Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i partisë socialiste e ka treguar, më në fund, sipas tij, arsyen kryesore pse kjo parti nuk ka votuar në Kuvend ligjin për gjykatat administrative. "Opozita nuk mund të lejojë që një tjetër gjykatë të kalojë nën kontrollin e kryeministrit Sali Berisha," tha ai.
Zëri i Amerikës komenton se "reagimi i zotit Rama erdhi pas qëndrimit të dy ditëve më parë të ambasadës amerikane e cila identifikoi opozitën si përgjegjëse për dështimin e miratimit të ligjit në parlament. Mosmiratimi i tij bën që të paktën 16 milionë dollarë fonde të destinuara për një projekt për këto gjykata të digjen."
Në mediat e Shqipërisë kam lexuar dhe dëgjuar ndërkohë se Shqipëria është i vetmi vend në kontinentin e Evropës që nuk i ka ende gjykatat administrative. Në shpjegimin paraprak të ambasadës amerikane në Tiranë, kur i bëhej thirrje opozitës së atjeshme ta jepte votën për këtë institucion, thuhej ndër të tjera se ky institucion (gjykatat administrative) është i domosdoshëm për luftën kundër korrupsionit në administratat shtetërore.
Opozita në Tiranë aktualisht ndodhet në një fushatë - kulmore, thonë disa komentatorë, denoncimesh mediatike për korrupsionet e familjarëve të zyrtarëve të lartë të administratës aktuale të Shqipërisë. Nëse kjo opozitë ishte e interesuar ta vinte me shpatulla në mur kundërshtarin ose, më mirë, të ishte e interesuar për çrrënjosjen e korrupsionit apo edhe të lidhjeve të administratës me krimin e organizuar ndërkombëtar, siç mëton ajo, atëherë do të duhej që ta kërkonte urgjentisht krijimin e gjykatave administrative në Shqipëri.
Është, pra, tejet e qartë se duke mos pasur gjykata administrative atëherë nëpunësit e administratës aktuale, nga më të lartit deri tek më të ultit, do ta kishin më të lehtë për të bërë korrupsion dhe mafie, siç akuzohen retorikisht nga opozita. Ashtu si krimi tjetër, për shembull, do të ndihej shumë më mirë nëse në Shqipëri nuk do të ekzistonte fare sistemi i drejtësisë. Sado i korruptuar apo i inkriminuar të jetë ky, në të vërtetë, për hir të ekzistencës së vet, është i detyruar të bëjë diçka kundër krimit. Ashtu edhe gjykatat administrative, sado të dobëta, të instrumentalizuara, partiake të ishin, prapë se prapë, do të ishin të detyruara të bënin diçka kundër korrupsionit në administratën shtetërore.
Pra, socialistët me fjalë janë kundër korrupsionit të administratës aktuale dhe lidhjeve të saj me krimin e organizuar ndërkombëtar, ndërsa me vepra janë në favor. Nuk mund të kishte nder më të madh se ky që socialistët do t'ua bënin demokratëve. Një nder të cilin, me siguri, socialistët do të pristnin që t'ua kthejnë demokratët, kur këta të jenë në opozitë. Pra, kemi të bëjmë me një empati të mbrapshtë të opozitës aktuale me opozitën e saj të ardhshme të mëtuar prej tyre. Nuk po flas këtu që të ketë një marrëveshje të nëndheshme midis palëve në mënyrë që asnjëra palë të mos ia votojë tjetrës ligjet të cilat nuk iu leverdisin asnjërës kur janë në pushtet, as kur janë në opozitë.
Kryeopozitari, në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, ngre edhe një mëtim tjetër, se, sipas tij, opozita kishte vërejtje për ligjin e paraqitur për miratim. Edhe ky mëtim është për herë të parë dhe është i pashfajësueshëm, sa është edhe në dobi të të korruptuarve dhe të inkriminuarve. Nëse kishte pasur vërejtje, atëherë opozita të kishte luftuar në komisionet, në seancat plenare, në debatet mediatike, në komunikimet me partnerët perëndimorë, në radhë të parë ata amerikanë, në mënyrë që këto vërejtje të ishin pasqyruar. Por, duke u dëmtuar korrupsioni i pozitës, do të dëmtohej edhe korrupsioni i opozitës, duke u dëmtuar lidhjet mafioze të njërës, dëmtoheshin edhe lidhjet mafioze të tjetrës. Shqipëria është i vetmi vend, ndoshta, të paktën sa lexojmë dhe dëgjojmë në mediat e atjeshme, ku opozita matet e mbase ia kalon pozitës, për korrupsion dhe për - siç thonë - lidhje mafioze.
Në debatet mediatike të këtyre ditëve, eksponentë pranë kryetarit socialist, kanë ngritur mëtimin që gjykata administrative, për të mos qenë edhe ajo në duart e kryeministrit, t'i jepet opozitës. Edhe ky mëtim ndodh për herë të parë dhe bëhet jozyrtarisht. Sepse institucioni ku ato zyrtarizohen është parlamenti, pra Kuvendi i Shqipërisë. Dhe zyrtarisht partia socialiste i ka kërkuar partisë demokratike vetëm hapjen e kutive në shkëmbim të votës për ligjin e gjykatave administrative.
Socialistë e dinë mirë se duke mos ua votuar demokratëve ligjin për gjykatat administrative, as këta nuk do t'ua votojnë socialistëve këtë ligj kur të kenë ndryshuar pozicionet e tyre. Një precedent i mirëpritur nga të dyja partitë. E dinë gjithashtu se asnjëra palë nuk mund të marrë vota nga populli sa të sigurojnë një shumicë votuese për këtë ligj dhe për ligje të tjera që kërkojnë dy të tretat, tri të katërtat apo tri të pestat e votave.
Zhvillime të tilla çojnë në një përfundim të vetëm: politika është në tërësi në të njëjtin konflikt interesi të përbashkët. Nuk kemi një konflikt interesi të ndryshëm të njërës palë nga ai i tjetrës palë. Dashtë Zoti të mos jetë kështu dhe politika në Shqipëri, më në fund, të luajë me letra mbi tavolinë. Dhe pa dorashka.
Fjalor në fund të tekstit: Empatia është ajo dukuri psikologjike e cila shpreh aftësitë për të kuptuar, ndier dhe përjetuar mendimet dhe emocionet e dikujt tjetër në një situatë të caktuar.
(Botuar në Bota Sot më 10 tetor 2010)
EMPATI E MBRAPSHTË E SOCIALISTËVE ME DEMOKRATËT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