E Enjte, 01.27.2022, 12:03pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

SATRAPËT SI ALEATË POLITIKË

Nga SHABAN MURATI


E Martë, 02.08.2011, 12:50pm (GMT+1)

Tërmeti politik në Egjipt jo vetëm po ndryshon rrugën dhe modelimin e atij vendi dhe të mbarë Lindjes së Mesme, por po indukton lëvizje dhe reflektime strategjike edhe për rajonet e tjera të botës, që nga Azia Qendrore e deri në Ballkan. Tronditja egjiptiane, bashkë me atë tuniziane, jemenase e ndoshta në një të ardhme të afërt, në Jordani, Algjeri, Sudan etj, po shtron me një forcë të re, ndoshta të paparë më parë, nevojën dhe domosdoshmërinë e rivlerësimit të doktrinave gjeopolitike të ndjekura nga Perëndimi në Lindjen e Mesme, në Azinë Qendrore dhe në Ballkan.

Rivlerësimi ka të bëjë me çështjen bazë dhe kyçe të këtyre doktrinave të deritanishme të Perëndimit, nëse satrapët, autokratët, despotët që drejtojnë njërin apo tjetrin shtet, janë dhe duhet të jenë aleatë gjeopolitikë të Perëndimit.

Kanë ndodhur edhe më parë tronditje politike e sociale në shtete ku sundojnë autokratët dhe të cilët kanë qenë përfshirë në listën e aleatëve gjeopolitikë të Perëndimit. Por tronditja e Egjiptit është ndryshe, jo vetëm sepse kemi të bëjmë me shtetin më të madh dhe më të rëndësishëm të Lindjes së Mesme, por sepse është shteti, ku orientimi politik dhe siguria e brendshme kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe i japin formë strategjisë dhe interesave të Perëndimit në një rajon, që është pellgu më i madh naftëmbajtës dhe gazmbajtës i botës.

Hosni Mubaraku është konsideruar aleat gjeopolitik në SHBA dhe në Perëndim, dhe për tridhjetë vjet kjo konsideratë strategjike i ka ofruar atij komoditetin e sundimit me dorë të hekurt nëpërmjet represionit dhe korrupsionit. Kjo konsideratë perëndimore ka prodhuar tolerancën maksimale perëndimore ndaj regjimit egjiptian, por edhe ndaj satrapëve të tjerë të Lindjes së Mesme. I nisur nga llogaritja gjeopolitike se regjimet autokratike janë një instrument dobiprurës i interesave gjeopolitike të Perëndimit, nuk iu është kërkuar atyre regjimeve respektimi i atyre vlerave demokratike dhe të të drejtave të njeriut, gjë që iu është bërë shteteve të fuqishme si Kina dhe Rusia.

A është funksionale kjo llogari strategjike? Në një këndvështrim pragmatik, afatshkurtër dhe disi cinik, ajo sjell një dobi, e cila nuk duhet harruar se ka edhe një kosto financiare, sepse vetëm ndihma ushtarake që SHBA i akordojnë Egjiptit kalon shifrën e 1.5 miliard dollarëve çdo vit. Regjimi autokratik i Hosni Mubarakut dhe i Mubarakëve të tjerë në Lindjen e Mesme, në Azinë Qendrore dhe në Ballkan, e kanë pranuar me dëshirë rolin e instrumentit gjeopolitik, por jo për hir të Perëndimit dhe të vlerave të tij, por për interesat e ruajtjes dhe forcimit të pushtetit autokratik.

Ajo që po ndodh aktualisht në Lindjen e Mesme, po trondit dhe po hap procesin e përmbysjes së skemave të tëra të ndërtimit të doktrinave gjeopolitike dhe të platformave strategjike të politikës së jashtme dhe të konceptimit të aleancave rajonale dhe ndërkombëtare, të aplikuara deri tani nga Perëndimi në Lindjen e Mesme, në Azinë Qendrore dhe në Ballkan. Sepse është hera e parë që Perëndimi dhe interesat e tij strategjike rrezikohen nga vetë doktrina strategjike e Perëndimit dhe ku funksioni i satrapëve si aleatë gjeopolitikë po kthehet kundër interesave të protektorëve të satrapëve.

