E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
PSE NË POLITIKAT ZYRTARE TË MALIT TË ZI SHQIPTARËT E PARTITË POLITIKE SHQIPTARE JANË TË â€œDORËS SË TRETË”?!
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Mërkurë, 01.29.2014, 08:02am (GMT+1)


1.
Partitë politike shqiptare aktuale nën Malin e Zi janë "dora e tretë" në Koalicionin e sotëm "Mali i Zi Europian", një koalicion me devizë e sigel të pandryshuar qyshse nga elektoriada parlamentare 2006. Ky koalicion fitimtar në mbi dy dekada u riformatua para tetë vitesh sipas modelit të aleancës zgjedhore të vitit 2002 "Lista e Malit të Zi Europian", asokohe, e thirrun edhe ndryshe: "Lista Milo", prej liderit të saj Milo Gjukanoviç.

"Dora e parë" e këtij koalicioni në Elektoriadën e fundme të 14 tetorit 2012 ishte aleanca parazgjedhore trinjake e të majtës malazeze: Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviçit, e cila fitoi 32 vende në Parlament; Partia Social-Demokrate (SPD) e kryeparlamentarit në katër mandate, Ranko Krivokapicit, e cila siguroi 6 vende; Partia Liberale e qëndres së majtë (PL) e Andrija Popoviçit, që kapi vetëm një vend në Parlamentin e Malit të Zi.

Në kit' koalicion, nga rradhët e DPS, doli edhe një deputet shqiptar, Luigj Shkrela, disi një moderator politik i problematikave aktuale shqiptare, që mund të bajnë mjaft edhe për ndarjen e pushtetit komunal paszgjedhor në Ulqin, ku partitë shqiptare të marrin kryekomunarin e partia e Gjukanoviçit kryetarin e këshillit komunal.

Koalicioni Mali i Zi Europian nuk mujti me tejkalue 50 përqindshin elektoral, pasi kishte vetëm 165.380 vota (45.6 për qind) e, të tria sëbashku,siguruan vetëm 39 deputetë nga 81 vende në Parlament. Me kaq vota e vende kryesocialisti Gjukanoviç nuk mund të rikthehej kryeministër pas dorëheqjes se 29 dhjetorit 2010 nga trusnia e kushtëzuar euro-atlantike, nuk mund të miratonte qeverinë e tij të re, nuk mund të (ri)zgjidhej kryeparlamentari Krivokapic (SPD) nga rradhët e koalicionit parazgjedhor, etj.

2.
"Dora e dytë" e partive aleate (jo)pralamentare u thirr me nguti në aleancë paszgjedhore me Koalicionin tashma qeverisës "Mali i Zi Europian" ende pa shpall "de facto" KQZ rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 14 tetorit 2012. Sapo iu muar fjala verbale për hyrjen në koalicion dy partive parlamentare të pakicave, atyne boshnjake e kroate, Gjukanoviçi e deklaroi menjëherë zyrtarisht e publikisht veten si shumicë fituese dhe, pastaj, udhanisën mandatimi, negociata e marrëveshje për pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv të Malit të Zi.

