Viktor Orban fitoi sërish zgjedhjet parlamentare në Hungari. Kryeministri hungarez tha se zgjedhjet ishin të lira dhe se ai mund të thotë me siguri absolute se i ka fituar ato.
Gordon Bajnai i lidhjes
opozitare të majtë e pranoi humbjen në zgjedhje duke e quajtur këtë
humbje si shkatërruese dhe rezultatin e zgjedhjeve si një zhgënjim për
të gjthë ata që donin ndryshimin e qeverisë.
Sipas përllogaritjeve të bëra pas numrimit të 89% të votave partia
Fidesz fitoi 44,8% të votave, kurse Lidhja e Majtë 25,5%. Partia
ekstremiste e djathtë Jobbik mund të llogarisë me rreth 21% të votave.
Arkitektura e pushtetit të Orbanit
Gazetari dhe eksperti i politikës së jashtme Attila
Ara-Kovács përmend disa arsye për fitoren në zgjedhjeve nga Orbán dhe
aleanca e tij Fidesz-KDNP, fitore e cila edhe pritej. "Me të
ashtuquajturën luftën për liri e cila drejtohet kundër Evropës dhe BE-së
dhe agjitacionin e tij nacionalist kundër vendeve fqinje, Orbán është
duke mbajtur pasuesit e tij në një gjendje të mobilizimit të
përhershëm", thotë Ara-Kovács. Një pjesë tjetër e popullsisë për shkak
të globalizimit ka frikë të madhe ekzistenciale dhe Orbán u premton
atyre siguri. "Në fund, një pjesë tjetër e shoqërisë jeton në frikë me
plotë të drejtë nga Orbán dhe sistemi i tij, si për shembull të
punësuarit në sektorin në publik dhe shërbimin civil të cilët janë të
frikësuar për humbjen e vendeve të tyre të punës apo sipërmarrësit që
kanë frikë se nuk do të marrin më punë nga shteti."
Në të vërtetë, Orbán dhe shumica e tij qeveritare kanë riorganizuar në
mënyrë radikale Hungarinë në katër vitet e fundit. Në aparatin
shtetëror, shërbimin civil
dhe mediat publike është kryer një ndryshim i plotë i elitave. Përmes
qindra ligjeve dhe rregulloreve Orbán siguroi për vete pushtetin
afatgjatë.
Ndër të tjera u miratua një reformë për zgjedhjet parlamentare e cila
është përshtatur për Orbánin dhe aleancën e tij Fidesz-KDNP. Reforma
ka forcuar dukshëm parimin e shumicës, përveç kësaj kanë pësuar
ndryshime zonat elektorale - në fortifikatat e Fidesz-it mjafton një
numër i vogël i votave për fitimin e mandatit ndërsa në zonat zgjedhore
të krahut të majtë nevojiten më shumë. "Fidesz ka projektuar në atë
mënyrë ligjin e ri zgjedhor që me një shumicë relative të votave të
sigurojë një shumicë absolute në parlament", thotë Robert László nga
Instituti Kapital Politik në Budapest.
Dhe Orbán-it nuk është ndalur vetëm tek ndryshimi i ligjeve të tilla.
Drejtimi i shumë autoriteteve dhe institucioneve të rëndësishme është
zënë gjatë viteve të kaluara nga stafi besnik i partisë Fidesz.