VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - RIINTEGRIMI DHE RISHKËPUTJA E KOSOVËS, MALËSISË DHE E TREVAVE LINDORE, 1941-1945(Kumtesë në Konferencën e Akademisë Shqiptare të Arteve e Shkencës kushtuar 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)Nga Prof. Dr. ROMEO GURAKUQI

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
RIINTEGRIMI DHE RISHKËPUTJA E KOSOVËS, MALËSISË DHE E TREVAVE LINDORE, 1941-1945
(Kumtesë në Konferencën e Akademisë Shqiptare të Arteve e Shkencës kushtuar 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)
Nga Prof. Dr. ROMEO GURAKUQI

E Martë, 02.18.2014, 02:48pm (GMT+1)



Zgjidhja bilaterale mes PKSH dhe PKJ, e problemit të trevave të banuara nga shqiptarët dhe ritrupëzimi i tyre në Jugoslavi më 1945, u arrit dhe u realizua në mënyrë të koordinuar mes dy aleatëve komunistë fitimtarë në vendet respektive, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë herët para përfundimit të saj dhe para vendimeve themelore ndërkombëtare që ndërtuan skemen e re gjeopolitike të Europës. Ky proces u realizua tinzisht opinionit publik shqiptar, që u mbajt në errësire dhe terror, ndërkohë që po implementohej operacioni Rishkëputës. Implementimi në terren dhe pranimi i përdhunshëm i faktit, në Kosovë, Malësi dhe Maqedoni, u bashkërendua përmes përdorimit të reparteve të UNÇSH. Në realizimin e këtij procesi u kryen krime lufte, në territorin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, u shkelen konventat ndërkombëtare dhe u shkelen masivisht liritë dhe të drejtat e njeriut.

LDB, në rastin e Kosovës, u shoqërua, për shkak të ndërhyrjes faktorëve gjeopolitikë dhe ushtarakë ndërkombetare, me dy procese të përkundërta: Pas agresionit të Gjermanisë Hitleriane ndaj Jugosllavisë, copëtimit të saj (Marrëveshja Ciano-Ribbentrop, Vjenë 21-22 Prill 1941; Traktatit i 15 qershor 1941 të Italisë me Bullgarinë), Kosova u inkorporua në Shqipërinë Italiane dhe këtij entiteti iu bashkëngjit edhe pjesa perëndimore e Maqedonisë. Pra, së pari, më 1941 kemi rikompozimin territorial të shtetit shqiptar të pushtuar nga Italia fashiste, nepërmjet përfshirjes, Riintegrimit edhe të territoreve shqiptare që trungut amë i ishin shkëputur më 1913 dhe më1919;  Së dyti, nga 9 prilli 1945 kemi Rishkëputjen e tretë të territoreve të Kosovës, pjesës veriperendimore të Maqedonisë dhe Malësisë dhe bashkëngjitjen në Jugosllavinë e dytë, tashmë komuniste. Të dy proceset kanë qenë të realizueme nga imponime të faktorëve të jashtëm të forcës, me bashkëpunimin e hapur, të heshtur ose intensiv, të faktorëve të brendshëm politikë e ushtarakë shqiptarë.

