E Hënë, 01.17.2022, 12:20pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

RONALD REAGAN, NJË IKONË E POLITIKËS AMERIKANE DHE BOTËRORE

(Me rastin e 100 vjetorit të lindjes)

Nga FRANK SHKRELI


E Djelë, 02.06.2011, 10:32pm (GMT+1)

Shtetet e Bashkuara po kujtojnë këto ditë,-- përmes aktiviteteve të shumta anembanë vendit -- jetën dhe veprën e Presidentit Ronald Regan, i cili, më 6 shkurt do të mbushte 100 vjeç. Zoti Regan shërbeu për dy mandate presidenciale, 8 vjet rresht në vitet 1980 dhe sot konsiderohet si njëri prej presidentëve më të admiruar nga amerikanët, bile më i admiruar se Abraham Linkolni dhe Xhon F. Kennedy, sipas organizatës Gallup. Ai ndërroi jetë në vitin 2004 në moshën 93-vjeçare.

Presidenti Regan vlerësohet, anembanë botës për kontributin dhe rolin e tij për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë me ish Bashkimin Sovjetik. Ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbacev dhe ortaku i tij në këto përpjekje që çuan në mbarimin e Luftës së Ftohtë, ka thënë se Presidenti Reagan ishte "një udhëheqës politik i jashtëzakonshëm ... i cili kishte vendosur të bëhej njeri i paqes". Presidentit Regan i jepet kredia gjithashtu për rigjallërimin e ekonomisë amerikane, që në ato vite ishte në krizë, si dhe për frymëzimin e ndjenjës së optimizimit për shumë amerikanë dhe për arsyen që biografi i ti Llu Kenen thotë se ai "e la botën më të sigurt dhe Shtetet e Bashkuara më të begatë se ç’ishin para se ai të bëhej president".

Ai njihej gjithashtu edhe për aftësitë e tij të veçanta të komunikimit me njerëzit e thjeshtë, por edhe me kundërshtarët e tij politikë. Ai posedonte qëndrime dhe parime të forta politike si edhe një kulturë të qytetëruar politike. Zoti Regan mbahet mend për betejat politike me kundërshtarin e tij të kohës, udhëheqësin e demokratëve në Kongres, Zotin Tip O’Neill, por më në fund, mosmarrëveshjet dhe debatet, e nganjëherë edhe grindjet e ashpwra politike, nuk i pengonin që në mbarim të ditës të uleshin së bashku për të pirë dhe për të bërë shaka me njëri tjetrin. Për Presidentin Regan, i cili njihej për pragmatizëm politik, betejat politike me kundërshtarët e tij demokratë, nuk ishin asnjëherë personale dhe të ulëta, por gjithmonë në një nivel dinjitoz. Ai nuk mbante inate as ndaj gazetarëve që mund të shkruanin negativisht për të dhe administratën e tij,dhe as ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Ai i trajtonte me respektin më të madh jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe çdo person të thjeshtw me të cilët vinte në kontakt. Por mbi të gjitha, ai respektonte dhe admironte shumë popullin amerikan, në të cilin ai kishte besim të patundur.

Edhe Presidenti Obama vuri në dukje vetitë e gatishmërisë së Presidentit Regan për të bashkëpunuar me kundërshtarët politikë duke thënë se "pa marrë parasysh se çfarë mosmarrëveshjesh politike mund të kesh patur me Presidentin Regan – e unë kam patur shumë kundërshtime –është e pamundur të mohohet lidershipi i tij në botë ose aftësia e tij për të komunikuar dhe për të vënë në pah vizionin e tij për Amerikën."

Qytetërimi dhe kultura politike e Zotit Regan u vërtetua edhe në skenën ndërkombëtare, ndërkohë që megjithëse ishte njëri prej presidentëve më konservativë dhe anti-komunistë të Amerikës, kjo nuk e pengonte atë aspak të angazhohej në debate e negociata edhe me udhëheqësin e atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Zotin Mikhail Gorbachov, bisedime këto të cilat, më në fund, çuan në nënshkrimin e traktatit të parë të Luftës së Ftohtë për pakësimin e armëve bërthamore, një ngjarje kjo që në atë kohë u quajt si një "çarmatim moral", nga besnikët dhe përkrahësit e tij më të ngushtë ideologjikë. Megjithë gatishmërinë e tij për t'u angazhuar në bisedime edhe me udhëheqësit komunistë sovjetikë të kohës, të cilët ai i urrente me gjithë qenien e tij, në fillim të administratës së tij ai vuri në dukje qartë qëndrimin e tij ndaj komunzimit kur mbajti fjalimin historik para parlamentarëve britanikë në Westminstër, gjatë të cilit, ndër të tjera tha se "kjo për të cilën po ju flas tani, është një politikë dhe një shpresë afatgjatë, e që është marshimi i lirisë dhe i demokracisë, i cili do ta hedhë marksizëm-leninizmin në koshin e plehrave të historisë, së bashku me ideologjitë e tjera totalitare të cilat kanë shtypur liritë dhe shprehjen e lirë të qytetarëve".

