ARRATISEN NGA PARABURGIMI SAMI LUSHTAKU, ISMET HAXHA DHE SAHIT JASHARI - PJESË E GRUPIT TË DRENICËS
E Martë, 05.20.2014, 06:01pm (GMT+1)
Ushtruesi i detyrës së komisarit të burgjeve në Kosovë, Shemsi Hajrizi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se tre të paraburgosur, të cilët gjendeshin për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë arratisur të martën.
Sipas tij, bëhet fjalë për të paraburgosurit: Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skënderajt, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari.
Të tre këta janë pjesë e lëndës së njohur si Grupi i Drenicës, në përbërje të të cilit janë pesëmbëdhjetë persona. "‹"‹Ndaj tyre, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur më 8 nëntor të vitit të kaluar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nën dyshimet se kanë "kryer krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje", të cilat supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të komunës së Skënderajt, në vitin 1998.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, gjykatës të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kanë marrë vendim të hënën më 19 maj 2015, për transferimin e të pandehurve Sabit Geci, Sahit Jashari, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe Avni Zabeli nga Qendra e Paraburgimit në Dubravë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë të martën me 20 maj 2014 dhe të pandehurit Jahir Demaku dhe Ismet Haxha të transferohen nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.
Shqyrtimi gjyqësor ishte paraparë të fillojë me 22 maj 2014 në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, e cila gjendet në pjesën veriore.
Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, ka konfirmuar se Shërbimi korrektues i Kosovës ia ka konfirmuar gjykatësit të rastit, arratisjen e tre prej 7 të pandehurve, të njohur si "Grupi i Drenicës", të cilët ishin në paraburgim. Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të pandehurit kanë qenë nën mbikëqyrjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Më herët, sipas Krasniqit "gjykatësi ka dhënë urdhër që të pandehurit të transferoheshin në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë, vetëm në ditët kur duhej të zhvillohej gjykimi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, e cila është përgjegjëse për rajonin ku dyshohet se janë kryer krimet nga të pandehurit". Krasniqi ka shtuar se gjykata ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe Shërbimi korrektues i Kosovës që t'i sjellin të pandehurit në gjykatë, me 22 maj, për kur është paraparë seanca e parë e shqyrtimit kryesor. Për gjetjen dhe sjelljen në gjykatë të arratisurve, sipas Krasniqit, janë të obliguar Policia e Kosovës dhe Shërbimi korrektues i Kosovës.
www.voal-online.ch
|