Procesi i parë, Riintegrimi i territoreve irridente më 1941 në Shqipërinë e okupuar, pavarësisht se si u krye, u mirëprit masivisht nga popullsia e Kosovës dhe e pjesës së ndjeshme të Shqipërisë, nga forcat nacionaliste në vend, për shkak se ajo lëvizje Rikompozonte shtetin kombëtar mbi gërmadhat e shkatërrimit të shtetit serb e jugosllav, shtet që kishte shtypur dhe asgjësuar për 30 vite popullsinë shqiptare atyre anëve, krijonte një precedent të dytë bashkimi pas njësimit të territoreve nën Austro-Hungarinë gjatë luftës së parë. Procesi i dytë, ai i Rishkëputjes e rikthimit në Jugosllavinë e drejtuar nga PKJ e Titos, u realizua përmes një operacioni mjaft mirë të studiuar, në hapësire, në kohë, në taktikë në kontekstin e amullisë ndërkombëtare të muajve të fundit të LDB, përmes një bashkëpunimi dhe kooordinimi të hapur, të qartë dhe të dhunshëm, mes UNÇSH, gjegjësisht divizioneve V dhe VI, të cilët i paraprinë hyrjes së brigadave proletare shfarosëse maqedonase e serbe dhe reparteve të dhunshme të UNÇJ. Procesi i dytë, ai i Rishkëputjes së territoreve irridente u lehtësua nga këto faktorë:1.Nga varësia e plotë politike e komanduese e PKSH dhe UNÇSH nga PKJ dhe UNÇJ; 2. Nga ç'montimi i strukturave qeverisëse dhe administrative, edhe ashtu të dobëta, të qeverisë kuislinge të Tiranës dhe shuarja graduale e pozicionit të saj autonomist në raport me pushtuesin; 3. Nga bashkëpunimi fatkeq i elementevë të caktuar të territoreve irridente me forcat naziste (Divizioni Skanderbeg); 4. Nga ndërhyrja djallëzore dhe e koordinuar që forcat kolaboracioniste të Enver Hoxhës, Fadil Hoxhës dhe Mehmet Hoxhës, bënë në skenën kosovare, tetovare dhe gostivarase, duke u ekspozuar në publik si çlirimtarë, por që në fakt hynë në një territor të zbrazur që me 19 nëntor 1944 nga trupat gjermane. Kjo ndërhyrje përgatiti terrenin për vërshimin e papërballueshëm numerikisht, gati pa ballafaqim të armatosur, të trupave të UNÇJ, operacion që lehtësoi të gjithë procesin e mëvonshëm të zhveshjes së popullsisë mashkullore kosovare dhe riintegrimit politik të Kosovës, Malësisë, Dibres, Tetovës Gostivarit në Jugosllavinë komuniste; 5. Ndërhyrja e armatosur e UNÇSH në Kosovë dhe arrestimi prej saj e më pas dorëzimi i liderit më të rëndësishëm kombëtarist, antifashist dhe properëndimor, Gani Kryeziu, i hoqi Kosovës figurën më të papërlyer politike e ushtarake, që kishte ndërtuar staturen e një lideri antifashist, jo komunist, pjesë e koalicionit kundër nazizmit në Shqipërinë Verilindore dhe në Kosovë. Për rrjedhojë, u eliminua vatra e fundit udhëheqëse e rrezikimit të procesit të Rikthimit dhe Riintegrimit serb në Kosovë dhe u përvijua procesi dekapitues i krahinës.

Kësisoj, UNÇJ, me mbështetjen e reparteve të UNÇSH, në rrjedhen e muajve dhjetor 1944-qershor 1945, operuan lehtësisht në veprime të pastra purifikuese të rezistencës kombëtare, çmontuese të administratës dhe grabitëse të pasurisë së shtetit shqiptar, mes të cilave spikat grabitja në degën e Bankës Kombëtare Shqiptare të Prizreni me datën 28 nëntor 1944, të 2 milion franga ar pasuri e shtetit shqiptar. Lajm i dhënë me 3 janar 1945 nga Office of Strategic Services (OSS) që ka qenë një agjenci e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, formuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo pasuri e shtetit shqiptar asnjëherë deri më sot nuk i është kthyer as Shqipërisë dhe as Kosovës. Kjo gjë bëhej kur në qytetet kosovare të Prizrenit, Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, flamuri shqiptar dhe ai jugosllav mbaheshin të ngritur pranë njeri tjetrit në shtabet e përgjithshme të partizanëve respektivë (PRO.FO.371. 48090,R/237/237/G90, Cypher, from Bari to Resident Minister's Office Central Mediterranean, Caserta, January 3, 1945, Lt. Col. Deakin).

