74 VJET MË PARË NDËRROI JETË AT GJERGJ FISHTA Nga FRANK SHKRELI
E Martë, 12.30.2014, 11:40pm (GMT+1)
Më 30 dhjetor, 1940 ndërroi jetë At Gjergj Fishta, poeti kombëtar, diplomati i kombit që mbrojti të drejtat e shqiptarëve kudo që shkoi, me një zë dhe me një penë të pashoqe, që pasuroi letërsinë dhe historinë kombëtare të shqiptarëve, të atij kombi siç ka thënë ai vet, "I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta." Kombi shqiptar është sot zot i tokave të veta, jo shumë pak falë veprimtarisë së këtij vigani dhe dashurisë së tij për kombin e vet.
Që të jem i sinqertë me lexuesin, unë nuk e kisha në mend ta shënoja këtë përvjetor me ndonjë kujtim modest, pasi unë në të vërtetë nuk kam përgatitjen dhe as nuk e ndjej veten të denjë dhe as të aftë që të shkruaj për këtë kolos të kombit shqiptar, dhe për më tepër edhe sepse para disa javësh e kisha kujtuar At Gjergj Fishtën me një shkrim në lidhje me lajmin mbi përpjekjet e një bisnizmeni nga Kosova, Sabri Maxhunit dhe disa të tjerëve, të cilët kishin propozuar se do të merrnin mbi vete shpenzimet për restaurimin në shkatërrim e sipër të shtëpisë së At Gjergj Fishtës. Siç duket, ky propozim ka ndeshur në një mos reagim "as po as jo", ose në një zvarritje burokrate nga autoritetet përkatëse, ose ndoshta në një mos vullnet nga autoritetet e qëndrës dhe ato vendase për të marrë seriozisht propozimin e biznismenit nga Kosova. Ndërkohë që sot lexova në një media shqiptare një lajm të shkurtër se Vatikani më 30 dhjetor paska shënuar përvjetorin e 74 të vdekjes së At Gjergj Fishtës. Thashë me vete, po mirë që Vatikani e kujton këtë përvjetor, po kombi shqiptar, për të cilin Gjergj Fishta i deklaroi Konferencës së Paqës se kombi shqiptar "nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit", çfarë nami ose kujtese po i bën ai këtij këngëtari të kombit në këtë përvjetor, ose në përgjithësi.
Duke menduar me vete, më ra në mend një kryeartikull i Profesor Ernest Koliqit, botuar në revistën e tij Shëjzat e viti 1971, nr.1-3, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës dhe thashë me vete, në vend që të mos thuhet asgjë për të kujtuar këtë pëvjetor të largimit të At Fishtës nga kjo jetë nga të gjallët, atëherë thashë se është më mirë që të lëmë të vdekurit të flasin për të vdekurit, pasi të gjallët nuk çajnë kokën. Si rrjedhim, dhe në mungesë të një shkrimi tjetër në median e gjallë shqiptare i dashur lexues, nëqoftse je i disponuar për të kujtuar At Gjergj Fishtën në këtë 74 vjetor të vdekjes se tij, mundoju pak të lexosh artikullin e Profesor Ernest Koliqit me titull thjeshtë, "Fishta":
"Besoj se pak poetën në botë pësuen fatin e paradoksal të Gjergj Fishtës. Za i pashoq i mbarë një kombi, interpret gjenial i shpirtit të tij, i mohohet vepra dhe i shlyhet emni nga letërsia, shi prej atij kombi të cilit ia qiti në pah fisnikinë e ia skaliti në vargje të pavdekshme tiparet. Dihet që ky përdhunim historik u krye zyrtarisht, në emën të kombit, nga nji pakicë që shkruen e resitë, vendosë e leçitë pa lejue shumicën me çelë gojë aty ku shtrinë sundimin e vet. Këtë e dijmë, por prap se prap kjo përndjekje morale kundër Kangatarit që ndëgjoi të rrahmet e zemrës së Shqipnisë edhe mati mbi to rrokjet kumbore të poemit të vet, na shtje në kujdes të madh na shqetson kur mendojmë rritjen e breznive të reja dhe na terratisë pamjen