GAZMEND TURDIU - NUK E NEGOCIOVA 'KUFIRIN DETAR' SHKRESA E MINISTRISË SË JASHTME DËSHMON - ISHTE NEGOCIATOR
E Enjte, 08.07.2014, 10:30am (GMT+1)
TIRANE - Një ditë pasi Prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve për grupin negociator të marrëveshjes me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve, ish-zyrtari i lartë i ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu, pretendoi në një prononcim për NEWS 24 se nuk ka marrë pjesë në bisedimet dypalëshe që prodhuan paktin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Ai këmbënguli dje se ky fakt mund të verifikohet lehtësisht në protokollet e mbledhjeve të grupit negociator të punës teksa u shpreh i gatshëm të vihet në dispozicion të organit të akuzës për të sqaruar të vërtetën.
"Procesi ka filluar në vitin 2006 dhe ka përfunduar në mars të 2009. Jam kthyer nga Berlini në korrik 2009 dhe kam filluar punë në Ministrinë e Jashtme më 4 shtator 2009. Kërkoni procesverbalet e negociatave dhe konstatoni që nuk kam qenë pjesë e grupit negociator. Pres me dëshirë shqyrtimin nga Prokuroria për të qartësuar publikisht këtë të vërtetë. Pres më dëshirë të flas nëse më thërrasin", - ka pretenduar Turdiu në reagimin e tij për NEWS 24.
Nxitimi i ish-zyrtarit të lartë të MPJ-së për të hedhur poshtë faktin se ka qenë pjesë e grupit negociator vjen me të paktën 4-vite vonesë dhe pikërisht në momentin kur Prokuroria ka nisur zyrtarisht hetimet. Qysh kur "Gazeta Shqiptare" filloi investigimin e saj për këtë çështje në 29 prill 2009 e deri kur Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj unanim 9-0 iu dha të drejtë fakteve të botuara nga ne në 26 janar 2010, duke e rrëzuar paktin detar, Turdiu nuk e mohoi kurrë të qenit pjesë e grupit negociator. Kjo ndodhi vetëm dje. Por krejt ndryshe nga sa pretendon ai, dosja zyrtare e negociatave me palën greke që "GSH" ka mundur të sigurojë zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme evidenton pikërisht Gazmend Turdiun si njërin nga 11 negociatorëve të palës shqiptare.
Në 15 nëntor 2009, drejtori, aso kohe, i Drejtorisë së Shtypit e Informacionit në MPJ, Taip Sulko, vuri në dispozicion të "Gazeta Shqiptare", pas një kërkese zyrtare për informacion, dosjen e plotë të negociatave me palën greke. Nga këto dokumenta zyrtare të MPJ-së, emri i Gazmend Turdiut rezulton si 1 prej 11 negociatorëve që u autorizuan nga pala shqiptare për të arritur marrëveshjen me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar. Në atë periudhë, po sipas dosjes që na vuri në dispozicion MPJ, rezulton se Turdiu u ngarkua negociator, pikërisht për shkak të postit që mbante, Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve Juridike, Ndërkombëtare dhe Konsullore.
Vlen të theksohet gjithashtu se në datat 18-19 Mars 2009, Turdiu ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Përbashkët dypalësh Shqipëri-Greqi. Dhe kjo mund t'i faktohet lehtësisht. Po ashtu ai ka qenë pjesë edhe e delegacionit zyrtar të negociatorëve që sigloi marrëveshjen në 20 Mars 2009, me firmën e kryenegociatorit, Ferit Hoxha, që aso kohe mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së. Të gjitha dokumentat që disponon "GSH" mbajnë vulën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Ato tashmë i janë vënë në dispozicion Prokurorisë dhe për to Turdiu duhet të japë sqarime.
Referuar vendimit historik të Gjykatës Kushtetuese lidhur me paktin detar, Nr.15, datë 15.04.2010 rezulton se, janë kontatuar shkelje sa i përket procedurës dhe përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje, duke passjellë cënimin e integritetit territorial të Shqipërisë. Për këtë arsye Prokuroria sqaroi dy ditë më parë se ishte e domosdoshme regjistrimi i procedimit penal për hetimin e 11 negociatorëve, që dyshohet se kanë konsumuar veprën penale "˜Marrëveshja për dorëzim territori' të parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal, që parashikon dënimin me burg 5-10 vite. Pra qartësisht është e kuptueshme se Turdiu dhe 10 negociatorët e tjerë nuk po hetohen për vjedhje mollësh. Ata dyshohet se kanë kryer një tradhëti kombëtare. Duket se Turdiu nuk e paska kuptuar akoma se ç'po ndodh në tokë ashtu siç deri dje nuk e "kuptonte" se ç'po ndodhte në det sepse me këtë akuzë të Prokurorisë "t'i hedhin çelësat në det". Se në cilën anë të detit, kjo mbetet ende për t'u ndarë.
TEDI BLUSHI
|