Shefi i zyrës ushtarake të presidentit, përfaqësuesi i Çekisë në NATO dhe zëvendësshefi i kabinetit të presidentit, kanë dhënë dorëheqje pasi një spiun rus kishte kontaktuar me zyrat e tyre, duke shënuar kështu rrezikun më të madh për sigurinë e ushtrisë çeke.
Agjenti, një çek me emrin Robert Rachardzo, i cili kishte punuar si psikolog për shërbimin korrektues, është zhdukur vitin e kaluar dhe supozohej se gjendej në Rusi. Ky agjent i zbulimit ushtarak ishte shoqëruar me një majore ushtarake, e cila kishte punuar si shefe kabineti për të tre gjeneralët.
Karel Randak, ish-udhëheqës i shërbimit çek të zbulimit, thotë se zhvillimet e fundit konfirmojnë atë çfarë janë duke bërë rusët në Republikën Çeke.
"Jam i sigurt se këtë e bëjnë kudo, në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Amerikën e Jugut. Nuk jam i befasuar dhe nuk mendoj se Republika Çeke bën përjashtim", thotë zoti Randak.
Ende nuk është e qartë se çfarë informacionesh ka arritur të mbledhë agjenti rus, por rasti i tij është dëshmia e fundit mbi përpjekjet e Rusisë për të shtuar praninë e spiunazhit në Çeki.
Sipas zbulimit çek, së paku një e treta e komunitetit diplomatik të Rusisë në Pragë, së paku 60 persona, janë duke bërë spiunazh, kryesisht në fushën e energjisë.
Eksperti për çështje ushtarake në Moskë, Aleksander Golts, thotë se qeveria e Rusisë mbështetet fuqishëm në informacionet që grumbullon nëpërmjet spiunazhit. Ai thotë se kjo formë e të vepruarit pasqyron mendësinë e liderëve, posaçërisht të kryeministrit Vladimir Putin, ish-oficer i KGB-së.
"Në pikëpamjet e Vladimir Putinit, asgjë që thuhet në opinion, s'mund të jetë e vërtetë. E vërteta fshihet dhe mund të zbulohet vetëm me mjete të posaçme", thotë zoti Golts.
Për të, nuk është aspak befasues fakti se spiunazhi i Rusisë është i përqendruar në vendet e reja anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
Ai thekson se ish-vendet e bllokut sovjetik, siç është Çekia, të cilat kanë tash lidhshmëri me dokumente nga organizatat perëndimore ndërkombëtare, janë shënjestra të natyrshme për spiunazhin e Rusisë.
Jaroslav Plesl, gazetar çek, ka hetuar ndikimin rus në Republikën Çeke dhe thotë se Moska ende e sheh këtë republikë si pjesë të kufirit midis ish-Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit.
Megjithatë, ai vlerëson se forma e vjetër e spiunazhit që mbështetej vetëm në shërbimet e zbulimit është vetëm një nga përpjekjet e shumta të Moskës për të shtrirë ndikimin në Republikën Çeke.
Zoti Plesl është i mendimit se kompanitë e kontrolluara nga shteti dhe ato të ndikuara nga Rusia kanë qenë aktive në lobim për interesat e Rusisë, veçanërisht në sektorin e energjisë.
"Ato kanë qenë shumë aktive në themelimin e bizneseve dhe krijimin e lidhjeve ekonomike midis biznesmenëve rusë dhe çekë, por edhe politikanëve. Këto praktika mund të konsiderohen si shumë moderne", thekson zoti Plesl.
Sidoqoftë, përzgjedhja e një qeverie të re këtë vit në Çeki, mund ta prapësojë valën në rritje të ndikimit rus në këtë vend. Kryeministri i qendrës së djathtë, Petr Necas, duket të jetë më serioz në betejën e tij për të mposhtur ndikimin e Moskës.
Gazetari Plesl thotë se derisa Necas të jetë në pushtet, do të ketë gjithnjë e më shumë raste që do të zbulohen në opinion mbi ndikimin e Rusisë në Çeki. Dhe, kjo nënkupton se do të zbulohen më shumë spiunë rusë.
(http://www.evropaelire.org)