Ma e para parti, si "dorë e dytë" në Koalicionin e zgjeruar paszgjedhor, u thirr partia ma e vjetër në Malin e Zi, Partia Popullore (NS) e Predag Popoviçit, mjaft e preferuar për interesat politike të Gjukanoviçit. Kjo parti u themelua qyshse në vitin 1906 si parti me frymën e imazhin e Krajl Nikollës së Parë dhe e mban ende hymnin krajlnikollian antishqiptar "Përpara"(!) edhe pas ringritjes së saj më 1990 e më 1997. Pas kësaj force politike, u thirrën edhe Partia Qytetare e Malit të Zi (GP) e themeluar në vitin 2002, e cila prej vitesh drejtohet me rrotacion nga një ekip katërsh; Partia e Unitetit Kombëtar të Malit të Zi (NS CG) e themeluar në vitin 2000 me kryetar Novak Kilibarda; Partia Liberal-Demokrate (LDP).
Këto katër parti politike malazaze preferenciale vërtëtë hynë në "dorën e dytë" (atë paszgjedhore) sepse asnjana prej tyne nuk fitoi vende ulës në Parlament, por nga pushteti politik e shtetëror i Gjukanoviçit prej kohësh trajtohen si të rendit të parë në mazhorancën politike në Malin e Zi. Trajtohen edhe ma shumë e ma mirë se dy partitë politike parlamentare të pakicave, si ajo boshnjake e Husoviçit e ajo kroate e Vuçonoviçit. Trajtohen krejt ndryshe nga dy koalicionet (partitë) politike kombëtare shqiptare parlamentare, të cilat si gjithmnonë e si gjithnji mbeten në rendin e fundit politik në këtë shtet të vogël ballkanik, pasi shqiptarët etnik i shovinojnë si "tepricë nacionale"(!), shpesh herë edhe ma keq se komunitetet kulturore ardhacake të romëve (mbi 6.000) e të egjyptianëve (mbi 2.000 vetë).

Këto katër parti politike malazeze jo parlamentare në Koalicionin "Mali i Zi Europian" kanë në historikun e tyre disa përveçime lidhtore historike, politike, nacionale e morale me Gjukanoviçin, me partinë e tij në pushtet, me qeverisjen e tij prej tre dekadash. Këto parti, veçmas në Referendumin e 21 Majit 2006 dhe në tre palë zgjedhje parlamentare në Malin e Zi shtet i pavarur e sovran, kanë dëshmue besnikëri ndaj politikave (ndër)kombëtare të Gjukanoviçit. Këto janë ma afër etnisë malazeze dhe ma larg opozitës së sotme. Këto luftojnë me patriotizëm deri në ekstremitete për konsolidime të shtetit malazez (sipas tyre) pa ribashkime e ndikime (inter)nacionale, politike, fetare, ekonomike e ushtarake nga shtete të ish-Jugosllavisë të Dytë e të Tretë (sidomos nga Serbia). Këto kërkojnë rikthimin si trashëgimi e shumanshme kombëtare malazeze të Derës princore të Petroviç-Njegos, të Krajl Nikollës së Parë e epokës së tij princore e mbretnore. Këto flasin e veprojnë për lidhje me kushtëzime diplomatike, politike, ekonomike e kulturore të Malit të Zi me dy shtetet shqiptare fqinjë. Këto katër parti politike malazeze mbeten prej themelisë së tyne politike për trajtime politike të diferencuara me disa kushtëzime e përjashtime jo veç politike të partive të etnive të tjera, sidomos ndaj partive politike kombëtare shqiptare, ndaj pothuaj gjithë liderëve politikë shqiptarë, etj.

Pas dhe njëherash me këto katër partive politike jo parlamentare, siç e theksova edhe ma nelt, u thirën në koalicionin qeverisës "Mali i Zi Europian" edhe dy parti parlamentare të etnive boshnjake e kroate, sepse Gjukanoviçi për herë të parë qyshse nga viti 2001 nuk mundi të siguronte shumicën në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012. Partia parlamentare Boshnjake, e themeluar më 24 mars 2006, me qendër në Rrozhajë, me kryetar Rafet Husoviç, ndryshe nga elektoriada e maparshme, kësaj here siguroi 3 vende në Parlament. Partia parlamentare Inisiativa Qytetare Kroate (HGI), e themeluar në vitin 2002 me qendër në Tivar e me kryetar Marija Vuçonoviç mori vetëm 1 vend në Parlament.

Këto dy parti parlamentare të pakicave, të dyja sëbashku, hynë si "dorë e dytë" preferenciale sidomos për nga afati procedurial e kohor në koalicionin e zgjeruar Qeverisës të Gjukanoviçit, si nevojë jetike politike aleancore tue i garantue shumicën parlamentare e fuqinë qeverisëse me 4 deputetë ma shumë, me 43 deputetë gjithsej.

Gjukanoviçi, për të kap disa parametra demokratik të kohës, i thirri në koalicion qeverisës boshnjakët e Husoviçit, pasi malazezët (rreth 280.000 apo mbi 45 për qind) sëbashku me boshnjakët (mbi 54.000 apo rreth 9 për qind) e tejkalojnë mbi gjysmën e popullsisë të krejt Malit të Zi. Njejtësisht edhe kroatët e Vuçonoviçit i thirri në këtë koalicion, jo veç për një deputet, po edhe për faktin tjetër: e plotësonte ma fort konfiguracionin fetar: me malazezët ortodoksë, me boshnjakët muslimanë dhe me kroatët katolikë e protestanë.

Kësokohe, edhe partitë e koalicionet politike kombëtare shqiptare kishin fillue bisedat e negociatat "e brendshme" në zyra e në kafe dhe ato "të jashtme" në mediume lokale e kombëtare e në masmedia (ndër)kombëtare, po shqiptarëve e liderëve të tyne disa parti politike të koalicionit të sotëm qeverisës nuk iu dolën besëmbajtës në fjalë-angazhimet apo ua ndryshuan fjalë-premtimet.

3.
Koalicioni i zgjeruar qeverisës "Mali i Zi Europian" nga zgjedhjet e 14 tetorit 2012 deri me betimin e Gjukanoviçit si kryeministër më 4 dhjetor 2012, i la realisht në opozitë përkohore katërvjeçare disa parti e koalicione politike rivale. Opozita e ka dhanë goditje si "tërmet politik" ma shumë se tre herë mazhorancës së sotme, pushtetit politik të Gjukanoviçit. Në vitin 2001 nuk e lanë Koalicionin gjukanoviçian "Fitore, Mali i Zi" të merrte shumicën parlamentare pa koalicon të zgjeruar. Kjo histori politike u përserit edhe në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012. Ndërsa më 7 prill 2013 gati ia rrezikuan fitoren edhe kandidatit presidencial Filip Vujanoviç i partisë (DPS) të Gjukanoviçit. Veçanarisht këto dy "tërmetet" politike të fundit më 2012 e 2013 provojnë se pushteti politik i Gjukanoviçit ka fillue "rënien e lirë" nga piramidat e pushtetit e të shtetit malazez prej konsumimit të tepërt politik të tij e të kastës së tij politike në mbi tre dekada. Asnjë lider politik si Gjukanoviçi, asnjë parti politike si DPS e Gjukanoviçit, asnjë koalicion partiak si i Gjukanoviçit, nuk ka qëndrue kaq gjatë në pushtet, në asnjë shtet tjetër ballkanik dhe në asnjë shtet euro-atlantik.

Në opozitë mbeti edhe Koalicioni "Fronti Demokratik" me dy partitë e tij aleancore: Lëvizja për Ndryshim" (PzP) e themeluar më 2002 e ristrukturuar më 2006, me qendër në Podgoricë, me kryetare Nebojsha Medojeviq si dhe Partia Demokracia e re Serbe (NOVA), e themeluar më 2009 me qendër në Podgoricë e me kryetar Andrija Madiq, të cilat sëbashku morën plot 20 vende në Parlamentin e Malit të Zi.

