GJERMANIA ZOTOHET PËR KTHIM TË MENJËHERSHËM TË AZILKËRKUESVE ABUZUES
E Shtunë, 01.03.2015, 10:32am (GMT+1)
Joachim Hermann
GJERMANI - Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann kërkon integrim të refugjatëve, por edhe kthim më të shpejtë të abuzuesve. Sipas Hermannit, një politikë e qëndrueshme ndaj azilantëve dhe refugjatëve do të thotë "që t'u jepet ndihmë refugjatëve të vërtetë, por edhe që t'u thuhet atyre që abuzojnë me sistemin se nuk mund të rrinë përgjithmonë këtu."
"Kur është marrë një vendim, ai duhet të zbatohet: Kjo do të thotë, kur dikush pranohet si refugjat, atëherë duhet të vazhdojë integrimi, për të përmirësuar gjendjen," -i tha Herrmann të premten televizionit bavarez, Bayerischer Rundfunk.
Sipas ministrit të Brendshëm të Bavarisë, kjo përfshin "shkollim të mirë dhe trajnim profesional, në mënyrë që refugjatët të integrohen mirë në tregun e punës."
Në të njëjtën kohë Herrmann-i bëri thirrje për kthim më të shpejtë të atyre që abuzojnë me kërkesat për azil. "Kur refuzohet një kërkesë për azil, atëherë konkluzioni logjik duhet të jetë që ky person duhet të largohet sërish me shpejtësi nga vendi. Ne duhet të këmbëngulim te kjo; përndryshe i gjithë procesi do të kthehet në farsë."- tha ai.
Në këtë kuptim, kthimi nuk është "ksenofobi, por rezultat i një procesi kushtetues", tha politikani i CSU-së.
Gazeta "Süddeutsche Zeitung" citon edhe një propozim të CSU-së për një proces më të shpejtë aplikimi për azilkërkuesit në Gjermani. Më tej në artikull thuhet se mesatarisht, procesi i kërkimit azil në Gjermani "është shumë më i gjatë" se në vendet fqinje, si Zvicra.dw
www.voal-online.ch
|