Sa herë ndaloj në Korçë sytë më magjepsen nga pastërtia e rrugëve të kalldrëmta dhe trëndafilat gjithë aromë që u rrinë si kurorë portave antike të rrethuara me kangjella ndërtuar nga mjeshtërit e familjeve shekullore korçare.
Kur shoh kangjellat e oborreve, apo dritaret me kanata druri të shtëpive karakteristike korçare, në imagjinatën time duket sikur dalin si hyjnesha vajzat korçare të cilat dëgjojnë këngët melodioze të serenatave, që aq ëmbëlsisht u këndojnë të dashurit e tyre poshtë ballkonit që kundërmon nga aroma e luleve të shumëngyrshme.
Serenatat korçare dhe qyteti i Korçës është një binom që do të mbijetojë përjetësisht.
Melodia dhe tekstet e tyre janë bërë pjesë e gëzimeve dhe dasmave në gjithë trojet shqiptare, ato janë si gëzimi i vellove të bardha të nuseve shqiptare.
Korça të rrëmben brenda lirizmit të ngrohtë të serenatave dhe ndoshta të lë pagjumë, ngase bëhesh pjesë e pagjumësisë së gjithë qytetit që nuk di të flerë, si ato çupkat korçare që rrinë ngrohtë në folezën e dashurisë në natën me hënë kur dëgjojnë këtë serenatë...
Në mes të natës në qetësi/ ti në ballkon më rrije/ e më vështroje me ëmbëlsi/ o moj korçarja ime...
Korça të duket sikur është në këngë dhe gaz e gjitha, duket sikur me zërin melodioz dhe kitaren në dorë i këndon Himnit të Dashurisë:
Në bankat e shkollës moj mike/ dy emra i gdhendëm dikur/ as vetë nuk e di si më ike/ dhe zemrës i vura një gur!
Duke udhëtuar rrugës për në Korçë kujtoja me nosalgji këngët korçare, që kemi kënduar kur shkonim në aksionet rinore një mujore, ishte një ndjesi që e bënte të pamundur memorjen të mos ngacmohej duke kënduar, pasi vetë vendet si Quksi, Librazhdi nëpër të cilat po kalonim, ishin vendet ku kishim shkuar si studentë për të punuar në hekurudhë....
Tashmë ato ndërtesa të mjera dukeshin si guacka te thermuara në breg, të hedhura nga dallgët e kohës, ndërsa duartë punëtore të njoma të studentëve më vareshin si mjergulla në kodrat përreth.
I kundroja nga larg ato vise dhe me vete thoshja se bota duhet të pushtohet nga serenatat korçare, nga ëmbëlsia e gjuhës, dhe jo nga shpata dhe jatagani, që fatkeqësisht disa dokumentarë televizive në kohën e diktaturës gjithë elegancën e mendjes së qytetëruar e varën në majë të thikës dhe shpatës...
Nga qielli i thinjur i kujtesës, më shfaqeshin kalimthi ca shina të ndryshkura me gjurmë pune të lodhshme, ku kalonte treni i udhëtarëve vetëtimthi...
Unë vazhdoja të këndoja serenatat e ëmbla korçare duke përtypur kujtimet e bukura apo të trishta nëpër kapanonet ku flinim në aksionet tona, ndërsa ishja e shoqëruar nga dr.M.Isaku dhe grupi i saj, korçarë intelektualë të cilët na shoqëruan gjatë udhëtimit tonë për në Korcë. Një zile telefoni e ndërpret meditimin tim gjatë rrugës, ishte një zë që e dëgjoja për herë të parë, por që poezitë e bukura të saj kishja kohë që i lexoja.
Ishte shkrimtarja K.Zavalani, e cila kishte pasur shumë dëshirë të udhëtonte me ne, por vonesa e lajmërimit kishte bërë të vetën. Dëshirën e përbashkët të njohjes e realizuam në Tiranën tonë të bukur...
