VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NJË AMERIKAN NË MINESOTA, NË KËRKIM TË â€œRRËNJËVE†SHQIPTARE… Nga SHEFQET MEKO E Hënë, 02.18.2013, 10:17am (GMT1) -Ndërsa shumëkush kërkon "amerkanizim" sa më të shpejtë, një 30 vjeçar në jug të qytetit të Mineapolisit, pas dy gjeneratash, hulumton për paraardhësit e vet shqiptarë....
Atë të shtunë, i gjeta të tre miqtë në kafe. Pasi shtrënguam duart si miq e
shokë, rufita kafen duke pyetur mysafirin në tavolinë për emrin. "Më quajnë
Kesi Kluge...(Gërmëzohet Kasey).Unë e kam gjyshen nga Shqipëria..." do të më
thoshte ky djalë i imët rreth të 30ave me një fytyrë pak të hequr, me një
shprehimi ekspresive shqiptare. Ishte punë sekondash, që "akulli" i
porsanjohjes të shkrihej lehtazi. Uljani dhe Ridvani duket se kishin bërë
prezantimet e veta. Qysh në belbëzimin e parë të Kesit, munda të mësoja se
"rrënjët" e tij do të ishin diku nga jugu shqiptar. Pak anglisht, pak shqip,ai
do të më thoshte se shqipja e tij "ishte e ligë..." Qesha lehtë me këtë përpjekje
modeste të bashkëkombasit të saponjohur. Ai e përdori atë shprehjen "e ligë"
dhe më zhyti papritmas në disa fjalëza me konotacion krahinor shqiptar. "Duket
se rrënjët e tua janë diku në jug të Shqipërisë...E them nga mënyra se si e
përdor fjalën "e ligë" i thashë Kesit. "Po, po, unë e kam gjyshen nga Përmeti...
Atë e quajnë Margarita... Qysh femijë mi ka mësuar ca fjalë shqip dhe dua shumë
të "zbuloj" rrënjët e parardhësve të mi..." thotë qetësisht Kesi Kluge. Na tregon
se familja e gjyshes së vet ka ardhur në Amerikë në fillimet e shekullit të
20të, por erdhën përmes Greqisë dhe perdorën mbiemra grekë. Madje edhe
pashaporta greke. Por në të vërtetë janë shqiptarë të kulluar. Ata ishin
vendosur diku në Miluaki të shtetit Uiskonsin dhe gjyshja ishte martuar me
gjyshin e tij gjerman. "Gjyshja ime gjithmonë më ka folur me dashuri për
Shqipërinë, bile më ka mësuar edhe të bëj lakror, na tregon Kesi. "Unë gatuaj
shumë mirë lakruar shqiptar...Unë do t'u sillja lakror që sot, por gruaja ime, që
është me origjinë meksikane, më tha se është herët.Herën tjetër kur të pimë
kafe, unë do sjell lakrorin shqiptar..." Nuk e di se si kaluan më shumë se dy orë biseda. Folëm për këngët, gjuhën, politikën, traditën, të shkuarën dhe të ardhmen shqiptare... Folëm të gjithë dhe dëgjonte secili. E pyes Kesin se çfarë e shtyu të kërkojë "rrënjët" shqiptare. "Kam mbaruar kolegjin dhe një grupi ynë mori një udhëtim studimi dhe njohje në Greqi dhe Turqi...Aty pyeta veten për herë të parë: "Kush jam dhe nga vij...Më erdhën në mendje rrëfimet e gjyshes dhe ndieva emocion... Ishim diku në veri të Greqisë. Pyeta për Shqipërinë dhe dikush më tha: "Ai mali i lartë tutje është mal shqiptar...Përtej është Shqipëri..." Mu kujtua gjyshja ime, vajzë e re, e bukur, me ëndrra...Andej tutje, në ato pllaja malesh mbase ka luajtur si fëmijë...Aty janë rritur prindërit e saj, motrat, vëllezërit, kushërinjtë... Dhe kisha mall, emocion, dëshirë të madhe të shkoja deri atje, por nuk mundja... Atë moment vendosa të kërkoja më shumë për përkatësinë time shqiptare..." Duket se është edhe një arsye tjetër madhore që shtyn amerikanin e ri drejt "rënjëvë" shqiptare. Ai pret të bëhet baba për herë të parë, dhe kjo ndjesi pritje e të qënin prind, duket se e ka zgjuar dëshirën e zbulimit të pjesës së identitetit të tij shqiptar. Biseda rrëmbehet nga pyetjet dhe diskutimet. Është një "simpozium" miqsh që duan krenarisht Shqipërinë, sikurse çmojnë Amerikën, që u jep shanse të tilla emocionale. Uljan Cobo përpiqet të përshkurajë tipiken mes burrave të jugut dhe të veriut, Ridvani flet për gjuhën dhe shpirtin patriot, për Skënderbeun dhe mbretin, për diktaturen dhe komunizmin. Po tani, është demokraci Shqipëria?