Përpara se të plaste lufta e 2001 e cila pastaj solli "Marrëveshjen e Ohrit", gazeta Bota Sot kishte filluar të shpërndahej edhe në Maqedoni, ku ne denonconim regjimin aparteid kundër shqiptarëve. Atëhere në aleancë me VMRO-DPMNE ishte partia e Arbër Xhaferit, trashëgimtari i të cilit sot është Menduh Thaçi. Shkrimet tona patën sukses të madh në publik, dhe gazeta shkoi menjëherë në 20 mijë kopje. Por kjo zgjati shumë pak, pasi filluan ta digjnin gazetën, duke montuar intriga kundër saj me qëllim që të mos e lejonin shpërndarjen, gjë që e arritën. Ne na tregonin në redaksi se ata që digjnin gazetën ishin, mjerisht, militantët e partisë së Xhaferit.
Sot vendin e partisë së Arbër Xhaferit në aleancën qeveritare me VMRO-DPMNE, e ka zëvendësuar partia e Ali Ahmetit, një figurë që doli nga lufta me një profil shumë premtues, por që kur BDI-ja u fut në alencën shtetërore filloi t'i harronte premtimet e bëra dhe t'u kthehej sjelljeve reminishente të pararendësve. Dhe duke u nisur nga pozitat shumë më favorizuese që gjendet sot BDI-ja, pasi jemi në vitin më 2010, në krahasim me PD të Arbër Xhaferit që ndodhej më 2001, qendrimi i Ali Ahmetit mund të themi se është zhgënjyes. Dhe rolin e të pakënaqurit, luajtur dikur nga Ahmeti, e ka marrë sot Menduh Thaçi.
Siç e shihni, nuk dua të akuzoj askënd, dhe këtë retrospektivë e bëra vetëm për të hedhur një paralele me situatën aktuale në Maqedoni, kur përpara disa ditësh u vranë katër shqiptarë dhe publikut iu ofrua nëpër ekranët televizivë vetëm një furgon i bardhë bërë shoshë nga plumbat, çka linte të kuptonte se katër shqiptarët ishin vrarë në një pritë pa pasur mundësi t'i përdornin armët, nëse i kishin.
Pas kësaj, si ndodh rëndom, shteti maqedon për të justifikuar aktin kriminal, hapi lajmin se katër shqiptarët u vranë në një ndeshje me forcat e rendit, si trafikantë armësh. Publiku pastaj u njoh me arsenalin e armëve që, sipas burimit zyrtar po maqedon, kishin pasur në furgon viktimat. Por dihet se për sekuenca të tilla mund të vihen në përdorim rëndom arkivat. Viktimat pasi u vranë u etiketuan si terroristë dhe trafikantë armësh, për çka, fare në mënyrë normale, nëse këta do të kishin mbetur të gjallë, do të duhej të vendoste vetëm drejtësia.
Siç u pa, edhe një herë shqiptarët shkuan mish për top dhe për këtë dukuri mbajnë përgjegjësi politikanët shqiptarë në Maqedoni, duke filluar prej Ali Ahmetit e me rradhë. Emri i Ali Ahmetit sot në këtë listë është i pari, ashtu siç ishte në listë i pari edhe kur ngjalli shpresa tek shqiptarët.
Nuk më intereson asfare të dëgjoj si e etiketojnë njëra-tjetrën palët shqiptare në Maqedoni. Sa cinike janë akuzat që i hedhin njëri-tjetrit. Unë nuk e di nëse akuzat qëndrojnë apo jo, dhe s'kam ndërmend të hulumtoj në këtë drejtim. Për çka jam e sigurt është se shqiptarët e Maqdonisë duan të ndihen në Maqedoni në shtëpinë e tyre, ku i kanë rrënjët e degët, ashtu siç ndihen edhe maqedonët. Në fund të fundit, prandaj është nënshkruar edhe Marrëveshja e Ohrit, implementimi i së cilës ka mbetur në letër.
Po ashtu jam e sigurt se gjendja e shqiptarëve të Maqedonisë do të mbetet dramatike dhe implementimi i Ohrit do të mbetet pezull, deri kur partitë politike shqiptare në Maqedoni do të duan t'ia hanë edhe leckat njëra-tjetrës, deri kur faktori politik shqiptar në Maqedoni do të mbetet i paemancipuar. Dhe për këtë përgjegjësi sot ka Ali Ahmeti, siç do të kishte Menduh Thaçi po të ishte sot në alenacë me VMRO-DPMNE, jo për faktin se janë pjesë e alencës, por për faktin se faktori shqiptar në Maqedoni është i përçarë, fragmentar dhe larg çdo uniteti të dëmosdoshëm për të arritur implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Andaj unifikimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni, pa cënuar spektrin politik, është sot i domosdoshëm si uji dhe ajri. Faktori shqiptar vetëm i bashkuar, si koalicion politik, mund të funksionojë në të mirë të shqiptarëve, faktorit shtetformues të Maqedonisë. Vetëm të bashkuar mund të jenë të fuqishëm në aleanca me faktorin politik maqedon.
Prej këtu, duhet të fillojë politika e partive shqiptare në Maqedoni, prej unifikimit të tyre. Mjaft me broçkulla dhe teori. Ajo që duhet të bëjë faktori politik shqiptar është se pa e zgjatur duhet të bashkohet dhe të faktorizohet, sepse vetëm kështu mund të arrijë të realizojë ato që i ka premtuar elektoratit kur ka marrë votën e tij. Pasi në pushtet nuk ka ardhur për romanca apo për politika të tipit triller, por për të bërë politikë shtetformuese, dhe politika shtetformuese mund të bëhet vetëm kur faktori politik shqiptar do të jetë i unifikuar, pasi ne e dimë se çfarë ka sjellë përçarja midis tyre. Këtë e ka vërtetuar lufta e 2001, pasojë e së cilës ishte edhe Marrëveshja e Ohrit, që do të mbetet në letër për sa kohë faktori politik shqiptar në Maqedoni do të jetë njëri duke i rënë gozhdës e tjetri patkoit.
Prandaj e them që në krye se për faktorin politik shqiptar në Maqedoni duhet një "Marrëveshje Ohri", që të paqtohen dhe të unifikohen mes vedi. Sa të mos kryhet ky akt - le ta themi historik, - nuk do të ketë stabilitet në Maqedoni dhe fati i shqiptarëve do të jetë i krahasuar me ato skena ngjethëse që i kemi parë të gjithë, një furgon i bardhë, i bërë shoshë nga plumbat me katër shqiptarë të vrarë brënda tij dhe të etiketuar si trafikantë armësh.