Me rastin e100-Vjetorit të Lindjes së Presidentit Regan, udhëheqës të poltikës amerikane nga të dy partitë, duke përfshirë edhe Presidentin Obama, janë duke marrë pjesë në aktivitete me rastin e këtij përvjetori dhe në të njëjtën kohë kanë botuar artikuj dhe kanë bërë prononcime në lidhje me jetën, veprën dhe kontributin e Presidentit Regan në historinë amerikane dhe botërore, por edhe në jetën e përditëshme të amerikanëve, dhe kanë vlerësuar veprimtarinë e tij të palodhur për sigurimin e paqës, të lirisë dhe demokracisë anembanë botës.

Presidenti Barak Obama tha se "zotësia e Zotit Regan ishte në faktin se ai mundi të bashkonte të gjithë amerikanët pa dallim, rreth patriotizmit’, duke shtuar se "ne jemi të gjithë patriotë, që mbi të gjitha, vendosim fatin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë". Zoti Obama tha gjithashtu se Zoti Regan besonte se gjithsecili prej nesh ka fuqinë si individ dhe si komb për të vendosur vet fatin e vet. Ai kishte besim në premtimin amerikan, në rëndësinë e vlerave siç janë puna e rëndë dhe përgjegjësitë personale të individit, si edhe në aftësinë e vet unike për të frymëzuar të tjerët të ndërmirnnin punë dhe vepra të mëdha". Sipas Zotit Obama, "megjithëse Presidenti Regan e dinte se konfliktet politike midis partive dhe kundërshtarëve politikë janë të paevitueshme, ai ishte gjithashtu i vetëdijshëm se pa marrë parasysh se sado të pakapërcyeshme qofshin - ato nuk do të mund të prishin kurrë lidhjet që na bashkojnë", përfundoi Zoti Obama.

Nga ana e tij. Senatori republikan, Xhon Makein tha se Presidenti Regan kishte "një besim të palëkundshëm në madhështinë e kaluar dhe të ardhme të Amerikës, besim ky që provoi se ishte më i fortë se ndjenjat politike të kohës. Ky besim i fortë i tij në Amerikën dhe në popullin e saj, si dhe besimi i tij se të gjithë njerëzit duhet të jenë të lirë, sipas Senatorit Makein, bëri të mundur që Zoti Reagan t'u bënte thirrje tiranëve që të heqnin muret dhe të lejonin popujt e tyre të merrnin frymë lirisht. Ish-Governatori Mit Romney i cili është një kandidat i mundshëm për president i Partisë Republikane, në një artikull me këtë rast shkruan se Zoti Regan "u ra kambanave të lirisë dhe u dha kurajo njerëzve të guximshëm përtej perdes së hekurt që kundërshtonin një prej tiranive më të mëdha të kohërave moderne, "perandorinë e së keqes" të komunizmit, duke bërë thirrje për rrëzimin e Murit të Berlinit, që më në fund çoi në fitoren e Luftës së Ftohtë dhe në lirinë e qindra miliona njerëzve anembanë botës komuniste.

Presidenti George H.W Bush (i vjetër), i cili pat konkuruar kundër Zotit Reagan për emërimin për president nga Partia Republikane dhe i cili shërbeu në detyrën e nënpresidentit dy herë me rradhë, bashkoi forcat me Presidentin Reagan për të fituar dy mandate presidenciale dhe së bashku udhëhoqën vendin gjatë një periudhe shumë të turbullt e cila çoi në mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe në shpartallimin e ish-Bashkimit Sovjetik, tha se gjatë tetë vjetëve si nënpresident, ai mësoi nga Ronald Regan më shumë se nga ndonjë njeri tjetër gjatë gjithë karrierës së tij politike. Mbi të gjitha, tha Presidneti Bush i vjetër, ai vet, por edhe bota ka mësuar nga Zoti Regan dashurinë e mirësinë, kurajon dhe ndershmërinë, që sipas tij ishin karakteristika të njohura të Presidentit Regan.

