E Shtunë, 10.16.2021, 12:25am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

NË VEND PËRKUJTIMI PËR GAZETARIN, PUBLICISTIN DHE ATDHETARIN NAZMI LUKAJ

O MIKU IM, ATË NATË ÇDO FJALË RRIDHTE LOT...!

Nga Prof. SEJDI BERISHA


E Hënë, 04.25.2011, 03:08pm (GMT+1)

Kur bisedonim për jetën, fjalët e Nazmiut ishin më ndryshe se ato të rëndomtat, ishin plotë elan e dashuri për lumturinë, pa marrë parasysh sfidat dhe përplasjet. Kështu që, kjo forcë, Nazmiun e bënte të dashur por ndonjëherë edhe enigmatik. Enigmatik, sepse, dot nuk arrinte t’i mbërthente dhe t’i thoshte të gjitha përnjëherë, dhe kështu ngelej i etur për mendimin e drejtë dhe peshën e tij.

Thonë, se së pari njeriu gjithnjë mendon për fatin dhe për mirëqenien e familjes, të fëmijëve, bashkëshortes dhe të prindërve, por tek ai sikur ishte krejt ndryshe. Fati i kombit gjithnjë e mbërthente në atë fuqinë, por edhe në atë dhembjen e cila, sikur për çdo sekondë e çdo minutë diçka i merrte nga trupi, nga zemra e shpirti.

Pse ishte i tillë Nazmiu?! Këtë, pakkush mund ta ketë ditur, apo nuk e kanë ditur fare!. Ishte një shpirt i parehatshëm, i cili çdo gjë ia bënte "haram" duke menduar për njeriun, për historinë dhe fatin e tij. Andaj, ky shndërrohej në atë ëndrrën që ndrydh, që të përkëdhelë, të tmerron por edhe të lë në dritaren e pritjes. I tillë ishte Nazmiu kur bisedonim për atdheun dhe për rrugëtimin e kombit, të cilat gjëra, në shenjë revolte, shpesh i truanim dhe i mallkonim. Pra, kështu tani më duket se po e shoh profesorin, gazetarin dhe publicistin, duke udhëtuar në trenin e madhështisë dhe të shpresës, por me kokë në dritare dhe me shikimin e derdhur në fatin e tokës dhe të njeriut që gjithnjë i konsideronte si gjëra të shenjta. Nazmiun, që ne nuk e dinim se ishte në ikje,... në ikjen tinëzare dhe plotë padrejtësi, sepse, ai kishte synim dhe ëndërr për të bërë edhe shumëçka, për të lënë vepra shumë më me peshë e më me vlerë...!

Njeriu, qysh në vegjëli sikur e ndanë fatin dhe përcaktohet për diçka. Profesori Nazmi, edhe pse me moshë i ri, ia arriti të merr ditarin dhe gjeneratat e reja t’i sjellë në rrethin e diturisë, t’u ofrojë vlera diturie duke e begatuar çdo gjë me atdhedashuri. Ishte tejet e madhe kjo punë e profesorit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, për mësimdhënësin e lëndës së themeleve të të arriturave madhore në të gjitha fushat. Duke pasur parasysh këtë rëndësi me vlerë, atë e shohim duke nxituar si njeriun e uritur për të siguruar sa më shumë kafshatë buke. Me përkushtimin e tij për t’ia ngritur namin gjuhës së nënës, atë shpesh e kemi hasur ndoshta edhe të dalë nga vetvetja mbase edhe të ngujuar në peshën e fjalës dhe të mendimit. Aq shumë thellohej në brendinë e këtij tuneli të jetës, sa që nganjëherë ndoshta edhe i ngatërroheshin betimet: a për t’i sjellë sa më shumë dituri rinisë, apo për t’i sjellë krenari jetës dhe njeriut. Të themi se të gjitha i përziente Nazmiu, vetëm e vetëm që lumturia dhe dituria, por edhe drita e liria të bëheshin pjesë e njeriut, e shpirtit të tij. Dhe, unë jam i vetëdijshëm, dhe dua të them, se jetën e tij e kam përcjellë cep më cep, pikë për pikë. Andaj, kishte një rrugëtim interesant, të vështirë, të lumtur e të dhembshëm, por shumë njerëzor, të cilat virtyte, jo rrallë por shpesh, ia kanë nënçmuar dhe ndonjëherë edhe ka qenë i përbuzur. Gjërat e tilla, nganjëherë e demoralizonin gazetarin dhe publicistin e ardhshëm, por, aty për aty e kalitnin dhe e trimëronin edhe më shumë që të vazhdojë rrjedhën e lumit të jetës së tij.