Ne vazhdonim të ecnim dhe të këndonim së bashku, kurse xhamat e makinës lageshin nga një vesë e butëz shiu me pikla të argjendta vezulluese që shkëlqenin dhe më shumë ngazëllimin e shpirtrave tanë, për t'u takuar me shkrimtarët korçarë "Bota e re", të cilët na kishin ftuar në vendin e kulturës, në bibliotekën "Thimi Mitko" në Korçë.
Ishte një ndjesi e bukur mbështjellë me dashurinë e pastër të poetëve korçarë me sherbet mikpritjeje.
Shkrimtarët korçarë dhurojnë mjaltë me hojëza poezie
Ftesa e ardhur nga kompozitori dhe kantautori i mirënjohur korçar z..Kajno si dhe nga shoqata e shkrimtarëve "Bota e Re", me kryetar z.Ylber Merdani ish i përndjekur politik si ndër familjet më të pasura të Korçës, më dhanë një kënaqësi brenda shpirtit tim.
Dhoma kryesore e bibliotekës së qytetit të Korçës "Thimi Mitko", atje ku na prisnin miqtë, ishte mbushur plot me shkrimtarë dhe dashamirës të artit dhe të kulturës.
Në krye të vendit qëndronte poeti i shquar z.Skënder Rusi, drejtor i bibliotekës "Thimi Mitko", që mban emrin e folkloristit të shquar shqiptar. Mjaft interesant është fakti se kjo bibliotekë është krijuar nën kujdesin e Federatës "Vatra" dhe ishte vendosur pranë Bashkisë, sot ndodhet në një godinë tjetër të qytetit.
Nuk i kishja takuar më parë shkrimtarët e Korçës që ndodheshin aty, por nga leximi i librave ishja magjepsur prej poezive të tyre, pas metaforave të befta...
Edhe pse poetët dallohen nga njeri-tjetri në mënyrën e të shkruarit, ata se ç'kanë një gjë të përbashkët, atë hyjnoren, përshëndetjen e nxehtë poetike.
Vargjet e poetit Rusi jane korale të shpirtit të tij lirik, të një lirike të ngrohtë dhe tejet përjetuese. Lirika e tij duket sikur e ka fituar përjetësisht dashurinë e lexuesit si poezia që po sjellim më poshtë: "Fitorja e ngadalshme".
Hyra prapë në sytë e tu jeshilë/ Në bebëzat e tyre/ zura prapë vend!/ Më pas trokita në shtëpinë e shpirtit/ Ku ca të tjerë prisnin prillin tënd!/ Dhe m'u duk vetja sikur isha një Odise/ Ndërsa ti-Penelopa e famshme!/ Të pata pushtuar një here kur ishe e re/ Por nuk mburrem me pushtimet e mëparshme!/ Eh/ Zgjasin më shumë/ Fitoret e ngadalshme!
Krah meje ishte kompozitori Kajno i cili i ka rrënjët nga një familje me tradita të hershme kulturore, nëna e tij Izmini zotëruese e disa gjuhëve të huaja dhe mikeshë e afërt me Tefta Tashkon kanë qenë në një bangë në shkollën e vashave. Ajo luante violinë dhe ka marrë leksione private nga piktori i popullit Vangjush Mio.
Kështu që kjo traditë e pasur kulture është trashëguar tek Kajno.
Pasi jemi përshëndetur me njeri-tjetrin poetikisht, Z.Kajno çohet me ngadalë dhe vendos CD-n. Dhoma u mbush me tinguj serenate ku disa tekste ishin marrë nga poezi të miat.
Ishte një surprizë e këndshme që do të ngelet gjatë në kujtesën time.
