GRAMOZ PASHKO NUK MUND TË JETË SIMBOL I EKONOMISË Nga MENTOR KIKIA
E Martë, 02.18.2014, 08:59am (GMT+1)
Lajmi për themelimin e një çmimi në fushën e ekonomisë me emrin "Gramoz Pashko", nga Universiteti Europian i Tiranës, përmes Fondacionit për Liri Ekonomike, kaloi vetëm në kuadrin e dhënies së një lajmi, njoftimi, në media, dhe pa prodhuar ndonjë diskutim në mjediset intelektuale apo akademike. Kjo, ndoshta, jo vetëm për faktin se është nismë e një sipërmarrjeje private, por edhe se ne jemi të prirur t'i respektojmë dhe të mos i gjykojmë figurat publike, aq më shumë pasi ato nuk janë më mes nesh. Por, derisa tashmë me çmimin "Gramoz Pashko" do të nderohen në vazhdimësi njerëz që do t'i kushtohen politikëbërjes apo kërkimit shkencor në fushën e ekonomisë, kjo çështje ia vlen të diskutohet. Padyshim, duke e zhveshur që tani debatin nga pyetja alla shqiptare "po me Pashkon ç'keni, ai nuk jeton më?".
Në 1990, kur në Shqipëri nisi revolucioni që çoi në përmbysjen e regjimit komunist, profesor Pashko ishte njëri prej anëtarëve të grupit të "pardesyve të bardha" që e drejtuan atë dhe më pas një nga aktorët kryesorë të qeverisë së parë demokratike në Shqipëri. Profesor Pashko, për ata që nuk janë të informuar, mbahet mend si predikues i asaj që quhet "terapia e shock-ut" në ekonomi, ose e fillimit nga zeroja, dhe autori i deklaratës, ose më saktë gënjeshtrës historike, ajo e çekut të bardhë amerikan, i cili ishte bosh dhe u ishte dërguar "pardesyve të bardha" për t'u plotësuar, sapo ata të merrnin çelësat e pushtetit.
Por çeku i bardhë ishte vetëm një gënjeshtër dhe si e tillë nuk prodhoi ndonjë pasojë në ekonominë e vendit që po përgatitej të kalonte nga ekonomia super e centralizuar, në një ekonomi të tregut të lirë. Gënjeshtra do të ishte një mall që do të prodhohej me shumicë më pas nga politika, kështu që ajo e çekut të bardhë u harrua. Ndërsa "terapia e shock-ut" nuk duhet harruar. Atë kohë, specialistët e ekonomisë me njohuri nga ekonomia e tregut të lirë, apo ajo kapitaliste, ishin të rrallë, ndaj dhe profesor Pashko kishte terren të lirë të rekomandonte recetën e transformimit të ekonomisë shqiptare dhe bashkë me të, edhe të tërë sistemit shoqëror, social e politik. Pashko trumbetoi pikërisht "terapinë e shock-ut". Në kohën e qeverisjes së parë të PD-së, 1992, askush, apo ndoshta pakkush, mund të dinte se çfarë ishte "terapia e shock-ut", kush e kishte shpikur dhe çfarë rezultatesh kishte dhënë. Por ajo që ndodhi ishte një fatalitet ekonomik, social e shoqëror. Doktrina e shpikur nga Milton Fridmani dhe Jefrey Sachs, profesorët e famshëm të universitetit të ekonomisë në Çikago, parashikonte një dorëzim pa kushte dhe të menjëhershëm të shtetit dhe lëshimin e ekonomisë tërësisht në duart e sipërmarrësve privatë.
Kjo teori e ekonomisë ishte zbatuar fillimisht, në kushtet eksperimentale, në vendet e Amerikës së Jugut, si Kili dhe Argjentinë, dhe ku vetë Fridmani shërbente si këshilltar ndërsa doktrina e tij nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një armë në duart e diktaturave dhe juntave ushtarake në këto dy vende, që zëvendësuan dhunshëm regjimet demokratike, dhe që nën emrin e luftës kundër ekonomisë socialiste, shtypën e varfëruan popujt për dekada me radhë, për llogari të interesave të një grushti korporatash, duke shkatërruar çdo politikë sociale. Ato u përqafuan edhe nga qeveri në vendet demokratike dhe ekonomikisht të konsoliduara, të cilat ngushtuan po në mënyrë të dhunshme, politikat sociale dhe zvogëluan në minimum rolin e shtetit, duke rritur dhe fuqizuar pozitat e shoqërive shumëkombëshe. Por, për shkak të traditës demokratike, ato nuk përfunduan në diktatura apo junta të tipit Pinoçet. Ndërkohë që, në ish-Bashkimin Sovjetik e sapo dalë nga diktatura dhe shpërbërja e unionit të republikave, perestrojkës së Gorbaçovit iu imponua zbatimi i "terapisë së shock-ut", që çoi në krijimin brenda pak vitesh të oligarkëve të tipit Kodorkovski apo Abramoviç, të cilët sa hap e mbyll sytë blenë apo grabitën përmes korruptimit të sistemit, pasuritë kombëtare dhe u ngjitën menjëherë në majën e listës së më të pasurve të botës.
Por çfarë ndodhi në Shqipëri me "teorinë e shock-ut" ekonomik? Kjo teori u propozua dhe u mbrojt pikërisht nga Profesor Pashko dhe po zbatohej në një vend ku centralizimi kishte qenë kaq i fortë, sa ishte e ndaluar edhe pronësia mbi një pulë dhe shitja e një veze në treg. E gjithë jetesa kishte qenë e mbështetur në punësimin në sektorin shtetëror, në fabrika, uzina, miniera e ferma. Teoria e profesor Pashkos parashikonte që kjo ekonomi të kalonte menjëherë nën administrim privat, pra shteti të hiqte dorë menjëherë nga çdo e drejtë pronësie.
Padyshim që privatizimi i menjëhershëm i disa shërbimeve ishte jetik, në kushtet kur tregjet ishin bosh dhe njerëzit, në kushtet e urisë, vriteshin në radhë për të blerë bukë dhe ku kafeja jepej vetëm nëse kishe një fatkeqësi në shtëpi. Në disa vende të tjera ish-komuniste, kjo doktrinë prodhoi rezultat, ndërsa në kushtet e Shqipërisë, ajo rezultoi fatale. E tërë makineria shtetërore e ekonomisë nuk kaloi në duar privatësh, por u mbyll. Brenda pak javësh u falimentuan të gjitha fabrikat, uzinat dhe çdo sipërmarrje tjetër, nga ato të industrisë së rëndë dhe minerare, e deri tek fabrikat e agropërpunimit, ndërsa punëtorët dolën menjëherë në rrugë, në të ashtuquajturën "asistencë", duke u paguar për një vit me gjysmën e pagës. Shumë prej tyre ishin shumë rentabël dhe me teknologji të pranueshme, në mos ishin një mundësi punësimi e prodhimi. Faza e falimentit u pasua jo nga privatizimi, por nga shkatërrimi. Shkatërrimi i industrisë çoi automatikisht në një reaksion zinxhir, në shkatërrimin e bujqësisë, pikërisht në një vend ku 75% e popullsisë punonte e jetonte në fshat. Plantacione drurësh frutorë, komplekse blegtorale dhe komplekse serash u braktisën apo iu lanë në dorë barbarisë njerëzore, që filloi të ngrohej me drurë ulliri e portokallesh. Shqiptarët morën arratinë për të punuar në fermat e Greqisë dhe Italisë, tregu u pushtua nga prodhimet bujqësore të huaja, ndërsa tokën bujqësore, nga veriu në jug, e pushtuan shkurret. "Terapia e shock-ut" kishte shkaktuar një "˜shock' ekonomik, social e shoqëror me përmasa kombëtare, duke e kthyer realisht në vitin zero. Shteti ngriti duart dhe i dorëzoi rrënimit jo thjesht ekonominë e socializmit, por ekonominë kombëtare, atë që ishte vënë deri atë kohë nga mundi, djersa dhe gjaku i një populli të tërë, nën diktaturë. Në pamundësi për t'u ringritur nga hiçi dhe në kushtet kur shteti nuk bëri me ndërgjegje administratorin e tranzicionit, kapitalizmi shqiptar ia la vendin ekonomisë së fajdeve, që në vend të sipërmarrjeve gjigante, çoi në ngritjen e piramidave fatale të tipit Sude e Xhaferri, që grabitën edhe paratë e emigrimit deri në atë kohë, si dhe i dhanë shkelmin e fundit, si ekonomisë, ashtu dhe vetë shtetit, në vitin 1997.
U deshën më shumë se dy dekada përpëlitje që të fillonte të merrte udhë kapitalizmi shqiptar, në kushtet kur në tokë kishin mbetur vetëm gërmadhat që kishte lënë "terapia e shock-ut". Aktualisht, edhe pse një vend me gjysmën e popullsinë në fshat, bujqësia nuk krahasohet dot as me atë të para 50 vjetëve. Tregu ende sundohet nga prodhimet e huaja, agropërpunimi është ende në nivelin e punishteve primitive dhe zëri që siguroi mbijetesën e popullit quhet sërish "remitancë". Ekonomia vazhdon të mbështetet tek tregtia dhe shërbimet, dhe ende nuk po orientohet dot nga prodhimi. Pas dy dekadash, qeveria u përpoq të thithë investitorë, duke dhuruar me një Euro objekte apo ndërtesa që mund të shndërrohen në prodhuese, por në tokë kanë mbetur vetëm gërmadhat e ngrehinave që nuk janë shembur ende nga skrapkërkuesit, ndërsa sistemi minerar ka rënë në duart e mafio-politikës.
Pasojat e aplikimit të teorisë së shkollës së Çikagos, janë ende të mëdha. Pa llogaritur këtu shkatërrimin e politikave sociale dhe thellimin e dasive sociale, ku të varfrit mbijetojnë me ndihmë ekonomike dhe ajo që mund të quhet shtresë e mesme, ka arritur të ketë një shtëpi dhe një makinë vetëm falë emigracionit. Kontributi i shtetit ka qenë thuajse zero. Qeveria e majtë, që mori pushtetin në vitin 2013, po tenton të ndryshojë kursin përmes "doktrinës" se taksës progresive "kush merr më shumë paguan më shumë", për të rritur rolin e shtetit në politikat sociale si dhe orientimin e ekonomisë drejt prodhimit. Pa dyshim që zoti Pashko nuk është fajtori historik i tërë kësaj katrahure. Por ai është një nga përgjegjësit e mënyrës se si dhe përse filloi kjo katrahurë.
Pikërisht për këtë arsye, kur qarqet akademike ndërmarrin nisma të tilla për të themeluar një çmim që parashikohet të stimulojë ekspertët e ekonomisë, duhen parë edhe kontributet e personit me të cilin emërtohet çmimi.
Ne nuk kemi shumë figura të spikatura, aq më pak në ekonomi, që të dedikojmë çmime, por më mirë pa hiç sesa një çmim në emër të një njeriu që më shumë vlerësohet si politikan dhe mik i shumëkujt, sesa si njeri që ka hedhur bazat e një sistemi mbi të cilin i ngrit prosperiteti.
Gjithsesi, kjo është vetëm një përpjekje për të hapur një debat.
MENTOR KIKIA
|