E Enjte, 01.02.2025, 09:52am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
LETËR E HAPUR ADEM DEMAÇIT
KUR NDJENJA MUND ARSYEN
- Përgjigje intervistës së Demaçit në "Vjeçerni list"-
Nga IDRIZ ZEQIRAJ

E Djelë, 01.26.2014, 09:20am (GMT+1)



ADEM DEMAÇI

IDRIZ ZEQIRAJ

I shumëdashuri baca Adem!


Dyseldorf 20 tetor 1990. Philipshalle numëronte tetë mijë e kusur vetë, kundrejt 6.500 vendeve që ka. Kanë ardhur bashkatdhetarë nga e gjithë Gjermania, Belgjika, Franca, Zvicra, Spanja, Holanda e vende tjera. Janë burra të moshuar, të rinj e të reja, gra me fëmijë të rritur e deri foshnjë dymuajshe, për t'u takuar me vëllezërit nga Kosova, me pararojën e inteligjencës tonë: profesor Antonin, me akademik Markun, me dom Lushin me shokë e mbi të gjitha me legjendën e gjallë të Kosovës - me simbolin e rezistencës kombëtare,- bacë Adem Demaçin.

Unë nuk i mbaj dot lotët, madje as vajin

Organizatorët, shoqata bamirëse "Nëna Tereze" e qytetit, hapën tubimin, bënë prezantimin e mysafirëve të ftuar. Mungonte dashuria jonë e madhe - baca Adem. Të pranishmit ngrihen në këmbë, thërrisin njërzëri "Adem Demaçi", "Adem Demaçi". Organizatorët dhe të ftuarit zihen ngusht. Por, si me porosi, nga gjysma e programit, vjen telegrami nga baca Adem: "Sa shumë dëshiroja të isha sot në mesin Tuaj, por pushtuesit serbomëdhenj nuk më dhanë pashaportën>>. Dhe, sërish duartrokitje: uratë për burrin, thirrje për baca Ademin dhe zemratë për burracakët.

Unë nuk i mbaj dot lotët, madje edhe vajin. Më duket se Ju, baca Adem, jeni ca më shumë i imi se sa i këtyre mijërave, që krenarisht brohorasin emrin Tënd. Vërtet, nuk jam i pari që u thirra në pyetje dhe u maltretova për Ju, si normalist më 1964, por ama, jam i pari që çështjen e lirimit Tënd me shokë e ngrita publikisht, fillimisht, në mbledhjen partiake në Vrellë dhe pastaj në Konferencën vjetore zgjedhore të rinisë në komunën e Istogut, madje duke kërkuar që të rishikohet e gjithë akuza dhe procesi hetimor e gjyqësor.

Dhe, duke qenë i njohur me kërkesat e organizatës Tuaj, e para organizatë aq numerike në Kosovë, unë me shokë shtruam kërkesat në rrugë legale, publike: Flamur kombëtar, Universitet, Autonomi - me aludimin e hapur për Republikë dhe për bashkëpunim më të ngushtë me Shqipërinë Nënë - dert në shkëmbimet e studentëve. Rrjedhojat dihen. Hapet procedurë penale kundër meje, dënohem në mungesë, ndërkohë që unë mërgova. Atëbotë, isha një mësues 21 vjeçar, me forca dhe mendime rinore. Mendova t'i shpëtoja burgut, njëherit do të kem më shumë fushëveprimi, për çështjet që ishim përkushtuar, me mish e me shpirt, së bashku me shokët. Koha më bindi se largimi nga Kosova qe fatal për rininë dhe jetën time. Atëbotë, vëllezërit e tej piramidës politike nuk aprovonin kërkesën - Kosova-Republikë - dhe një krijesë të tillë e quanin qëllimkeqe, kundërvënie shtetit amë.

Pas përfundimit të studimeve në Shqipëri, humba lirinë dhe për 17 vjet radhazi vuajta në internim dhe burgjeve të mërgimit. Vuajta një burg sa të gjatë dhe të rëndë, aq edhe të pamerituar. Burgu i mërgimit është i vështirë. Gjykoni vetë - për 17 vjet radhazi asnjë anëtar i familjes, asnjë njeri i njohur nuk të vjen në vizitë, asnjë gatim i nënës, madje për vite me radhë asnjë fjalë e shkruar nga njerëzit e gjakut, nga familja. Një xhungël e njëmendët. Dhe, megjithëkëtë, për asnjëherë nuk më shkoi ndërmend pendesa, pse ngrita çështjen e madhe me emrin Demaç; pse përsërita disa nga ato kërkesa, të cilat do t'i përsëriste njëmijë herë, po të ishte i lirë, trimoshi Demaç. Jo 17, por edhe 70 vjet internim e burg nuk janë shumë për Kosovën dhe Demaçin, një binom i pandarë, një emër nderi në mendjet dhe zemrat gjithëshqiptare.
I dashur vëlla Demaç, sot sjell ndërmend shokët tanë, që vazhdojnë ende të dergjën në burgje. Kujtoj shokun tonë të mirë dhe luftarak Kadri Osmanaj, i cili aq shumë ju donte, ju adhuronte. Ai bëri 17 vjet burg dhe ka edhe 9 të tjera për t'i vuajtur. Me Kadriun ishim mësues në një fshat të Prishtinës, kur UDB-ja e arrestoi edhe Kadriun. Në hetuesi udbashët e maltretuan duke e tërhequr zvarrë për kravatën e tij pedagogjike:

