NJË LIBËR PËR NJË EPOKË â€œRevolucioni Antikomunist Hungarez†i doktor Thoma Dardelit Nga RESHAT KRIPA
E Shtunë, 03.07.2015, 05:29pm (GMT+1)
Ditët e fundit një libër ka qarkulluar në ambjentet letrare të vendit, një libër për një epokë të zjarrtë që hyri në histori si një ngjarje që ngjalli shpresën për një botë të lirë dhe demokratike. Ky libër është "Revolucioni Antikomunist Hungarez" i doktor Thoma Dardelit, një pjesmarrës i këtij revolucioni, një pasqyrë e qartë e ngjarjeve tragjike të atyre ditëve që zgjuan ndjenjën e lirrisë në vendet ku sundonte diktatura e egër komuniste.
Shfletoj faqet e librit dhe para syve më dalin, si në një ekran kinemaje, ngjarjet e tmerrshme të atij viti të zymtë në Hungari. Më del heroizmi i një kombi që lufton për lirinë e tij, kundër diktaturës dhe shtypjes nga të huajt. Por më dalin edhe masakrat e tmershme me të cilat ata që nuk kishin as Zot dhe as besim e shtypën këtë revolucion. Vdekja e diltatorit komunist, Josif Visarion Stalin, më 5 mars 1953, ngjalli shpresat në të gjitha vendet e Europës Lindore për një ndryshim të mënyrës së qeverisjes. Përfaqësues të vetë asaj shtrese që kishte propaganduar idetë komuniste filluan të kërkojnë një ndryshim rrënjësor të politikës së ndjekur deri atëherë. Në disa vende të këtij kampi filluan të ndiheshin shkëndijat e para të revoltave për ndryshim, por që u shtypën me egërsi nga forcat qeveritare dhe ato të padronëve sovjetikë.
E tillë ishte kryengritja e Berlinit Lindor më 16 qershor 1953, e nisur nga 70 punëtorë dhe e pasuar nga 100 të tjerë dhe që u shtyp nga forca e armëve të mbi 20.000 ushtarëve sovjetikë dhe 10.000 policëve gjermanë. Tanket vërshuan në rrugët e Berlinit dhe Potsdamit ku u vranë 55 vetë dhe u pushkatuan më vonë mbi 106 persona, veç dënimeve me burg, internimeve apo punës së detyruar.
Një revoltë tjetër ishte edhe ajo e Poznanit në Gdansk të Polonisë me në krye Gomulkën, po në vitin 1953. Të gjitha këto bënë që në shkurt të vitit 1956 të mblidhej në Moskë Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i drejtuar nga Nikita Krushovi, i cili dënoi kultin e individit të Stalinit dhe politikën e ndjekur prej tij. Në frymën e këtij kongresi në të gjitha vendet e lindjes filloi të ndihej një zbutje e politikës së deri atëhershme. Shenjat e kësaj politike filluan të ndihen edhe në Shqipëri. Më 14-20 shkurt 1956 u zhvillua Konferenca e Degës së Tiranës të Partisë së Punës të Shqipërisë. Atje, për herë të parë, filluan të ndihen disa zëra që kërkonin një reformim të kësaj partie. Por këto zëra u mbytën nga diktati i stalinit shqiptar, figurës më të urryer të këtij kombi, Enver Hoxhës. Nismëtarët e këtij reformimi u burgosën dhe syrgjynosën në skutat më të errëta që kishte ngritur diktatura komuniste.
Ndryshe nga vendet e tjera të lindjes, ku kërkesat ishin vetëm për një reformim të sistemit, në Hungari këto u shndërruan në një revolucion antikomunist që kërkonte rrëzimin e sistemit dhe rivendosjen e plura;lizmit politikë. Frymëzim për këtë ndryshim u bë i njohuri "Klubi Petëf", që kishte mbledhur në gjirin e tij një numër intektualësh të shquar të vendit dhe kushdo mund të shfaqte mendimet e tij lirisht. Një gjë e tillë duket qartë qysh më 22 tetor kur Asamblea e Studentëve të Universitetit Politeknik dhe inxhinierve të ndërtimit të Budapestit paraqiti peticionin me pikat e mëposhtme:
1, Largimi i menjëhershëm i trupave sovjetike nga Hungaria. 2. Thirrja e Kongresit të Partisë së Punonjësve Hungarezë dhe bërja e zgjedhjetve nga poshtë-lart. 3. Formimi i qeverisë me në krye Imre Nagin dhe shkarkimi i udhëheqësve fajtorë të qeverisë së Rakoshit. 4. Sjellja nga Bashkimi Sovjetik, ku kishte shkuar, dhe nxjerrja para gjyqit e Matias Rakoshit dhe bashkëpuntorëve të tij. 5. Zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme me pjesëmarrjen e shumë partive 6. Rishikimi i lidhjeve politike, ekonomike dhe kulturore me Bashkimn Sovjetik dhe vendosja e tyre në baza të barabarta. 7. Riorganizimi i jetës ekonomike duke pasur parasysh nevojat jetike të popullit dhe kushtet e vendit. 8. Bërja publike e marrëveshjeve ekonomike me botën e jashtme dhe të dhënat konkrete të borxheve të papaguara. 9. Revizionimi i normave të aplikuara në industry, rregullimi i sistemit të pagesave dhe përcaktimi i minimumit jetik. 10. Rishqyrtimi i të gjitha proceseve politike nga gjykata të pavarura, lirimi i të gjithë të dënuarve politikë dhe kthimi në atdhe i civilëve dhe robërve të luftës të dënuar jashtë atdheut. 11. Liri e plotë e mendimit dhe shtypit dhe bërja publike e dosjeve sekrete te sigurimit. 12. Rrëzimi i monumentit të Stalinit dhe zëvendësimi i tij me një përmendore kushtuar martirëve të luftës për liri të viteve 1948-1949. 13. Heqja e stemës komuniste nga flamuri dhe vendosja e stemës së heroit kombëtar Lajosh Koshut në flamur.
Më datën 23 qershor në skenën politike hungareze hyri Imre Nagi, një figurë kontradiktore që u shndërrua në figurë qëndrore e këtij revolucini. Kush ishte në të vërtetë ky person? I lindur në vitin 1896 në Kaposhvar. Në Luftën e Parë Botërore bie rob i rusëve, ku më 1917 rekrutohet në Gardën e Kuqe dhe merr pjesë në luftën civile midis të kuqve dhe bjellogardistëve. Me urdhër personal të Leninit dhe Svjerdllovit merr pjesë, së bashku me gjashtë hungarezë dhe pesë rusë në masakrimin e familjes së Car Nikollës, në natën midis 16 dhe 17 korrikut 1918. Në vitin 1921 kthehet në atdhe por në vitin 1930 rikthehet përsëri në Moskë ku, në vitin 1933, vihet në shërbim të KGB-së ruse me pseudonimin "Vollodja". Në vitin 1945 kthehet përsëri në Hungari së bashku me Matias Rakoshin dhe në qeverinë provizore emërohet Ministër i Bujqësisë. Më pas emërohet Ministër i Brendshëm. Në periudhën 1947-1949 është President i Parlamenit Hungarez. Në vitin 1953, me ndërhyrjen e rusëve emërohet Kryeministër i Hungarisë. Por rivaliteti me Rakoshin bëjnë që ky i fundit ta rrëzojë nga froni, madje ta përjashtojë edhe nga partia. Më 23 tetor 1956 e thërrasin forcat revolucionare dhe bëhet plotësisht me to pas datës 28 tetor.