Presidenti Reagan ishte një figurë-ikonë e shekulli të 20-të. Ai e dinte se liria ishte në rrezik dhe bëri çmos për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë pa zbrazur asnjë fishek. Ishte mjeshtër për të bindur kundërshtarët e tij, por gjithmonë duke respektuar pikëpamjet dhe dinjitetin e tyre. Ai ishte tolerant jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por, në të njëjtën kohë, ai vinte në dukje edhe një tolerancë të pashoqtë fetare. Megithëse nga besimi ishte i krishterë protestant, ai tregonte një respekt të jashtzakonshëm ndaj feve të tjera, e veçanërisht ndaj fesë katolike. Nw radhët e këshilltarëve të tij më të ngushtë dhe më besnikë kishte disa katolikë amerikanë, sidomos ekspertë të politikës së jashtme, zyrtarë të lartë si Richard Allen, i Këshillit për Sigurimin Kombëtar, William Casey i CIAs, Aleksander Haig, Sekretar i Shtetit, Vernon Walters, Ambasador pranë Kombeve të Bashkuara, e tjerë. Por njeriu më me influencë ishte William Clark, i cili zëvendësoi Zotin Allen si Këshilltar për Sigurimin Kombëtar. Zoti Clark, një ish-seminarist, mbikqyrte dhe zbatonte të gjitha direktivat që kishin të bënin me botën komuniste dhe me perandorinë sovjetike. Shumë prej autorëve të fjalimeve të tij i përkisnin gjithashtu fesë katolike, si Peter Robinson, autori i fjalimit të Zotit Regan në Berlin dhe Peggy Noonan e Tony Dolan që kanë shkruar fjalimet më të famshme të Presidentit Reagan, në lidhje me politikën e jashtme por edhe fusha të tjera. Toleranca e tij fetare – e cila transferohej edhe në fushën e politikës –u pasqyrua më së miri nga marrëdhëniet që Zoti Regan kishte me murgeshën shqiptare Nënë Terezën, Papën Gjon Palin e Dytë dhe Kardinalin Cooke të New York-ut, të cilëve, njoftohet se u pat thënë pas atentatit kundër tij, se ai besonte se Perëndia ia kishte shpëtuar jetën me qëllim për të rrëzuar komunizmin sovjetik. Sipas profesorit amerikan Paul Kengor, i cili ka shkruar disa libra mbi Presidentin Regan, rrëzimi i komunizmit për Papën Gjon Palin e Dytë dhe Presidentin Regan ishte një angazhim i përbashkët për këtë ndërmarrje historike.

Gjatë gjithë këtij viti, dhe anembanë Amerikës, janë në plan të mbahen përkujtime dhe nderime me rastin e 100-vjetorit të lindjes së njërit prej presidentëve më të mëdhenj të Amerikës. Besoj se nderimi më i madh që mund t’i bëhej Presidentit Ronald Regan me këtë rast është që politikanët amerikanë, (por edhe të tjerë) të marrin shembull nga ai, i cili megjithëse kishte bindje te forta politike, ato nuk e pengonin atë aspak t'u shtrinte dorën e miqësisë e të mirëkuptimit, kundërshtarëve politikë mbrenda vendit dhe bile edhe armiqve të Amerikës jashtë vendit.

Ndryshimi i tonit politik dhe rivendosja e një kulture politike të qytetëruar dhe respektuese për pikëpamjet dhe qëndrimet politike të njëri tjetrit – si në politikën e mbrendshme këtu në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në arenën ndërkombëtare -- do të ishte nderimi më i madh që mund t’i bëhej Presidentit Ronald Regan me rastin e këtij 100-Vjetori të lindjes.

--

Presidenti Ronald Reagan

 

Reagan me Nënë Terezen në Shtëpinë e Bardhë, 13 Qershor 1986

RONALD-REAGAN-MIKHAIL-GORBACHEV

FRANK SHKRELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PËRSHPIRTNI NAZMI LUKAJT, MIKUT DHE KOLEGUTNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
21 JANARI NË RADARIN E JASHTËM MEDIATIKNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
NJË VERSION I NËNTËDHJETESHTATËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
BAJRAKU NË ÇARSHI OSE POLITIKA NË ANKANDNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
ROJA TË SOVRANITETITZotër shtëpieNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
"PRANVERË ARABE" APO DIÇKA TJETËRNga FRANK SHKRELI (02.03.2011)
MBI NGJARJET E JANARITNga ISMAIL KADARE (02.03.2011)
NJË PAMFLET TJETËR QOSIST PËR NJË REVOLUCION TJETËR TË VONUARSi rren, shpif, flliq e ndyn dhe jargiset Rexhep QosjaNga JAHIR DEMAJ (02.02.2011)
STABILITETI I SHQIPËRISË NË FAVOR TË GJITHË SHQIPTARËVEMETODAT E EDI RAMËS DESTABILIZUESE PËR SHQIPËRINË DHE RAJONINNga Elida BUÇPAPAJ (02.02.2011)
KORTEZHI I ENVER HOXHËS DHE KORTEZHI I EDVIN KRISTAQ RAMËS SOT...Të bësh propagandë edhe me të vdekurit......!Nga BEQIR SINA, New York (01.29.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Janar 2022  
D H M M E P S
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]