ME NJË KANDIDAT, POR SËRISH TË PËRÇARË Nga ARBEN LLALLA
E Martë, 04.08.2014, 08:09am (GMT+1)
Më 13 prill në Maqedoni do të zhvillohen zgjedhjet për kryetar shteti. Në këto zgjedhje rikandidon për herë të dytë kryetari aktual, Georgio Ivanov i propozuar nga partia në pushtet, Stevo Pendarovski i LSDM-së, Iljaz Halimi i PDSH-së dhe Zoran Popovski i GROM-it. Shqiptarët këtë herë, në dallim nga zgjedhjet e kaluara ku garonin me 3 kandidatë, për president kanë vetëm një kandidat. Partia BDI, e cila është pjesë e qeverisë që nga viti 2008 bashkë më VMRO-DPMNE-në nuk nxori kandidat të saj, por i mbeti besnik propozimit për kandidatin konsensual. Propozimi i BDI-së për një kryetar shteti konsensual nuk është i sinqertë dhe real sepse kjo parti këtë lloj presidenti nuk ua propozoi edhe dy partive të tjera të mëdha, LSDM-së dhe PDSH-së, por ia propozoi vetëm partisë me të cilën bashkëqeveris, VMRO-DPMNE-së.
Partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE-ja, e refuzoi propozimin e BDI-së dhe për pasojë, partia shqiptare kërkoi zgjedhje të parakohshme të cilat do të mbahen më 27 prill. Gjatë fushatës, BDI-ja po reklamon mosdaljen e shqiptarëve në votime, por kjo lloj propagande bie ndesh me rekomandimet e ambasadave të huaja në Shkup, si ato të BE-së dhe SHBA-ve, por edhe me vetë BDI-në, sepse ishte kjo parti që në vitin 2009, në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar shteti mbështeti fuqishëm presidentin aktual Georgio Ivanovin, i cili fitoi mandatin e parë me votat e saj. Dhe sot me të drejtë ai mund të quhet president konsensual midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Partia shqiptare PDSH-ja, e cila është në opozitë, ka nxjerrë kandidatin e saj prof. Iljaz Halimin dhe pretendon se nëse fiton vota të kënaqshme do të mund ta kushtëzojë VMRO-DPMNE-në në krijimin e qeverisë së re, e cila do të dalë nga zgjedhjet parakohshme që do të mbahen bashkë në raundin e dytë të presidencialeve.
Realisht, PDSH-ja ka të drejtë me pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet presidenciale, sepse kandidati i vetëm shqiptar ka shanse të vërtetojë peshën e votës shqiptare. Por parashikimi im është se ai nuk do të mund të marrë më shumë se 80 mijë vota, për faktin se BDI-ja po bën një propagandë të ashpër mediatike, shtëpi për shtëpi, duke e keqinformuar votuesin shqiptar për mosdalje në zgjedhjet presidenciale. BDI-ja, me anë të frikësimeve për pushim nga puna, me kërcënimin e riaktivizimit të çështjeve gjyqësore, si edhe duke akuzuar çdo shqiptar që del në votime si tradhtarë, ka bërë që votuesi të tremben dhe të struket. Pra, ai që del dhe voton më 13 prill për Iljaz Halimin, do të shpallet tradhtar. Ky është primitivizëm për kohën ku jetojmë. Kjo lloj propagande e tipit marksist-leninist, metodë e vjetër e enveristëve shqiptarë të ish-Jugosllavisë, ka bërë që diplomatët e huaj të zhgënjehen nga drejtuesit e lartë të BDI-së duke ngritur shumë pikëpyetje për të ardhmen e kësaj partie si partnere e besueshme e projekteve për anëtarësimin në BE dhe NATO. Kandidati tjetër Stevo Pendarovski i LSDM-së është person i cili por zhvillon një fushatë jo për votën partiake, por për votën qytetare dhe pretendon se do të jetë një kryetar shteti në shërbim të të gjitha etnive.
Ai ka mbajtur fjalime edhe në gjuhën shqip, gjë që kundërshtari i tij Ivanov nuk e ka bërë. Pendarovski ka pak shanse në raundin e dytë të përkrahet nga votuesit shqiptarë të BDI-së, por nëse ndodh kjo, atëherë ai mund të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë. Por unë nuk besoj se BDI-ja do të rrezikojë mospjesëmarrjen e saj në qeverinë e pas 27 prillit, duke përkrahur hapur kandidatin e LSDM-së. Pra shanset që BDI-ja t'u bëjë thirrje votuesve të saj për të votuar Stevo Pendarovski janë të pakta. Kandidati Zoran Popovski i GROM-it, është një kandidaturë modeste i cili më shumë ka dalë për të matur se sa votues ka ky grupim politik dhe për të bërë një marrëveshje për bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në, pas zgjedhjeve për kuvendin e Maqedonisë që do të mbahen bashkë me atë për presidentin më 27 prill. Në përfundim, dua të them se kryetari i Republikës së Maqedonisë nuk do të mund të zgjidhet pa votat e shqiptarëve dhe nëse gjërat shkojnë pikërisht kështu, atëherë pa frikë Ivanov do të marrë mandatin tjetër presidencial.
ARBEN LLALLA
|