Edhe Partia Popullore Socialiste, e themeluar në vitin 1997/1998, me qendër në Podgoricë, me kryetar Srdjan Milic, mbeti në opozitë pasi fitoi vetëm 9 deputetë. Kjo parti parlamentare, dikur, ishte krahu i djathtë politik i Millosheviçit në Malin e Zi.
Partia ma e re në shtetin e vogël malazez, Partia "Mali i Zi Pozitiv" (PCG), e krijuar rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve, me seli në Podgoricë, me kryetar veprimtarin ekologjist Darko Pajoviç, mori 7 deputetë, po mbeti në opozitë. Një prej deputetëve të saj është edhe shqiptari Dritan Abazoviq, i cili duket ma aktiv për problematikat shqiptare në Malin e Zi se deputetët e partive politike shqiptare në Parlamentin e pasvitit 2012, aqsa t'ia ngrejë temperaturat politike Gjukanoviçit deri në çartani psikike me fyerje të ulta.

Pjesë e opozitës mbetën edhe dy kualicione të tjera të etnisë serbe në Malin e Zi si "Aleanca Kombëtare Serbe" (Partia Radikale Serbe, Partia Demokratike Serbe, Këshilli Nacional Serb) dhe, tjetri, "Serbët e Bashkuar", përndryshe: "Uniteti Serb" (Partia Popullore Serbe, Lista Serbe, Partia Serbe "Atdheu", Qëndra Demokratike "Boka", etj.), si edhe Grupimi "Sëbashku" (Partia e Pensionistëve, Invalidëve dhe për Drejtësi Sociale, Partia Komuniste Jugosllave e Malit të Zi). Asnjani nga këto tri blloqe politike elektorale nuk mundi të sigurojnë të paktën një deputet të vetëm.

Këto 14 parti politike (jo)parlamentare në opozitë, pothuaj të gjitha e shpeshtas, kanë ndaj partive politike nacionale shqiptare, ndaj veprimtarëve të tyne cilësorë e ardhmnor, ma tepër se kundërshti bio-politike aktive e të egra, veçmas partitë (pro)serbe si ato radikale, etj.

4.
"Dora e tretë" e thirrun në Koalicionin paszgjedhor "Mali i Zi Europian" me 6 nëntor 2012, gati një muaj mbas zgjedhjeve, ishin partitë e koalicionet politike kombëtare shqiptare, të cilat i besuan vetëvetes dhe Gjukanoviçit vetëm kur Marrëveshja u akt-krye zyrtarisht e publikisht.

Shumësia e partive politike shqiptare në Malin e Zi lidhën aleanca në dy koalicione partiake zgjedhore: në atë "Për Bashkim" (tri parti: Forca e Re Demokratike, e themeluar në vitin 2005 në Ulqin e me kryetar nazif Cungun; Partia Iniciativa Qytetare Tuz me kryetar Gjeto Sinishtaj; Lëvizja Perspektiva) si dhe "Koalicioni Shqiptar" (me tri parti: Lidhja Demokratike, e ngritur qyshse më 1990 në Ulqin me kryetar Mehmet Bardhin; Partia Demokratike me kryetar Fatmir Gjekën; Alternativa Shqiptare, krijue më 2006 në Tuz me kryetar Gjergj Camaj). Konkuronte edhe UDSH-PPD me kryetarin e sapozgjedhur, Mehmet Zenka. Aleanca Rinore Shqiptare, e Anton Lulgjuraj, doli nga zgjedhjet me 531 vota, ma keq se të gjitha forcat partiake politike në Elektoriadën e Tetorit 2012.

Dy koalicionet shqiptare me gjashtë parti shqiptare morën vetëm nga një deputet shqiptar secili: Fatmir Gjeka për "Koalicionin Shqiptar" dhe Genci Nimanbegu i koalicionit tjetër: "Për Bashkim". Kjo ishte një humbje politike kombëtare e madhe, një ndëshkim politiko-elektoral i pamerituar: partitë politike kombëtare shqiptare patën dy deputetë shqiptarë ma pak se sa kishin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Kryetari i Koalicionit "Mali i Zi Europian", kryesocialisti Milo Gjukanoviç, kur nënshkroi më 6 nëntor 2012 Marrëveshje me aleatët (pas elektoral) ishte përfaqësues kryetari i Partisë Boshnjake, Rifat Husoviçi, i cili firmosi edhe për partitë (koalicionet partiake) shqiptare(!) Kjo vaki fyese ngjau keqas pavarësisht faktit se aty ishin të pranishëm edhe Nazif Cungu (kryetar i Partisë Forca e kryekomunar i Ulqinit shqiptar) përfaqësues për Koalicionin "Për Bashkim" dhe deputeti Fatmir Gjeka (kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare) përfaqësues i "Koalicionit Shqiptar".

