VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË ITINERAR TRONDITËS POETIKShaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, ZürichNga ADEM GASHI

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
NJË ITINERAR TRONDITËS POETIK
Shaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, Zürich
Nga ADEM GASHI

E Mërkurë, 05.13.2015, 08:40pm (GMT+1)



Në fakt këtë paraqitje e kisha ndërmend ta përqendroja te kryefigura gjuhësore e këtij vëllimi, tek oksimoroni, po duke e parë strukturimin e brendshëm të 45 poezive, në katër njësi, me një poezi uverturë e me një përmbyllëse; me tri poezi që kanë për tituj shenjën e kronosit (1981, 1989, 1998) e me sa të tjera që përmbajnë dëshminë e toposit ku janë krijuar (Kosovë, Shqipëri, Zvicër etj.) më erdhi më për mbarë të them se ky libër është një itinerar tronditës poetik.

Duke e njohur që në krye të herës krijimtarinë letrare të Shaipit, madje edhe para botimit në nivel libri, mund të them se ai i ka ndenjur besnik me goxha fanatizëm verbit fillimtar. Po, do s'do ta pranojë ai, i ka marrë pak haraç edhe shkapërderdhja në gazetari e publicistikë.

Prirja prej filigranisti në kompozimin e lirikës (dikur ai na e sillte atë në formë përsosmërie deri në numërim shkronjash të vargut me makinë mekanike shkrimi) është ruajtur në të gjithë librat e tij. Ç'është e vërteta, në "Hidrën e mllefit" e gjej pak më dorëlëshuar. Fundja, ky veprim s'është mani pedantërie, po pasion i gdhendjes së vargut.

Pesë vëllimet e tij poetike në shqip, bashkë me këtë Hidrën dygjuhëshe, kanë tituj me togfjalësha: Fontana e etjeve, Flatrat e gjymta, Eklipsi i gjakut, Rekuiem për veten, Prangat e praruara, gjithnjë mbi bazën e oksimoronit. Shaipi kufirin latent ndërmjet metonimisë dhe metaforës thuaja e bën të paqenë.

Po të rrumbullakos shifrën sipas parimit të matematikës më rezulton se ai sivjet mbush katër dekada të krijimtarisë poetike. Shaipi është poet i pastër sepse konceptin për poezinë thuaja e shenjtëron. Jeton me të e për të. Më duket se Pol Valeri ka thënë me një rast:  punë e poetit nuk është trandja e tij poetike, por transmetimi i saj te lexuesi. Këtë transmetim Shaipi e bënë me mjete shumë të zgjedhura gjuhësore, me figura e trope nga më të larmishmet. Kjo që e zura ngoje më herët, bie fjala, oksimoroni, brendapërbrenda mban edhe mllefin e ironinë. Ç'është ky mllef akilian brenda qenies së këtij autori? Them se atij jeta i dha më shumë goditje e munxa, trysni e vurrata se sa ditë të lumtura. Shaipi rrallë qesh, rrallë buzëqesh. Edhe më rrallë e gjeni të tillë në vargje. Është i ngrysur, i rëndë sepse poezia e tij nuk ka narracion e fabul, nuk ka subjekt. Poezia e tij është gjendje (shpirtërore, mendimore, emotive, fizike). Çudi sa bukur e ka formuluar këtë Migjeni! Ngjarje pa lëvizje. Në këtë pikë jemi të njëmendjeje me Lankshin.

Shaipi sjell mëvetësi të dukshme me poezinë e tij. Ajo që i themi origjinalitet. Këtu ndahem një çikë me Hansin. Ndikimin e Vasko Popës nuk e gjej në atë masë sa thotë ai në lirikën e Kosovës, sikundër nuk i përjashtoj as nuancat e përngjasimit të Shaipit me të. Madje këtu ka një poezi përballëse me Popën, poezia Oshënari.  

Ky vëllim poetik na vjen edhe me një element që s'është i ri te Shaipi, por këtu sikur kulmon e bëhet këmbëngulës. Pavarësisht organizimit formal të strukturës poetike me katërvargësh, trevargësh e dyvargësh; pavarësisht se nganjëherë edhe rimon e mbushet aliteracion, në planin kuptimor sa funksionon si lirikë kompakte, poezia e tij mund të bëjë jetë edhe në njësi më të vogla, si strofat. Ato, po aq sa janë integrale brenda një lirike, mund të lexohen edhe si të mosvarme. Mund ta provoni këtë me cilëndo poezi të këtij vëllimi.

Fjalësi (leksiku) i Shaipit në këtë libër është i begatë, madje shumë i begatë. Nganjëherë gjatë leximit të bëhet e pashmangshme konsulenca e fjalorit. Ai aktivizon fjalë të vjetra e të rralla të shqipes, idioma e krahinorizma që e nuancojnë bukur valerin poetik. Ja disa prej tyre: stukohej, rroshponjat, gopç, guzhma, gamuj, gorre, zhapëllima, zhargina e shumë e shumë të tjera.

Kjo Hidra e mllefit mua më dëshmon edhe një fakt, një fakt të gëzueshëm: Gjeneratori krijues i Shaip Beqirit më vjen me potencial e tension si në ditët më të mira, pa lodhje metalesh (term i fizikës) e pa u ligur. Këtu marr dorë ta uroj me zemër vërsnikun tim, Shaip Beqirin.

ADEM GASHI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LIBRI ME POEZI TË ZGJEDHURA I  POETIT FASLLI HALITI, BOTOHET NË ROMË NGA SHTËPIA BOTUESE «EdilLet»Në përkthimin dhe redaktimin e poetit të shquar Gëzim Hajdari (05.13.2015)
TË RËNËT E KUMANOVËSPoezi promemoriale nga RRUSTEM GECI (05.12.2015)
NJERIU METALIKEsé nga QERIM SKËNDERAJ (05.12.2015)
B O R Ë B A R D H A- poezi nga libri "Trojet e mia"Nga RRUSTEM GECI (05.09.2015)
POEZI LIRIKENga PËRPARIM HYSI (05.09.2015)
ZOGU I PLAGOSUR dhe RRALLIMISkica nga FASLLI HALITI (05.09.2015)
DISA KOMENTE PËR POEZITË E ANTOLOGJISË ME POEZI TË ZGJEDHURA TË POETIT FASLLI HALITI PËRKTHYER NGA POETI I SHQUAR GËZIM HAJDARI (05.07.2015)
RRUGËT E REJACikël poetik nga SOKOL DEMAKU (05.06.2015)
PESHA E BOTËSPoezi nga ALLEN GINSBERGPërktheu: FASLLI HALITI (05.04.2015)
ZOGU I BRAKTISUR(Tregim i jetuar)Nga QERIM SKËNDERAJ (05.04.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 

 
VOAL
[Shko lartë]