VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
'DIELLI' U BË 104 VJEÇ Nga DALIP GRECA, Editor i 'Diellit' E Hënë, 02.18.2013, 02:38pm (GMT1)
*** Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik "Dielli" sot ka ditëlindjen, të premten, me 15 shkurt mbushi plot 104 vjet. Gazeta"Dielli" u themelua në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federohen në Vatër (dita zyrtare e themelimit të Vatrës 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Natyrisht është kjo koha më e artë e Vatrës dhe gazetës së saj Dielli. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë. Mëkëmbësi i Mit'hat Frashërit, i shumëdituri Hasan Dosti, është shprehur se "Vatra" dhe "Dielli" na zgjuanë iden' e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet". Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës "Kombi" të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë,ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Atëhere Konica në Londër dhe Noli në Boston ranë në ujdi për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës. Ende nuk dihet se kush e pagëzoi gazetën me këtë emër simbolik në kohën e errësirës otomane për Shqipërinë. Dihet se emri i Vatrës ka për Kumbar Konicën.Është e dokumentuar kjo në një artikull të botuar në gazetën Dielli me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Vatrës, në numrin special, ku Konica dëshmon:"Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpiriten e parë të VATRËS, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që Vatra, të cilën un' e lashë çilimi shtatë muajëshe, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, me 1915-1919 dhe në atë zhvillim unë s'kam patur asnjë pjesë (Faik Konica-Dielli, 31 mars 1922) Në shkollën e Diellit kanë kaluar shumë gazetarë. Editor i parë i Diellit prej Shoqërisë Besa-Besë u emërua Faik Konica, por e vërteta është se 29 numrat e parë të gazetës i drejtoi Fan Noli, më pas erdhi nga Londra Faik Konica dhe e mori në dorë Diellin. Në historinë e Vatrës është shkruar se editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli, ndërkohë që në numrin e parë të Diellit qe botuar ky shënim:"Kjo gazetë do të botohet prej shoqërisë Besa-Besë, e cila do të bëjë mbledhje të përgjithshme me 15 të marsit(1909), në Boston për të zgjedhur një direktor.Gjersa të vijë direktori i kësaj flete, Dielli do të dalë një herë më dy javë, pastaj do të nisë të dalë për javë me rregull."
Faik Konica mbërriti në Boston me 9 tetor 1909. Refat Gurazezi shkruan në
Historinë e Vatrës se "Kur doli nga "Inverna" ish veshur me kostum Kombëtar dhe
i mbajti veshur disa ditë, jo vetëm aq, por s'desh t'i hiqte dhe i lutej Fan
Nolit që të vishej edhe ai si prift me kamilaq të lartë dhe të shëtitjin tok
nëpër rrugët e Bostonit. Më në funt e bindën shokët që i hoqi ato petka dhe
veshi rroba të vendit.Më 22 të tetorit Konica mori drejtimin e Diellit." Gazeta Dielli luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen e lëvizjeve kryengritëse të viteve 1910-1912 dhe duket se kjo ishte arsyeja që Perandoria e ndaloi hyrjen e saj në Shqipëri, por u përdor një reng për ta futur gazetën sërish në Portat e Perandorisë dhe në Shqipëri, u përdor emërtimi"Dielli dhe Flamuri". Aty nga gushti 1912 Dielli u la i lirë pasi Qeveria e Qamil Pashës vendosi ta njohë autonominë e Shqipërisë, gjë që nuk u konkretizua sepse shtetet e Ballkanit i shpallën luftë Turqisë në tetor 1912.
Që në kryeartikullin e parë të Konicës në Dielli me 29 tetor 1909, u shfaq
mendimi për krijimin e një shoqërie të fortë Kombëtare, rreth së cilës të
mblidheshin të gjithë shqiptarët e Amerikës. Konica e drejtoi Diellin deri në
mars 1910, më pas për ca kohë Diellin e nxori komisioni i Besa-Besën , por ai
nuk vazhdoi më gjatë se fundi i prillit, Konica e rimori Diellin si editor në
fillim të majit deri në korrik. Gazeta nuk doli për 3 muaj. Është koha kur
Konica nxjerr Trumbeta e Krujës në St. Louis. Duke shfletuar koleksionet e Diellit, bindesh se secili prej editorëve i dha ngjyrën e stilit dhe të shpirtit të vet gazetës së shqiptarëve të Amerikës. Lënda që rrjedh në faqet e Diellit i ngjanë një përroi malor që rrjedh rrëmbyshëm, pa u ndalur; në të është përjetësuar jo vetëm historia e shqiptarëve të Amerikës, por e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Aty është kombi shqiptar, aty është shteti shqiptar, pasi qe fat për Vatrën që lindi para shtetit dhe e orientoi shtetin, që foshnje.
Gurazezi, hartuesi i së parës Histori të Vatrës, shkruan se si Noli ashtu dhe
Konica patën mosmarrëveshje me komisionin e Besa-Besën që nxirrte gazetën. Në
kohën kur Noli vazhdonte studimet në Harvard, nuk e braktisi gazetën që e
kishte krijuar vetë. Edhe pse ishte i ngarkuar me studimet dhe punët e kishës
ai gjente kohë të drejtoi Diellin edhe për nëntë muaj, tetor 1910- qershor
1911. Pas Nolit ishte Efthim Natsi, që e mori përsipër barrën e drejtimit të
Diellit për dy herë, por me periudha të shkurtëra kohore. Pas tij ishte Kristo
Floqi editor i Diellit nga tetori 1911 deri në korrik 1912. Konica edhe pse e
la Trumbetën e Krujës dhe iku nga St. Louisi, nuk u mor për ca kohë
drejtëpërsëdrejti me Diellin dhe aso kohe lëshoi një batutë, që i zemroi ata që
merreshin me Diellin "Nuk e lexoj më Diellin pasi kam frikë se harroj shqipen"
pat thënë Faiku, por në fakt iu afrua prapë Diellit dhe bashkëpunoi me të
ngushtësisht. DALIP GRECA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |