TË GJITHA KËNGËT I THAMË, POR MË TË MIRËN E LAMË (Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje) Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI
E Djelë, 02.16.2014, 10:16am (GMT+1)
Në faqen e internetit albcameria të datës 15 shkurt 2014, ishte botuar një material me titull "Fronti Demokristian Shqiptar". Materialin e botonte zoti Alban Daci. Materiali ishte botuar si intervistë apo autointervistë e zotërisë në fjalë, meqenëse nuk përmendej emri i intervistuesit. Në këtë material, zotëria Alban Daci prezantohej si këshillëtar politik i këtij formacioni të ri politik. Kjo qenka një parti e re që qenka themeluar në Diasporë.
Të bën përshtypje fakti që zotëria Alban Daci ka qenë figurë me shumë peshë në formacionin politik "Aleanca Kuq e Zi", të themeluar prej zotit Kreshnik Spahiu. Megjithëse zoti Kreshnik Spahiu, dikur, në një intervistë, dhënë gazetarit të mirënjohur Bashkim Hoxha, pati deklaruar se deri në festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, "Aleanca Kuq e Zi" do të kishte në radhët e veta 1 milion anëtarë, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 rezultoi se e vërteta qëndronte ndryshe: ky formacion politik nuk arriti të fitonte dot as edhe një deputet të vetëm. Pra, rezultoi një flakë kashte.
Gjatë kohës që "Aleanca Kuq e Zi" vazhdonte aktivitetet e veta nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë para zgjedhjeve të 23 qershorit, jam njohur me mjaft shkrime dhe intervista të zotit Alban Daci, të cilat i kam vlerësuar për përmbajtjen e tyre. Dukej që zoti Alban ishte një figurë me një kapacitet të admirueshëm kulturor. Kryerja e studimeve të larta jashtë vendit kishte lënë gjurmë në formimin e tij si intelektual. Dihet që "Aleanca Kuq e Zi", në themel të programit të vet kishte ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, duke nisur fillimisht me ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, "Aleancës Kuq e Zi" i ra gjuha e këmborës dhe pothuajse nuk ndihet më për "e gjallë". Në këto kushte, zotëria Alban Daci e paska braktisur dhe qenka përfshirë në një tjetër formacion politik, me qendër në Diasporë, në Frontin Demokristian Shqiptar.
Nga nëntë pyetjet e intervistës, dy prej tyre më bënë më shumë përshtypje, bashkë me përgjigjet që jep zotëria Alban Daci:
A është Fronti Demokristian Shqiptar një lëvizje politike lokaliste?
Përgjigje: "Fronti Demokristian Shqiptar duke qenë se në gjirinë e tij ka shumë shqiptarë nga Diaspora e duke poseduar një shtrirje që cek tre kontinente, është lëvizje politike kombëtare. Megjithatë, ajo është në koherencë me proceset e globalizimit. Kështu, misioni i Frontit Demokristian Shqiptar është të mbrojë e të nxjerrë në pah vlera lokale, të cilat për shkak të anarkisë sociale që po kalon vendi, shumë herë janë harruar e ndonjëherë janë edhe asimiluar".
Hajde ta kuptosh përgjigjen e zotërisë Alban Daci se Fronti Demokristian Shqiptar na qenka një lëvizje politike kombëtare, por na qenka edhe në koherencë me proceset e globalizimit! Çdo të thotë kjo përgjigje? Kjo, me sa duket, do të thotë: do të hyjmë në Evropë të globalizuar dhe s'është nevoja të mendohet për problemin më jetik që qëndron para kombit shqiptar: ribashkimin e trojeve etnike që Evropa na i copëtoi padrejtësisht në vitin 1913. Kur ishte në strukturat drejtuese të "Aleancës Kuq e Zi", zotëria Alban Daci kishte përqafuar platformën kryesore të saj: ribashkimin e trojeve tona etnike, duke nisur nga ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Tani ky zotëri e paska kthyer pllakën dhe, si këshillëtar politik i Frontit Demokristian Shqiptar, fillon të propagandojë globalizimin, ashtu siç deklaron Tirana zyrtare, sipas së cilës ribashkimi i trojeve tona etnike do të bëhet në Bruksel! Idenë e globalizimit, zotëria Alban Daci e përforcon edhe më shumë në përgjigjen e pyetjes së mëposhtme:
Kush është pozicioni i Frontit Demokristian Shqiptar në raport me BE?
Përgjigje: "Fronti Demokristian Shqiptar ka të njëjtin qëndrim me atë që ka familja e madhe demokristiane europiane. Për Frontin Demokristian Shqiptar edhe nëse nuk do të ekzistonte BE, do ta kishim krijuar një të ngjashëm për të jetuar të bashkuar, në harmoni dhe për të menaxhuar më mirë e së bashku kontinentin tonë, ku ne si popull shqiptar kemi lënë ndoshta gjurmët e para si banorë të tij".
Vajmedet ç'na gjeti! Edhe sikur të mos ekzistonte Bashkimi Evropian, këtë do ta shpikte Fronti Demokristian Shqiptar, për hir të të ashtuquajturit globalizim! Domethënë, t'i largohemi sa më shumë ëndrrës shekullore të kombit shqiptar për ribashkimin e trojeve tona etnike dhe të shkrihemi në globalizimin evropian!