I tillë ishte Nazmiu, i cili nuk druante as nga jeta as nga vdekja...!

2.

Duke shkruar njëherë Tolstoji, kush e di se pse, me indinjatë kishte thënë: "vetëdija e lartë e rëndon njeriun"! Dhe, nëse i referohemi këtij mendimi, gazetarin dhe publicistin, Nazmi Lukajn, një gjë e tillë kishte kohë që e kishte rënduar dhe gllabëruar. Për këtë arsye, ai, me shkrimet e veta "zbrazej" një mjete të informimit. Në gazetën "Bota Sot", përpëlitej me tema të nxehta, të cilat e lënin pa fije gjumi. Bile, mund të ketë ndodhur që shumë herë kotja e kishte tradhtuar, kurse cigarja ia kishte djegur gishtat e dorës, ndoshta për t’ia nxjerrë edhe mendimin e fundit për shkrimin e papërfunduar. Por, nuk mjaftonte vetëm kjo! Shkrimi dhe fryma e tij gjendet pothuaj tek shumica e gazetave që botohen në Prishtinë dhe në Tiranë. Dëshira e tij për informimin e njeriut dhe të kombit, ishte si dëshira e luftëtarit: me çdo çmim për ta sjellë e përjetuar dritën dhe lirinë.

Ai, ishte plotësisht i vetëdijshëm se për shumë gjëra haste edhe në kritika. Kjo, gjithnjë, ngase shpirti i tij ishte shumë përpara dhe guximshëm hapëronte, kurse lapsin e kishte "pa qime në gjuhë". Për këtë, sa herë që e kam takuar mikun tim, Nazmiun, me kërshëri më fliste për jetën dhe trysnin e saj, për etjen që kishte për t’i parë njerëzit vetëm të lumtur. Këtë, shumë ma dëshironte edhe mua, gjithnjë dhe përherë, sepse, e pëlqente penën dhe mendimin tim. Andaj, ecjen ai e shihte dhe e konsideronte si diçka të domosdoshme dhe si detyrim njerëzor. Për këtë arsye, nuk shkoi gjatë dhe e organizoi botimin e gazetës "Pavarësia", e cila për një kohë u botua në Prishtinë. Emri i kësaj gazete kishte kuptim shumëdimensional, dhe, atë e "grahi" mirë e me sukses. Aty, u dha mundësi shumë penave dhe gazetarëve që të dëshmohen, ta gjejnë veten dhe në këtë mënyrë edhe të afirmohen. Kështu ndodhi gjithnjë, të cilën gjë e forconte edhe me disa miq e kolegë të tjerë, disa prej të cilëve nuk iu ndanë as deri në frymën e fundit dhe përtej saj!

Nuk ndalej tani, ky krijues në shumë fusha. Të tillë, më vonë e hasim edhe te gazeta "Nacional", e cila botohet në Tiranë. Edhe këtu, ai bëri çmos që ta afirmojë kauzën kombëtare, vlerat shpirtërore dhe kulturore, por edhe ta afirmojë krijimtarinë e shumë krijuesve nga Kosova, e veçmas nga Peja, prej nga vjen edhe ai vet.

Forca shpirtërore e Nazmiut ishte e madhe dhe e veçantë. Kurrë nuk me hiqen nga mendja momentet kur atë e shihja me gazetën "Nacional", të cilën vetë e shpërndante në Pejë e kudo tjetër. Ishte kjo shprehje e një shpirti të madh i një njeriut të sinqertë dhe entuziast. Në Restorantin "Tiffany" në Pejë, përherë m’i lente ekzemplarët e "Nacional-it", që më gëzonin dhe ndjehesha shumë i respektuar. Herën e fundit, këtë gazetë e kam marrë po në këtë restorant, të cilën ma kishte paluar në mënyrë pedante dhe me shkrimin: "Nazmiu, në shenjë respekti"! Besoni, atë ditë diçka më theri në zemër dhe tërë trupin ma përlau dhembja për këtë njeri, të cilin nuk do ta shihja më kurrë!

Edhe pse ishte i vetëdijshëm për sëmundjen, ai gjithmonë na nderonte me gazetën në fjalë. Edhe këtu qëndron madhështia e Nazmiut...!

3.