- <<Fol për lidhjet tua me Rifatin (nipi Juaj) dhe Demaçin>>. <<Çfarë lexon ti?>>
- Unë lexoj Mekulin, Kërlezhën, Andriqin...>> - qe përgjigjur Kadriu. Përsëri të shara e goditje.
- <<Pse e krahason Mekulin me Andriqin? Pse e lëshove punën në redaksinë e <<Jetës së Re>>? - e pyesnin udbashët e tërbuar.
-<<Më pëlqen profesioni i mësuesit>> - përgjigjet Kadriu prerazi.


Në fakt, duke qenë baba i tre fëmijëve dhe të kthehesh vetëm një herë një javë në gjirin familjar, nuk është lehtë. Por Kadriu ynë arsyetonte ndryshe: Koliqi - një fshat kodrinor, ku ishin të gjallë heronjtë e veprës së Demaçit <<Gjarpijtë e gjakut>>, ishin katandisur në hasmërira fisesh dhe fijet e kësaj loje të ndyrë i endte vetë regjimi në fuqi. Pra, duhej bërë diç, duhej ndriçuar mendja dhe zemra e njerzëve, e fëmijve shkollarë - në 10 shkollat e kësaj zone, që kishin një drejtori të vetme në Keçekollë. Ne punuam mjaft në këtë drejtim, por gati i lamë kockat nga intrigat që thurte e liga UDB-e.

Kam lexuar fjalën e dr. Rugovës me rastin e ripranimit Tuaj në Shoqatën e letrarëve të Kosovës. S`ka dyshim, konsiderata e lartë për Ju nuk ka munguar asnjëherë, megjithatë, heshtja rreth personalitetit Tënd ka vazhduar. Çuditërisht, edhe fëmijët e botës shqiptare e njihnin Mandelën e Afrikës, ndërsa për Demaçin e Kosovës as pedagogët e Universitetit nuk dinin shumë. Vetëm në vitin 1981 u përkthyen disa radhë nga një gazetë amerikane. Ndërkohë, gazeta kryesore e mërgimtarëve << Zëri i Kosovës>> bënte detyrën e vet. Dhe, brenda vendit ishte profesor Zekirja Cana që botoi shkrimin për Demaçin në <<Alternativa>> të Lublanës. Dhe, pati zëra se ende nuk ka ardhur koha për t'u përmendur emri i Demaçit në shtypin kosovar. Pse, vallë, gjithë ky ngurrim, për të ngritur zërin kundër një padrejtësie të madhe, që iu bë shkrimatarit, njeriut Demaç?! Dhe kur vë re gjithë këtë pritje e heshtje, them se populli ynë e ka të zhvilluar ndjenjën patriotike, por është i vonuar në atë revolucionare.

22 vjet në mërgim pa i parë prindërit

Vëlla i dashur Demaç, kam 22 vjet në mërgim. Kam 22 vjet pa i parë prindërit, vëllezërit, motrat, xhaxhallarët, nipërit, mbesat, kushërinjtë, shokët, Studenicën time, e mbi të gjitha Kosovën tonë. Edhe pas gjithë kësaj vuajtjeje fizike e shpirtërore <<shteti juridik>> më dha përgjigje të prerë: <<Nuk ju lejohet hyrja në Jugosllavi>>. Dhe, megjithatë, do ta përballoj me kurajo edhe këtë torturë, me shpresë e besim se fitorja është e jona. Dhe, në të gjitha çastet e rënda të jetës, i referohemi qendresës sate heroike, për tri dekada me radhë.

Pas vuajtjes së dënimit nga vetë organet kompetente m'u sugjerua kërkesa për pafajësi. Pas një studimi 6 mujor që iu bë dosjes time hetimore e gjyqësore, rezultoi se e drejta ishte në anën time. Pra, në fund-vitet '80-a rrokullisja qe rapide dhe ndryshoi edhe qëndrimi i partiakëve të Tiranës ndaj çështjes të Kosovës, përkatësisht - Republikës së Kosovës. Për pafajësinë time firmosi edhe vet Ministri i Brendshëm, anëtar i udhëheqjes supreme partiake e shtetërore shqiptare. Megjithatë, unë ende vazhdoj të jem fajtor pa faj. Dhe, gojarisht, ky bllokim motivohet në dy variante: E para, dhënia e pafajësisë presupozon ngarkimin e dikujt tjetër me përgjegjiësi, pasi ndëshkimi im nuk ka qenë as 17 javë, as 17 muaj, por plot 17 vjet me radhë. Dhe e dyta, pafajësia u kushtëzua me heqjen dorë nga largimi nga shteti ku vuajta dënimin. Por, një ish i burgosur politik, pas një persekutimi të gjatë në mërgim, duhet doemos të ndërrojë vend. Dhe, unë, më 2 shkurt të këtij moti, ndërrova vendin e mërgimit dhe tani gjendem në Gjermaninë e Bashkuar.

