LIGJVËNËSIT E NJU JORKUT NDEROJNË BESËN SHQIPTARE - I PRANISHËM PRESIDENTI NISHANI
E Mërkurë, 05.06.2015, 05:11pm (GMT+1)
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ishte dje në Albany, kryeqytet i shtetit të Nju Jorkut, ku u prit nga ligjvënësit e atij shteti dhe së bashku nderuan rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Nishani, i cili arriti në SHBA të hënën, mori pjesë në një numër ceremonish solemne që kishte organizuar me këtë rast legjislatura e shtetit Nju Jork.
Presidenti i Shqipërisë u prit në sallat e legjislaturës së shtetit Nju Jork në Albany nga udhëheqës të Dhomës dhe të Senatit të këtij shteti.
Organizimi i të gjitha ceremonive dhe takimeve prestigjoze u realizua me ndihmën e zotit Mark Gjonaj, shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur si anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jork.
Në një takim me udhëheqësit e legjislaturës së shtetit dhe me personalitete të tjera të njohura, u fol për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në takim ishin edhe përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare.
Presidenti Nishani tha se hebrejve në Shqipërinë e luftës nuk iu desh ta fshihnin identitetin e tyre dhe historianët kanë arritur në përfundimin se në Shqipëri gjatë luftës nuk u kryen akte dëbimi ose viktimizimi kundër hebrejve:
Bujar Nishani, President i Shqipërisë
"Shqipëria numëronte një numër disa herë më të madh hebrenjsh në territorin e saj në mbarim të Luftës së Dytë Botërore sesa në fillim të Luftës. Ajo shihet si vendi i vetëm në Evropë që shënon një rekord të tillë."
Sot, tha Presidenti i Shqipërisë, për fat të keq në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Evropën, po vërehen ndjenja në rritje të anti-semitizmit. Sumi i fundit terrorist në Francë, por edhe ato në vende të tjera na kujtojnë se ajo që u arrit 70 vjet më parë po vihet në pikëpyetje përsëri.
Presidenti Nishani tha se paragjykime të tilla nuk duhen lejuar të prekin brezat e rinj dhe mësimet e nxjerra nga historia nuk duhen harruar.
Fotografi i njohur Norman Gershman, punimet e të cilit shërbyen si pikënisje për realizimin filmit të njohur dokumentar "Besa", foli në takim mbi disa mësime nga jeta e tij personale që kanë të bëjnë me shqiptarët. Ne, tha ai, duhet të ngulitim konceptin e besës, sidomos tek të rinjtë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë botën.
Norman Gershman, fotograf me famë botërore
"Eksporti i Shqipërisë nuk është qumështi, as zarzavatet ose frutat. Është besa".
Kur shkoj në Shqipëri dhe takohem me njerëz, familjet e të cilëve kanë shpëtuar hebrenj, tha fotografi i njohur, zakonisht 7 janë myslimanë dhe tre katolikë ose ortodoksë. Por, pavarësisht nga besimi, të gjitha ato familje e përqafuan besën, pa dallim.
Në Shqipëri dhe në Kosovë, tha zoti Gershman, shqiptarët, duke vënë jetën në rrezik, nuk strehuan vetëm hebrenjtë e qyteteve dhe të fshatrave të tyre por edhe mijëra refugjatë që i kishin shpëtuar nazizmit nga vendet e tjera evropiane.
Ai tha se shpreson që filmi Besa të emërohet për çmimin Oscar në Hollivud.
Në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Nju Jork, anëtari i saj Mark Gjonaj, prezantoi në sallë Presidentin Nishani dhe pastaj paraqiti një rezolutë, ku flitej për rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në mbështetje të rezolutës folën disa anëtarë të Asamblesë, të cilët vunë në dukje këtë rol të Shqipërisë.
Presidenti Nishani u prit ngrohtë nga deputetët që kishin mbushur sallën.
Një ceremoni tjetër u mbajt në sallën e senatit, ku u miratua një rezolutë e ngjashme. Presidenti Nishani mbajti aty një fjalim, ku tha se rezoluta vlerëson mbarë kombin shqiptar, jo vetëm popullsinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës dhe të trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarë.
Edhe në rezolutën e senatit thuhej se më tepër se 2 mijë hebrenj i mbijetuan përndjekjes naziste në Shqipëri. Popullsia vendëse i fshehu ata duke rrezikuar jetën e saj, madje në disa raste, kjo u pagua edhe me jetë, thuhej aty.
Presidenti Nishani u kthye në qytetin e Nju Jorkut, ku do të qëndrojë disa ditë për takime me komunitetin dhe me personalitete të tjera. za
www.voal-online.ch
|