Si u krye procesi i Rishkëputjes së Kosovës nga Shqipëria dhe Ripërfshirja në Serbi dhe në Jugoslavi? Cila ka qenë taktika e PKJ ndaj Kosovës dhe sa ka arritur të ndërrojë këtë opinion dhe këtë kurs PKSH? Fillimisht Marëshalli Tito me 4 dhjetor 1943 kishte shpallur një komunikatë sipas së cilës "e ardhmja e Kosovës do të vendosej prej një referendumi dhe kufiri mes Shqipërisë së pas luftës me Jugosllavinë, në qoftë se do të ishte e nevojshme, do të rregullohej në të mirë të Shqipërisë". Kjo formulë është pranuar prej FNÇSH, mirëpo ky organizem do të shtonte se KOSMET dhe KOSOVA ishin sfera të ndikimit të Titos.Mirëpo, përpjekjet e UNÇJ për të dërguar trupa në Kosovë nuk kanë qenë të suksesshme gjatë gjithë rrjedhës së vitit 1944 dhe janë zbrapsur në vijimësi nga forcat qeveritare të mbrojtjes së kufirit të drejtuara nga gjeneral Prenk Previzi (nënkuptoj forcat e qeverisë shqiptarë të periudhës së pushtimit gjerman). Disfata e plotë e jugosllavëve në Kosovë dhe hakmarrja, (duhet pranuar) brutale e kosovarëve kundrejt kolonistëve serbë të vendosur në përiudhën mes dy luftrave, bëri që pjesa më e madhe e partizanëve jugosllavë, të krijojnë një pamje krejt pesimiste për mundësinë e fitores me anë paqësimi mbi kosovarët. Në përgjithësi, opinioni i pjesës më të madhe të partizanëve jugosllavë, të cilët patën të bënin me shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të luftës, mes të cilëve shquhet  Gjenerali Vukmanovic Tempo, shpesh patën deklaruar se shqiptarët ishin të pakorrigjueshëm, ndaj duhet të çohen në hell me metoda të ashpra kur vendi do të çlirohet. (PRO.FO.371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945). Kjo është pikënisja e politikave të ndjekura në vijim nga komunistët jugosllavë ndaj Kosovës dhe popullsisë shqiptare në këtë anë të Ballkan. Komunistët jugosllavë nuk kishin asnjë iluzion më problemin që ballafaqoheshin në Kosovë. Në dhjetor 1944 Gjenerali Svetozar Vukmanovic Tempo, i deklaroi kolonelit britanik Deakin, (the Senior British Liaison Officer tek partizanët jugosllavë) se shqiptarët janë një grup etnik i cili sipas të gjitha gjasave nuk mund të vendosej nën sundimin jugosllave ndryshe veçse me anën e forcës dhe për këtë mund të përdoreshin bullgarët për ta bërë një gjë të tillë, në mënyrë që të zhvendosej fajësimi për partizanët jugosllavë. (PRO.FO.371. 48090,R/237/237/G90, Cypher, from Bari to Resident Minister's Office Central Mediterranean, Caserta, January 3, 1945, Lt. Col. Deakin). Kësisoj, vendimi ishte marrë dhe me këtë duhet të kuptohet çdo gjë ndodhi më pas, në aspektin ushtarake dhe politik në krahinë. Forcat gjermane u tërhoqën nga Kosova duke filluar nga 19 nëntori 1944, në rrugën e vet të tërheqjes drejt Veriut, duke e lënë krahinën në një gjendje konfunzioni dhe pasigurie të përgjithshme për të ardhmen. Me 19 nëntor 1944, partizanët e brigadës 18 të UNÇSH u vunë në zotërim të Kukësit, ndërsa partizanët e brigadave 3 dhe 5 të të njejtës ushtri çliruan Pejën dhe Prizrenin në Kosovë. Nga ana jugosllave, tërheqja e gjermanëve i dha UNÇJ mundësinë e parë për të depërtuar në Kosovë.  Mirëpo ajo çfarë shërbyen forcat e UNÇSH, nuk ishte çlirimi i Kosovës, i cili mund të konsiderohej i mbyllur me 19 nëntor 1944, por procesi i dhënies së një sigurie shqiptare popullsisë vendase, vendosja e saj në gjumë, çarmatosja në besë të shqiptarëve dhe përgatitja e terrenit për ardhjen dhe instalimin e trupave jugosllave dhe administrates së re së Titos në Kosovë. Në Kosovën pa gjermanë kemi praninë e Divizioneve V dhe VI të UNÇSH (gjithsej 6 brigada me afërsisht 10000 partizanë) në të gjithë harkun kohor të muajve të parë të vitit 1945, në  të ashtuquajurat operacionet ndjekëse, rrethuese dhe asgjesuese, pra në muajt, kur është konsumuar procesi i zhveshjes së Kosovës dhe Maqedonisë Veriperendimore nga djelmnia shqiptare. Këtë na e dëshmojnë një seri dokumentesh të Arkivit Qendror të Shtetit të R.SH. Shtabi i grupeve të brigadave u vendos në Peje, kurse shtabet e brigadave përbërëse të këtyre divizioneve, kanë qenë të vendosura në Pejë, Gjakovë, Istog, Rudnik. Krahas këtyre divizioneve shqiptare kanë operuar në këtë kohë në pjesën tjetër të Kosovës, Divizioni 46, 52 41 të UNÇJ Brigadat e Mbrojtjes së Popullit etj. Detyra e caktuar ndaj të gjithë këtyre forcave të armatosura të vendosura në Kosovë ka qenë e qartë dhe e njejtë: "me mbajtë nën kontroll të përhershëm dhe të fortë vendin e caktuar, me asgjesue plotësisht grupet e mbetura të arratisurve dhe me ndihmue sa më tepër organet drejtuese ushtarake në krijimin dhe përforcimin e pushtetit popullor".( AQSH, F. 14/APL Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare ne Jugosllavi,  faqe 40, Urdhër i Shtabit Operativ të UNÇ për KOSMET. Nr 23, datë 13.03.1945.)