Edhe diçka. Më kujtohet edhe fjetja e tij në redaksinë e gazetës "Bota Sot", vetëm e vetëm që t’i qëndronte besnik shkrimit dhe profesionit prej gazetarit. Kjo sakrificë, nuk mund të krahasohej dhe as të matej me asgjë, përveç se me virtytin e lartë prej njeriut të çiltër. Për këtë, shpesh e kam kritikuar, ashtu siç i kam drejtuar nganjëherë fjalë qortimi edhe për kujdesin më të madh ndaj familjes, ndaj fëmijëve që i kishte dhe i ka si lulet.

Kur bisedonim për familjen, ai ma rrëzonte mendimin tim, sepse, me përkushtim dhe me krenarinë më të madhe më fliste për fëmijët.

-I kam të shkëlqyeshëm edhe në jetë edhe në mësime...

Po. Ashtu ishte. Krenohesha edhe unë me ata fëmijë të cilët edhe unë i kurajoja duke i përqafuar dhe duke u folur fjalë miradije për mësimet që i merrnin në shkollë.

Po, pra. Vajza e madhe, Ariana, sot është studente e dhjetësheve në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Dhe shih, për madhështinë e saj, Nazmiu, prej atje, në spitalin e Tiranës, edhe pse luftonte me sëmundjen, me gëzim të madh më rrëfente:

-Sot, Ariana kishte marrë dhjetëshe...!

Tash, them, e si mos të mburren fëmijët Ariana, Arianiti, Arianita dhe Afërdita për babanë e tyre. Ata e ruajnë kujtimin dhe premtimin për te, se do të bëhen shembull i njeriut të kësaj toke, për çfarë, Nazmiu gjithnjë ishte i etur. Se çfarë përkushtimi kishte ai në jetë, është përrallë e gjatë, e cila lumturon, hidhëron dhe përmallon.

Nëse nuk gabohem, mu atë ditë kur Ariana do të ngelej pa babanë, ajo kishte marrë edhe një dhjetëshe në fakultet. Prej atëherë, gëzimi i përzier me hidhërimin ngelën shokë të dhunshëm, që dot nuk ndahen as nuk harrohen...!

4.

Kur më kujtohet biseda me Nazmiun për sëmundjen e tij, për të cilën nuk kisha ditur ndonjëherë se ai luftonte dhe kacafytej me te, në ndërdije gjithmonë me flenë ajo pesha e dhembjes së tij, e cila, po të matej me ndonjë masë, do të peshonte shumë dhe do të depërtonte në thellësitë e pamatura të tokës memece. Ishim ulur në restorantin të cilin ai më shumë e preferonte, në "Tiffany". Pasi e pyeta për familjen dhe për shkrimet për gazetën "Nacional", ai u ndal si i stepur. Heshti duke shikuar përreth, pastaj me zë të ulët m’u drejtua:

-Sejdo,...ti je i pari që po të tregoj...

-Çfarë, ashtu?!

-Jam i sëmur,...

-Si?! Çfarë të mirën ke...

Kur më tregoi për sëmundjen, nuk doja t’u besoja veshëve të mi.

-Po, po. Ndoshta nuk do të shkojë gjatë...!

Ia ndërpreva fjalët dhe tërë kohën e vërshova me bisedën e shpresës dhe të besimit. Mirëpo, tash fytyra e tij m’u shndërrua si në një hartë të tronditjes, që shpreh relieve të çrregulluara. Nuk dëshiroja në atë moment të besoj asgjë.

Tani e tutje e njihja një Nazmi tjetër, i cili qëndronte stoik, por më shumë e dëshironte vetminë dhe shëtitjen në natyrë. U dashurua edhe më shumë me bukuritë e natyrës, me bukuritë e tokës! U dashurua me bukuritë përrallore të Pejës, me madhështinë e Grykës Piktoreske të Rugovës, të cilën e donte në mënyrën e vet, dhe sikur gjithmonë e kishte ëndërr që këtë pjesë të Kosovës ta përjetojë si qendër turistike kombëtare.

Mirëpo, kjo shëtitje e Nazmiut ma këpuste shpirtin, sepse, ajo i ngjante shmalljes me vendlindjen dhe rrugëtimit në të sosur...!

5.

Takimi i fundit me Ty Nazmi, ishte i pabesueshëm se prej atij momenti nuk u pamë më. Atë mbrëmje, në shtëpinë tënde çdo gjë më dukej e rëndë. Çatitë peshonin ndryshe. Tjetër barrë banin mbi vete. Edhe shikimin që ta drejtoja më dukej ndryshe. Biseduam gjatë, por më dukej se çdo fjalë rridhte lot...!