- pyet Kesi, njeriu që kërkon rrënjët e veta shqiptare.Secili nga ne jep një gjykim ndërsa unë veçova: " E keqja e jonë më e madhe janë qeveritë tona...Historikisht ata që vijnë në pushtet dhe qeverisje në shoqërinë shqiptare, nuk e shohin veten si aktorë të përkohshëm të progresit, por duan të diktojnë përjetësi pushteti...Këtë bëri Zogu, Hoxha dhe vetë pushtetmbajtësit e sotëm...Gjithë lufta bëhet si të mbash pushtetin, jo si ti shërbesh pushtetit dhe shoqërisë..." Natyrisht Kesi e ka të vështirë ta perceptojë këtë realitet të hidhur shqiptar dhe bën një pyetje të beftë: " Çdo të thotë Xhaxhi në shqip?..." Ridvan Hajrullahu drejtohet nga unë dhe më thotë jo pa shaka: " I thuaj se xhaxhi, dmth Enver...." Duke qeshur me atë që thotë Ridvan Hajrullahu unë përpiqem të shpjegoj konotacionin e fjalës së pyetur:"Xhaxhi osa Xhaxha përdoret në jug për të respektuar më të rriturit. Dmth një fëmijë nuk mund t'i drejtohet një 30- 40-50 vjeçari direkt me emër, por përdoret "xhaxhi" si respekt moshe. Në fakt gjatë komunizimit (Në vitet e fundit) kur thoshim xhaxhi ( në politikë kuptonim Enver Hoxhën, si njeriun që diktonte çdo gjë..." "Unë pyes për fjalën xhaxhi, sepse ajo përdorej shpesh nga gjyshja kur fliste për xhaxhin. Ishte dikush në atë fis që të gjithë i drejtoheshin me "xhaxhi". Madje ky "xhaxhi" ka përfunduar në Amerikë pa këmbë, dhe gjithë familja i shërbente denjësisht duke e mbajtur në kurris e duke e ngjitur e zbritur në shkallë... Ky rrëfim më është ngulitur si respekti dhe shërbimi më i madh ndaj të moshurave. "Ky është virtut..." kam thënë që në moshë të hershme. Kesi na tregon se ende ka një foto të "Xhaxhit" të vet me mustaqe spice, me veshje tradicionale dhe armë në brez...Është një foto e çmuar familjare që dua ta zbërthej më tej... " pohon me emocion Kesi. Ridvani ndërhyn duke thënë se "duhet kërkuar ky "xhaxhi" se mund të ketë qënë njeri i infulencës së asaj kohe...Të ishte në gjëndje të kishe foto në funded e shekullit të 19të, do të thotë se ishe dikush...Gërmo për "xhaxhin" se mund të befasohesh nga ato që mund të gjesh" sugjeron Ridvan Hajrullahu. Po rakija? - pyet Kesi. Si është zakoni se baba më ka thënë se kur shkonin në fundjave tek njerëzit e gjyshes, fillohej e pihej që në mëngjes, dhe në drekë, thuajse gjithkush ishte i dehur, e flitej me zë të lartë, me zë diktues e këndohej në shqip...
Natyrisht folëm edhe për rakinë. Folëm për gjellët dhe këngët, për dollitë dhe
gjuhën tonë si gjënë më të çmuar trashëgimore. Ishte një kohë kafe magjepsëse
në Verilindje të qytetit. Të nesërmen prisnim stuhinë e borës. Fiollat e para
po fillonin të binin qetësisht. "Unë kam shumë dëshirë të shkoj në Shqipëri...
Unë do vete në Shqipëri..." bën premtimin e vet amerikani Kesi Kluge. "Por
premtimi më i afërt është se herën tjetër do t'u sjell lakruar shqiptar që më
ka mësuar gjyshja ime 88 vjeçare"... Kesi Kluge: "Shumë famelinderit që më takuat sot. E çmoj pa masë... Mezi pres të shihemi sërish dhe të hamë lakror shqiptar..." Kjo më bën të besoj se nuk do lakojë shumë kohë kur ne do të mund të shtrëgojmë duart me zonjë Margarita, shqiptaren më të hershme në Mineapolis, që mosha mund tj'a ketë fashitur kujtesën, por jo vetëdijen shqiptare. Margarita nga Përmeti ynë,meriton një vizitë zakoni shqiptar... Ajo mund të jetë "thesar" në Minesota... Më vijnë këto mendime në mendje dhe ja tekstoj Ridos. Ai më përgjigjet: "Si jo bre burrë...është nder për ne si shqiptarë të Minesotës..." Dëbora vijon e dendësohet...Një furtunë dëbore po afrohet në Mineapolis. Nuk e di pse kjo "përleshje" në hapësirën gri qiellore të flokëve të bardha të borës, më kujton furtunat shqiptare, rrugëkryqin historik shqiptar, mbijetesën tonë triumfale ndaj atyre që kanë predikuar zhdukjen tonë, dhe luftën tonë me vetveten që nuk mbaron dhe nuk duket se do të mbarojë. Në gjithë këtë lëvizje shekullore dhe tragjike, për fatin tonë të madh,"vektorët" e kombit tim gjithsesi kanë pasur një kah pozitiv triumfues... Minneapolis, 10 shkurt 2013 SHEFQET MEKO
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |