Shqipëria mbeti serish jashtë kuadratimit në Europën e Bashkuar
dhe këtë radhë me një refuzim të vendosur, me nota të qarta
paralajmëruese për një rrugë të gjatë, të artikuluara drejtëpërdrejt
nga politikanët më të rëndësishëm të Unionit. Në fakt, kjo pritej:
trashëgimia e lënë pas nga qeveria pararëndëse në aspektet e cilësisë së
Shtetit, seriozitetit dhe vërtetësisë së bindjeve europiane,
konfuzionit juridik të krijuar dhe menaxhimit të financave publike,
ishte zhgënjyese. Këtij zhgenjimi të Europës dhe Publikut të thjeshtë
shqiptar për pararëndësit, iu shtua aktiviteti politik e teknik
krejtësisht diletant i ekipit të ri administrativ në këto tre-katër
muaj: pa garancitë përbërëse për ndryshim, pa qartësinë e nevojshme për
aspektet ku do të duhej të përqendrohej, pa projektin e detajuar dhe
ekspertizen e nevojshme për korigjimin e sistemit e institucioneve të
degraduara, pa kujdesin e nevojshëm për të integruar të gjithë
administratën shqiptare në një aksion të përshpejtuar korigjues, pa një
skedë reformash legjislative që do të mbeshtesnin korrigjimin, skedë e
cila ende sot nuk është dërguar në axhenden e Parlamentit; pa kujdesin
minimal për të ringjizur unitetin e brendshëm në popull, madje duke bërë
të kundërtën: duke nxitur urrejtjet politike, krahinore deri edhe në
sulme krejtësisht të përcaktuara ndaj klasës së të përsekutuarve
politikë dhe krahinave tradicionalisht antikomuniste të Shqipërisë. Mbi
të gjitha, përpjekja për të lënë në harresë të vërtetën në tërësi, për
të "shitur" në tregun politik të BE, si të rinovuar Shqipërinë aktuale
të vjeshtës 2013, e bëri establishmentin e ri, të ngjajë tepër qesharak e
për rrjedhojë i refuzuar prerë nga partnerët europianë.
Kulmi arriti kur u muar vesht zyrtarisht lajmi: u fol përqartë, me
nervozizëm duke kërkuar armiq të jashtëm, në një kohë që e keqja e madhe
është brenda nesh: një vend i rrethuar me ligësi, mediokritet,
riciklim, konvertim dhe me shkelje masive të lirive civile, mungesë të
garancisë të lirisë së fjalës dhe shtypit dhe lënie e qytetarëve të
pambrojtur para ekipeve jakobiniste që po bëjnë kërdinë mbi jetët e
njerëzve të thjeshtë. Ndaj kemi të drejtë të pyesim:
Pse beni sikur nuk kuptoni? Nuk e dinit ju qe me atë përbërje shumë
komplekse të Parlamentit dhe te institucioneve më të larta të Shtetit,
me atë trashëgimi në disa prej emërimeve të administratës, nuk do të
merrnit dot asgjë nga vendet kampione të lirisë? Nuk e dinit ju se me
procesin purifikues të administratës, me procesin terrorit politik e
ekonomik që keni ndermarrë ndaj jetes së punonjësve të thjeshtë të ketij
vendi, ndaj jetës së familjeve që ngriten Shqipërinë, do të mund të
pranoheshit nga vendet perëndimore si të barabartë me ato në të njëjten
tryezë ? Nuk e dinit ju që me emerimet e hetuesve të diktaturës në poste
të larta do të besoheshit që operimi i Shtetit të Ligjit dhe parimi i
barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit do të ishte funksional dhe
kjo do t'ia mbushte mendjen Kancelares mike të shqiptarëve Angela
Merkel, se jeni seriozë? A mendoni ju se fjalimi i parë kryeministror i
stilit laburist, ka neutralizuar procesin e matutjeshëm verifikues të
kabinetit të David Cameron, mbi ato çfarë keni bërë në këto tre muaj
qeverisje, mbi shkatërrimin e të gjithë parametrave gjithpërfshirës të
qeverisjes dhe deformimit të qendrimit të qeverisë si gjykatëse e
kthjellët e rendit shoqëror? Si menduat që goditja e profesionistëve të
administratës, të shkolluarve në universitetet perëndimore, të punësuar
gjatë qeverisjeve pararëndëse, purifikimi i profesionalizmit,
ekspertizës dhe normalitetit, do të kalohej pa u vënë re nga diplomatët
perëndimorë? Nuk e dinit ju se përseritja e purifikimeve që bëri
administrata pararëndëse në segmente të caktuara kohore, do të përbënte
noten negative në vlerësimin e mendësisë suaj të njejtë? A e dini ju se
goditja e korrupsionit ka një radhë; ajo nuk është përzgjedhore, e
paragjykueme, por fillon nga vetja, nga qeverisja jote dhe nga segmentet
e qeverisjes tande qe kanë qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, me notat
më negative të mundshme? Si e menduat që shkatërrimi i të gjitha
investimeve të BE dhe organizmave të tjerë ndërkombëtare, në ndertimin e
një administrate profesioniste, shkatërrimi i të gjitha programeve
strategjike dhe planifikimeve makro të sistemit administrativ shqiptar
do të anashkalohej nga ndërkombetarët, për shkak të kostos së largimit
të një qeverie të mëparshme të konsumuar? Nuk e kuptoni ju se dekoratat
dhe çmimet e lirisë nuk mund të dorëzohen përmes dorës së atyre që e
kanë shkallmuar lirinë, ligjin dhe drejtësinë në mandatin pararëndës,
dhe se asnjë maskë e këtij lloji nuk mund të bëjë riciklimin e tyre para
syve të shqiptarëve të thjeshtë dhe as të vendeve mike që presin me aq
vemendje një demokratizim të njimendtë të vendit tonë? Nuk e dinit ju se
përdorimi i forcës në segmente të caktuara të elektoratit shqiptar nga
grupet të paautorizuara në qendrat e votimit, është një "shfaqje" që nuk
është kaluar pa u vënë re nga vëzhguesit ndërkombëtarë? A mundet një
vend që renditet pas Mongolisë në cilësinë e shtypit, mekanizmin e
kontrollues të cilësisë së lirisë, të pretendojë të ulet aq lehtësisht
në Bruksel?
Shqipëria ndodhet në një moment kur liritë civile po shkelen në
mënyrë masive, të programuar dhe të paramenduar, nga ekipe paralele që
operojnë frontalisht në të gjithë administratën e shtetit shqiptar, nën
justifikimin e spastrimit të administratës nga korrupsioni, tarafi,
politizimi, por që po tejkalojnë çdo parashikim dhe çdo arsye njerëzore
dhe ligjore. Stili operacional është i ngjashëm me atë që kanë vënë në
jetë dikur hetuesit dhe persekutorët e djeshëm të Ancient Regime
të Enver Hoxhës, e në ditët më të këqija të qeverisjes demokratikase.
Administratorët e rinj e këtij vendi nuk e kuptojnë ende se, dikasteret
kryesore të shtetit, Parlamenti Shqiptar etj. janë institucione të një
shteti pluralist dhe jo institucione të para vitit 1990, ku punësoheshin
vetëm të besuarit e PPSH. Parlamenti i Republikës së Shqipërisë është
një parlament pluralist dhe për rrjedhojë edhe administrata e ketij
intsitucioni, perveçse pluraliste, është edhe një administratë e
depolitizuar, në të cilën ka vend edhe për njërezit pa parti, të cilët
përbëjnë shumicen e qytetarëve Ata duhen respektuar dhe mbrojtur. Ju
takon juve zoti kryeministër ta bëni këtë, në të mirë të Shqipërisë dhe
Qytetarëve të saj. Dhe kur ju nuk e bëni, a mendoni se mund të jeni i
krahasueshëm dhe në lartësinë për të qenë pjesë e sistemit europian të
mendimit dhe veprimit?
