të marrëveshjes antikushtetuese të detit të vitit 2009. Deti nuk është vetëm "ujë dhe kripë", siç talleshin me detin e atdheut të tyre disa diplomatë shqiptarë të delegacionit të bisedimeve për kufijtë detarë dhe të cilët e shndërruan edhe diplomacinë shqiptare në "ujë e kripë" për të larë këmbët e shtetit fqinj.
SHABAN MURATI
|