Nga nëntë pyetjet dhe nga nëntë përgjigjet e zotërisë Alban Daci, nuk preket absolutisht Çështja Kombëtare Shqiptare: ëndrra e ribashkimit të trojeve tona etnike.
Nga intervista e lartpërmendur, paçka se deklarohet që Fronti Demikristian Shqiptar qenka themeluar në Diasporë, nuk thuhet asgjë se kush janë nismëtarët e krijimit të tij, cila është qendra e këtij Fronti. Sepse vetvetiu lind pyetja: si qenka e mundur që këtyre nismëtarëve të thmelimit të Frontit në fjalë në Diasporë, nuk iu interesuaka absolutisht Çështja e Ribashkimit Kombëtar, ndërkohë që Diaspora Shqiptare, sidomos Diaspora Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe vazhdon të mbetet vatër e pashuar e Çështjes së Ribashkimit Kombëtar? Sipas këndvështrimit tim, Federata "Vatra" është ylli i karvanit i Diasporës Shqiptare, e cila ribashkimin e trojeve tona etnike e ka në themelin e veprimtarisë së vet patriotike. Prandaj e quaj të arsyeshme t'u përmend lexuesve të nderuar një fakt konkret për qëndrimin e Federatës "Vatra" ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare:
Në intervistën për gazetën "Shqiptare" në mars 2012, kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, interpreton mendimin: "Fjala nacionalizëm tek ne nuk ka kuptimin e ekstremizmit, por është sinonimi i shqiptarizmit të kulluar...Zgjidhja e çështjes çame dhe bashkimi kombëtar, janë dy fillime ende të paarritura!.." (Citohet sipas: Neki Babamusta. "Çamëria, problem ndërkombëtar që kërkon zgjidhje". Gazeta "Dielli". 14 shkurt 2014).
Nuk ishte e rastësishme fjala e Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili, pikërisht në kohën e duhur, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Shkup dhe në Vlorë, si edhe në disa qytete të tjera, dekalaroi botërisht për domosdoshmërinë e ribashkimit kombëtar, brenda kufijve natyralë të Shqipërisë Etnike.
Prandaj më vjen keq që Çështjen Kombëtare Shqiptare, Fronti Demokristian Shqiptar nuk e paska absolutisht në rendin e ditës. Ky fakt të bën të dyshosh se Fronti në fjalë duhet të jetë krijuar me frymëzime jashtëshqiptare. Këtë dyshim ma përforcon më shumë fakti që Vatikani, sipas faqes së internetit të zotit Feliks Taho të datës 29 tetor 2013, ka deklaruar botërisht: "Kosova, djepi i Kishës Ortodokse Serbe".
Kjo deklaratë skandaloze, me të cilën mohohet një e vërtetë e shenjtë për historinë e kombit shqiptar, të bën të hamendësosh se miqtë e ngushtë të Serbisë në Vatikan, kanë vënë në lëvizje Selinë e Shenjtë për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, i cili pretendon se përfaqësuaka Diasporën Shqiptare në kuadrin e këtij formacioni të ri politik. Tani nuk është çudi që nesër, pasnesër, me frymëzime dhe nxitje jashtëshqiptare, të na dalin në skenë formacione të tjera politike, me emrin Fronti Ortodoks Shqipar, Fronti Mysliman Shqiptar, Fronti Protestant Shqiptar, Fronti Bektiashian Shqiptar e ku ta di unë se çfarë frontesh të tjera. S'ka asgjë për t'u çuditur. Nuk është hera e parë që armiqtë tanë tradicionalë, interesat kombëtare shqiptare janë munduar t'i varrosin me përçarjen ndërshqiptare edhe me duart e vetë shqiptarëve antishqiptarë.
Me sa duket, paria e Frontit Demokristian Shqiptar, e yshtur me drogë jashtëshqiptare, i paska mbushur mendjen vetes se, që të fitojnë dashurinë e Bashkimit Evropian, shqiptarët duhet të "demokristianizohen" dhe të "antinacionalizohen". Ç'ka Bashkimi Evropian, problemet nacionale brenda vetes i ka zgjidhur me kohë e me vakt, kurse me kombin shqiptar sillet ndryshe: pasi e copëtoi në një mënyrë kriminale në vitin 1913, vazhdon të ngulë këmbë që tapitë e tokave shqiptare që ua dorëzoi sllavogrekëve, këta të mos i lëshojnë kurrë nga dora.
Prandaj, kur mbarova së lexuari intervistën e zotërisë Alban Daci për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, menjëherë më erdhën ndër mend dy vargjet e para të një kënge të vjetër labe, me të cilët titullova këto shënime: Shumë "këngë" përmëndi zotëri Alban Daci në intervistën e vet, por nuk përmendi atë "këngën" kryesore: Çështjen Kombëtare Shqiptare - ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, me një stemë dhe me një flamur.
Santa Barbara, Kaliforni 15 shkurt 2014
Prof. Dr. ESHREF YMERI
|