Një akt barbar

Burgimi dhe ndërprerja me dhunë të pendës së një shkrimtari është një akt barbar. Mjerisht, vendet ish-socialiste këtë masë e kanë praktikuar në stil të gjerë. Për ndryshim nga Stalini, pasuesit e tij në Bashkimin Sovjetik u hiqnin shtetësinë sovjetike dhe i përzinin. Sigurisht edhe kjo masë ishte e turpshme, por më e lehtë se e para. Mendoni shkrimtarin e madh Sollzhenicin dhe veprën madhore <<Ishulli Gulak>>, që sot ka hyrë në fondin e artë të letërsisë botërore. Prandaj, zëri i protestës duhet ngritur gjer në qiell që të lirohen energjitë krijuese.

Kam lexuar disa nga intervistat Tuaja. Në përgjithësi ato janë racionale, të sinqerta, dinjitoze e njerëzore. Bota shqiptare e më gjerë habitet se si keni ruajtur drejtpeshimin dhe për asnjë çast nuk jepni shenja urrejtjeje për kombin, bijtë bastardë të të cilit ju kanë rrëmbyer thuajse gjysmën e jetës, madje pjesën më aktive të saj. Dhe këtë sinqeritet serbomëdhenjtë e quajnë <<taktizim>>. Ju jeni njohës dhe analitik i shkëlqyer i gjendjes reale kosovare dhe jugosllave.

Por, me keqardhje, duhet pranuar se në disa intervista të dhëna nga burgu, sidomos atë në "Vjeçerni list", mendoj se ndjenja ka mundur arsyen. Vlerësimet e dhëna për Stalinin dhe ndihmesën e tij për Shqipërinë janë të diskutueshme. Pajtohem me atë se figura e Salinit është barazi me zero. Gjithashtu është i qëlluar edhe definimi i Kadaresë: <<Stalini është kriminel dhe armik i Shqipërisë>>. Unë shtoj se Stalini është më kriminel se Hitleri, sepse krimet i bëri në paqe dhe me sadizëm të paparë.

Për ndryshim nga Hrushovi, Stalini nuk i dha asnjë ndihmë materiale Shqipërisë, ndërkohë që nuk kurseu ndihmën morale për pushtetin totalitar të Hoxhës. Përmendoret e Stalinit në sheshet shqiptare - janë permendore turpi, për rrënimin e të cllave populli shqiptar vazhdon të derdh gjak, për afro gjysmë shekulli me radhë.

ENVER HOXHA ISHTE STALINISTI MË I MADH I SHEKULLIT

Ju i dashur baca Adem, keni deklaruar se <<Shqipëria jonë nuk ka qenë kurrë e izoluar; nuk ka lejuar burokracinë; vullneti i popullit është ligj i parë; shoqëria shqiptare nuk ka përjetuar kriza; ka zgjidhur problemin e papunësisë; Enveri është më së paku stalinist; nuk bëri asnjë gabim strategjik; bëri seleksionimin pozitiv; është biri më i madh i popullit shqiptar, është udhëheqes gjenial"...!

Unë mendoj se kjo bindje e Juaj i përket së kaluarës, sepse burgu Juaj i gjatë, mungesa e informacionit, shto këtu edhe dashurinë e madhe për Atdheun e lashtë, ka bërë që vlerësimet e dhëna të mos përkonjë me realitetin tepër të hidhur shqiptar.

Për te gjitha këto çështje unë mendoj krejt ndryshe dhe mendimin tim mund ta ilustroj me fakte të gjalla, madje të verifikuara nga gjendja reale e djeshme dhe e sotme shqitpare. Po bëj vetëm përvijimin faktik, fare shkurtazi:

1. - Shqipëria ka qenë e vetizoluar gjithmonë. Me shumë sukses është përdorur ky izolim për mashtrimin e botës në përgjithësi dhe të kosovarëve në veçanti. Vetizolimi ka dëmtuar, më sakt, shkatërruar politikisht dhe ekonomikisht Shqipërinë.

2. - Burokracia shqiptare i ngjan një shtresimi akullnajor arktik. Vetë Komitetet e Partisë janë kështjella të burokracisë. Edhe Ju e pranoni se Kadaresë i plasi zemra nga burokracia.

3. - Vullneti i popullit kurrë nuk është përfillur. Dhe, garantoj me jetë se aty ku flitet shumë në emër të popullit, manipulohet dhe populli është robot në shërbim të politikës, që bie ndesh me interesat e tij. Vërtet, qeveria duhet t'i shërbejë kombit, por, në fakt, në vendet njëpartiake, kombi vihet në shërbim të qeverisë.

4. - Shoqëria shqiptare ka qenë gjithëherë në krizë, madje një krizë krejt e pajustifikueshme, sepse burimet tokësore dhe nëntokësore kanë qenë të bollshme për popullsinë e saj. Varfëria shqiptare ka qenë dhe mbetet klasike në limitin e ekzistencës.

5. - Papunësia është tejet e madhe. Vetëm qyteti i Vlorës numëron 6 mijë të papunë. Gjysëm të papunët, si rrjedhojë e mungesës të lëndës së parë, janë me mijëra.

6. - Enver Hoxha është stalinisti më i madh i shekullit tonë. Ai ka vrarë e prerë, me gjyq e pa gjyq, ka burgosur dhe internuar, tamam si Stalini, për 40 vjet radhazi, shqiptarë të ndershëm, atdhetarë të mirë, por që nuk janë pajtuar me diktaturën hoxhiste. Ai nuk i ndërroi asnjë presje sistemit të egër e diktatorial të Stalinit. Ishte kopja më besnike e tij. Krenohej me emrin dhe veprën e Stalinit, ngrite përmendore kudo për të, madje duke qenë i vetëdijshëm se populli shqiptar e urrente për vdekje Stalinin. Pra, Enveri me Stalinin janë si dy pika uji të një burimi.

7. - Mendoj se të gjitha gabimet që i ka bërë Enver Hoxha dhe Partia e tij, tanimë, e dalë boje, kanë qenë të natyrës strategjike: emërimi i Hoxhës u bë nga kolonët e Kosovës, në Vitomiricë të Pejës; me sugjerimin e Mugoshës dhe të Popoviqit filloi lufta civile në Shqipëri; dënimi i marrëveshjes së Mukjes, është si edhe mohimi i Konferencës së Bujanit nga Serbia me vasalët; vrasja, burgosja, internimi i të gjithë gardës së vjetër intelektuale - atdhetare shqiptare; organizimi i 19 gjyqeve të montuara, të quajtura <<grupe armiqësore>> dhe që numëronin me qindra anëtarë; dënimi me vdekje dhe me burg të gjatë, si p.sh. Sami Dangëllia nga Korça dhe Osman Kazazi nga Tirana vuajtën përkatësisht nga 44 dhe 43 vjet burg; ose dënimi i shkrimtarit kosovar Kapllan Kallushi - Resuli me 45 vjet burg të rëndë; ose me 105 burg i kryepriftit të sotëm të Shkodrës - dom Simon Jubani, që vuajti 26 vjet dhe u lirua me ndërhyrjen e opinionit botëror. Ai para ca javës kryesoi meshën e madhe, në praninë e disa mijëra besimtarëve të krishterë dhe muhamedanë.

Lidhja me rusët dhe jugosllavët; nxitja artificiale e luftës së klasave; zhveshja nga çdo pasuri personale dhe rrënimi total i fshatarësisë, që përbën afro 75% të popullsisë të vendit. Politika diskriminuese e kuadrit, privilegjet për disa krahina dhe shtypja e disa krahinave tjera. Politika personale e Hoxhës, kulti i shfrenuar, rrëzon Perëndinë e qiellit dhe bëhet vet Perëndi në tokë. Izolon vendin nga bota, duke e lënë prapa në teknologji e zhvillim. Përgjon, përndjek, censuron, mohon dhe shtyp çdo mendim, shprehje apo veprimtari krijuese. Shkatërron vlerat, traditat kombërtare; e zhvesh njeriun shqiptar nga ndjenja kombëtare e morale. E pabesueshme duket, por është krejt e vërtetë që sot njeriu shqiptar është gati të jetojë qoftë edhe në stepat e Azisë dhe shkretëtirat e Afrikës, vetëm e vetëm të largohet nga Shqipëria. Ja, pra, ku e katandisi Atdheun Enver Hoxha, ky njeri i bërrylave, i hileve, intrigave, krimeve.

8. - Është e vërtetë se Enver Hoxha ka bërë herë pas herë seleksionim kuadrosh, por gjithëherë në kahjen negative: ka hequr të aftit dhe ka sjellur të paaftit, duke i bërë robotë, të bindur në politikën e tij oborrtare, dinastore. Nëse ka shpëtuar ndonjë, siç është Presidenti aktual, është rastësi, madje e kushtëzuar me diç tjetër. Është pikërisht sjella e njerëzve të paaftë në udhëheqje e drejtim ekonomik që ka lënë aq prapa vendin. Sot, Shqipëria mezi prodhon biçikletën, madje të një cilësie aq të keqe, aq difektoze, sa që mjerë ai që shpenzon për ta blerë atë. Janë pikërisht seleksionimet e tij dhe të shoqes Nexhmije që kanë shtresuar burokracinë dhe pengojnë sot demokracinë.

9. - Përgjithësisht, i gjithë kombi shqiptar, në veçanti ajo pjesë që e ka povuar në kurriz, pra Shqipëria, Enver Hoxhën e konsideron sot si shkaktarin e tragjedisë së madhe kombëtare. Ai, krahas Salinit, cilësohet si kriminel, vrasës ordiner dhe urrehet tej mase. Sipas tyre, pashanë e Toptanëve dhe të tjerë si ai, i ka lënë në hije Enver Hoxha. Ne do të jetojmë, do të shohim se kur do të hapet dosja shqiptare, e gjakosur gjer në cepat e saj, me gjakun e pafajshëm shqiptar, do të bindemi se tradhtia nuk ka brirë dhe Hoxha do të jetë sinonim i saj. Për këtë, tanimë, nuk ka asnjë mëdyshje. Andaj, unë mendoj se ai është biri më bastard, që ka nxjerrë ndonjë herë toka shqiptare ndër shekuj.

Më kujtohet një shprehje e Qosjes tonë, në afro dy dekada më parë: se çfarë është një udhëheqës, shihet në fund të karrierës së tij. Dhe, ne po shohim, me sytë tanë, fundin e palavdishëm të tij. Kushdo që mundohet që gjendjen kaotike politike dhe ekonomike të sotme t'ia mveshë Ramiz Alisë, gabohet rëndë. Ramiz Alia kështu e trashëgoi nga Hoxha. Është meritë e tij nëse do ta kalojë pa plojë këtë tragjedi. Por, dyshoj se më parë duhet të shlyejë e rrënojë emrat dhe përmendoret e dy diktatorëve, të Stalinit dhe të Enver Hoxhës, në mënyrë që tek populli ta kthejë sërish dashurinë, respektin dhe besimin, paksa të zvetënuar kohëve të fundit.

10. Është skajmërisht e habitshme se populli shqiptar ende vazhdon t'i paguajë haraç kultit të Hoxhës, ideologjisë së tij të mykur. Dëshmi është edhe ngritja e muzeut me emrin e tij. Nën patronatin e dhëndërrit të Hoxhës, filloj maratona nëpër botë e <<specialistëve>> të shumtë, në kërkim të materialit ndërtimor. U gjezdis Evropë, Azia, dhe Amerikë, për të sjellë fjalën e fundit të shkëlqimit piramidal. U injorua edhe mermeri i mrekullueshëm shqiptar, duke importuar mijëra dhe mijëra pllaka të vogëla, me çmim 9 dollarë copa. U importuan të gjitha pajimet e bendshme dhe teknika më bashkëkohore, natyrisht, më e kushtueshme.

Gjithë këtë shpenzim të madh, këtë luks të shfrenuar dhe fare të panevojshëm, e qau me lot gjithë populli shqiptar, i cili mezi kapërdinë kafshatën e bukës të panjomur mirë, ngaqë bulmeti është i racionuar, që për fat shqiptarit nuk i ka munguar as në kohët e mbretërimit të Teutës, Bizantit, Skënderbeut, Perandorisë Turke, Zogut, por, që mjerisht, i mungoi dhe vazhdon t'i mungojë në <<epokën e lavdishme të Partisë>> - siç i pëlqente ta quante Hoxha kohën e sundimit të tij të egër, totalitar e despotik.

Shqipëria jonë ka resurse të bagata. Ajo ka pasur mundësinë e një zhvillimi, për të qenë shembull jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Përrallat që trashëguam varfërinë nga periudha e Mbretërisë të Zogut, nuk janë bindëse, sepse po kalon gjysmë shekulli dhe gjithëherë e më shumë po përkeqësohet mirëqenia gjithëpopullore, duke përjashtuar elitën burokratike në pushtet, që jeton në luks e begati, e cila është shkëputur me kohë nga populli i përvuajtur, madje i ka hypur në zverk, duke mos kursyer dajakun, plumbin, burgun, internimin, për cilindo që guxon të dënoncojë mjerimin e madh gjithëshqiptarë.

Z. DEMAÇI, ISMAIL KADARE NUK ËSHTË DEZERTOR

Vëllai im i dashur Demaç, Ismail Kadare nuk është dezertor. Akti i tij është sublim, i bërë për hir të Shqipërisë dhe të Kosovës - njëkohësisht, pra, për hir të kombit mbarë.

Partiakët e Tiranës nuk bëjnë shaka, duke dënuar me javë e muaj. Masa e parë është 10 vjet burg, ndërsa dhjetëshet tjera <<dhurohen>> gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Ju kujtoj mjeshtrin e pendës, Resulin tonë: fillimisht u dënua me 15 vjet burg të rëndë, por brenda në burg u dënua edhe tri herë radhazi me nga 10 vjet, që do të thotë plot 45 vjet burg. Këtë nëntor Resuli mbushi 20 vjet burg dhe vazhdon vuajtjen infinite. Kur u ndava nga Resuli, në burgun e Burrelit, <<Burgu i vdekjes>>, më la amanet që ta vë në dijeni Kosovën dhe botën, se "në luftën time për demokracinë dhe kundër burokracisë e diktaturës, dergjëm në burg dhe rrezikohem të lë edhe kockat". Unë plotësova amanetin.

Partiakët e Tiranës nuk janë De Golë. Për këtë kanë dhënë prova të bollshme. Ata nuk pyesin për Volter e Shastër. Ju kujtojmë se Hoxha me shokë varrosi Fishtën, Konicën, Koliqin dhe fishku plot talentë të tjerë krijues, që sot do të ishin krenaria shqiptare, gjithëkombëtare. Shpëtimi i Kadaresë është një mrekulli çudibërëse, është shkathtësia e tij që i thuri hymne edhe Hoxhës dhe Partisë së tij, për çka u quajt edhe <<pendë e kompromentuar>> nga bashkatdhetarët e vet, për t'u kamufluar të botojë atë pjesën tjetër, që ka hyrë që në fondin e artë të kulturës kombëtare e botërore.

Profesor Skënder Luarasi, ndjesë pastë, i biri i mësuesit të parë të shkollës shqipe - Petro Nini Luarasi, i mllefosur nga lufta që i ka bërë diktatura, me Hoxhën në krye, njerëzve të shquar shqiptarë, pat thënë: <<Bota nga hiçi bën beronjtë, që janë stoli e kombit, ndërsa ne, shqiptarët, (aludonte për regjimin e Hoxhës), heronjtë i kthejmë në bajga, bagla>>!
Nuk e teproj kur them se edhe ne, studentët, e vinim re torturën shpirtërore të Kadaresë, kur na shpjegonte leksionet e <<Letërsisë dekadente>>, me ç'rast detyrohej të thoshte jo atë që mendonte ai, por atë që kërkonte programi i Hoxhës.
Kam shumë për të thënë, o i shumëdashuri baca Adem! Por nuk i them dot të gjitha në një letër. E kam dashur Enver Hoxhën dhe Partinë më shumë se edhe prindërit, që më kanë bërë kokën. Ne, shqiptarët e Kosovës, vuajmë nga një naivitet, pothuaj, natyror, besojmë shumë. Dashurinë e ligjshme për Shqipërinë Nënë, e identifikonin me Udhëheqësinë, me Partinë. Ky ishte një gabim i madh. Partitë shkojnë vijnë, e Atdheu është një. Vërtet, kam vuajtur gjatë, por kurrë nuk është zvetënuar dashuria për Shqipërinë. Do të ngushëllohesha tej mase, sikur nga vuajtjet e mia dhe të si - vëllezërve te mij, të mësojnë të tjerët. Pra, të mos ngatërrojne Shefat burokratë e kriminelë me Shqipërinë. Shefat kanë qenë dhe do të jenë të shumtë, ndërsa Shqipëria është vetëm një.

A nuk tingëllon anakronike për dje edhe sot, që një udhëheqës të uzurpojë 9 poste, siç bëri Hoxha pas çlirimit: 1. Sekretar i Përgjithshëm i Partisë; 2. Kryetar Shteti; 3. Kryeministër; 4. Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë; 5. Kryetar i Frontit Demokratik; 6. Kryetar i Këshillit të Mbrojtjes; 7. Ministër i Punëve të Jashtme; 8. Ministër i Mbrojtjes; 9. Ministër i Brendshëm! Sikur Shqipëria të mos kishte asnjë intelektual, sikur vendi të kishte mbetur në bujq dhe barinj!

Unë ndjehem njeriu më i mjeruar i kësaj bote. Kinse kam shpëtuar vetë dhe kam lënë mijëra të tjerë duke vuajtur burgjeve. Në mes tyre edhe shumë kosovarë. Resuli po se po.

Pastaj Namik Luci inxhinier, Istref Kelmendi profesor, që të dy nga Peja, me prindër të pushkatuar nga Partia Komuniste jugosllave, Jetulla Gashi, doktor nga Marevci i Prishtinës, Remzi Selimi-Bushi, nga Kaçaniku, me banim në Shkup, familja, i cili, duke qenë 19 vjeçar, është dënuar me 1950, ka bërë 39 vjet burg dhe ka për të vuajtur edhe 12 vjet të tjera, ndërkohë që ka kryer vetëm 4 klasë fillore arsim, ndërsa dënimi është i tëri politik!! Kam lënë Hashim Toplicën, nga Tetova, që ka vuajtur 37 vjet burg, dhe tani vazhdon internimin, Esat Myftarin nga Peja, nipi i Emrush Myftarit, i zhdukur më 1945 nga Partia jugosllave, shok i Enver Hadrit të vrarë këtë vit në Bruksel dhe i avokat Adem Bajrit, i cili pas vuajtjes së dënimit 10 vjeçar, tani është i papunë, edhe pse është njohës i disa gjuhëve të huaja. Kam lënë pleq të mirë si Abdullah Zagora, shqiptar nga Sarajeva, i cili pasi vuajti 17 vjet në burgun politik jugosllav, vuajti edhe 10 të tjera në burgun politik shqiptar dhe tani gjendet në azin e pleqve, bashkë me Jahir Halitin nga Repa e Podujevës, që ka bërë 32 vjet burg politik, duke qenë analfabet, edhe sot firmos me gisht. Dhe pleq të tjerë, të cilët ushqimin dhe veshjen i kanë të siguruara, ndërsa rroga mujore e tyre është vetëm 10 lekë, që do të thotë 1 mark e 4 phenik.

