MEDIAT ITALIANE - MES VIKTIMAVE NË 'NORMAN ATLANTIC' ISHTE EDHE NJË 15 VJEÇARE SHQIPTARE Ministria jonë e Jashtme - Nuk figuron në listën tonë
E Shtunë, 01.03.2015, 06:17pm (GMT+1)
BARI Sipas mediave italiane, jo të gjithë shqiptarët arritën t'i mbijetonin tragjedisë në anijen "Norman Atlantic", e cila u përfshi nga flakët 6 ditë më parë, në afërsi të Korfuzit. Mes 11 trupave të pajetë të gjetur nga grupet e shpëtimit, është edhe15-vjeçarja me origjinë shqiptare, R. Sherifi, e cila ishte e pajisur me leje qëndrimi gjermane.
Ekspertët e Institutit mjeko-ligjor në Bari kanë arritur të identifikojnë 9 trupat e pajetë që ndodhen ende në morg, duke konfirmuar se njëri prej tyre i përket vajzës së mitur me origjinë shqiptare.
Ndërkohë mësohet se viktimat e tjera janë: shoferi grek Gerasimos Kazantzidis, dy kamionistët italianë Michele Liccardo dhe Giovanni Rinaldi, prifti gjeorgjian Omar Kartozia, shtetasja turkja Havise Savas dhe gjermania Muller Afroditi, si dhe dy shtetas grekë, Nikolaus Paraschis dhe Kostantinos Koufopuolos.
Anija e djegur "Norman Atlantic" ndodhet në portin e Brindisit, që prej ditës së djeshme. Por ndërkohë që dhjetëra persona rezultojnë ende të zhdukur, kapiteni i portit të Brindisit, Mario Valente tha se është ende e pamundur të kërkohet për viktima në garazhin e anijes, pasi temperatura mbetet e lartë dhe vazhdon ende të dalë tym. Kapiteni i portit nuk përjashtoi mundësinë që në garazh të ketë trupa të tjerë të pajetë.
MPJ: NUK FIGURON NË LISTËN TONË NJË PASAGJER ME KËTË EMËR
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se nuk ka patur asnjë kërkesë pranë këtij institucioni për të mësuar fatin e 15-vjeçares R. Sherifi, që përmendet nga mediat italiane si një ndër viktimat që humbën jetën pas zjarrit në "Norman Atlantic". MPJ thekson se në listën e pasagjerëve shqiptarë në anije, nuk figuron askush me emrin R.Sherifi.
ZJARRI NE TRAGET
Trageti "Norman Atlantic" me mbi 470 pasagjerë në bord u përfshi nga flakët të dielën e kaluar. Një pjesë e mirë e pasagjerëve kanë mundur të shpëtojnë, por disa prej tyre kanë humbur jetën, mes panikut dhe flakëve të zjarrit. Ndërkohë mbetet ende i paqartë numri i të zhdukurve, pasi siç thonë autoritetet ka problem me listat e pasagjereve të anijes.
www.voal-online.ch
|