Më 23 tetor u formua gjithashtu grupi kryesor i rezistencës, ai i kinema "Korvini" me 1000-1200 persona, me në krye Laslo Kovaçin, të cilin e varën pas dështimit të revolucionit. Më 29 tetor u formua Komiteti Ushtarak Revolucionar, i cili hyri në bisedime me korvinistët të cilët vunë kushtet e mëposhtme, të ngjashme me pikat e peticionit të studentëve: 1. Tërheqjen e trupave ruse nga Hungaria. 2. Shpallja e Pavarësisë së Hungarisë. 3. Dalja nga Traktati i Varshavës. 4. Lidhje të një rangu të barabartë midis Hungarisë dhe Bashkimit Sovjetik. 5. Shpërndarja e menjëherëshme e Sigurimit të Shtetit. 6. Garantimi i zgjedhjeve të lira me pjesëmarrjen e shumë partive. 7. Formimi i një qeverie provizore. 8. Vënia para përgjegjësisë e të gjithë ish-udhëheqësve stalinistë. 9. Shpallja e një amnistie të përgjithshme për të burgosurit politikë.
Fillimi i revolucionit ishte një manifestim paqësor i rinisë studentore dhe banorëve të Budapestit para monumentit të Petëfit në Pest, para monumentit të gjeneralit legjendar Bem Jozef në Buda dhe para parlamentit. Ishin mbi 200 mijë manifestues, para të cilëve mbajti një fjalim Imre Nagi që e filloi me fjalët: "Të dashur shokë të një ideali!" Kjo gjë shkaktoi irritimin e turmës që filloi ta fëshkëllejë. Imre Nagi e ndërroi pllakën dhe iu drejtua studentëve me fjalët: "Hungarezë miq!" Prej andej masa e demostruesve kaloi para ndërtesës së radios për të lexuar kërkesat e peticionit, gjë që nuk u lejua. Për më tepër Gerë Ernë, Sekretari i Parë i Partisë, mbajti një fjalim fyes që irritoi pa masë demostruesit. Forcat e sigurimit filluan të ndërhyjnë me dhunë duke qëlluar mbi turmën, gjë që shkaktoi të vrarë dhe të plagosur midis tyre. Kjo bëri që revolta të merrte përmasa të mëdhaja.
Të nesërmen, më 24 tetor, një grup demostruesish zaptuan godinën e radios dhe u drejtuan tek monumenti i Stalinit për ta përmbysur. Meqënëse monumentin nuk mundën ta rrëzonin as me litar të hedhur tëk qafa, i sharruan të dy këmbët nën gju me saldatriçe. Ndaj ky shesh më vonë u quajt "Sheshi i dy çizmeve". Monumentin e hoqën zvarrë të lidhur pas një makine duke kënduar këngën: "Betohemi, betohemi se s'do jemi më skllevër" dhe himnin kombëtar. Në këmbët e prera vendosën një flamur kombëtar të cilit i kishin prerë stemën komunsite. Flamurë të tillë shikoje edhe në institucionet e tjera të kryeqytetit. Po atë ditë Imre Nagi u shpall Kryeministër i vendit dhe shpalli qeverinë e re më 27 tetor.
Më 25 tetor kryeqytetasit demostruan para parlamentit por u pritën me breshëri armësh nga sigurimsat, gjë që shkaktoi mbi 250 viktima. Kjo bëri që revolta të shpërthente në të gjithë Hungarinë. Gerë Ernë dha dorëheqjen si Sekretar i Parë dhe në vend të tij u emërua Janosh Kadari, i sapo dalë nga burgjet e Rakoshit. Njëkohësisht filloi ndërhyrja e forcave qeveritare në bashkëpunim me ato sovjetike që ndodheshin në Hungari. Përplasjet midis të dy palëve ishin mjaft të forta.
Së fundi, më 28 tetor u deklarua armëpushimi dhe u nxorr jashtë ligjit Sigurimi i Shtetit. Dukej sikur lufta kishte pushuar. Dukej sikur komunizmi kishte rënë brenda pak ditësh. Njerëzit në rrugë dukeshin të qeshur dhe të gëzuar. Kudo ndihej gazi dhe hareja. Filloi formimi i partive të reja politike. Më 1 nëntor u formua partia e re komuniste e quajtur Partia e Punës Socialiste Hungareze, me Janosh Kadarin kryetar, ku bënin pjesë shumë anëtarë të ish-opozitës që kishin kaluar disa vite burg nga Rakoshi. Po atë ditë qeveria shpalli daljen e Hungarisë nga Traktati i Varshavës dhe deklarimin si shtet neutral dhe i pavarur. U krijuan edhe parti të tjera, midis të cilave edhe Partia e Pronarëve të Vegjël.