Operacionet e spastrimit nuk kanë përfshirë vetëm forcat aktive kundërshtare dhe popullsinë civile mashkullore kosovare, por edhe partizanët kosovarë, gjë që dëshmohet në një numër dokumentesh të raportuar nga Vuçiterni, nga komandanti i brigadës së VIII të UNÇSH Major Feti Smokthina dhe Komisari Politik Major Rasim Bazo. (AQSH,po aty.) Repartet e UNÇSH, që kanë operuar në Kosovë, duke qenë se janë konsideruar të jenë në tokën Jugosllave, nën komandën e drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe janë urdhëruar të formojnë një shtab të përbashkët për dy divizionet, atë të V dhe të VI.  Shumë e rëndësishme për të kuptuar sa kanë pasur dijeni dhe sa kanë qenë të përfshira repartet e UNÇSH në procesin e dorëzimit të partizanëve kosovarë dhe atë të mobilizimit të sforcuar në terren, e tregon se paku dy radiograme shifer, dërguar nga Enver Hoxha, nga Tirana, me 30 maj 1945, divizionit V të UNÇSH. Në atë radiogram kërkohet: "na lajmëroni sa bëhet numri i t'arratisurve që janë dorëzuar në Divizion tuaj dhe sa bëhet numri i Kosovarëve që keni mobilizuar në terren".( AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 5, Radiogram i datës 20 maj 1945, firmosur: Enver). Përgjigjet në lidhje me kërkesen e mësipërme kanë ardhur për llogari të Shtabit të Divizionit V nga Komisari Politik Gafur Çuçi, i cili shpjegon qartësisht operacionet e këtij divizioni nga datat 21 maj 1945 deri më 1 qeshor 1945.( AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 6-12). Me datën 5 qershor 1945 Enver Hoxha nga Tirana urdhëron Divizionin e V të UNÇSH që "të arratusurit e dorëzuar në divizionin tuaj, dergojani Divizionit 52" të UNÇJ (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 13. Radiogram Shifer, A1.38/III

