VIJON PETICIONI DHE REAGIMET KUNDËR FULLANIT - DERI TANI JANË MBLEDHUR 8 000 FIRMA
E Hënë, 08.11.2014, 06:40am (GMT+1)
"Nëse vjedhja në Bankën e Shqipërisë nuk shqyrtohet me përgjegjshmëri, ajo rrezikon të godasë ashpër besimin e investitorëve në institucionet dhe seriozitetin e shtetit shqiptar" - deklaroi Konfindustria.
Dhjetëra veprimtarë të shoqërisë civile vazhduan edhe dje mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve për t'u kërkuar autoriteteve shtetërore shkarkimin nga detyra të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani. Edhe qarqet e biznesit nisën reagimet e para kundër vjedhjes së Bankës, duke e vlerësuar atë si një ngjarje të rëndë, e cila duhet zbardhur shpejt.
Organizata Konfindustria u kërkoi institucioneve shtetërore ligjvënëse dhe të drejtesisë që ta zbardhin skandalin e grabitjes së Bankës së Shqipërisë me profesionalizmin dhe seriozitetin më të madh, dhe të nxjerrin sa më shpejt fajtorët për këtë ngjarje.
Konfindustria publikoi një deklaratë ku theksoi që "grabitja e turpshme, nga brenda dhe e zgjatur në vite e Bankës së Shqipërisë, pavarësisht se nuk prek qëndrueshmërinë e sistemit financiar, tregon se sa keq janë ndërtuar, menaxhohen dhe funksionojnë në dëm të interesit publik, institucionet rregullatore të tregjeve strategjike në vend, ku sektori bankar është ndër më të rëndësishmit"."‹"‹
Ngjarja e fundit në Bankën e Shqipërisë, sipas Konfindustria-s, shpjegon pse sektori bankar shfaq shenja të oligopolit në dëm të interesit publik, me kreditim të ulët dhe më të shtrenjtin në rajon, që nxitin huamarrjen informale, daljen e parasë së shqiptarëve jashtë vendit, duke u treguar i paaftë të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit. "Nëse vjedhja në Bankën e Shqipërisë nuk shqyrtohet me përgjegjshmëri, ajo rrezikon të godasë ashpër besimin e investitorëve në institucionet dhe seriozitetin e shtetit shqiptar me pasoja të rënda afatgjata për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve" - deklaroi Konfindustria.
Veprimtarët e shoqërisë civile vijuan organizimin e protestës së tyre, duke mbledhur firma në një peticion që kërkon shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani. Deri tani janë mbledhur, sipas tyre, rreth 8 mijë firma nga qytetarët në Tiranë dhe nga sot ata hapin shumë vende të tjera për nënshkrimin e peticionit në qytetet e mëdha të Shqipërisë si Elbasan, Durrës, Korça, Vlora, Kukës, Sarandë etj.
Shtypi vendas i ka kushtuar rëndësi edhe përbërjes së Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, pagave, kredive dhe shpërblimeve që ata marrin për këtë detyrë.
Jozyrtarisht media ka mësuar se janë duke hetuar pasuritë e rreth 70 personave që lidhen me 10 të arrestuarit, për të zbuluar vend-ndodhjen e 7 milionë dollarëve të vjedhur nga Banka. za
www.voal-online.ch
|