Në një farë kuptimi, Perëndimi po i afrohet dramës gjeopolitike që pësoi Bashkimi Sovjetik në fund të viteve '80, kur lëvizjet e fuqishme demokratike të popujve kundër regjimeve autokratike komuniste të vendeve të Europës Lindore u kthyen në një bumerang kundër interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të protektorit të regjimeve autokratike, që ishte Rusia. Satrapët komunistë nuk qenë në gjendje të ndalnin rrymën e fuqishme historike të përmbysjes së regjimeve autokratike dhe ardhjen e demokracisë, e cila, si sistem i ri realizoi përmbysjen e madhe gjeopolitike pas pesëdhjetë vjetësh të dominimit të Rusisë në Europën Lindore. Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme po riprodhojnë në disa drejtime të njëjtën skemë. Sepse kemi lëvizje të fuqishme dhe aspirata të vendosura masave milionëshe të njerëzve dhe të popujve për liri dhe demokraci, kundër regjimeve shtypëse, autokratike dhe të korruptuara. Njëlloj si në Europën Lindore në vitet '80, kjo valë revolucionare protestash popullore është transnacionale dhe ndodhi në Tunizi, në Jemen dhe në vendin më të fuqishëm të Lindjes së Mesme, Egjipt. Janë të panumërt vëzhguesit, diplomatët dhe strategjistët, të cilët parashikojnë që vala sizmike mund të shtrihet në Jordani, në Algjeri, në Marok e deri në Arabinë Saudite. Popujt në Lindjen e Mesme po ngrihen kundër korrupsionit të neveritshëm të regjimeve autokratike, të cilat në ethen e ruajtjes së pushtetit personal dhe familjar, vrasin gjakftohtësisht qytetarët që protestojnë, stimulojnë dhe kanë ngritur sistemin e korrupsionit qeveritar, bashkë me shtresën e lakenjve, banditëve me kollare, spiunëve, mediave dhe NGO të blera, të cilët rrotullohen rreth magnetit të karriges së autokratit. Autokratët i shkaktojnë vetë protestat popullore, me portretet e tyre të mumifikuara për 20 apo 30 vjet në kolltuqet e pushtetit. Në një farë kuptimi po asistojmë në një dëshmi të dështimit të strategjisë së Perëndimit në Lindjen e Mesme. Perëndimi nuk e zgjidhi dot dilemën e prioritetit mes interesit gjeopolitik, vlerave dhe parimeve demokratike. Ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush i riu, pas ndërhyrjes amerikane në Irak në vitin 2003, shpalli një program ambicioz të vendosjes së demokracisë dhe të lirisë në vendet e Lindjes së Mesme. Një ambicie globale, e cila krijoi përshtypjen se SHBA kishin zgjedhur demokracinë si instrument të gjeopolitikës. Por me sa duket, programi i presidentit amerikan u bazua në iluzionin se demokracia dhe liria do të zbatohej me ata që e shtypnin demokracinë dhe lirinë, me autokratët e tipit të udhëheqësve të Tunizisë, Jemenit dhe të Egjiptit.

Ky pozicionim jo i saktë strategjik nuk mund të sillte demokracinë në Lindjen e Mesme, përkundrazi, solli fermentimin e pakënaqësisë dhe zemërimit popullor kundër regjimeve autokratike. Kjo solli në krijimin e dy rreziqeve gjeopolitike për interesat e Perëndimit, së pari destabilizimin e vendit dhe pamundësinë e autokratëve për të ruajtur qetësinë, dhe së dyti efektin domino të ndikimit në ndryshime politike në rajon.