Ndërsa dr.Merita po vallëzonte me z.Merdani nën ëmbëlsinë e serenatave të Nonda Kajnos unë kujtoja lidhjet e qytetit të Korçës që janë të hershme me Mezhgoranin tim të Tepelenës. Në mendje më vinte artisti i popullit Kristo Kono, guri i themelit të operës shqiptare, ku disa nga kompozimet e tij si: "Kur më vjen burri nga stani", janë intepretuar mjeshtërisht nga artistja e madhe Tefta Tashko Koço, ndërkohe nuk kishja se si mos të kujtoja dhe kompozimin e tij për Mezhgoranin, interpretuar në koncertet instrumentale me titullin "Fantazia Mezhgorani".
Më vonë ka përshëndetur z.Merdani i cili foli me dashuri për librin, Korçën, lidhjet që kemi midis dy shoqatave tona të shkrimtarëve në Korçë dhe Amerikë.
Ai fliste dhe në mendje më vinte një nga poezite e tij tronditëse, rrënqethëse "Internimi", dhe ja si shprehet poeti në internim në vitin 1967, me këto vargje:
Hej! Mjerim, të erdha, përqafomë/ Ç'përqafim i bukur ky në mal/ Hiqma shpirtin, bëmë një kufomë/ Është e tmerrshme vdekja dalngadalë!
Eshtë vetëm kjo lloj race poetësh që të befason me cdo gjë të bukur që kanë brenda shpirtit të tyre, brenda dashurisë që ndihen si foshnje...
Ç'më bëri foshnjë kjo, dashuria/ Bije e ngrihem, vrapoj sërish.../Pa mbyllur plaga që la Baslia/ Një plagë tjetër fillon majis.
Brenda asaj salle mbushur me fjalë poetike, ëmbëlsisht u shpreh dhe shkrimtari dhe intelektuali fin Arjan Kallco, të cilit ja kam lexuar vazhdimisht poezitë, shkrimet kritike dhe më kanë lënë mbresa të pashlyeshme.
Poezitë e tij janë të ngrohta, kanë boten e tij të pasur brenda vargjeve, brenda dashurisë ose brengës si tek poezia "
Triniteti yt":
Dhe tani vështromë e heshtur/ tek po iki/ por shpirti s'është i mbushur me maraz/ merre është i yti ta kam falur/ mua s'më afrohet/ vetëm ty të ndjek nga pas.
Apo tek poezia tjeter: "
Dashuria":
E plagosur, plot zemërim/ dergjesh diku mes dhimbjesh/ dhe shigjetën thellë
të ngulur në zemër./ Por përsëri nuk jepesh, nuk tretesh/ forcat s'të shterojnë/ Dashuria është e ëmbël si nektari/ dhe ditët për të nuk mjaftojnë
.
Ndrinte salla nga penat e arta korçare, ndrinte se brenda odës së miqve më dukej sikur ishin mbledhur gjithë shkrimtarët korçarë, midis tyre dhe z.Edmond Zaçe
E vështroja sallën me kurreshtjen dhe dashurinë e nje mysafireje dhe në syte brenda shkrimtareve korçarë merrja një ndjesi të ëmbël miqësie, një ndjesi që dinë ta dhurojnë vetëm penat e tyre të arta. Teksa përshëndeste z.Theodhor Ciko në mendje më vinin vargjet e tij në këtë poezi me titull: "Natë poeti"
Zgjuar, përveçse ndjesia më dremit/ Yjet, hëna përtace lozin para syve të mi/ Shkruaj, megjithëse kjo më trondit/ Imazhet e së djeshmes ha në vetmi.
Edhe tek shkrimtari Edmond Zaçe gjen po atë tis hyjnor, po atë dritëzim edhe pse mund të ketë rebelim te vargut të tij hera-herës. Ai punonte dhe pranë Burgut të Korcës për të drejtat e njeriut, disa libra të miat i mori si dhuratë për të burgosurit...
Shkrimtari Zaçe nuk mund ta kuptojë veten të ndarë nga serenatat, ndaj dhe ato tingëllojnë aq butë dhe ëmbël si: Duke rrëmbyer kitaren/ të pijmë e te ngremë dolli...
