MARSHIMI QË NDRYSHOI AMERIKËN Nga FRANK SHKRELI
E Hënë, 03.09.2015, 07:48am (GMT+1)
50 vjet më parë, më 7 mars, 1965 qindra veta u mblodhën në qytetin Selma të shtetit Alabama për të marshuar drejt kryeqytetit Montgomery të atij shteti. Ata marshuan për të siguruar që afrikano-amerikanët të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetore për të votuar -- madje edhe përballë një sistemi ndasish të egra raciale që bënte të pamundur një gjë të tillë. Gjatë atij marshimi mbi urën e quajtur Edmund Pettus të qytetit Selma, policia shtetërore atë ditë që ka mbetur në në histori si "E djela e përgjakshme", përdori dhunën për të shpërndarë marshuesit paqësorë, duke lënë shumë prej tyre të përgjakur dhe të plagosur nga sulmet e policisë. Por marshuesit nuk u ndalën dhe as nuk u trembën. Pas disa marshimeve të tjera të cilave iu bashkua edhe udhëheqsi i të drejtave civile, i përndershmi Martin Luter King. Vetëm disa muaj më vonë, kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi Aktin e të Drejtave të Votimit , të cilin Presidenti Lyndon Johnson e nënshkroi më 6 gusht, 1965. Ky akt kishte për qëllim të zhdukte pengesat ligjore me të cilat përballeshin afrikano-amerikanët, në nivel shtetëror dhe vendor dhe të cilat i pengonin ata që të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar, në bazë të amandamentit të 15 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, që i jep një të drejtë të tillë çdo shtetasi amerikan.
Përkrah dhjetëra mijëra vetave, në ceremoninë përkujtimore të së "Djelës së Përgjakshme", 50-vjetë më parë në Selma të shtetit Alabama mori pjesë Presidenti Barak Obama me familjen e tij, ish-presidenti George W. Bush me bashk-shorten dhe mijëra të tjerë, anëtarë të Kongresit, si dhe disa pjesëmarrës në atë marshim të vitit 1965, përfshirë deputetin 75-vjeçar John Lewis -- për të përkujtuar konfrontimin e përgjakshëm për sigurimin e të drejtave civile për afrikano-amerikanët, një konfrontim ky që më në fund transformoi Amerikën. Është meritë e burrave si John Lewis dhe Dr. Martin Luter King dhe të tjerëve, që idea e një Amerike të drejtë, e ndershme dhe një Amerikë gjithpërfshirse dhe bujare, më në fund triumfoi mbi të keqën, theksoi Z. Obama.
Në fjalimin e tij me këtë rast të shtunën, -- një fjalim që u cilësua si njëri prej fjalimeve më të rëndësishme të karierës së tij politike --Presidenti Obama krahasoi marshimin e 50 viteve më parë në Selma të Alabamës me ngjarjet më të rëndësishme të historisë amerikane dhe si njërin prej vendeve më të njohura të panteonit historik të vendit, siç janë ndër të tjera, Concord-i dhe Gettysburgu. Ishte ky një përkujtim për të nderuar të kaluarën dhe për tu përgatitur për të ardhmen!
Presidenti Obama, si presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara, tha se në fjalimin e tij se, "Në Amerikë ekzistojnë vende dhe momente historike ku është vendosur fati i këtij kombi." Shumë prej tyre tha ai, janë vende ku janë zhvilluar luftime, ndërsa të tjerat vende, siç është Selma, simbolizojnë guximin e karakterit të Amerikës. "Amerikanët, të cilët kaluan në marshim mbi këtë urë 50-vjetë më parë, nuk ishin njerëz të mëdhej fizikisht që të imponoheshin, por ata u dhanë kurajo miliona të tjerëve. Ata nuk ishin të zgjedhur në ndonjë post politik, por megjithëkëtë ata udhëhoqën kombin." Presidenti Obama shtoi se, ndonëse, "Ata marshuan si amerikanë të cilët kishin vuajtur qindra vjetë nga dhuna brutale dhe të cilët pësuan indinjata të përditshme dhe të panumërta -- ata nuk kërkuan asnjë trajtim të favorshëm, por vetëm trajtim të barabart që iu ishte premtuar atyre pothuaj një shekull më parë". Z. Obama tha se konfrontimi në Selma dhe përpjekjet për të drejta të barabarta civile, "nuk ishte kjo një përleshje ushtrishë, por ishte një përleshje vullneti e dëshirash, ishte një garë për të vendosur se ç'do të bëhej Amerika".
Në fjalimin përkujtimor me këtë rast, Presidenti Obama u përpoq të lidhte të kaluarën me të tashmen dhe të ardhëshmen, duke hedhur poshtë pretendimet e atyre që thonë se gjatë 50 viteve ç'prej marshimit në Selma, është shënuar pak përparim në fushën e të drejtave civile për afrikano-amerikanët.
"Që to mohohet përparimi, ky përparim i fituar me mund -- përparimi ynë --do të ishte sikurë të na mohosh kapacitetin tonë si dhe përgjegjësitë tona për të punuar aq sa mundemi e kemi mundësi për ta bërë Amerikën një vend më të mirë për të gjithë." Por ai njëkohsisht hodhi poshtë nocionin se racizmi është zhdukur në Amerikë, duke nënvijuar se, "50 vjet nga e 'Djela e Përgjakshme', marshimi nuk ka marrë fund ende, porse jemi duke iu afruar mbarimit", shtoi presidenti i parë afrikano-amerikan. Presidenti Obama u tha të pranishmëve se, "239 vjet pas themelimit të këtij kombi, ky vend nuk është ende i përsosur, por jemi duke bërë përparim. Puna jonë", theksoi ai, "është më e lehtë sepse dikush tjetër bëri të mundur të hecnim kilometrin e parë -- dikush pra, e bëri të mundur për ne që të kalonim këtë urë."
Presidenti Obama tha se nga ngjarjet e 50 viteve më parë na kujtojnë se, "është tepër e rëndësishme që të sigurohet drejtësia e barabartë për të gjithë dhe që të mësojmë nga e kaluara", ashtuqë të mos përsëritet më ajo histori e hidhur. Jehona e këtij marshimi dhe këngëve kishtare të pjesëmarrësve u dëgjua jo vetëm në Shtëpinë e Bardhë dhe në sallat e institucioneve më të larta të qeverisë dhe të shtetit amerikan, por u dëgjua edhe anë e mbanë botës, tha Presidenti Obama, duke shtuar se, "Çfarë besimi të patundur kishin këta burra dhe gra. Besim në Perëndinë por edhe besim në Amerikën." Ai shtoi se, "Kjo vepër e tyre do të ketë një jehonë ndër shekuj. Jo sepse ajo që ata arritën ishte caktuar më përpara të ndodhte ashtu siç ndodhi, jo se fitorja ishte e plotë, por vepra dhe guximi i tyre do të mbahen mend ndër shekuj, sepse ata provuan se ndryshimet pa dhunë janë të mundshme dhe se dashuria dhe shpresa mundin urrejtjen."
Presidenti Obama tha se nuk ka ndonjë shprehje besimi më të madhe për eksperimentin merikan se ky marshim. "A ka ndonjë formë më të madhe patriotizmi se kjo? Se sa besimi se eskperimenti i Amerikës nuk ka marrë fund. Se ne jemi të fuqishëm të kritikojmë haptas vetveten, ashtuqë brezat e ardhëshëm t'i shohin të metat tona të së kaluarës dhe të vendosin se është në duart e tyre që ta ribëjnë këtë komb, me qëllim që të jetë më afër reaalizimit të idealeve të tija më të larta."
