MESILA DODA - KOKËDHIMA TË DORËHIQET, NËSE KA TENTUAR TA MBYLLË ÇËSHTJEN
E Hënë, 08.18.2014, 07:04am (GMT+1)
TIRANE - Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, njëherazi kryetare e Aleancës së Grave Deputete, në një intervistë të dhënë dje për "Gazeta Shqiptare" apelon nevojën e sqarimit të pozicionit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima në skandalin seksual të sekretarit të tij, Agron Cane, i cili u arrestua pasi i kërkoi një qytetareje të thjeshtë vajzën 14-vjeçare për favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Sipas saj Kokëdhima duhet të japë dorëheqjen në rast se "e ka ditur dhe ka tentuar të mbyllë çështjen, siç kanë raportuar disa media", - apelon Doda.
"Të gjej punë në shkëmbim të vajzës 14 vjeçe"...ju si në krye të Aleancës së Grave Deputete si e shihni këtë ngjarje ku janë përfshirë njerëz të politikës?
E shoh me tmerr, si çdo nënë e çdo grua e këtij vendi. Ngjarje të tilla na bëjnë të dyshojmë a është vërtet ky vendi ku duam të rrisim fëmijët tanë? A e njohim më këtë atdhe që po na zvjerdhet përditë nga fuqia e krimit, e shtirjes, e varfërisë njerëzore dhe shpirtërore sepse këto janë edhe më të shëmtuara, edhe më të pabesa se fukarallëku ekonomik. Një burrë që do duhej të ishte gjyshi i fëmisë në moshë, guxon dhe ja kërkon të ëmës si në tregun e gjësë së gjallë të bijën fëmi për ta dhunuar seksualisht. Është individ i mbështetur politikisht, i fuqishëm në lokalitetin ku jeton. Ky është momenti që duhet të na bëjë të reflektojmë të gjithë. Pse e kemi katandisur sistemin në një nivel të tillë që një maskara plak duke përdorur pushtet politik të dhunojë fizikisht, psikologjikisht e seksualisht viktimat që shpresojnë në një fije ndihmë? Çfarë njerëzish jemi që ulim kokën dhe dorëzohemi pas çdo padrejtësie? Çfarë e bën sistemin politik në Shqipëri kaq të padrejtë dhe pse individë pa asnjë domethënie njerëzore e intelektuale gdhihen agallarë që mund të bëjnë krime monstruoze e të mos iu hyjë gjëmb në këmbë. Për fat të keq ky është defekti i sistemit tonë, krime që nuk dënohen, individë kriminalë që amnistohen politikisht. Ky është një moment që duhet të marrë fund. Shpresoj fort në ringritjen morale të kombit dhe kjo mund dhe duhet të nisë nga gratë dhe vajzat. Një aksion i madh kombëtar duke filluar nga mbrojtja në nivele optimale për çdo viktimë dhe për çdo denoncuese do duhet të sanksionohet me ligj, ndërsa individët që janë të përfshirë në këto lloj krimesh do duhet të marrin dënime shëmbullore.
Ngjarja ende nuk është e qartë për ne të gjithë dhe veçanërisht pozicioni i deputetit do duhet të sqarohet. Nëse e ka ditur dhe ka tentuar të mbyllë çështjen, siç kanë raportuar disa media, Kokëdhima duhet të japë dorëheqjen. Nuk ka forcë politike apo media që ta mbrojë nëse është i përzierë apo ka tentuar të manipulojë drejtësinë. Janë fakte që do duhet t'i mësojmë ditët në vazhdim, por deklarata e bërë prej tij lë një shije tejet të keqe tek flet për cilësitë njerëzore dhe profesionale të mostrës pedofil, që dhunon vajzat dhe gratë në emër të pushtetit që i ka deleguar vetë deputeti. Në shtator një lëvizje tjetër do nisë kundër çdo individi dhe fenomeni dhunues e kriminal dhe ky nuk do të jetë një aksion vetëm brenda mureve të parlamentit por shumë më gjithpërfshirës.
Gruaja serish mbetet një qenie e dhunuar për sa kohë që jep e s'merr asgjë, do shkoni përtej gruas deputete në mbrojtje dhe të grave normale të vendit? Ka nisur një bashkëveprim i pazakontë, jo vetëm mes grave të politikës por shumë më gjerë. Tash do duhet ta çojmë këtë bashkëbisedim dhe bashkëveprim në çdo lokalitet, sepse të mos harrojmë, atje konsumohet tragjedia e vërtetë me varfërinë dhe dhunën. Kjo do të thotë që një lëvizje kombëtare për ringritjen shpirtërore të shqiptarve do nisë nga gratë. Nga ana tjetër me fillimin e seisionit të ri parlamentar do jetë e nevojshme ngritja e komisioneve të monitorimit për raportimet dhe gjykimet për rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Do duhet të kryhet plotësimi urgjent i legjislacionit për trajtimin e viktimave dhe ndihmën që duhet të jepet për to me strehim, punësim dhe kredi preferenciale. Shpresoj që do jetë një frymë tjetër, një inspirim i veçantë nga të gjitha gratë deputete dhe jo vetëm, gratë që janë pjesë e pushtetit lokal, gratë pjesë e organizmave joqeveritarë, pra një lëvizje e madhe kombëtare pro-gruas që do mund të sjellë përmirësimin e klimës. Gratë që denoncojnë dhunën dhe dhunuesin si në rastin e fundit, do duhet të jenë të sigurta dhe të mbështetura, gratë viktima të dhunës duhet të kenë mundësi që të riintegrohen ne shoqëri. Së fundmi një thirrje njerëzore për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që trajtojnë këto çështje, për të trajtuar me kujdes të veçantë këtë problematikë që do duhet të shpallet emergjencë kombëtare. Gruaja në këtë vend nuk mundet të jetojë për t'u sharë, për t'u dhunuar dhe keqtrajtuar, kemi nevojë për individë me dinjitet dhe për një ringritje morale kombëtare, kjo do nisë nga gratë.
REZARTA DELISULA
|