Tek vargjet e tij ne ndjejmë një përjetim të thellë, që vetëm shkëlqejenë me një lloj dridhje emocionale, një bukurizë poetike.
Z.Ali Bregu sillte kujtime brenda dhomës poetike, ai ka shkruar një sërë fabulash.
Poezia që më ka lënë mbresa është "Kur rrëfejnë pleqtë"
Si fëmija/ shpirtin dëfrenjës/ Mbështet si i zënë në faj/ Zemrën te palc' e rrëfenjës/ Mendjen, te koka e saj.
Papritur në sallë u degjua një zë me timbër krejtësisht të veçante, ishte zëri i këngëtarit të mirënjohur te serenatave z.Gjergj Peleshi. Ishte një zë që nuk ishte vështirë ta dalloje si këngëtar.
Ai kishte një sjellje prej xhenëtellmeni, nje sjellje artisti plot mirësi dhe kulturë.
Aty do të përjetoja disa surpriza të bukura, njëra prej tyre ishte kur papritur në sallë hyri si një mjellmë e bardhë, mikja ime e Universitetit, sot mësuese në Korçë, znj.Vasilika Lubonja. E takoja atë pas kaq vitesh, lotët e nxehtë ia njomën paksa faqkat rozë vajzës së dikurshme, që dukej se nuk kishte ndryshuar fare fizionominë e saj të vajzërisë.
Sa krenare ndihesha mes tyre, mes miqve fisnikë korcarë! Fjala e saj delikate mbushur me mall dhe mirësi u ngjiz në shpirtrat e bashkëqytetarëve të saj dhe sigurisht dhe brenda shpirtit tim.
Vajzat intelektuale korçare si: Marsela Shallari, Irena Kadiu, Danjela Memeti, Irsida Take...etj, që kishin ardhur aty atë ditë, i jepnin dhe më shumë hijeshi Bibliotekës së qytetit. Ato së bashku me z.F.Gjoni dëgjonin me vëmendje dhe kënaqësi fjalët e shpirtit në atë takim poetik.
E gjithë kjo ditë ishte si një mozaik i shndritshëm dhe të bënte të ndiheshe ngrohtë në odën e miqve...
Eshtë bukur të udhëtosh drejt sofrës korçare që dhuron mjaltë me hojëza poezie...
Pritje në Prefekturë nga Prefekti i Korçës, z.Andrea Mano
Kompozitori dhe kantautori i shquar z.Nonda Kajno së bashku me z.Ylber Merdani kryetar i Klubit të shkrimtarëve "Bota e Re" në Korçë na shoqëruan per t'u takuar me Prefektin e Korçës z.Andrea Mano.
Z.Mano me nje elekuence në të folur pasi na uroi mirëseardhjen foli me krenari të ligjshme për qytetin e Korçës, për patriotët e shquar që luftuan me sakrifica të panumërta për hapjen e mësonjëtores, shkollë e parë shqipe në Mëmëdhe çka përbën një krenari për qytetin e tij dhe Kombin tonë të përbashkët.
Z.Mano falënderoi përzemërsisht Diasporën shqiptare në Amerike për punën dhe kontributin e tyre të vyer në çështjen kombëtare.
Lidhjet e qytetit tim vazhdoi z.Mano kanë qenë qysh dy shekuj më parë dhe këto lidhje shpirtërore dhe vëllazërore janë të përjetshme.
Në këtë kuptim ai përshëndeti shkollën shqipe dhe gjithe mësueset e saj në New York si dhe në shtetet ku janë hapur shkollat shqipe, po ashtu dhe bashkëpunëtorët e TV Alba Life që po punojnë me përkushtim dhe patriotizëm për t'ju mësuar fëmijëve të Diasporës gjuhën e ëmbël shqipe.
Ai cmoi së tepërmi dhe punën e shkrimtarëve të Korçës dhe lidhjet që mban kjo shoqatë me shoqatën e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Pas fjalës së Prefektit zotit Mano, kanë përshëndetur dhe zotërinjtë Kajno dhe Merdani të cilët falënderuan mikpritjen e Prefektit që u afron shkrimtarëve shqiptare.
