E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
FAN NOLI DHE LUIGJ GURAKUQI
Nga FRANK SHKRELI

E Djelë, 03.15.2015, 07:52am (GMT+1)



 Z. Kryetar -- së pari dëshiroj tu falenderoj  ju dhe Komisionin përgatitës për ftesën që më bëtë për të marrë pjesë në këtë takim përkujtimor me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit.
 
Unë, në atë temen -- duke mos qenë studjues i Nolit, as akademik dhe as historian, por pikërisht nga pikpamja e një publicisti të thjeshtë -- u përpoqa ta shënoja këtë përvjetor me një shkrim modest para nja 10 ditësh, për arsye të respektit që kam për të, por edhe me shpresën se do të ketë kujtime të tjera me rastin e këtij përvjetori, prandaj u përgëzoj që kini organizuar këtë takim përkujtimor.   
 
Unë nuk kam arritur ta njihja personalisht Fan Nolin, ndonëse emigrova në këtë vend 5 vjetë pasi ndërroi jetë ai, por gjatë viteve kam pas fatin ta njihja atë nepërmjet disa njerëzve të cilët e kishin njohur mirë Nolin.

Një prej tyre, ishte Louis Prifti, një ish-koleg imi në Zërin e Amerikës, i cili gjatë karierës së tij tek VOA kishte mbuluar shumë prej aktiviteteve të Nolit dhe kishte marrë një numër intervistash prej tij.  L. Prifti ishte një thesar mbi jetën dhe veprimtarinë e Nolit, nga i cili kam mësuar shumë për këtë patriot.  Përveç kësaj, Fan Nolin e simpatizojmë më shumë edhe për arsye se ai është i yni, si shumë prej nesh, bir i diasporës, i cili pjesën dërmuese të jetës e kaloi jashtë trojeve shqiptare.  Ndante pra një fat si të gjithë ne, që pjesën më të madhe të jetës tonë jemi duke e kaluar në mërgim.   

Veprimtaria e Fan Nolit ishte e shumëanshme dhe roli i tij i mrekullueshëm.   Sepse Noli, siç ka thënë një bashkohas i tij Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane në Detroit, "Ishte një prijës i denjë në fushën shpirtërore, kulturore dhe kombëtare."  

Ndërsa folësit e tjerë  prekën fushë të ndryshme nga veprimtaria e Nolit, si dhe prirjet e tija të rralla krijuese  poliedrike, unë deshta që ndër të tjera, të përmend, shkurtimisht,  lidhjet e tija të veçanta me Luigj Gurakuqin dhe rolin e tyre të përbashkët në mbrojtje të interesave të kombit ashtuqë të kujtojmë edhe Gurakuqin,  pasi 2 marsi i këtij viti shënoi 90-vjetorin e vrasjes së mikut dhe bashkpuntorit të ngushtë të Fan Nolit.   

Është me vend që t'i kujtojmë këta shqiptarë të mëdhej që s'janë më ndonëse nganjëherë të harruar -- ata janë të pranishëm me veprat dhe me trashëgiminë e tyre, me idealet e tyre të shënjta, me shembëllat e tyre dhe me përpjekjet  dhe rolin e tyre prej titanësh, që ata luajtën  për t'a bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ashtu siç janë sot, megjithse besoj se do të dëshironin  Shqipërinë, Kosovën  dhe shqiptarët  kudo -- më mirë se ç'janë sot.

Këta dy përvjetorë shëndrisin me germa të mëdha ari historinë e shqiptarëve, sepse  Noli dhe Gurakuqi -- veçmas dhe së bashku -- luajtën  role të mëdha në fatin e kombit shqiptar.   Në të vërtetë, ishin aq bashkpuntorë të ngushtë sa që Noli, në elegjinë kushtuar  Gurakuqit pas vrasjes së tij, e quan Gurakuqin, "vëlla", "Gojë mjaltë dhe zemër hekur":
"Sa më mirë e kam njohur", do të thoshte Noli për Gurakuqin", aq më tepër kam qenë i shtërnguar  ta respektoj."   Noli do ta bënte  Gurakqin Ministër  të Financave në qeverinë e tij dhe si këshilltar të ngushtë e merr Gurakuqin me vete pjesë e delegacionit  shqiptar në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në shtator të vitit 1924.   Fillimisht ata morën pjesë në punimet e komisioneve të ndryshme, ku folën të dy në emër të qeverisë shqiptare, por ishte fjalimi i Fan Nolit në sesjonin plenar të Lidhjes së Kombeve ai që do të tërhiqte vëmendjen më të madhe ndërkombëtare.  "Peshkopi, Kryeministër Fan Noli i Shqipërisë i bëri delegatët e Lidhjes së Kombeve të mbeten gojëhapur, kur u mbajti një nga fjalët që bëri bujë dhe pa dyshim një nga fjalët më piktoreske", do të shkruante në atë kohë gazeta amerikane Nju Jork Tajms.  

Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, e vërtetoi dhe e ngriti atë në një nivel diplomati të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqsve më të dalluar të jetës politikës dhe diplomatike shqiptare, ndoshta i të gjitha kohërave, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara ai shërbeu si një zëdhënës dhe përfaqsues i denjë i të të drejtave të Shqiptarëve kudo.  

Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, kujtojmë pra një burrështeti dhe diplomatin shqiptar i cili  me veprat e tija kombëtare atdhedashëse, në vazhdimësi dhe në përjetësi, nderon kombin shqiptar. Sipas një komenti të gazetës britanike, Manchester Guardian të vitit 1924, sot kujtojmë "një burrë me të cilin do krenohej çdo vend, një diplomat i përkryer, një ekspert i politikës ndërkombëtare, një debatues i aftë, i cili la një përshtypje  mbresëlënse në Gjenevë.  Ai, me një mjeshtëri të pazakontë, i mundi kundërshtarët e tij ballkanikë, gjithmonë duke u qeshur", shkruante gazeta britanike.  

"Një prelat shqiptar, i krishterë, kërkonte një Shqipni të lirë dhe hynte dorëzanë se ndjeksat e tri besimeve do të jetojshin në harmoni të plotë vullnetesh e qëllimesh. Pranija e Tij ishte një përgnjeshtrim i akuzave të anmiqvet", do të shkruante Ernest Koliqi me rastin e vdekjes së Nolit, duke thënë se armiqtë e kombit shqiptar, "Nuk e pritshin aty në atë mbledhje (të Lidhjes së Kombeve) atë plotni argumentash historikë e gjeografikë të paraqitun me stil të naltë, që dëshmonte pregatitje të jashtzakonshme kulturore.   Si mos me e pranue një shtet që nxirrte njerzë me gjithë ato veti të rralla?", pyeste Ernest Koliqi në shkrimin e tij në revistën Shëjzat me rastin e vdekjes së Fan Nolit në mars të vitit 1965.
 
Pjesëmarrja aktive në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë në vitin 1924 nga përfaqsuesit shqiptarë Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi mund të konsiderohet  si përpjekja e parë shqiptare, në një nivel të tillë ndërkombëtar, për t'ia bashkuar vendin e tyre të izoluar dhe të harruar Europës dhe vlerave universale të njeriut. Nolit e Gurakuqit, në të vërtetë, iu bashkuan pak më vonë edhe Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, të cilët shkuan në Gjenevë për të protestuar para Lidhjes së Kombeve duke kërkuar drejtësi për popullin shqiptar të Kosovës, që shovinistët serbë donin ta zhduknin nga faqja e dheut. Për shumë vite Bajram Curri e Hasan Prishtina mbanin mbi shpatulat e tyre vuajtjet dhe dhimbjet e një populli i cili nuk kërkonte asgjë më tepër veçse të jetonte i lirë në trojet e veta autoktone.   Nuk ua merrte mendja të shkretëve se pjesmarrja në atë sesion të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë më 1924, do të ishte e fundit për të gjithë këta rilindas të kombit si përfaqësues të Shqipërisë dhe shqiptarëve në atë nivel të diplomacisë ndërkombëtare.

Prandaj, me rastin e këtyre përvjetorve për Luigj Gurakuqin dhe Fan Nolin, nuk mund të harrojmë as 90-vjetorin e vdekjes së Bajram Currit, gjithashtu në mars të vitit 1925.   Në një kohë kur Shqipëria sot është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtare në Bashkimin Europian dhe kur Kosova është shtet i pavarur dhe kurë shqiptarët janë më të lirë se kurrë duhet të kujtojmë se ishin pikërisht këta burra të cilët ndërtuan urat e para drejtë Europës dhe perëndimit.  Porta e Europës ishte e mbyllur atëherë për shqiptarët, për arsye se të huajt nuk i donin shqiptarët.   Por Fan Noli, Luigj Gurakqi, Bajram Curri dhe Hasan Prishtina -- si individë dhe si grup -- ishin të qartë dhe të vendosur mbi interesat aftagjata të kombit të vet, se bazuar në traditën, vlerat dhe në kulturën e kombit, Shqiptarët ishin dhe janë pjesë e Europës.

 Në një shkrim të Ernest Koliqit në të cilin thotë se edhe ai vet ishte  një "nëpunës i vogël por besnik në Qeverinë e kryesueme prej Fan Nolit më 1924", thekson tiparet e këtyre burrave sipas Nolit, duke u shprehur se "Në Luigj Gurakuqin, Fan Noli njofti burrninë që rrjedh nga vetitë shqiptare, trashigue nga të Parët dhe të zhdrituna shkëlqimisht në rrezet e nji kulture së gjanë.  Në Bajram Currin njofti e përlavdoi instinktet e shëndosha burrnore që me gjarpënim vetimash e shungllim bubullimash shfaqen papritmas në përpjekje për ideal, pa dalë nga vijat e urtisë dhe pa u shkoq nga trashigimi stërgjyshnuer i nderit e i drejtësisë."   

Sot, 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit, aspiratat e kombit shqiptar për hapjen e portës së Europës nuk po realizohen megjithë fjalët e mira.  Kjo kryesisht për arsye të një politike përçarse dhe korruptive, si dhe të mungesës  së mirëfilltë të një dialogu politik, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, për një bashkrendim të një politike mbarë kombëtare, në mbështetje të interesave të përgjithshme strategjike, afat-shkurtëra dhe afta-gjata të kombit. Duke marrë parasyshë gjëndjen aktuale politike në trojet shqiptare, është vështirë të mos vihet në dyshim sinqeriteti dhe gatishmëria e kësaj klase politike shqiptare,  për të ndjekur shëmbëllin e këtyre rilindasve. A duan këta politikanë të sotëm ta çojnë trenin shqiptar drejtë  vlerave universale, drejtë Europës,  në ato shina dhe mbi ato ura që ndërtuan me aq mund e sakrifica, Noli dhe Gurakuqi me bashkohasit e tyre.  
 
Ndryshe nga sot, Luigj Gurakuqi dhe Fan Noli ndiqnin një politikë  parimore konsekuente diplomatike në favor të interesave të kombit shqiptar.  Shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar e kishin punën shumë ngusht, me shumë armiq të cilët ishin të vendosur të copëtonin vendin -- por pa shumë miqë -- në krahasim me situatën e sotëme, kur kombi shqiptar radhitë si miq e përkrahës vendet më të zhvilluara perëndimore.  Por, megjithë sfidat e kohës, fatbardhësisht Shqipëria  mbijetoi, falë veprimtarisë, sakrificave,  atdhedashurisë dhe patriotizmit pa interesa personale -- të  burrave si Noli, Gurakuqi e Bajram Curri -- të cilët mbronin para botës interesat e vërteta të kombit.  Këta i përkisnin një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të kombit shqiptar, të cilët shkrinë jetën për idealet e kombit.

