U MBLODH KËSHILLI MBIKQYRËS I BANKËS SË SHQIPËRISË - GJATË MBLEDHJES NUK U PROPOZUA SHKARKIMI I FULLANIT
E Enjte, 08.07.2014, 06:52am (GMT+1)
TIRANE - Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin pa asnjë hezitim me organin e Prokurorisë, në mënyrë që hetimi për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari të jetë i plotë dhe të përfundojë sa më shpejt, duke vënë të gjithë personat përgjegjës para drejtësisë.
Në përfundim të mbledhjes së djeshme, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së theksoi se kjo ngjarje kriminale nga ish-punonjës të saj nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë në kryerjen me efikasitet të aktivitetit të saj të përditshëm. Këshilli Mbikëqyrës i BSH garanton opinionin publik se po punohet me vendosmëri për të rikuperuar të gjithë pasojat që mbart vjedhja e 713 milionë lekëve nga Thesari.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë thekson se "pas kallëzimit penal, për dy ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë, Administrimi i Bankës së Shqipërisë ka: 1. Informuar autoritetet dhe institucionet më të larta të vendit. 2. Thirrur mbledhje të posaçme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në datat 22 korrik 2014, 29 korrik 2014, 1 gusht 2014, për ta informuar atë për ngjarjen e ndodhur dhe për masat e marra. 3. Ngritur tre grupe pune për të: a. kryer inventarizimin e plotë të vlerave monetare në kartëmonedhë në administrim nga Banka e Shqipërisë; b. verifikuar nëse ka pasur nxjerrje të informacionit që përbën sekret shtetëror nga punonjës që për shkak të detyrës kanë qenë njohur me këtë lloj informacioni; c. konstatuar përputhshmërinë e veprimeve të kryera në terren nga punonjësit përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare, me përcaktimet e akteve rregullatore të Bankës së Shqipërisë, sa i përket procedurave të ruajtjes, administrimit dhe të përpunimit të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë. 4. Bashkëpunuar ngushtësisht me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për evidentimin e çdo shkeljeje të akteve ligjore dhe nënligjore, që kanë mundësuar krijimin e rrethanave të favorshme për përvetësimin e vlerave monetare nga ish-punonjës në Bankën e Shqipërisë. 5. Ndërprerë marrëdhëniet e punës me të gjithë personat e ngarkuar me vlera monetare dhe duke i zëvendësuar ata me punonjës të tjerë. 6. Liruar nga detyra dhe ka zëvendësuar me specialistë me eksperiencë drejtuesit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes. 7. Informuar të gjitha institucionet e sigurisë financiare në vend dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, mbi ecurinë e zbatimit të planit të masave, për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe sigurinë e depozituesve në sistemin bankar shqiptar. 8. Raportuar në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave rreth masave të marra në një seancë dëgjimore dhe me shkresë. 9. Organizuar takime me punonjësit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes, për të analizuar ngjarjen e përvetësimit të vlerave monetare, për prezantimin e drejtuesve të rinj dhe për të detajuar planin e masave që do të garantojë vijimësinë e punës në këto departamente."- thuhet në njoftimin e Këshillit Mbikëqyrës.
Mësohet se Këshilli Mbikëqyrës i kushtoi një vëmendje të veçantë përcaktimit të një strategjie më afatgjatë për të garantuar administrimin sa më efektiv të rrezikut operacional në të gjithë hallkat e përpunimit dhe ruajtjes së parasë cash.
"Më konkretisht, për të rritur shkallën e sigurisë, Këshilli Mbikëqyrës, ndër të tjera la si detyrë që përpjekjet në këtë drejtim të përqendrohen në: 1. Rivlerësimin e të gjithë bazës rregullatore, procedurave dhe praktikave që lidhen me përpunimin dhe ruajtjen fizike të parasë cash nën asistencën e institucioneve dhe agjencive të specializuara ndërkombëtare. Disa nga çështjet më prioritare në këtë drejtim do të jenë: "¢ Rritja e shkallës së sigurisë. "¢ Instruktimi i pandërprerë i anëtarëve të komisioneve të inventarizimit të vlerave monetare. "¢ Forcimi i proceseve të monitorimit në kohë reale të pamjeve të regjistruara nga sistemi i kamerave të sigurisë. "¢ Përcaktimi më i detajuar i niveleve të kontrollit në të gjitha hyrjet sipas arkave. "¢ Rikalibrimi i rolit të kontrollorit mbikëqyrës për të garantuar më mirë zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi. 2. Forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve me organet e zbatimit të ligjit për monitorimin e pastërtisë dhe figurës morale të punonjësve që mbajnë pozicione kyç si dhe të të ngarkuarve me vlera monetare. 3. Intensifikimin e procesit të nisur për ngritjen e strukturave për vlerësimin e rrezikut operacional në çdo sektor dhe në tërësi për institucionin. 4. Trajnimin dhe testimin e vazhdueshëm me qëllim informimin në kohë të të gjithë punonjësve të lidhur me rregulloret ekzistuese, me procedurat në fuqi dhe me rishikimet eventuale që mund të pësojnë ato. 5. Automatizimin e mëtejshëm të administrimit të lëvizjes dhe magazinimit të parasë cash."
ARRESTIMET Rreth dy javë pas zbulimit të supergrabitjes, deri tani janë arrestuar disa persona si të implikuar në vjedhjen e 713 milionë lekëve nga arka e Bankës së Shqipërisë, nga të cilët, 9 janë punonjës të këtij institucioni dhe një është i afërmi i Ardian Bitrajt, personit kyç në këtë çështje.
Pas arrestimit të përgjegjësit të Arkës Stok, Ardian Bitraj, dhe punonjëses tjetër, Mimoza Bruzia, mbrëmjen e së enjtes së kaluar janë vënë në pranga punonjësit e BSH: Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator, pranë Departamentit të Sigurimit dhe Mbrojtjes; Myzejene Belba, me detyrë specialiste e Arkës Stok (tranzit); Lavdim Canaj, me detyrë specialist i Arkës Stok (tranzit); Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i Arkës në Veprim; si dhe Liljana Tusha, me detyrë specialiste e Arkës në Veprim në BSH. Ndërkohë sot është vetëdorëzuar sot në polici edhe ish-drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku.
Ndaj tyre rëndon akuza e "shpërdorimit të detyrës", pasi me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë ndikuar në thellimin e skandalit në të cilin është përfshirë Banka e Shqipërisë. Nga hetimet e kryera deri më tani, organi i akuzës ka konkluduar dhe shkeljet e personave të arrestuar, ku rezulton se në Departamentin e Emisionit të parasë nuk është rakorduar gjendja fizike e parasë me sportelin. Po ashtu, hetuesit thonë se nuk është zbatuar rregulli për lëvizjen e parasë dhe mbajtjen e tre çelësave të sigurisë nga tre persona të ndryshëm. Mësohet se çelësat janë mbajtur nga Bitraj, si dhe nga operatori i sigurisë në monitorimin e kamerave, ku, edhe pse janë parë lëvizjet e tij dhe vjedhja që ai kryente, sërish nuk janë kallëzuar.
KËSHILLI MBIKËQYRËS PËRGËNJESHTRON MEDIAT: NUK U PROPOZUA SHKARKIMI I FULLANIT
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka përgënjeshtruar lajmet e përhapura në media se në mbledhjen e sotme është propozuar shkarkimi i Guvernatorit Ardian Fullani.
"Në vijim të lajmit të publikuar sot, "Fullani, propozohet shkarkimi", Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë informon publikun se ky lajm nuk është i vërtetë. Në diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Mbikëqyrës ju bëjmë me dije se nuk ka pasur asnjë propozim nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë."- thuhet në njoftimin e Këshillit Mbikëqyrës.
www.voal-online.ch
|