e një ardhmënije të denjë për Rilindasit që na dhuruan një atdhe. Sepse mos ta gënjejmë veten me retorikë mburrjesh të shprazta. Në ashtë se themelet e një Shqipnie shqiptare mbështeten mbi trashigiminë shpirtërore që na la De Rada, tre vëllaznit Frashëri, Vaso Pasha e Çajupi, duhet të pohojmë se sot jemi tue ndërtue (ose kujtojmë se diç po ndërtojmë) jashtë atyne themeleve. Eklipsi ose të zanunit e dritës së poezisë fishtjane nuk sjell tjetër veçse muzgun e vlerave fisnore (e këtu fjala fis nuk përdoret në vështrim organizimiesh shoqënore primitive, por si tanësi e nji gjindjeje të nji barku që përbajnë nji komb, nji nacion). Vorrëmihsat e lavdisë së Fishtës ndoshta pa dashtë shkaktojnë zhguljen e popullit shqiptar nga rrajët jetike. Duen të vorrosin Shqipninë e përtrime mbi humus shekulluer të dokeve stërgjyshore për ta zevendsue me nji Shqipni të ndërtueme (mjerisht me shumë flijime të pa arsye) hallagrep e merremerr, mbi parime që s'kanë të bajnë kurrkund me qytetni të vërtetë evropiane e vetmja që i përshtatet vetive tona ethnike. Synimet e Skënderbeut dhe të Rilindasvet po shkelen. E vërteton ostracizmi i Fishtës nga radhët e poetënve kombëtarë. Poeti i pa fat i ynë. I cili nuk bani gja tjetëtër gjatë stinës së vet njerzore veç me i ndiell Shqinisë fate të lume, lindi me 1871. Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete të dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njimendtë, e kemi për detyrë pëkujtimin e autorit të Lahutës së Malcisë. Mirë se qofshin t'ardhuna kremtimet e çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e denjë për të nderue Poetin, që bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk ashtë tjetër veçse leximi i veprave të tij ku vlojnë idhnimet dhe gëzimet tona historike, ku vizatohet me vija vezullore tipi i amshuem i Shqiptarit, ku tregohet rruga që duhet ndjekun për t'u radhitë ndershmënisht përbrij kombeve të përparueme", kishte përfunduar kryeartikullin e tij Profesor Ernest Koliqi më me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Poetit kombëtar, më 1971.
Siç thashë edhe më lartë, unë nuk e ndjejë veten të kualifikuar, pasi nuk kam përgatitjen të shkruaj për At Gjergj Fishtën, por nuk jam as i denjë që të kujtoj këtë burr të madh të kombit shqiptar. Por, si njeri i thjeshtë me shqetson lënja pas dore e këtij patrioti dhe e veprës së tij nga autoritetet kompetente dhe përgjegjëse. Por nga ana tjetër, megjith shpifjet dhe lënjën pas dore të figurës dhe veprës së madhe të At Gjergj Fishtës nga bashkatdhetarët e tij gjatë dekadave, gjithnjë jam optimist me Aleksandër Xhuvanin i cili me rastin e varrimit të Gjergj Fishtës më 31 dhjetor, 1940, sikurë ta dinte se si do të trajtohej ai pas vdekjes, At Fishta -- Xhuvani është shprehur se historia nuk do ta harrojë atë, duke tdeklaruar para arkivolit të Fishtës se, "Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t'ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t'u-ushqye e për t'u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën."
Le të shpresojmë se kjo ditë për të cilën ka folur Aleksandër Xhuvani më 1940 do të vijë eventualisht kur në të gjitha trojet shqiptare, vepra dhe kontributi i figurës së madhe kombëtare At Gjergj Fishtës, do të vendoset aty ku e ka vendin dhe emri i tij do të kujtohet brez pas brezi ndër shqiptarët kudo.
FRANK SHKRELI
|