-Ke për ta fituar edhe këtë betejë,... Njerëzit me këtë sëmundje jetojnë njëqind vjet! –i thash vetëm sa për ta bërë fjalë. Por, ai me gjithë ngarkesën shpirtërore, buzëqeshi siç e kishte zakon dhe ma ktheu:

-M’i lejo vetëm dhjetë vjet,... të tjerat po t’i fali. –mu duk se kjo fjali çdo pjesë të trupit ma lëndoi dhe ma pengoi ecjen e gjakut nëpër damarë. Ishte mbrëmje dhe nuk ndeja shumë. Në të dalë, duke u përshëndetur, ma dhuroi librin e Gjekë Marinajt "Protonizmi: Nga teoria në praktikë (Vizione letrare)", kurse në brendinë e librit kishte shkruar: "Shkrimtarit të mirënjohur, z. Sejdi Berishës, në shenjë kujtimi e respekti. Nazmi Lukaj"! E, bashkë me libër ma dhuroi edhe një stilolaps me ngjyrë të zezë. Sepse, e dinte ai që i kam në qejf stilolapsat që shkruajnë zi. Dhe, çfarë të them. Libri dhe lapsi me peshuan hiq më pak se dhjetëra tonelata. Ishin zjarr që më përcëllonte. U përshëndetem,... e, kjo përshëndetje mbeti përshëndetja e përgjithmonshme me mikun tim, Nazmi Lukajn!

Kjo ndarje ishte me plot padrejtësi. Tradhtare, ishte kjo ndarje...! Nazmi, tani të takoj vetëm në kujtime, të cilat më lënë pagjumë,... të cilat më trishtojnë.

Nazmi, për fund dua të të them edhe diçka. Pusho i qetë, sepse askush nuk ka besuar se aq shumë të paskan dashtë njerëzit, numri i të cilëve, atë ditë kur të përcollëm për në shtëpinë e fundit, por edhe tri ditë radhazi gjatë ngushëllimeve, i kalonte shifrat e mijëra e mijëra njerëzish të të gjitha moshave. Ato momente dhe ato ditë, emri yt i ngjante gjerdanit të pakëputur duke u shqiptuar me peshën e respektit, të dhembjes dhe krenarisë. Sa i madh ishe dhe mbete, Nazmi. Tani, qëndron si figurë e pavdekësisë dhe e krenarisë në historinë e njeriut dhe të atdheut tënd. Krenari është kjo,... s’është vdekje.

Nazmi, të gjithë njerëzit e përkushtuar janë melankolikë, të dhembshëm dhe si të tillë shpejtë dhe befasisht ikin, mu si zogjtë e trembur, që pas lënë madhështinë si amanet. Kurse, kjo që shkrova për ty është shumë pak,... krejt pak, sepse, je duke shëtitur nëpër damarët e gjakut tim. Andaj, sa ka vlerë shkrimi kur ti s’je më...!

Prof. SEJDI BERISHA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PRANVERA ARABE ËSHTË 2011, JO 1989Nga JEAN-MARIE GUÉHENNO, New York Times (04.24.2011)
TEK RUDINA XHUNGA GJUETI SHTRIGASH DHE ANTIAMERIKANIZËMNga ELIDA BUÇPAPAJ (04.19.2011)
KUJTIMI DHE NDERIMI YNË PËR HERONJTË, DETYRË DHE OBLIGIM NDAJ AMANETIT TË TYRE...!Nga HAFIZ GAGICA (04.19.2011)
VAZHDON VASALITETI I MEDIAVE TË TIRANËS NDAJ ISH DIKTATORIT RAMIZ ALIAE mënjanojnë pak, e pastaj për amoralitetin e tyre e rikthejnë si meteor…Nga ELIDA BUÇPAPAJ (04.18.2011)
LUTU. SHPRESO. PËRGATITUNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (04.15.2011)
ENDE LËVDATA PËR LUGATINNga FRANK SHKRELI (04.14.2011)
POEZI PËR JETËN E PËRDITSHMENga DAVID BROOKS, New York Times (04.13.2011)
HISTORIA KOMBËTARE, VETVETJA JONË QË DUHET RISHKRUARNga VASIL TABAKU (04.12.2011)
FAJI NUK ËSHTË TEK PRINDËRITVështrim mbi mos-mësimin e gjuhës shqipe në Zvicër dhe përgjithësisht në diasporëNga DRITON M. KAJTAZI (04.12.2011)
NJË KRYETAR "PART-TIME"Nga MUJË BUÇPAPAJ (04.10.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2021  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]