FITORE MBI FASHIZMIN APO PËRMBYTJE NËN KOMUNIZËM Nga FRANK SHKRELI
E Hënë, 05.11.2015, 06:02pm (GMT+1)
Këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë u shënua 70-vjetori i fitores në kontinentin europian dhe mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Me këtë rast, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, në fjalimin e tij të përjavëshëm të shtunën drejtuar kombit, kujtoi fitoren e aleatëve në Europë, duke sjellur në kujtesë njoftimin e thjeshtë të Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Europë, Gjeneralit Dwight Eisenhower, i cili 70-vjetë më parë njoftoi kombin e vet dhe botën se me fitoren kundër nacizmit, "Misjoni i kësaj Force Aleate, u krye."
Presidenti amerikan theksoi me këtë rast se "Kjo është një ditë për të kujtuar burra dhe gra, të cilët dekada më parë shërbyen dhe sakrifikuan për kauzën e lirisë". Ai vazhdoi duke thënë se me sakrificën e tyre për t'i dhënë fund luftës, mund të thuhet se ata shpëtuan botën, dhe vendosën themelet për paqë. Në fjalimin e tij fund javën që kaloi, Presidenti Obama u kërkoi amerikanëve, që përveç kujtimit të këtij përvjetori të rëndësishëm historik, ata gjithashtu "të nderojmë burrat dhe gratë që sot shërbejnë në forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe njëkohësisht të riangazhohemi", theksoi presidenti amerikan, "ndaj mbrojtjes së vlerave, të cilat ne i ndajmë me aleatët tanë në Europë dhe mëtej, vlera këto që përfshijnë: lirinë, sigurinë, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit anë e mbanë botës", tha presidenti amerikan në fjalimin e tij kushtuar 70-vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti Obama vazhdoi duke thënë se "Ne do tu jemi përgjithmonë mirënjohës këtyre burrave edhe grave të jashtzakonshëm për veprën dhe për altruizmin e tyre që ata treguan në njërën prej periudhave më të errëta të historisë. Por, ndërsa shënojmë këtë 70-vjetor", shtoi ai, "le të mos jetë ky vetëm një kujtim i një historie të kaluar, por le të përdorim këtë përvjetor si një rast i mirë që të "dedikohemi rishtas në mbështetje të lirisë, për të cilën luftuan ata dhe humbën jetën."
Siç duket në një referencë të tërthortë ndaj gjëndjes së sotme në Europë, të krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, Presidenti amerikan përfundoi fjalimin e tij kushtuar 70-vjetorit të Fitores në Europë mbi fashizmin, duke theksuar angazhimin e tij për të qenë të, "Bashkuar me aleatët tanë në Europë dhe më gjërë, në mbrojtje të vlerave të përbashkëta: lirisë, sigurisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe zbatimit të ligjit anë e mbanë botës dhe njëkohësisht të jemi të bashkuar kundër urrejtjes në të gjitha format dhe pamjet e sajë, për t'i dhënë kuptimin domethënës, zotimit: "Kurrë mos harro. Kurrë më", një betim ky që ka për qëllim që kjo histori të mos përsëritet më, në çfardo forme ose ideologjie qoftë.
Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry gjatë një vizite në Francë, shënoi këtë përvjetor duke vendosur lule tek baza e Arc d'Triomphe, në një shënjë simbolike për të nderuar miliona veta të guximshëm nga të gjitha vendet aleate të cilët me sakrificat e tyre bënë të mundur arritjen e fitores. Sekretari Kerry, tha se me këtë gjest, ai "Kujtoi të gjithë të humburit nga të gjitha palët në atë luftë, dhe me dhimbje ishte atje për të kujtuar miliona viktima të agresionit nazist." Duke thënë se lufta na prekë të gjithëve, kryedipolamti amerikan theksoi në deklaratën e tij se, "Është me rëndësi, që në këtë ditë, të mos harrojmë arsyen se pse u bë kjo luftë dhe si u arrijtë fitorja. Kjo luftë u bë", tha ai, sepse "agresioni, fanaticizmi dhe urrjetja, nuk u kundërshtuan në kohhë dhe si rrjedhim ato zunë rrënjë edhe më të thella. Lufta u fitua", shtoi ai, "sepse popuj të ndershëm anë e mbanë botës u bashkuan për një kauzë të përbashkët, para se të ishte tepër vonë." Nga kjo luftë, tha John Kerry, doli një angazhim i ri në mbështetje të të drejtave të nejriut, begatisë së përbashkët dhe paqës. Në deklaratën e tij me rastin e 70-vjetorit të Fitores në Europë, Sekretari Amerikan i Shtetit pohoi se nga kjo luftë doli gjithashtu edhe një vendosmëri e përbashkët për të qenë vigjilentë kundër kujdo qoftë që do të abuzonte me pushtetin, me qëllim për të zhdukur kundërshtarët duke përdorur dhunë kundër tyre, për arritjen e objektivave politike dhe ideologjike. John Kerry përfundoi deklaratën e tij duke theksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara se, "Ndërsa kujtojmë të kaluarën, ne pranojmë përgjegjësinë për të mbajtur fjalën për angazhimin tonë në mbështetje të drejtësisë, ndaj zbatimit të ligjit, si dhe për të bashkpunuar me Aleatët dhe me miqtë tanë në mbrojtje të të drejtave dhe të dinjitetit njerëzor për secilin person kudo. Këtë, ne ua kemi borxh atyre të cilët sakrifikuan aq shumë për kauzën e lirisë", përfundoi John Kerry deklaratën e tij me rastin e 70-vjetorit të mbarimit të Luftës së dytë Botërore në Europë.
Por, akademikë, analistë komentatorë dhe autorë -- në të kaluarën dhe tani me rastin e 70-vjetorit -- kanë shkruar dhe kanë komentuar për hir të së vërtetës historike, nëse fitorja mbi nacizmin me të vërtetë solli lirinë dhe demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut anë e mabnë Europës, apo siç kanë argumentuar shumë prej tyre, kjo fitore mbi nacizmin, u shëndrrua në të vërtetë në një fitore për komunizmin duke mbytur lirinë dhe demokracinë në pjesën më të madhe të Europës, nga një sistem aq brutal dhe pamëshirëshëm sa ishte edhe nacizmi. A ishte fitorja mbi nacizmin, mbarimi i një lufte për të siguruar lirinë dhe dinjitetin e secilit person kudo, e sidomos popujve të Europës, a por ishte zëvëndësimi i një dikakture të egër me një tjetër? Për më tepër -- për të parafrazuar fjalët e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, nëse pas kësaj fitoreje mbi nacizmin -- a u tregua vigjilenca e nevojshme nga Perëndimi kryesisht, por edhe nga forcat demokratike anë e mbanë Europës, kundër atyre që përfaqësonin sistemin komunist të pas luftës, i cili u vendos në pushtet anë e mbanë Europës duke abuzuar me pushtetin dhe duke zhdukur kundërshtarët me dhunë, duke i zhdukur ata fizikisht dhe duke i dërguar në kampet e përqendrimit, ndërkohë që nëdrmorën lloj-lloj krimesh të tjera kundër njerëzimit për të arritur objektivat e tyre politike dhe ideologjike? Dihet se pas fitores mbi fashizmin në Europë, një murtajë tjetër