Më 3 nëntor, me ftesë të sovjetikëve, një delegacion i qeverisë hungareze, me Pal Maleter-in në krye, shkoi në ishullin e Çepelit, në Tëkël, ku ishte komanda sovjetike, për të diskutuar mbi tërheqjen e tyre nga Hungaria. Por ambasadori sovjetik, Andropov, që kishte premtuar paprekshmërinë e tyre, u fut në sallën e bisedimeve dhe arrestoi delegacionin hungarez.
Të nesërmen, 4 nëntor, trupat sovjetike të përbëra nga mbi 200 mijë ushtarë, 3000 tankse e autoblinda, plus forca të shumta ajrorre që bombardonin pozicionet e kryengritësve, hynë në Hungari për të shtypur revolucionin i cili nuk kishte as numrin dhe as mjetet për t'i bërë ballë një sulmi të tillë. Humbja erdhi edhe sepse nga 100 mijë ushtarë që kishte ushtria hungareze, vetëm një pjesë e vogël e saj u aktivizua me revolucionin. Po atë ditë Janosh Kadari, nga qyteti i Solnok-ut, shpalli rrëzimin e qeverisë së Imre Nagit dhe formimin e një qeverie të re, aleate me Bashkimin Sovjetik. Një terror i vërtetë filloi pas datës 5 nëntor. U vendos ligji i luftës, sipas të cilit arrestohej dhe dënohej pa gjyq çdo i dyshuar. Më shumë se 60 mijë persona u internuan në kampe të ndryshme. Në Austri u arratisën mbi 150 mijë persona, ndërsa në Jugosllavi mbi 50 mijë. Çdo njeri që kapej me armë rrezikohej të pushkatohej. Në proceset gjyqësore, avokatët mbrojtës i caktonte vetë gjykata. Gjyqet zhvilloheshin me dyer të mbyllura, me dëshmitarë të rremë.. Vendimet ishin të formës së prerë, pa të drejtë apelimi. Deri në vitin 1963 janë dënuar me burg mbi 22 mijë persona. Masa e dënimit ishte deri në 15 vjet burg. Janë ekzekutuar mbi 500 vetë, shumica e të cilëve me varje në litar. Janë internuar në gulaget sovjetike mbi 6 mijë revolucionarë, nga të cilët janë kthyer në atdhe , pas shumë vitesh, një pakicë e vogël.
Imre Nagi me disa nga shokët e tij kërkoi strehim politik, në Ambasadën jugosllave në Budapest . Më 21 nëntor qeveria e Janosh Kadarit ra dakord me palën jugosllave për dorëzimin e tyre me garancinë se nuk do të merreshin në ndjekje penale. Por kjo ishte një garanci e reme, e pabesë siç e kanë zakon komunistët. Imre Nagi arrestohet dhe ekzekutohet me varje në litar më 16 qershor 1958.