Për shumë arsye të (pa)thëna kryelideri malazez, Milo Gjukanoviçi, koalicioni i tij qeverisës, të nesërmen e Akt-Marrëveshjes firmëtare në Podgoricë, i dha Sulo Mustafiqit njërit nga zyrtarët e lartë të Partisë Boshnjake të Rrozhajës, një nga tre vendet e nënkryetarit të Parlamentit të Malit të Zi me seli në Çetinë.

Më 4 dhjetor 2012 Milo Gjukanoviçi, edhe me vota të deputetëve shqiptarë, u zgjodh për herë të shtatë kryeministër i Malit të Zi me 44 vota pro, 26 kundër, 1 abstenim, ndërsa 10 deputetë nuk morën pjesë në votim. Mirëpo, ndodhi e (pa)pritura politike denigruese: nuk u (për)zgjodh asnjë shqiptar për postin e Ministrit të Drejtave të Njeriut e të Pakicave, siç ishte, fjala vjen, politikani Ferhat Dinosha, në mandatin e kaluar qeverisës, i cili tani ka statusin e ambasadorit të Malit të Zi në Shqipërinë Londineze.

Dikushi mund të dvetin: Pse partitë (koalicionet) politike kombëtare shqiptare nën Malin e Zi janë të "dorës së tretë" në politikat e ndryshme presidenciale, legjislative e ekzekutive të këtij shteti të vogël ballkanik me urrejtje e luftë bio-politike shovene ndaj shqiptarëve etnikë, ndërkohë që po ecën drejt integrimeve euro-atlantike në BE e NATO? Faktet flasin vet: Marrëveshja e 6 nëntorit 2012 për koalicion pas zgjedhor; mosdhania e asnjë posti të lartë për shqiptarët në "kryesinë e vogël" të Kuvendit 81 vendësh të Çetinës; heqja e një posti ministror shqiptar në qeverinë e re të Podgoricës; mos ligjësimi në shtator 2013 (sipas Marrëveshjes) i statusit komunë e plotë e më vete i Tuzit urban; marrja përtej akteve politiko-mafioze më 26 janar 2014 e të vetmes komunë shqiptare të Ulqinit nga partia udhëhjekëse e Gjukanoviçit; procesi final shoven në shkurt 2014 i ndamjes së Plavë-Gucisë etno-historike shqiptare në dy komuna për haraç e llogari malazeze-serbe-boshnjake në brigjet e Limit e të Moraçës, etj., etj.