Selma, shtoi presidenti amerikan, nuk është një relikt historie të vjetër, por është një manifestim i një besimi të shkruar e të vulosur në kushtetutën e këtij vendi, se, "Ne Populli....me qëllim për të krijuar një bashkim sa më të përsosur, i konsiderojmë këto të të vërteta si të qarta dhe bindëse, se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barabarta." Këto, tha ai, nuk janë fjalë boshe, por janë një udhëzim që ve në dukje aftësinë e burrave dhe grave të lira për të përcaktuar vet fatin e tyre. Kjo ndjenë amerikane e marshuesve në Selma për të siguruar të drejtat e tyre civile, shtoi presidenti amerikan, "Është e njëjta ndjenë si ajo e patriotëve amerikanë të cilët vendosën të ngriheshin në revolucion kundër tiranisë. Është i njëjti frymëzim", theksoi presidenti Obama, "i cili ka tërhequr imigrantët në këtë vend dhe është i njëjti instinkt që na shtyri të vendosnim flamurin tonë në Iwo Jima dhe mbi sipërfaqën e Hënës."
Selma tha ai "është një ide që është ruajtur nga gjenerata të tëra që kanë besuar se për të dashur këtë vend nevojitet jo vetëm që ai të lavdërohet, ose të mos thuhen të vërteta që dëmtojnë reputacionin e tij, por atdhedashuria kërkon edhe gatishmërinë për të folur të vërtetën dhe nganjëherë për të shkundur statuquonë." Duke iu referuar influencës që marshimi i Selmas ka patur në të kaluarën dhe që ka tani jo vetëm në këtë vend, por edhe anë e mbanë botës, Presidenti Obama u shpreh se, "Të rinjët e të rejat matanë perdesë së hekurt morën shembull nga marshimi në Selma dhe do të shëmbënin murin.... Edhe brezi i sotëm i të rinjve dhe të rejave nga rrugët e Tunisit e deri tek Maidani në Ukrainë, mund të gjëjnë frymëzim e fuqi nga ky vend, ku të pafuqishmit mundën të ndryshonin superfuqinë më të madhe të botës, duke detyruar udhëheqsit e saj që të zgjëronin kufijtë e lirisë." Z. Obama përshëndeti me krenari diversitetin etnik të Amerikës, duke deklaruar se ne jemi imigrantët e ardhur nga vendet përtej deteve, ne jemi skllevërit që ndërtuam Shtëpinë e Bardhë dhe ekonominë e jugut...."
Duke përfunduar fjalimin e tij, Presidenti Obama nënvijoi se "kemi rrëzuar aristokracitë e vjetra duke besuar se Perëndia na ka falur disa të drejta që nuk janë të tjetërsueshme nga askush dhe se këto të drejta dhe përgjegjësi ne i ruajmë nepërmjet një sistemi vet-qeverisjeje që rrjedhë nga populli dhe për popullin."
Presidenti Obama përfundoi fjalimin e tij duke porositur se "Selma na tregon se Amerika nuk është projekti i asnjë personi, sepse fjala më me rëndësi në demokracinë tone është, "Ne, Populli" . "Amerika nuk është pronë e asksujt. Ajo i përket të gjithve. Çfarë detyre fisnike kemi përpara, që vazhdimisht të përpiqemi të përmirsojmë këtë vend tonin madhështor", theksoi ai. Duke folur shpesh gjatë fjalimit me frymën e një predikuesi me shpresë për të ardhmen e vendit, udhëheqsi amerikan tha me këtë rast se, "Ne nderojmë ata që ecën, ashtuqë ne të mund të vrapojmë. Ne duhet të vrapojmë ashtuqë fëmijtë tanë të kenë mundësi të fluturojnë. Dhe ne nuk do të lodhemi në këtë udhëtim. Sepse ne besojmë në fuqinë e mrekullueshme të Madhit Zot dhe sepse ne besojmë në premtimin e shënjtë të këtij vendi", përfundoi fjalimin e tij presidenti Barak Obama, me rastin e 50-vjetorit të marshimit në Selma të shtetit Alabama, për sigurimin e të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara.
FRANK SHKRELI
|