Brengosem dhe lotoj se të paktën i kujtoja ndonjëherë të burgosurit kosovarë dhe ata të internuar, që, falë ndihmës së pakursyer të dërguara nga familja ime, i kujtoja me pakot simbolike apo edhe me ndoca lekë.

KLIKA DUKE PËRÇARË - SUNDON.

AJO FSHIHET PRAPA PARULLAVE PATRIOTIKE


Demaçi ynë i dashur, serbët kanë një rast të shkëlqyer, të ulën rreth tryezës me njeriun Demaç. Ju do të ishit garancia më e sigurtë, për fatin, jetën e pakicës serbe e malazeze, në Kosovë, sepse Ju jeni një Tucoviq i ditëve tona, me një parësi cilësore: veç pushtetit moral sot, nesër do të kishit edhe atë fizik. Porosia Juaj do të ishte ligj, për cilindo shqiptar dhe investimi juaj për të ardhmen, do të kishte vijueshmëri, duke shëruar edhe plagët, aq të thella të shpirtit shqiptar.
Në gjoksin Tënd rrah një zemër sa e dëlirë, aq edhe trime. Ju jeni i gjoksit dhe jo i bërrylave. Prandaj, mendja Juaj e ndritur aspiron për strategji afatgjate dhe jo taktizime të ditës apo lajka, siç bënjë, zakonisht, bërrylaxhinjtë.

Ne, vëllezërit Tuaj fatkeq, e dimë se burgu i gjatë edhe ju ka lodhur. Izolimi i gjatë ka shtuar përmalljen për të qenë një elektron i lirë - siç do të thoshte kimisti. Por, vallë, a nuk e mendoni se ato radhë pritëse njerëzish, për t'u takuar me Ju, shprehin edhe kërkesën e ligjshme: <<Na prij, baca Adem, sepse gjatë ju kemi pritur. Nën flamurin Tënd, sikur jemi më të bashkuar, më të fortë, më të sigurtë. Ju nuk errësoni sivëllezërit Tuaj luftarakë, por ndriçoni edhe më shumë figurën e tyre, sepse populli do të thotë se janë krah i fuqishëm i Demaçit, ashtu si Boletini e Gurakuqi, dikur, për Ismail Qemalin, rrjedhimisht, nuk pranojmë vetëpensionimin Tënd>>.

Fati im ka qenë i mjeruar, por jam krenar edhe në fatkeqësi, sepse kam ngritur zërin e protestës për lirinë fizike, botuese e lexuese të njerëzve të shquar si: Demaçi, Resuli, Fishta, Konica, Koliqi dhe dëshmi për të gjithë këta është edhe Aktakuza ime, me vulën e Prokurorisë, të cilën e kam ruajtur me fanatizëm edhe sot e kësaj dite.

Unë jam hatëruar pse intelegjenca kosovare heshti gjatë kohë, kur shihte kërdinë që bëhej tej kufirit. Në bisedat e mia të veçuara, në mërgim, qysh në vitet '70-a, kam vënë në dijeni Profesorët: Rexhep Qosjen, Idriz Ajetin, Ramiz Kelmendin, Ibrahim Rugovën, Rexhep Ismailin dhe të tjerë, se kombi po ecën drejt katastrofës. Atëbotë, unë humba lirinë dhe nuk e di se çfarë kanë bërë, veçse gjer më tani nuk kam dëgjuar fjalën e tyre publike, për çështjen aq vitale.

Së fundi, lutja ime vëllazërore: ju lutem, si vëlla e bacë, ta shikoni mundësinë e rikthimit tek intervistat e burgut, duke dhënë vlerësime të reja, për gjithë periudhën e Hoxhës me shokë. Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse në botë ka huti, në emigracion ka përçarje, duke penguar madje edhe revista e gazeta të tëra, të cilat shprehen kundër Hoxhës dhe Partisë së tij. Pra, fjala Juaj, vlerësimi real, pas të dhënave të reja që posedoni pas lirimit, gjë që, me siguri, duhet të kenë ndikuar edhe tek Ju më realisht.

Kjo do të ishte edhe përkrahja më e madhe për Ramiz Alinë dhe Shqipërinë. Koha nuk pret. Hoxha, me burokracinë e tij, i ka sjellur shumë dëmë Atdheut. Andaj, është i pambrojtshëm. Duke hapur dosjet e krimeve, burokracia antidemokratike automatikisht do të çarmatosej. Tanimë, dihet, që nga viti 1945 e gjer më sot Shqipëria mban një rekord të palavdishëm: Vendin e parë në botë me të burgosur politikë, në shkallë popullsie. Ndërsa për një dekadë radhazi, 1973-1983, qe rekordmene absolute më të dënuar politikë, pavarësisht nga numri i popullsisë.

Sipas përllogaritjeve të bëra, në burgjet politike shqiptare, që nga viti 1948 deri më 1981, më shumë vite burgu politik, kanë vuajtur shqiptarët e Kosovës në Shqipëri, se sa të gjithë shqiptarët në Jugosllavi. Dhe, kjo është një akuzë tjetër vetëfolëse, për armiqësinë e tërbuar antikosovare te Hoxhës dhe të partisë së tij demagogjike e kriminale.