Me atë çfarë po ndodh çdo ditë, me duhet të them se sjellja
europianiste e ekipit tuaj qeverisës është për momentin e vdekur edhe
zyrtarisht, dhe vendi po kalon një prej periudhave më të rrezikshme
përsa i përket përçarjes se brendshme të unitetit kombëtar, gërryer nga
urrejtja politike, krahinore deri edhe kulturore. Jo rastësisht sulmi
kryesor i establishmentit të sotëm politik është i drejtuar ndaj
Shkodrës dhe pjesës më të përsekutuar të shoqërisë shqiptare, nga Veriu
në Jug të Shqipërisë. Nuk mund ta fshehni dot këtë akuzë, me emërimet në
vend të tyre të pinjollëve të atyre që u shërbyen si bazament
udhërrëfyes, komandantëve që ushtruan dhunën dhe terrorin në Shqipërinë e
Veriut. Jo rastësisht në shenjestër të spastrimeve dhe shkeljeve masive
të lirive civile janë vendosur pinjollët e familjeve me të njohura që
ndërtuan themelet e Shtetit, të Shqipërisë, të sistemit arsimor
shqiptar, të shkences, kulturës dhe kujtdo që i mbijetoi terrorit të
kuq, dhe u përpoq pak këto 23 vite të merrte pak frymë e kompensim.
Une e kuptoj se mekatet e administratës pararëndëse, sidomos në
operimin e shtetit të së drejtës dhe luftës ndaj korrupsionit janë
faktori kryesor i ngeljes së Shqipërisë nga disa vende më tipike
skeptike ndaj Shqipërisë, që mbajnë vazhdimisht pranë një skanër
krejtësisht cilësor ndaj trupit të sëmurë të shtetit shqiptar. Por
njëkohësisht duhet të keni kurajon të pranoni se zgjerimi i hartës së
skepticizmit ndaj nesh, nga vende tradicionalisht stimuluese të
progresit dhe pranimit tonë, është rrjedhojë e drejtëpërdrejtë e
ricikilimit të një pjese të asaj të keqe nga ana e juaj, rezultat i një
politike foshnjërake të ndjekur me dritëshkrutësi në këto tre muaj
qeverisjeje. Kjo politikë çoi në dhunimin masiv të të drejtave të
njeriut, dhunimin e lirive civile, në shkatërrimin e njësueshmërisë
nacionale, në dhunimin e patriotizmit dhe në jakobinizimin e politikës
shqiptare pozitare, në një sens hakmarrjeje pa dallim, duke imituar
qendrimet më puniste të politikës shqiptare të tranzicionit. Ju nuk e
shihni, por ne që jemi jashtë rrethit tuaj të marrëzisë së paranojes
pushtetare, e shohim këtë veprimtari kulimash të papërgjegjshëm për
standardet që duhet të ketë Shqipëria europiane.
Veprimi operacional me anën e të cilit po kryhet ky proces është ndër
më të pangjashmit që ka përjetuar politika shqiptare dhe faktori numër
një i ngecjes së Shqipërisë në klasën europiane e muajit dhjetor 2013.
Akti i ndërhyrjes underground i ekzekutivit në veprimtarinë e
Gjykatës Kushtetuese, përmes një procesi shkëmbimi interesash që po çon
në zvarritjen procedurale të një vendimi që do të ishte prioritar, është
lexuar me mjaft vëmendje nga opinioni publik i brendshëm dhe ai politik
europian. Ai përbën ndërhyrjen e parë të Ekzekutivit në Gjyqësor, dhe
pikërsisht në institucionin më të rëndësishëm dhe më të shquar në
mbrojtjen e të Drejtave të Qytetarit dhe Shtetit. Legjitimitetit i Aktit
Normativ qeveritar, do të duhej të ishte shqyrtuar dhe zbardhur me
përparësi dhe të interesuarit e parë për zbardhjen e këtij vendimi,
duhej të ishin qeveritarët shqiptarë. Kjo ndodh në vendet me qeveri të
përgjegjshme dhe të shpjegueshme që duan t'i shkurtojnë vuajtjet
financiare publikut. Në Shqipëri kjo nuk ndodhi, ndërkohë që në vendet
demokratike, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, një rast i tillë
zgjidhet brenda orësh nga Gjykata Kushtetuese. Kështu, vendi ndodhet në
një situatë absurdi përsa i përket legjitimitetit të administratës: a.