Revolucioni hungareze i vitit 1956 ishte frymëzim për të gjithë botën, në një kohë që e ashtuquajtura Luftë e Ftohtë e kërcënonte njerëzimin me një kasaphanë të re. A ka rrezik që kjo ngjarje e madhe të harrohet apo të mos kuptohet si duhet? Revolucioni heroik i vitit 1956 kundër klikës staliniste në pushtet dhe trupave pushtuese sovjetike, ishte një dëshmi e tyre për kombin hungarez. Rrallë, ndoshta një herë në njëqind vjet, një populli i jepet rasti t'i japë fund mashtrimit që i është imponuar nga jashtë dhe përkrahur nga brenda. Hungarezet përqafuan shansin e ofruar nga historia dhe u ndeshën me diktaturën më të egër dhe të stërmadhe të botës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si pothuaj në të gjitha vendet e Europës Qendrore e Lindore, stalinizmi u imponua me forcën e armëve dhe kurrë nuk pati bazë të qëndrueshme në Hungari. Komunizmi ishte ideja udhëheqëse për botën e re që propagandohej, por shumë shpejt u pa qartë se ai ishte vetëm një mashtrim, i cili vetëm ndihmoi në maskimin e politikës agresive dhe diktatoriale të Perandorisë Ruse. Matias Rakoshi, udhëheqësi i Hungarisë në vitet 1948-1956, përdori të gjitha pasuritë e vendit për t'u përgatitur për atë që Stalini e quante "lufta e tretë e pashmangshme botërore". Për shembull në vitin 1952, niveli i jetesës në vend ishte shumë më poshtë se mesatarja e vitit 1939, viti i fundit i Hungarisë në paqe. Terrorizmi shtetëror e ndalonte popullin të shprehte pakënaqësinë hapur dhe i mbante ata në një tension konstant me përgatitjet për një luftë të tretë botërore. Pra ky sistem terrori i diktaturave staliniste të Europës u shemb me 23 Tetor 1956 në Hungari.
Shkaku kryesor i shembjes duhet të kërkohet në çoroditjen e ekipit sundues të Rakoshit. Ata nuk ishin të përgatitur për një revolucion, që e pati origjinën në shtypjen e përpjekjeve reformiste të periudhës 1953 1956, menjëherë pas vdekjes së Stalinit. Megjithatë, udhëheqja sovjetike frikësohej nga "efekti domino", kështu që përfundimisht vendosi ta shtypë me gjak dhe me hekur këtë revolucion popullor për të mos e lejuar Hungarinë të shkëputej nga Perandoria Ruse.
Ne fund të Tetorit 1956 shembulli hungarez ishte një provë e qartë e dilemës bashkëkohore ne planin ndërkombëtar. Populli hungarez doli hapur në anën e demokracisë së vërtetë shoqërore vlerat e së cilës bartte SHBA. dhe Europa Perëndimore. Fatkeqësisht, lëvizja demokratike shoqërore nuk gjeti një lider që ta ngrinte kauzën në një nivel më të lartë. Gjatë Revolucionit të vitit 1956 nuk pati një udhëheqës te shquar, siç ishte Lajosh Koshut në revolucionin e vitin 1848 në Hungari. Fitorja e revolucionit u arrit nga heronj anonimë dhe vala e tij formoi udhëheqësit, duke nxjerrë Imre Nagin si Kryeministër. Ai nuk mundi të diktonte ngjarjet dhe ishte gjithnjë në pozicionin e lojës në pritje. Roli i tij u bë sinjifikativ kur mori përsipër përgjegjësinë për të formuar qeverinë e koalicionit, e cila deklaroi pavarësinë e Hungarisë nga Perandoria brutale Sovjetike. Çfarëdo mangësish që mund të kishte Nagi si udhëheqës, më tepër se sa nga fakti që përmbajti revolucionin, ai respektohet si një njeri që e futi veten në një pozicion të pashmangshëm lideri, gjë të cilën e pagoi me jetën e tij.
Ajo që është më e rëndësishme dhe që ka vlera unikale është se revolucioni i vitit 1956 në Hungari përfundimisht zbuloi fytyrën e vërtetë satanike të komunizmit. Por, në të njëjtën kohë tregoi edhe atë që populli hungarez u braktis nga perëndimi në këtë betejë vendimtare. Ai u la i vetëm në këtë luftë të pabarabartë. Unë do të përmend përcaktimin e mjekut hungarez Zoltan Çillag tashmë pensionist, dëshmitar i atyre ngjarjeve, i cili kur u pyet se a ka akoma rëndësi për ju revolucioni i vitit 1956 tha këto fjalë: "Ai ka një domethënie të madhe. Ne gjetëm forca të ngrihemi kundër Bashkimit Sovjetik. Fatkeqësisht bota na tradhëtoi, kështu që ne u detyruam të luftojmë vetëm."