Çështja shtrohet edhe ndryshe: Atëherë, pse i mori Gjukanoviçi partitë (koalicionet) politike kombëtare shqiptare në Koalicionin "Mali i Zi Europian"?! E para: në koalicion kanë hyrë parti politike të etnive apo pakicave, që janë kufi me Malin e Zi, si partia parlamentare"Inisiativa Qytetare Kroate" në qytetin Tivat (Kroacia), Partia parlamentare Boshnjake në Rrozhajë (Bosnje-Hercegovina e Sanxhaku-Tregu i Ri në kufi me Serbinë), prandaj u futen edhe këto dy koalicionet (partitë) politike kombëtare shqiptare (Shqipëria, Kosova). E dyta, shqiptarët etnik mbartin elementin tre/fetar me mjaft peshë dhe i japin "kolorit fetar" qeverisjes gjukanoviçiane në sytë e botës euro-atlantike, pasi shqiptarët nën Malin e Zi zenë realisht vendin e dytë për nga besimi musliman (pas boshnjakëve) dhe vendin e parë për nga besimi katolik (37 për qind e kryesisht në Tuz, Ulqin, Plavë, etj.) e të ndjekun nga kroatët. Dihet lufta e përjetshme e Derës Princore të Petroviç-Njegos e deri tek e Milo Gjukanoviçit për ta kthye Malin e Zi në shtet ortodoks sllav tue e sulmue kataloçizmin me shpërngulje ose asimilim në ortodoksë, e njëjtësisht e njësoj edhe fenë muslimane e mbartësit e saj, veçanarisht shqiptarët muslimanë, etj. E treta, aktualisht në Malin e Zi nuk janë popullsi mbisunduese, as malazezët (45 për qind), as serbët ( 28. 7 për qind), ndërsa në vend të tretë vijnë boshnjakët (shumica e tyre shqiptarë muslimanë të asimiluar) e në të katërin shqiptarët etnikë. Kjo i obligon së tepërmi (ndër)kombëtarisht qeverisjen politiko-shtetërore të Gjukanoviçit që të përfshijnë në koalicion qeverisës edhe shqiptarët etnikë, sikurse malazezët, serbët e boshnjakët dhe aq ma shumë kur hyjnë edhe kroatët që nuk i kapin as 1 për qind të popullsisë të këtij shteti multietnik. Ky është edhe një tregues tjetër që i duhet Malit të Zi gjukanoviçian për ecurinë e integrimeve euro-atlantike. E katërta: Gjukanoviçi i merr partitë politike kombëtare shqiptare në pushtet dhe i lenë "pa pushtet"(!), sepse i duhen edhe si "kartë politike", edhe si "peng politik" (kushtëzime), edhe si "urë pa harqe", në marrëdhëniet diplomatike, politike, kulturore, ekonomike, fetare, etj. me dy shtetet shqiptare kufitare: me Shqipërinë Londineze e Kosovën dardane Euro-atlantike. Kjo shfaqet në kërkesën malazeze ndaj Shqipërisë- vend antar në NATO për lobim shqiptar për ta antarësue edhe Malin e Zi në NATO; duket në kushtet diplomatike për "minoritetin malazez" në Kosovë; shihet në hapjen e pikave kufitare e doganore me Shqipërinë e Kosovën; ndihet në lobimin për sjelljen e gazsjellësit TAP nga Shqipëria në Mal të Zi; provohet në projektin madhor të Rrugës Adriatik-Jon dhe të rrugëve që e lidhin Shqipërinë e Kosovën me Podgoricën, Ulqinin, Plavë-Gucinë, etj. etj. E katërta: nëse Gjukanoviçi nuk i merrte partitë politike kombëtare shqiptare në koalicionin qeverisës katërvjeçar, atëherë këto do të kalonin me opozitën e përbame ma së shumti me forca politike serbe. Kjo do ta fuqizonte edhe ma tepër opozitën e sotme në zgjedhjet lokale të pritshme e ato qëndrore të ardhshme, biles do t'ia merrnin pushtetin e sotëm me votë Gjukanoviçit e koalicionit të tij qeverisës. Një fakt disi i "fshehtë": për mosdhanjen e statusit komunë e plotë komunës urbane të Tuzit nuk janë thjesht arsyet ekonomike, po kryesisht edhe ato politike, pasi Gjukanoviçi ka frikë se komuniteti ardhacak serbë do ia marrin pushtetin vendor në Podgoricë, në komunën ku ndodhen selitë e Qeverisë e të ministrive të saj. E pesta: Gjukanoviçi duke i pasë partitë politike shqiptare në koalicionin e tij edhe i kontrollon, edhe i dëmton ma lehtë e ma fort ato dhe liderët e tyne jo vetëm me (mos)dhanien e investimeve në komunat me popullsi etnike shqiptare, etj. Aq kohë sa partitë politike shqiptare nën Malin e Zi merren kot e hopa me njani-tjetrin po kaq kohë Gjukanoviçi me strukturat e tij mbi e nëntokë, haptas e fshehtas, lufton me na e marrë të ardhmen e përbashkët në trojet etnike shqiptare në Mal të Zi. Nëse Krajl Nikolla me Milicën e tij na i morën me pushtime të përgjakshme e aneksime të padrejta tokat etnike shqiptare, Gjukanoviçi po lufton përditë me na i marrë njerëzit tanë, shqiptarët trojenik...

