NJË FILM PËR NËNË TEREZEN Nga FRANK SHKRELI
E Premte, 01.24.2014, 08:00pm (GMT+1)
Duket se së shpejti jeta dhe veprimtaria e Nënë Terezës do të shfaqet si film dokumentar në ekranet amerikane dhe botërore të filmave. Revista amerikane "Variety'' që mbulon industrinë e filmave të Hollivudit, muzikën dhe artin amerikan, në një artikull që botoi të ënjtën në faqen e saj elektronike, korrespondenti i filmave, Dave McNary shkruan se regjisorët e pavarur të filmave, Tony Krantz dhe Jamey Volk janë duke bashkpunuar me "Qendrën Nënë Tereza" për të bërë një film me titull "Kam Etje", një dokumentar ky mbi jetën e Nënë Terezës, bamirëses dhe humanistes së njohur mbarë botërore dhe bijës së gjakut të Arbërit, me të cilën mburret dhe krenohet kombi shqiptar.
Artikulli thotë se pritet që filmimi të nisë nga fundi i këtij viti, ndërkohë që për tekstin e filmit është angazhuar ta shkruaj Keir Pearson, i cili ka shkruar tekstin për filmin e njohur "Hotel Rwanda". Sipas artikullit të revistës Variety, filmi do të përqëndrohet në punën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës në qytetin e Indisë Kalkuta gjatë dekadës së 1950-ave, kur ajo njëkohësisht themeloi Urdhërin e Motrave Misionare të Dashurisë, me misjonin për tu kujdesur për të varfërit e më të varfërve të Indisë. Eventualisht Nënë Tereza veprimtarinë e saj e përhapi anembanë botës, përfshirë edhe trojet shqiptare në Ballkan, por edhe në vende të mëdha e të pasura të botës si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Artikulli nënvijon faktin se për veprën dhe punën e saj, Nënë Tereza ishte shpërblyer me dekorimin më prestigjoz në botë -- Çmimin Nobel për Paqë të vitit 1979 -- dhe thotë se urdhëri i Motrave Misionare të Nënë Terezës, të cilat, ndër të tjera, punojnë në qendra për fëmijtë jetimë, shtëpi të moshuarve dhe qendra të tjera bamirësie, kishte arritur si numër në më shumë se 4000 në vitin 1997, kur ai ndërroi jetë. Regjisori amerikan Tony Krantz tha për revistënVariety se filmi, "Kam Etje", është filmi i parë dhe i vetmi film i autorizuar mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës që do të çfaqet në ekranet e filmave anë e mban botës." Ai u shpreh gjithashtu se "jemi jashtzakonisht shumë të kënaqur për këtë film mbi një grua, jeta dhe vepra e së cilës është një pasqyrim i një angazhimi të plotë, besimi, bamirësie dhe dashurie për të tjerët." Sipas artikullit të revistës së hollivudiane Variety, regjisori Tony Krantz dhe shkrimtari i teksteve të filmave, Keir Pearson do të shkojnë në Indi muajin që vjen, për të përfunduar hulumtimet mbi jetën e Nënë Terezës dhe të fillojë të shkruaj skenarin e filmit. Regjisori Krantz shprehu shpresën, sipas revistës Variety se, shpreson se projekt-filmi do të tërheq një drejtor dhe aktore me famë botërore e cila do të luaj rolin e Nënë Terezës. Ndërsa regjisori tjetër i filmit, Jamey Volk tha për revistën Variety se "mezi presim që filmin të ja paraqesim një audience botërore, ndërkohë që pritet që filmi të jetë gati për ekranet anembanë botës verën e vitit 2015." Regjisori Krantz shtoi gjithashtu se për këtë film dokumentar ata kanë marrë miratimin e plotë nga përfaqsues të Motrave të Nënë Terezës, madje ai tha se kishte arritur një mirëkuptim me to, "mbrenda 15 minutash". Ai nënvijoi gjithashtu se filmi, "Kam Etje'' do të përfshijë edhe episode personale nga jeta e Nënë Terezës, si për shëmbull episodin e "krizës së dyshimeve'', duke thënë se filmi mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës , "nuk do të jetë një film për Katolicizmin, por do të përqëndrohet mbi veprat e saj." Në artikullin e revistës Variety thuhet gjithashtu se regjisorët kryesorë të filmit do të jenë Reece Pearson i entit të filmave "Flame Ventures" dhe Dick Lyles i entit "Origin Etntertainment'', ndërkohë që "Qendra Nënë Tereza'' do shërbejë si këshilltare teknike për filmin.
Gjatë gjithë jetës së saj Nënë Tereza, për dashurinë e saj në veprim dhe në jetë kushtuar më të varfërve dhe më të harruarve të kësaj bote, mori lëvdata dhe çmime ndërkombëtare nga më të dalluarat, përfshirë edhe Çmimin prestigjoz më të lartë botëror Nobel për Paqë. Qindra libra e mijëra artikuj janaë shkruar dhe shkruhen duke mbajtur gjallë fjalët dhe mesazhin e dashurë të Nënë Terezës. Filmi që ka në plan të bëj Holivudi për Nënë Terezën është vetëm një vazhdim i respektit që bota po tregon për Nënë Terezën dhe për veprën e saj edhe pas vdekjes së saj.
Një ndër mesazhet e saja aktuale është mesazhi i saj për rolin dhe rëndësinë e familjes në shoqëri. Në një fjalim drejtuar një konference të Kombeve të Bashkuara në Pekin më 1995, Nënë Tereza u tha grave të botës që "Në vend të vdekjes dhe mjerimit le të sjellim në botë paqë, gëzim e kënaqësi duke iu lutur Perëndisë për dhuratën e paqës dhe për dhuratën e mundësisë për të dashur dhe për të pranuar njëri tjetrin si vëllezër e motëra, si bijë e bija të Perendisë. Ne e dimë se vendi më i mirë dhe atmosfera më e përshtatshme ku fëmijtë mund të mësojnë se si të dashurojnë njëri tjetrin është pikërisht familja, ku ata shohin prindërit e tyre duke dashur njëri tjetrin dhe duke iu lutur Perendisë. Kur familjet shkatërrohen dhe nuk janë të bashkuara, shumë fëmij rriten duke mos ditur të dashurojnë të tjerët". Nënë Tereza vazhdoi duke thënë se, "një vend ku shumë familje janë shktatërruar në këtë mënyrë, do të ketë shumë probleme." Një mesazh aktual ky, jo vetëm për familjet e ngushta shqiptare, por edhe për familjen më të madhe dhe më gjërë të kombit shqiptar, duke theksuar se "Kur familjet janë të forta dhe të bashkuara", përfundoi Nënë Tereza mesazhin e saj drejtuar grave të botës në vitin 1995 në Pekin, "Fëmijtë shohin dashurinë e veçantë të Perëndisë në çfaqjen e dashurisë midis prindërve të tyre, dhe si të tillë rriten që të ndërtojnë dhe të zhvillojnë atdheun e tyre në një shoqëri më të mirë dhe më të dashur për të gjithë".
Në një artikull mbi Nënë Terezën disa muaj më parë, me rastin e njoftimit të Lumturimit të saj nga Vatikani pata shkruar se ne shqiptarët kudo, me të drejtë mburremi shumë me Nënën tonë Tereze, bijë të një gjaku. Me krenari e themi, përfshirë edhe udhëheqsit e tanishëm më të lartë të kombit shqiptar të të gjitha trojeve, se Nëna Tereze është simbol dhe bartëse e vlerave më të mira e më të bukura të kombit shqiptar. Por ama, megjithë adhurimet dhe krenarinë që tregojmë në sipërfaqe për "˜të kur të merret parasyshë gjëndja politike dhe shoqërore në të gjitha trevat shqiptare -- unë nuk mund të durohem pa iu bashkuar cinizmit dhe skepticizmit të të ndjerit Profesor Peter Priftit, i cili disa vjetë më parë është shprehur për librin e Genc Lekës mbi Nënë Terezën duke bërë pyetjen: "A mos ishte lindja e Nënë Terezës në rrethin tonë një gabim, një devijim gjenetik ndofta, apo një sinjal hyjnor, një paralajmërim paraparak për një të ardhme madhështore për kombin shqiptar? Kur shoh gjendjen në Shqipërinë e sotme, mendoj të parën; por më pëlqen të besoj të dytën", qe shprehur Profesor Peter Prifti dhe vazhdoi: "Pyes veten, kemi të drejtë si shqiptarë të mburremi me motrën tonë të bekuar? Mendoj se Nënë Tereza nuk nderohet me levdata, me konferenca shkencore, me shërbime përkujtimore, as edhe me lutje e pelegrinazhe te varri i saj. Sa kohë që neve nuk bëjmë ndryshim, asnjë përmirësim në marrëdhëniet tona shoqërore e politike, atëhere përsa na përket neve si shqiptarë, ajo jetoi kotë në këtë botë. Atëherë do jetë më mirë të mbyllim gojën dhe të mos guxojmë kurrsesi të themi se jemi njerëz të një gjaku e të një gjuhe me Nënë Terezën", përfundon profesori i nderuar, i ndjeri Peter Prifti.
Duke marrë parasysh sulmet e kohëve të fundit nga disa qarqe sado të vogëla, kundër Nënë Terezës, ky cinicizëm dhe skepticizëm, të cilin e ka shprehur aq bukur i ndjeri Profesor Prifti vite më parë, megjithëse unë personalisht nuk besoj se është gjithëpërfshirës -- fatkeqsisht sa vjen e shtohet. Por, të pakën Holivudi po e bën të vetën duke përjetësuar jetën dhe veprën e kësaj bije të Arbërit, të cilën ish-Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, Perez de Quellar e pat quajtur si, ''më të madhe se të gjithë ne''. Nga e majta, autori me Dr. Elez Biberaj dhe familjet e tyre gjatë një takimi në vitin 1987 me Nënë Terezën në Uashington, një takim që asnjëri prej nesh nuk do ta harrojë kurrë.
FRANK SHKRELI
|