Në programimin e interesave gjeopolitike ndërthuren shumë faktorë, por disa herë në kalkulimet perëndimore është mbivlerësuar roli i autokratit dhe nënvlerësuar roli i masës së gjerë të shoqërisë dhe të popullit në arritjen e qëllimit gjeopolitik. Tronditjet në Egjipt dhe në Lindjen e Mesme kanë krijuar një rrethanë të re gjeopolitike, ku populli dhe grupet progresive të shoqërisë po marrin përsipër rolin e bartësit të zhvillimeve demokratike dhe gjeopolitike.

Një dilemë e re është nëse Perëndimi do të ketë aftësinë të mos humbasë lidhjen dhe ndikimin e tij në këtë proces të shpejtë të ndryshimit të raporteve dhe të sistemeve politike në Lindjen e Mesme. Sepse në kohën kur fati i autokratëve duket se është vulosur, mbetet të shihet nëse autokratët do të marrin me vete edhe interesat e lidhjeve perëndimore dhe të orientimit demokratik të Lindjes së Mesme. Nëse presidenti amerikan, Barak Obama, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri britanik David Kameron, në mënyrë unanime këmbëngulën në largimin e presidentit Mubarak, kjo është një shenjë e mirë se ata e kuptuan që interesi gjeopolitik ishte divorcuar nga autokratët. Vetëm Izraeli dhe Rusia i shprehën mbështetje të hapur presidentit Hosni Mubarak, natyrisht të nisur nga interesat e tyre të ngushta, dhe jo nga interesat e Perëndimit.

Ngjarjet në Lindjen e Mesme janë një mësim shumë i madh për të përforcuar bindjen se satrapët dhe regjimet autokratike nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohen aleate të gjeopolitikës së Perëndimit, jo vetëm sepse kjo bie ndesh me sistemin e vlerave perëndimore për demokracinë dhe lirinë, por edhe sepse proteksioni i satrapëve kthehet në një bumerang për vetë interesat e Perëndimit. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Lindjen e Mesme, por edhe me rajone të tjera që janë rajone pjellore të satrapëve dhe të regjimeve autokratike, si Azia Qendrore dhe Ballkani. Nuk duhet lejuar që gabimet strategjike që janë bërë në Lindjen e Mesme, të përsëriten në Azinë Qendrore dhe në Ballkan, sepse regjimet autokratike dhe autokratët nuk janë dhe nuk mund të jenë instrument efektiv i gjeopolitikës perëndimore. Shembujt janë të shumtë në historinë e re, që nga konfliktet në ish- Jugosllavi e deri tek Kirgiztani e Kazakistani. Duke përkrahur autokratët, mund të humbasësh mbështetjen e popullit të atij vendi, dhe pa mbështetjen e popullit në një shtet të caktuar, nuk ka siguri asnjë llogari dhe asnjë interes gjeopolitik. Nuk duhet harruar se arma strategjike fituese e Perëndimit ka qenë dhe mbetet historikisht jo fuqia bërthamore, por demokracia.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NE POPULLI EGJIPTIANNga ROGER COHEN, New York Times (02.08.2011)
SHBA E BE TË NDALIN PRECEDENTIN KONFLIKTUAL TË ED RAMËSNGA ELIDA BUÇPAPAJ (02.07.2011)
GJUHA STANDARTE DHE HISTORIA E FORMIMIT TË SAJNga SKIFTER KËLLIÇI (02.07.2011)
RONALD REAGAN, NJË IKONË E POLITIKËS AMERIKANE DHE BOTËRORE(Me rastin e 100 vjetorit të lindjes)Nga FRANK SHKRELI (02.06.2011)
PËRSHPIRTNI NAZMI LUKAJT, MIKUT DHE KOLEGUTNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
21 JANARI NË RADARIN E JASHTËM MEDIATIKNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
NJË VERSION I NËNTËDHJETESHTATËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
BAJRAKU NË ÇARSHI OSE POLITIKA NË ANKANDNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
ROJA TË SOVRANITETITZotër shtëpieNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2011)
"PRANVERË ARABE" APO DIÇKA TJETËRNga FRANK SHKRELI (02.03.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Janar 2022  
D H M M E P S
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]