Liderët e strukturat e partive e koalicioneve politike kombëtare shqiptare nën Malin e Zi duhen mirëkuptue ma qartë edhe në një pikë të vetme që nuk e dinë as Toka e as Qielli, as varret e shumta të shqiptarëve trojenik e as lapidaret e paktë të shqiptarëve heroik, faktin nëse është ma mirë në opozitë apo opozitë, nëse je ma mirë me malazezët apo me serbët, etj. Fakti që politikanët shqiptarë nën Malin e Zi bien pa u ngrit mirë si figura politike publike është përgjegjësi edhe e faktorit politik shqiptar në Ballkan sidomos Tirana e Prishtina zyrtare që nuk iu rrijnë afër e drejtësisht për t'i promovuar mirësisht në hapësira etnike shqiptare, në diasporat shqiptare e në institucione (ndër)kombëtare. Po fatkeqësisht politika kombëtare zyrtare shqiptare as në Tiranë apo në Prishtinë nuk mundet seriozisht e plotësisht me "iu dhanë dorë" liderëve politikë shqiptarë nën Malin e Zi, pasi i kanë lanë disi "jashtë dore" prej hejcekurit çështjet etnike e problematikat shqiptare në Malin e Zi dhe nuk janë marrë të paktën si me luftën e armët kimike të Sirisë (!)

Politik(ç)bërës shqiptarë, ju shoqëri civile, shqiptarë etnik atdhetarë në trevat etnike shqiptare nën Malin e Zi, në Shqipërinë Londineze, në Kosovën dardane Euro-atlantike, etj. e deri në Bruksel e në Amerikë: Malësia shqiptare nga Ulqini në Rrozhajë është një "Mitrovicë e heshtur" që po kthehet haptas e shpejt në një "Çamëri të Dytë".
 

RAMIZ LUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HUMBIN SHQIPTARËT NË ULQINNga FRANK SHKRELI (01.28.2014)
NË KËRKIM TË MODELEVE PËR NJË SHOQËRI NË KRIZËNga MENTOR KIKIA (01.28.2014)
KRAJLI I RI, KRYEMINISTRI GJUKANOVIÇ, NGJALL NË KËTË JANAR, NË ULQININ SHQIPTAR, KRAJL NIKOLLËN E VJETËRNga RAMIZ LUSHAJ (01.25.2014)
NJË FILM PËR NËNË TEREZENNga FRANK SHKRELI (01.24.2014)
LIRIA NËN PRESION ANEMBANË BOTËSNga FRANK SHKRELI (01.24.2014)
IBRAHIM RUGOVA ËSHTË LIDERI HISTORIK – BERAT BUZHALA ËSHTË NJË GRAFOMAN KOMIKNga Elida BUÇPAPAJ (01.23.2014)
DOM GJON BUZUKU DHE LIBRI I PARË I SHQIPTARËVE (Me rastin e 460-vjetorit të Mesharit)Nga FRANK SHKRELI (01.22.2014)
21 JANARI TRE VJET MË VONË Nga ILIR SECI (01.21.2014)
ZËRAT E KORBAVE TË ZINJNga RESHAT KRIPA (01.21.2014)
PSE SULMOHEN MAJAT E KOMBIT?Nga GANI MEHMETAJ (01.20.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]