Revolucioni i 1956-s nuk zë vendin e duhur në Hungarinë bashkëkohore dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore që vuajtën nën thundrën komuniste. Kjo periudhe heroike e historisë hungareze nuk festohet dhe përkujtohet me të njëjtin pompozitet si revolucioni i 1848. Arsyeja është se neutraliteti politik i popullit është kërkesë e pashkruar e sistemit të ri, të cilën po e përjetojmë përditë gjatë tranzicionit të vështirë që kalojnë këto vende. Lufta për të siguruar mjetet bazë të jetesës, rendja pas parave si motiv i jetës në ekonominë e tregut, nostalgjia e një pjese të madhe të brezit të vjetër për regjimin e kaluar komunist dhe manipulimi i historisë sipas interesave konjukturore të partive të reja politike kanë ndihmuar në përhapjen e pluhurit të harresës.
Këto dhe arsye të tjera kanë krijuar një klime neutraliteti politik te brezi i ri i Hungarisë dhe vendeve të Europës Qëndrore e Lindore. Gjithashtu shumica e hungarezëve që kanë lindur pas këtij revolucioni nuk merren me efektet e tij, sepse ata janë pompuar me gënjeshtra dhe kanë qenë të censuruar ndaj bisedave mbi ngjarjet historike.
Do të doja të bëja një paralelizëm me vendin tonë, në lidhje me këtë trajtim të ngjarjeve. Revolucioni hungarez kishte si synim, veç atyre të përmendura më sipër, përmbysjen e sistemit socialist dhe ndërtimin e sistemit demokratik perëndimor. Edhe në vendin tonë janë zhvilluar disa ngjarje të shënuara si kryengritjet e Malësisë së Madhe, Postribës, Zhabokikës e të tjera. Janë zhvilluar revolta edhe brenda hekurave të rënda të burgjeve si ato të Spaçit dhe Qafës së Barit. Janë eliminuar grupe të tëra luftetarësh që linin rehatinë në vendet perëndimore dhe ktheheshin në Shqipëri për të luftuar për lirinë e mohuar. Janë ekzekutuar dhe burgosur me dhjetra grupe antikomuniste që luftonin me ato mjete që kishin mundësi, qoftë edhe vetëm me shpërndarje traktesh ku i bëhej thirrje shqiptarve të ngriheshin kundër regjimit gjakatar. Të gjitha këto bëheshin, si në revolucionin e 56-ës në Hungari, për përmbysjen e sitemit socialist dhe ndërtimin e sistemit demokratik perëndimor.
Por, për fat të keq, në vendin tonë tendenca është që këto ngjarje të lihen në hije, në mënyrë që në të ardhmen të harrohen fare, duke ia atribuar ndërrimin e sistemit vetëm ngjarjeve të ndodhura në vitet 90-të. Kjo ka bërë që të ngrihen dhe nderohen vetëm ato figura që e kanë prejardhjen nga klasa e përmbysur komuniste. Një gjë e tillë vihet re në Presidencë, Parlament dhe Qeveri. Kjo do të thotë të mohosh të kaluarën e lavdishme dhe një gjë e tillë nuk e nderon vendin tonë.
Këto janë idetë që të lindin kur lexon librin e Thoma Dardelit, një libër i shkruar nga një njeri që i ka mbijetuar vetë ngjarjet e përshkruara në të, madje në disa raste ka qenë edhe pjesëmarrës. Kjo ishte arsyeja pse regjimi komunist e burgosi dhe u mindua ta thyente, gje së cilës nuk ia arriti.
Faleminderit, i nderuar doktor, për këtë libër të çmuar! Faleminderit!
Kumtesë mbajtur në ceremoninë e përurimit të librit "Revolucioni Antikomunist i Hungarisë" i doktor Thoma Dardelit, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar Tiranë më 7 mars 2015.
RESHAT KRIPA
|