Me dhimbjen dhe pikëllimin më të thellë mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të një burri të veçantë që sot të rrallë i ka shqiptaria, intelektualit, shkrimtarit, luftëtarit të Lëvizjes së armatosur të komandant Shaban Palluzhës, përjetuesit dhe mbijetuesit të Masakres Famëkeqe të Tivarit të 1945-ës, autorit të më se 8 librave me tema në të cilat historianët kishin dështuar, veprimtarit të spikatur për gjatë gjithë jetës së tij për çështjen kombëtare dhe mbi të gjitha burrit të burrave e humanistit të rrallë, mikut tim më të dashur që kisha për rreth dyzet vjet rresht, Azem Hajdini-Xani. Me lot rrëke për faqe shkruaj këtë nekrolog përmes të cilit i shpreh ngushllimet e mia më të thella gjithë popullit liridashës shqiptar, familjes se të ndjerit dhe gjithë miqve e dashamirëve të tij.
I përmotshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e ndritur të këtij veterani të luftës dhe paqës, të Madhtt e të paharrueshmit nëpër breza, zotëri Azem Hajdini-Xani.
Për këtë burrë burrash, një vit më parë unë kisha shkruar edhe këto vargje modeste poetike të cilat po ua prezantoj në vijim mu në ditën e varrimit të Azemit, sot më 20. 09. 2010. në vendlindjen e tji, fshatin Dashec të komunës së Skënderajt. Më poshtë do të vendos edhe linkun nga Wikipedia ku shkruhet më gjërësisht për jetën dhe veprën e ndritur të këtij veterani të luftës dhe paqës.
MBIJETESË STUHISHË
Azem Hajdinit-Xani në ditëlindjen
e 85-të 15. 07. 2009
Njeriu jeton sa vepra e tij
e kujtimi për të nuk zhbëhet kurrë,
kur len gjurmë në histori,
lind si engjëll e vdes si burrë.
Të vish nga çerdhja e shqipeve të malit,
nga Drenica trime-kreshnike,
të luftosh krah komandant Shabanit
padyshim, është vepër heroike.
Një Tivar famëkeq të mposhtësh
për shumë kë që ish fat i zi,
përball bishave të mos gjunjëzohesh
të mbijetosh është mrekulli.
Kur shumë sfida tejkalon
e faqebardhë mbetesh përherë,
gjithë shoqëria të admiron
si njeri që ka shumë vlerë.
Burrë i burrave Azem Xani
lind e rritë ku u lind trimëria,
gjithë çka kishte atdheut i fali
për të do të shkruaj dhe historia.
Udhërrëfyes është për rininë
drejt të ardhmes për të marshuar,
mbi të gjitha të çmojë lirinë
atdheun e vet për t'a lulëzuar.
Vepra e tij është e përmotshme
kurrë s'do të zbehet nëpër breza,
vlera e saj është e devotshme
për gjithë ne do të shndrij si rrezja.
Në këto pak vargje që radhita
shumëçka mbeti e pathënë,
shumë më shumë do flasin veprat
vetë Azemi që na i ka dhënë.