Pra bëhet fjalë për një bashkëpunim dhe ndërveprim të hapur të UNÇSH dhe UNÇJ në procesin zhveshjes së Kosovës nga çdo lloj rezistence kundër riintegrimit në Serbinë e federuar në Jugosllavi dhe sidomos në të ashtuquajturin "mobilizim" të kosovarëve, që na rezulton të jetë një internim i sforcuar, i mundishëm dhe në fund edhe i përgjakshëm. Masakra e Tivarit është vetëm një pjesëz e vogël fare e asaj çfarë ka ndodhur me të deportuarit kosovarë, tetovarë, gostivaras në skutat e Dalmacisë dhe në fushat e pafundme të Vojvodinës.

Popullsia shqiptare e Kosovës është zgjuar vetëm në shkurt i vitit 1945 dhe ka kuptuar se, nën rrogoz, nën turbullirën e fundit të Luftës së Dytë Botërore: nën petkun e luftës kundër nazizmit dhe "bashkëpunëtorëve" tyre, nën petkun e internacionalizmit partizan, po kryhej gradualisht procesi i riintegrimit, rianeksimit të territoreve të lartpërmendura në Serbi dhe Jugosllavi. Dhe në këto rrethana kanë filluar trazirat dhe ka pasuar reagimi brutal i autoriteteve partizane dhe komuniste jugosllave me bashkëpunimin e vetëdijshëm të brigadave partizane të Shqipërisë. Në muajin shkurt 1945, për kundërpërgjigje, autoritetet partizane jugosllave vendosen në Kosovë ligjin ushtarak dhe filluan ta administrojnë krahinen më anën e dores se hekurt të ushtrisë.
Çfarë ofrojnë dokumentet jugosllave mbi sa më sipër? Jane një seri dokumentesh, por dokumenti më i rëndësishëm është ai i datës 8 prill 1945, nga Shtabi i Armatës IV të Ushtrisë Jugosllave drejtuar Shtabit Operativ për Kosovë dhe Metohi që përshkruan ne detaje menyrën e tmerrshme të ekzekutimit të kosovarëve në Tivarin e Ri është po ai i datës 8 prill 1945. I gjithë procesi i deportimit dhe masakra e Tivarit ndodhi në një kohë kur rreziku i jashtëm ishte i përfunduar. Falë këtij procesi, në fund të muajit prill 1945 trazira mund të konsiderohej e mbyllur në një masë të madhe dhe kjo gjë falë bashkëpunimit në shtypjen e kryengritjes së trupave nacionaliste, prej anës së UNÇSH, mungesa e dallimeve nacionale që këto partizanë shqiptarë kishin shprehur në shtypjen e shqiptareve nacionalistë, kishte bërë një përshtypje të jashtëzakonshme mes partizanëve jugosllavë. Shkalla e madhe e mobilizimit të meshkujve kosovarë, internimi dhe deportimi i tyre në pjesë të tjera të vendit, arrestimi i liderëve të tillë si Gani Bej Kryeziu, synonte dhe arriti të paralizonte, së paku përkohësisht, këtë krahinë nga çdo rezistencë e mundshme ndaj këtij ripushtimi të Kosovës prej Serbisë, gjegjësisht Jugosllavisë dhe kryerjen e procesit politik rishkëputës. (PRO.FO.371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945).

Dhe në fakt kështu ka ndodhur: vendimi për aneksimin e Kosovës në Federatën Jugosllave është ekzekutuar pas spastrimit kryesor etnik dhe Masakres së Tivarit, i konsumuar kryesisht gjatë muajve mars dhe prill 1945. Reagimi i "Komandantit të Përgjithshëm" të UNÇSH ka variuar nga mosveprimi deri ne bashkëpunim në krim kolektiv ndaj jetes dhe lirisë njërëzore, ndërkohë që faktet tregojnë se ai ishte urdhërdhënesi i dorëzimit të kosovarëve në njësitë partizane jugosllave.  Kemi të bëjmë me një bashkëpunim në deportim të popullsisë civile, heqje masive e lirive civile, mosveprim ndaj humbjes së jetëve të pafajshme të shqiptarëve të paarmatosur në tokën shqiptare dhe shkelje të integritetit shtetëror të Shqipërisë.

Si është administruar Kosova në këtë fazë të parë të rikthimit në Jugosllavi? Në fillim të muajit prill 1945 Kosova u administrua nën një qeverisje të përkohshme ushtarake jugosllave me shtab të përgjithshëm në Prishtinë. Krahinat e përfshira nën këtë administrim ishin Mitrovica, Peja, Gjakova, Drenica Prizreni, Ferizaj, Gjilani, Rahoveci. Pak pas masakres së Tivarit dhe paralelisht me vazhdimin e deportimeve në prill 1945 ndodhi konstituimi i institucioneve të bredshme të Serbisë së federuar në Jugosllavi. Kostituimi ndodhi me 9 prill 1945: Këshilli Nacional Çlirimtar për Serbinë (ASNOS) u shndërrua në Parlament Kombëtar të Serbisë,me përfshirjen e deputetëve nga Vojvodina, Sanxhaku dhe Kosova dhe Metohija. Serbia u bë e para njësi federale e Jugosllavisë së dytë që arriti të rregullonte qeverinë e saj mbi një bazë të përhershme. Njësia federale serbe përfshinte brenda saj Vojvodinën si një Krahinë autonome, Sanxhakun dhe Krahinën e Kosovës dhe Metohisë. Megjithëse lajmi që Kosova u bë definitivisht pjesë e federatës Jugosllave filloi të përhapej gjerësisht në Shqipëri, FNÇSH vazhdonte ta mbante në heshtje këtë lajm dhe këtë lëshim që u kishte bërë komunistëve jugosllavë. Hodgson shprehet me këtë rast se "fakti që FNÇ ka rënë dakord të humbasë këtë hapësirë vitale me popullsi mbizotëruese shqiptare, konfirmon sa i shitur plotësisht është FNÇSH tek Jugosllavia dhe se kjo gjë ka tjetërsuar edhe më shumë të gjithë elementët nacionalistë veçanërisht në veri të vendit." Zgjidhja bilaterale mes PKSH dhe PKJ per tokat shqiptare është marrë para vendimit definitiv të Fuqive të Koalicionit dhe para traktatit ndërkombëtar, pa asnjë negociatë, me një sens përuljeje e bindjeje të verbër, ndaj Titos, në shkëmbim të konsolidimit të pushtetit të PKSH dhe FNÇ në Shqipërinë e pas Luftës.

Viti 1945 në tërësi është koha kur u hodhen themelet e rikthimit të Kosovës në Jugosllavi, rikthim që u krye në rrethanat e turbullta politike, sociale ekonomike dhe ushtarake të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ky rikthim u mundësua para së gjithash nga fakti që forca kryesore fitimtare politike në Shqipëri, FNÇSH drejtuar nga Enver Hoxha dhe PKSH, veproi në të njejtën linjë politike dhe ushtarake me UNÇJ të drejtuar nga Mareshalli Tito. Kjo forcë fitimtare ushtarake e politike në territorin e Jugosllavisë së Parë kishte si objektiv kryesor politik rikompozimin e dytë të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore, e për rrjedhojë e konceptonte Kosovën, Maqedoninë Veriperendimore dhe Malësinë, pjesë të shtetit të ri jugosllav, tashma federativ. Rikthimi u lehtësua për faktin se në Shqipëri u copëtua forca politike dhe organizata ushtarake e mbështetur fuqimisht vetem tek Aleatët e mëdhenj perëndimorë (Gani Kryeziu) dhe se forcat nacionaliste dhe patriotike, në vorbullen e trazirës së fundit të Luftës së Dytë Botërore, para frikës se rrezikut bolshevik, menduan se rindërtimi vetem i shtetit shqiptar, shpallja e neutralitetit të Shqipërisë së pushtuar nga nazistët gjermanë, do ishte ilaçi për të shpëtuar Shqipërinë e vogël të mbërthyer nga halle të mëdha dhe të rrethuar nga fqinjë po aq agresivë sa në fillim të shekullit. Kosova nga kjo kohë do të jetë provinca më e harruar e Jugosllavisë së Dytë, me djelmni të copëtuar, analfabetizëm masiv, nën shtypje ekonomike dhe nën mungese totale lirie për popullin e saj të përfaqësuem jo proporcionalisht në institucionet federative jugosllave dhe republikane serbe. Mbi të gjitha, mbi kokën e saj do të rendojë si faj i rëndë "bashkëpunimi" me nazistët i anëtarëve të ministrisë së brendshme të Shqipërisë së viteve 1943-1944, që në shumicë qenë nga kjo krahinë. Bashkëpunimi i disa individëve sherbeu si alibi për të dhunuar çdo qenie shqiptare në Kosovë, përfshirë edhe partizanët kosovarë. Ky çekan është ngritur herë pas here mbi kokën e Kosovës, sa herë që autoritetet republikane serbe dhe ato federative jugosllave, kanë dashur të mbajnë nën presion çdo përpjekje demokratizuese dhe emancipuese me karakter nacional dhe liberal. Përndryshe, Shqipëria e drejtuar nga Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu,  dhe një kastë e tërë majtistësh ekstremistë, pas dakortësisë së lënies së Kosovës nën Serbi dhe Jugosllavi dhe pas bashkëpunimit në internimin masiv dhe masakrimin pa dallim të djelmnisë së Kosovës, dhe shkatërrimin e plotë të elitës intelektuale dhe qytetare me formim perëndimor, do të futet në një udhë pa krye në politiken e brendshme e atë rajonale ballkanike dhe europiano lindore, që do ta  vendosë atë vend, pas vitit 1945, në njollën e zezë të diktaturave më të errëta të historisë bashkëkohore europiane, nga e cila nuk do të dalë lehtësisht asnjëherë. Shqipëria e sotme dhe gjendja e saj në tranzicionin e zgjatur është një produkt i kuptueshem i spirales  së krijuar në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Prof. Dr. ROMEO GURAKUQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DY SIMBOLIKA TË PANGJASHME TË 20 SHKURTITNga ALFRED ÇAKO (02.18.2014)
GRAMOZ PASHKO NUK MUND TË JETË SIMBOL I EKONOMISËNga MENTOR KIKIA (02.18.2014)
Këndi këtuSI TË UROJMËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.17.2014)
NJOHJET E KOSOVËS SI STATUS SUBJEKTI TË PAVARUR NDËRKOMBËTARNga SHABAN MURATI (02.17.2014)
BURAT E SHQIPËRISË ME FLOKË TË SAPOLYERA IA KANË ELEMINUAR GERMËN E 25-TË ALFABETIT TË SHQIPES Nga ELIDA BUÇPAPAJ (02.16.2014)
MIQTË E SHQIPËRISË DHE MIQTË E PARTISËNga AFRIM KRASNIQI (02.16.2014)
TË GJITHA KËNGËT I THAMË, POR MË TË MIRËN E LAMË(Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI (02.16.2014)
PILATI BERISHA DHE LIGJI 7501Nga ALFRED ÇAKO (02.14.2014)
ËSHTË E RREZIKSHME NOSTALGJIA KOMUNISTE NË NJË DEMOKRACI TË PAPJEKURNga FRANK SHKRELI (02.13.2014)
AKSIDENTET RRUGORE - OSE NGA T'IA NISIM MË PARËNga MENTOR KIKIA (02.13.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]