e zezë mbuloi pjesën më të madhe të kontinentit të vjetër. Ishte kulshedra e sllavo-komunizmit që pushtoi dhe robëroi popujt e atij kontinenti dhe më gjërë -- jo për 4-5 vjetë -- por për pothuaj një gjysëm shekulli. Historianë, autorë, ekspertë dhe analistë të ndryshëm konsiderojnë se humbja e fashizmit u zëvëndsua fatkeqsisht me fitoren e komunizmit, duke zëvendësuar kështu tiraninë nacizste me një tirani tjetër, atë komuniste. Njëri prej tyre këtyre historianëve, Norman Davies një historian britanik dhe autor i më shumë se një dyzinë librash i cili ka shkruar shumë për periudhën e Luftës së dytë Botërore, përfshirë edhe librin: "Europa në Luftë, 1939-1945 Jo një Fitore e Thjeshtë", është shprehur se Lufta e Dytë Botërore nuk ishte, ajo "lufta e mirë", ashtu siç konsiderohet dhe festohet, por ishte sipas tij, një luftë në Europën Lindore dhe Qëndrore e cila vuri një tirani kundër një tjetre, një tirani e cila më në fund, megjithë fitoren mbi nacizmin, robëroi popujt dhe mbyti demokracinë në pjesën më të madhe të Europës për dekada që pasuan fitoren mbi nacizmin. Në një fjalim kohë më parë, Profesor Davies në mbështetje të qëndrimit të tij ai vuri në dukje përvojën e babait të bashkshortes së tij -- një biologu polak fati personal i të cilit, thotë ai, është i krahasueshëm me atë që ka ndodhur në Europën Lindore gjatë dhe pas luftës. Babai i gruas së tij, ka thënë ai, ishte arrestuar nga gjermanët më 1939, një muaj pas shpërthimit të luftës dhe ishte burgosur nga nacistët në Dachau dhe në Matthausen vetëm e vetëm sepse ai i përkiste elitës akademike polake. Pasi mbijetoi luftën në një kamp përqëndrimi gjerman, ai u lirua për t'u arrestuar menjëherë nga sovjetikët komunistë sepse kishte mbijetuar në kampet gjermane. Sipas Profesorit Davies, babai i të shoqes së tij u torturua nga Gestapo më 1939 dhe pastaj më 1945, përsëri u torturua nga policia sekrete sovjetike. Në të dy rastet, ka pohuar Profesori, ai u torturua "mbi të njëjtën tavolinë dhe në të njëjtën qëndër policie", në vendlindjen e tij. Kjo përvojë e dyfishtë e babait të bashkshortes së tij, ka thënë Profesori Davies, është thelbi i asaj që ka ndodhur gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, dmth, lufta ka thënë ai, ishte një përplasje në Europën Lindore, "midis dy regjimeve vrasëse të cilat zhdukën miliona njerëz pa asnjë arsye të logjikshme." Ndërsa autorja dhe komentatorja e njohur amerikane Anne Applebaum me librin e saj të fundit, Iron Curtain: The Crushing of Eastern Europe, 1944-1956, (Perdja e Hekurt: Shtypja e Europë Lindore, 1944-1956) përshkruan imponimin me forcë të sllavo-komunizmit totalitar stalinist, në vendet e Europës Qëndrore. Është kjo një vepër që kritikët e kanë cilësuar si një libër i cili kërkon një përballim historik dhe moral me ngjarjet e pas luftës në Europë. Autorja e njohur amerikane shkruan në librin e saj se ndonëse popujt e Europës Qëndrore dhe Lindore pritshin që të ringjalleshin shpirtërisht dhe ekonomikisht pas humbjes së regjimit nazist, ato tani ishin pushtuar nga një tirani tjetër e cila i përngjante shumë tiranisë nga e cila sapo kishin shpëtuar. Anne Applebaum shkruan në hollësi se si komunizmi iu imponua vendeve të Europës. Ajo përshkruan mënyrat se si regjimet komuniste zhdukën menjëherë partitë politike kundërshtare, kishat, median, organizatat e rinisë dhe të gjitha organizatat e shoqërisë civile, në të gjitha nivelet e shoqërisë. Komentatorja e shquar amerikane, duke përdorur materiale arkivore të pa njohura deri tani, përshkruan taktikat komuniste