Gjithë opinionin shqiptar ka mbetur i shtangur nga arrestimin brutal që Policia e Kosovës i ka bërë Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes Vetëvendosja, ku është parë qartë përdorimi i violencës ndaj një personi që nuk ishte i armatosur. Skena ku brutaliteti i tillë i organeve të sigurisë është i justifikuar, kemi parë vetëm në raste kur ishte fjala për kriminelë të rrezishmërisësë të lartë, terroristë, veprimtaria e të cilëve përbën rrezik për jetën e qytetarëve, rendin publik, vendin, rajonin dhe botën. Ndonjë bashkëpunëtor i Osama Bin Ladenit mund të arrestohej kështu, personi që u kap në tentativë për të vendosur eksploziv në Time Square, por jo Albin Kurti, i cili është një intelektual dhe lideri i një lëvizjeje qytetare e cila operon me mjete demokratike dhe nuk përbën rrezik për askënd.
Opinioni publik ka parë skuadronet e policisë me jelekë antiplumb të sulen si të tërbuar kundër Albin Kurtit, një personi publik, posa ai kishte dhënë një konferencë shtypi për mediat, ku ua bënte me dije gazetarëve se Lëvizja qytetare që ai drejton do të garojë si formacion në zgjedhjet e ardhëshme, kështu brutaliteti i policisë kundër tij është fiksuar nga kamerat televizive dhe fokuset e aparateve fotografikë, çka nuk e mohon dot kush që kundër Albin Kurtit policia ka ushtruar dhunë, dhe kjo ndërhyrje e dhunëshme e policisë kundër Albin Kurtit përbën dhunim të ligjit.
Por ajo çka tërhoqi vemendjen e opinionit publik pas arrestimit violent që Policia ndërmori kundër Albin Kurtit, ishte indiferenca e politikës në Kosovës, e cila tregoi verbëri dhe dhurdhëri, pra indiferencë totale ndaj këtij gjesti nonsens dhe brutal të organeve të mbrojtjes së rendit.
Deri sa jam duke i shkruar këtzo rradhë, pra më tepër se 24 orë nga akti i dhunshëm, asnjë politikan i Kosovës, asnjë përfaqësues i institucioneve të Kosovës, asnjë zëdhënës i institucioneve të Kosovës, asnjë këshilltar i institucioneve të Kosovës, asnjë deputet i Parlamentit të Kosovës, asnjë kryetar partie, asnjë funksionar partiak, as nga pozita apo opozita, askush, asnjë nuk reagoi ndaj arrestimit brutal të Albin Kurtit nga policia, çka dëshmon nivelin mjeran të politikës, së cilës i takonte detyrimisht të dilte me qendrimin e vet, në nivelin zyrtar dhe partiak, si dhe në nivelin njerëzor, sepse përpara se Albin Kurti të jetë lideri i një lëvizje qytetare, ai është njeri, dhe dihet se të drejtat elementare të çdo qytetari janë të paprekëshme dhe të pacënueshme nga organet e rendit.
Vetëm disa NGO, Organizata Jo Qeveritare, OJQ në Kosovë dhe Maqedoni reaguan pas arrestimit violent të liderit të Vetëvendosjes nga policia me antiplumb, midis tyre shënohet reagimi i KMDLNJ, e para që "konstatoi se ndërhyrja e policisë për arrestimin e Kurtit, në selinë e Lëvizjes, ishte e dhunshme". "Gjatë këtij intervenimi", thuhet në komunikatën e KMDLNJ, "policia ka përdorur dhunë fizike me ç'rast janë lënduar rëndë: Salih Zyba, Frashër Krasniqi, Nderim Matoshi, Florian Molliqaj dhe Faton Zeka." " Albin Kurti", siç theksohet në komunikatë, "e ka të çarë ballin pasi policia e ka përplasur për dritare." "Të arrestuarit", gjithnjë sipas KMDLNJ-së, "janë rrahur edhe në vetura të policisë, si dhe në sallën e Qendrës për Ndalim. Monitorues të KMDLNJ-së në sallë kanë vërejtur fasha me gjak, shiringa dhe njolla të gjakut, që siç thuhet më tej në komunikatë - është dëshmi se të arrestuarit e kanë pësuar nga dhuna e policisë."
Konstatimet e KMDLNJ-së në rastin më të fundit të ushtrimit të dhunës kundër Albin Kurtit dhe aktivistëve të tjerë të Vetëvendosjes hedhin dritë në abuzimin flagrant të Policisë ndaj qytetarëve të Kosovës, i patolerueshëm në një shtet demokratik, ku Policia ka për detyrë që të mbrojë qytetarin dhe jo ta sulmojë atë.
Policia e shtetit të pavarur të Kosovës është nën juridiksionin e qeverisë së Kosovës, e cila duhet të ketë një reagim të menjëherëshëm si ndaj violencës sikurse edhe ndaj arrestimit të Albin Kurtit. Policia e Kosovës operon në kuadrin ligjor të sanksionuar nga parlamenti i Kosovës, çka do të thotë se deputetët e Kosovës duhet të reagojnë njëzëshëm ndaj shkeljeve të saj brutale, sepse nëse ata i mbron imuniteti i politikanit, qytetarët e Kosovës janë në mëshirë të arbitrariteteve si rasti më i fundit, nga sulmi i skuadroneve të policisë me jelekë antiplumb kundër qytetarëve të Kosovës.