Një qeveri që vepron administrativisht me urgjencë dhe panik për të
operuar mbi administratën pa u sqaruar situacioni i së drejtës; b.një
ligj mbi administratën civile që Gjykata Kushtetuese bëri dy muaj e
gjysëm për të marrë vendim, dhe që ende nuk është zbardhur dhe nuk dihet
kur Kryetari i saj ta vendosë në rend të ditës, zbardhjen; c.rrëzimi i
aktit normativ të qeverisë presupuzon kthimin e legjitimitetit dhe
veprimin e Ligjit të ri mbi Administratën Civile, nga data 1 tetor 2013;
d. ekipe operacionale që operojnë me një shpejtësi dhe nxitim për të
bërë fakt të kryer purifikimin e administratës dhe mbushjen e saj me
militantë majtistë; e.akte nënligjore për zbatimin e Ligjit mbi
Shërbimin Civil ende të papërgatitura; f.një faturë financiare që i
peshon buxhetit që tani nuk do të duhet të paguajë më dy administrata,
por tre të tilla; g.një Listë Pritjeje që me ligjin e ri mund t'i
peshojë me vite të tëra buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë,
për shkak se nuk ezkiston më në parashikimet ligjore; Kush mban
përgjegjësinë për këtë ngutje dhe mungesë kërkese për të nxitur veprimin
e shpejtë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese? Shefat operativë të
spastrimeve? Apo establishmenti i ri administrativ? Ju takon ju zoti
kryeministër t'ua bëni të qartë këtë anëtarëve të Publikut, sepse ai do e
paguajë koston financiare të aventurës së radhës së politikës
shqiptare.
Menyra se si keni vendosur ndarjen e pushtetit dhe se si e keni ndërtuar the principal agent of government,
na bën me mendue se edhe më tutje Shqipnia do të jete e zotnueme nga
skuadra që luftojnë me njëra- tjetren për interesa të ngushta të
pushtetit e të përfitimeve materiale prej tij. Ju po përfitoni në këtë
rrjedhë tuaj të ngjarjeve, nga gjendja në të cilën ndodhet populli që po
qeverisni, i cili prej shumë kohësh nuk ka qenë në gjendje të prodhojë
një përfaqësi të mirë qeverisjeje progresiste. Ju u ngarkuat nga ai
popull, jo për ta lënë pa kokë, por për të qenë në ballë të bashkimit të
tij, për të korrigjuar lengatat e së djeshmes. Ndërsa ju përndryshe, së
paku po përkrahni, ose po i leni të lirë përçarësit brenda agjencisë
tuaj governative, sepse nuk mund ta kuptoj ndryshe këtë sipërmarrje që
po godet të përsekutuarit politikë, shtresat qytetare dhe shtetasit
normale të këtij vendi; sepse nuk mund të kuptohet ndryshe zëvëndësimi i
profesionistëve me njërez të diplomuar në universitete false, që ju aq
shumë i keni kritikuar. Ishte kjo një propagandë e asaj kohe?
Shqipëria po lëngon nën peshën e paaftësisë për bërë ripërtëritje,
për të rilindë vertetë, për shkak se Rilindja nuk ështe kuptuar si
rilindje e një populli marrë në tërësi, pavarësisht bindjeve politike,
përkatësisë krahinore e kulturore, drejt lirisë, por rilindje e
politikave të marrëzisë së përçarjeve, konfiktit, segregacionit dhe e
shkeljes së lirisë. Një establishment që nuk gjeneron dot lirinë e
garantuar, që godet liberalizmin dhe klasen e mesme që në momentin e saj
të parë të ngjizjes dhe konsolidimit, me nisma utopike kursimtare, që
nuk meson nga gabimet e fajet e së shkuarës, së afërt e të largët, nuk
ka ta ardhme. E keqja është se ajo mund ta fundosë vendin në kaos dhe
armiqësi të mëtejshme. Viti 2013 ishte një vit i mbrasht degradimi për
Shtetin dhe problemi është se Viti i Ri mund të mos sjellë ndaljen e
tatëpjetës, sepse drejtuesit nuk kanë një plan udhëtimi në të ardhmen
dhe mbi të gjitha janë të privuar nga filozofia e lirisë, e tolerancës,
nga atdhedashuria e patriotizmi dhe për rrjedhojë nga qasja
gjithpërfshirëse. Pse ende Shqipëria duhet të ecë me hijën e punizmit,
edhe 23 vite pas rënies së fasadës së kësaj ideologjie e politike?
Shkoder, Tiranë 28.12.2013