Ishte ky një brez pra patriotësh shqiptarë, i cili synonte me çdo kusht dhe pa kompromis sigurimin e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta, por njëkohësisht ishin të gatëshëm të merrnin përsipër edhe angazhimin e tyre për përvetsimin dhe zbatimin e vlerave të përbashkëta, të standardeve dhe vlerave universale të kombeve të zhvilluara. Ata ishin të gatëshëm ta bënin këtë  si një përgjegjësi dhe obligim,  jo vetëm kombëtar, por edhe personal.   
Shënimi i 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit natyrisht bëhet për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e njerzve të mëdhej të kombit siç ishte ai, por duhet gjithashtu të shërbej për brezat e sotëm të politikanëve, në duart e të cilëve është sot fati i kombit -- si një rast i mirë për të mësuar diçka nga jeta dhe veprimtaria e tyre, e rolit të tyre altruist, madje edhe nga gabimet e tyre, megjithse ata jetuan dhe vepruan nën rrethana shumë më të vështira se sot dhe në krahasim me arrijtjet e tyre të metat dhe gabimet ishin të vogëla.

Trashëgimia e tyre, në këtë rast trashëgimia dhe roli i Fan Nolit, është monumental  në historinë e shqiptarëve.  Aktiviteti i tij ishte gjithpërfshirës!   

Por, siç shkruante Ernest Koliqi me rastin e vdekjes së Nolit, asgjë tjetër mos të kishte bërë Fan Noli për atdheun e vet, kur për hir të zotësisë së Emzot Nolit, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve, kur Shqipëria siguroi të drejtat e veta dhe doli faqebardhë kjo vepër e tija në vetvete meriton mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve.

Më shumë se asnjëherë më parë, kombi shqiptar ka nevojë sot për Fan Nola, Luigj Gurakuqa dhe Bajram Curra.   Brezi i sotëm i shqiptarëve nuk mund të thotë se nuk ka shembuj për tu ndjekur!  Nëqoftse ka vullnet, ja shembujt e burrënisë, të nderit, të atdhedashurisë, të pajtimit e të harmonisë, por edhe të kulturës perëndimore,   të cilët gjithë jetën e tyre megjith rrethanat e vështira nën të cilat jetuan -- ata u munduan gjithmonë të sjellin ujin në mulli të atdheut të vet.

I madh mbetet Fan Noli 50-vjetë pas vdekjes!  I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

U falemenderit!


FRANK SHKRELI - Foto nga BEQIR SINA

(Kumtesë në përkujtimin e 50-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë e Fan Nolit, organizuar nga VATRA, 13 Mars, 2015, në New York) 
 

FRANK SHKRELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
QYTETARËT E KOSOVËS DUHET TË LËVIZIN LIRSHËM SI TË GJITHË EUROPIANËTLetër Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker (shqip dhe anglisht)Nga UK LUSHI (03.13.2015)
PËRSE I MBANI LARG GAZETARËT, ZOTI ILIR GJONI, AMBASADOR I RSH NË ZVICËRNga ELIDA BUÇPAPAJ (03.13.2015)
TELLALLI I SHOVINIZMIT RUSOSERBOMADH NË PARLAMENTIN EVROPIANNga Prof. dr. ESHREF YMERI (03.13.2015)
PËRPJEKJET RUSE PËR TË PËRÇARË PERËNDIMINNga FRANK SHKRELI (03.12.2015)
DEKONSPIRATORËT E RESPUBLICASSh.T. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, TiranëNga ROMEO GURAKUQI (03.11.2015)
MARSHIMI QË NDRYSHOI AMERIKËNNga FRANK SHKRELI (03.09.2015)
KOMANDANTI ADEM JASHARI I PËRKET KRAHUT INSTITUCIONALIST TË LUFTËSNga JUSUF BUXHOVI (03.08.2015)
NJË LIBËR PËR NJË EPOKË“Revolucioni Antikomunist Hungarez” i doktor Thoma DardelitNga RESHAT KRIPA (03.07.2015)
KUPOLA - PENG I VETVETES, SHQIPTARËT - PENG I KUPOLËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ (03.07.2015)
NJË LIBËR I RI MBI KOSOVËNNga FRANK SHKRELI (03.07.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]