Gjatë jetës sime të përvuajtshme, kam konkluduar se më e rëndë është një klikë në pushtet, se sa një pushtues i huaj. Dhe, pse? Klika duke përçarë - sundon. Ajo fshihet prapa parullave demagogjike patriotike; hymnizon heronjtë e kombit, edhepse ca prej tyre i ka vrarë vetë, prapa shpine; njeh mentalitetin e kombit; njeh territorin, përgjon më lehtë; intrigon më shumë, korrupton pa ndarë, favorizon horra, matrapazë, hafije, imoralë - që të gjithë vihen në ndjekje të njeriut të ndershëm. Dhe, kështu zgjat jetën e sundimit me dredhi e kërbaç. Ndërsa pushtuesi është i huaj. Demagogjia është jetëshkurtër. Populli bashkohet më lehtë, guximi është më i madh, shërbimi për të është i kufizuar.

U zgjidh edhe <<nyja gordiane>>. Këto ditë qeveria shqiptare deklaroi pafajësinë time, pas 17 vjetësh vuajtjeje. Sidoqoftë, edhe ky sihariq, i ardhur nga Shqipëria Nënë, është një ngushëllim për mua, mërgimtarin e përvuajtur shumëvjeçarë.
Vërshimi nëpër përfaqësitë diplomatike në Tiranë, qe një goditje gjithëkombëtare. Edhe unë e përjetova thellë në shpirt këtë akt të dramës shqiptare.

Ende pa arritur mirë në ekzil, telefonata sillte nga Tirana dhe gjithë Atdheu zëra shqetësimi dhe vaji, për bijat dhe bijtë, që morën rrugën e hidhur të mërgimit. Ishin këta mijëra të rinj dhe të vjetër, të cilët, për herë të parë kalonin kufijtë shtetëror, ngaqë udhëheqësi i <<famshëm>> Enver Hoxha nuk e kishte parë të arsyeshme një gjë të tillë më parë.

Dhe, sërish këmbëngul, se, është shumë e nevojshme fjala Juaj, i dashuri baca Adem. Ju keni burrërinë, trimërinë, logjikën e hekurt, andaj, edhe nëse demantoni diç që koha provoj të kundërtën, assesi nuk zvetënoni aspak nga respekti që gëzoni. Jam i bindur se Ju, baca Adem, po të keni edhe pushtet, do ta lejonit që cilido të thotë atë që mendon.

Fundja, duke mbetur në pritje të përgjegjës Tuaj, uroj për mirëkuptim vëllazëror.

Ju përqafoj më çiltëri ndjenjash -
vëllai Juaj
Idriz ZEQIRAJ
Schoipenhauer Strasse 20
Ludwigshafen - Gjermani


Shkruar më 10 dhjetor 1990

IDRIZ ZEQIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DY PUSHTIME TË NGJASHME TË SHKODRES - 26 JANAR 1479 NGA TURQIT, DHE 29 NANDOR 1944 NGA...Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (01.26.2014)
GAZETARËT NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUARVështrim nga SKËNDER MULLIQI (01.26.2014)
SHOQATA KOMBI BASHKOHET ME ZËRIN E PROTESTËS KUNDËR DEKORIMIT TË JANULLATOSIT (01.26.2014)
NDARJA NGA MIKUVajtim për mikun Nazmi LukajPoemë nga RROK BERISHA (01.25.2014)
ORË LETRARE PËR VËLLEZËRIT GËRVALLA DHE KADRI ZEKËN NË LUDVIGSBURG!Fotoreportazh nga ASLLAN DIBRANI (01.25.2014)
ANA E MALIT- TREVË E NGJARJEVE TË RËNDËSISHM​E HISTORIKE DHE KOMBËTAREStudim nga XHELADIN ZENELI (01.24.2014)
GLORIFIKIMI I 'ANTIFASHIZMIT' SI REHABILITIM PUBLIK I ENVERITNga SULEJMAN GJANA, kryetar i PLL (01.24.2014)
LENINI ISHTE AGJENT GJERMAN… U PËRCOLL NGA QEVERIA GJERMANE PËR NË RUSI…Dossier nga ILIR SECI (01.24.2014)
MESILA DODA - BERISHA TË MERRET ME AFRIMIN MBARËSHQIPTAR, PD T'IU KTHEHET IDEALEVE TË DHJETORIT (Intervistë)Doda - Kryesia e PD-së nuk është mbledhur që kur u zgjodh kryetari. Me Bashën nuk jam takuar personalisht qysh në korrik (01.24.2014)
DORUNTINA MODERNE, DRANDE JAKJA, QË DO T’I JEPTE KADARESË ÇMIMIN NOBEL APO HOLLIVUDIT AMERIKAN NJË FILM NOBELEkskluzive nga RAMIZ LUSHAJ (Shqip dhe anglisht) (01.24.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Janar 2025  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]