Takim u filmua nga TV Korça me fotograf z. Leonard Nikolla dhe kameraman z.Behar Fejzullai.
Duke zbritur shkallëve të Prefekturës, një godinë e bukur që ndodhej në qendër të Korçës, u ndala në portretet e gjithë Prefektëve që kanë udhehequr Korçën gjatë historisë së saj. Syri më kapi shumë shpejt emrin e ish prefektit të Korçës Veli Vasjari, nje prefekt me origjinë nga Tepelena.
Sa bukur thashë me vete, ç'vëllazëri ndjeva brenda shpirtit tim, kur lexova emrin e tij, ngase kuptova se vetëm kështu pa dallime krahinore, pa bërryla njeri-tjetrit, do të eci Mëmëdheu ynë i shumëvuajtur, në se ne do vlerësojmë kulturën dhe t'i japim meritat atij që i takon për të drejtuar vendin.
Duke u larguar prej portreteve vura dorën tek tepelenasi Vasjari dhe brenda shpirtit ndjeva dhe më shumë krenari për Tepelenën...
Pranë Mësonjëtores së Parë Shqipe
Pas takimit në Prefekturë shkuam pranë Mësonjëtores së Parë Shqipe.
Eshtë një ndërtesë e thjeshtë, e bukur, e cila ka gati dy shekuj që këndon në gjuhën e ëmbël shqipe, kështuqë të mos shkosh të prekësh atë vend, të duket sikur nuk bekohesh kur largohesh nga qyteti. Muzeu Historik i Arsimit brenda Mësonjëtores, penda e bukur që shkruajti ABC-n e cila ndodhet në oborrin e ndërtesës janë një testament shpirtëror i përkryer për të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht për Diasporën shqiptare dhe fëmijët shqiptarë që lindin në dhe të huaj, që të mos e harrojnë këtë gjuhë hyjnore, ku është derdhur mjaft gjak e mund për ta mbrojtur atë nga hordhitë barbare...
U largova nga Mesonjëtorja e Korçës duke kënduar vargjet e Naimit:
Lumja ti moj o Korçë o lule që i le pas shoqet e tua!...
Pas mësonjëtores z.Merdani na drejtoi për në gazetën e Korçës, tek z.Vehbi Furxhiu kryetar i shoqatës së gazetarëve të Pavarur në Korçë.
Z.Furxhiu na uroi me një buzëqeshje të ngrohtë mirëseardhjen dhe na tregoi për gazetën Korça se është një nga gazetat e para të pluralizmit ne Shqipëri.
Ai foli me krenari të ligjshme për këtë gazetë të mirënjohur shqiptare.
Z.Furxhiu është autor i disa veprave letrare, i sa e sa reportazheve, intevistave, shkrimeve analitike, kultura e tij e gjithanshme ja shtonte dhe më shumë hijeshinë bisedës në atë mjedis. Ishte një ditë e bukur Korçe, një ditë e shumëngjyrtë me petale që lëshonin një parfum të këndshëm. Z.Furxhiu afroi mundësinë e bashkëpunimit tonë, një bashkëpunim që do të mbështetet në kulturën dhe traditat e lashta shqiptare.
Fotografi Leonard Nikolla dhe kameramani Behar Fejzullai fiksuan në kamera për TV Korça.
Në fund një foto në celluloid me shkrimtarët korçarë pranë studios Millenium, një studio moderne dhe shumë profesionale.
U ndamë me miqtë korçarë të bindur se ai takim do te ngelet i paharrueshëm në atë
ditë te bukur Korçe, një ditë e shumëngjyrtë me petale që lëshonin një parfum aromatizues dhe të këndshëm.
Tetor, 2010
Staten Island, New York
(Marrë nga gazeta "Dielli")