se si ata erdhën në fuqi duke kërcënuar dhe duke zhdukur të gjitha ata që i kundërshtonin. Ajo përmend edhe raste individësh për të dokumentuar se si njerëzit, përball këtyre taktikave të egëra komuniste, detyroheshin të luftonin, të arratiseshin ose të bashkpunonin me komunistët. Ajo shkruan se mbrenda një periudhe jashtzakonisht të shkurtë Europa Lindore ishte stalinizuar në mënyrën më brutale që ishte e mundur. Fund javën që kaloi pati komente dhe shkrime edhe në median amerikane në përkujtim të 70-vjetorit të mbarimit të luftës në Europë. Një nga komentet ishte edhe ai që më rekomandoi miku i im Profesor Sami Repishti, një shkrim me titull: "Si Rusët e Humbën Luftën", i novelistit dhe autorit të njohur rus Mikhail Shishkin, botuar fund javën që kaloi në gazetën New York Times. Është një koment që do të meritonte të përkëthehej në terësi, por për qëllimet e këtij shkrimi, po sjelll thelbin e asaj që ai dëshironte t'u thoshte lexuesve të tij me rastin e 70-vjetorit të mbarimit të luftës në Europë. Në atë koment, autori rus që tani jeton në Zvicër, shkruan se, "Babai i im luftoi të keqën e fashizmit, por ai u keqpërdor dhe u abuzua nga një e keqe tjetër. Ai dhe miliona të tjerë ushtarësh sovjetikë....i sollën botës jo lirinë, por një skllavëri tjetër. Njerëzit sakrifikuan çdo gjë për fitoren, por frutat e kësaj fitoreje ishin, më pak liri dhe më shumë varfëri." Ai vazhdon komentin e tij me rastin e 70-vjetorit të fitores kundër nacizmit duke shkruar se, "Sot, Dita e Fitores nuk ka të bëjë aspak me fitoren e popullit as me atë të babait tim. Kjo nuk është një ditë paqeje dhe kujtese për viktimat", shkruan ai. Duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë, ai thotë se "Kjo është një ditë që të kujton vrigëllimën e shpatave, një ditë për arkivole prej zinku, një ditë agresioni dhe një ditë hipokrizie të madhe". "Është e pamundur", shkruan autori rus Mikhail Shishkin, "të marrësh frymë në një vend ku ajri është i ndotur nga urrjejtja. Historikisht, urrejtja është pasuar gjithmonë me shumë gjakderdhje. Çfarë e pret vendin tim", pyet ai, dhe komenton duke thënë se: "Edhe njlherë, diktatura po u bën thirrje subjekteve të saj të mbrojnë atdheun, duke shfrytëzuar pamëshirshëm ndjenjat atdhetare të popullit rus dhe Luftën e Madhe Patriotike. "Udhëheqsit rus", përfundon novelisti Shishkin, "kanë vjedhur vajin e popullit, kanë vjedhur votën e popullit dhe kanë plaçkitur vendin". Dhe më në fund shkruan ai, "Ata kanë vjedhur edhe fitoren, duke përfunduar komentin me titullin me të cilin e kishte filluar shkrimin duke I drejtuar babait të tij të vdekur pjesëëmarrës në luftën kundër nacizmit: "Baba, ne e kemi humbur luftën."
Jam i mendimit se në këtë përvjetor shumë veta i bashkohen zhgënjimeve historike dhe të tanishme të autorit rus -- i cili në shkrimin e tij ai kujton sakrificën e babait të vet dhe të bashkluftëtarve të tij-- duke kujtuar gjithashtu miliona veta të zhdukur anë e mbanë Europës dhe ish Bashkimit Sovjetik, të cilët u vranë, u torturuan dhe u shtypën në emër të diktaturave komuniste dhe naziste. Prandaj në këtë 70-vjetor të mbarimit të Luftës së dytë Botërore, jo vetëm historianë dhe komentues, por dhe njërëz të thjeshtë konsiderojnë se fitorja mbi fashizmin 70-vjetë më parë, në të vërtetë, nuk solli lirinë për të cilën aq shumë veta sakrifikuan jetën, por solli përmbytjen e Europës nën diktaturën e komunizmit gjysëm shekullor, pasojat e të cilit shihen ende kudo, madje edhe pas një çerek shekulli nga shëmbja e komunizmit në Europë.
FRANK SHKRELI
|