VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SOLIDARIZIM ME PROF. DR. MEHDI HYSENIN

Nga ESHREF YMERI


E Enjte, 06.09.2011, 06:48am (GMT1)

Në gazetën "Tribuna Shqiptare" të datës 07 maj 2011, lexova analizën e Prof.dr. Mehdi Hysenit, me titull: "Nuk habisin deklaratat antishqiptare të Boris Tadiçit, por deklaratat tmerruese të shqipfolësve që mohojnë ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë".

Profesori i nderuar Mehdi Hyseni, në të gjithë publicistikën e vet të pasur, tash sa vjet ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të shquar për çështjen kombëtare shqiptare. Idetë dhe analizat e tij përbëjnë një sintezë të përkryer të mendimit politik shqiptar me kah nacionalist. Në fushën e mendimit në fjalë një kontribut të shquar, po ashtu, ka dhënë dhe vazhdon të japë zoti Abdi Baleta dhe gazeta "Rimëkëmbja" gjatë gjithë viteve të botimit të saj, deri në janarin e vitit 2007.

Në analizën e vet, Profesori i nderuar thekson:

"Nuk duhet të frikësohemi as të katandisemi nga ideja dhe kërkesa e domosdoshme dhe e ligjshme e ribashkimit të Kosovës, të Anamoravës, të Iliridës, të Çamërisë dhe të Malësisë së Madhe me gjysmë Shqipërinë e sotme të lirë dhe të pavarur, sepse kjo do të ndodhë, mos sot, nesër. Kësaj ideje dhe kërkese të natyrshme historike, ligjore, demokratike dhe paqësore, i frikësohen vetëm vendet fqinje kolonialiste dhe imperialiste, të cilat, edhe sot, në erën e integrimeve euroatlantike, në mënyrë ilegale, i mbajnë nën sundimin e tyre të egër kolonial më se gjysmën e kombit shqiptar dhe të territoreve të Shqipërisë. Ky është problemi më serioz, që edhe sot e rëndon dhe e preokupon Ballkanin e sotëm. Pa zgjidhjen e këtij problemi, integrimi i popujve të Ballkanit në BE, është vetëm një dëshirë dhe një utopi sui generis".

Klasa politike në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup rreket t’u mbushë mendjen shqiptarëve se parësore sot janë integrimet evropiane, duke harruar që shqiptarët, para së gjithash, duhet të "brendaintegrohen". Ky integrim brenda vetes, i cili duhet të jetë politik, do të bëjë të mundur nxjerrjen në pah të të gjitha vlerave të kombit shqiptar, krahas kombeve të tjera në Evropën Juglindore. Në kushtet e tanishme është e kotë të vazhdohet gjatë me krijime mikroshtetesh shqiptare brenda territoreve etnike shqiptare, shtete këto që asnjëherë s’kanë për t’u ngritur më këmbë dhe as për të hyrë në rrugën e zhvillimit të përparuar ekonomiko-shoqëror. Prandaj mendimi intelektual shqiptar me kah nacionalist duhet të solidarizohet plotësisht me analizën e Profesor Mehdi Hysenit dhe t’u bëjë thirrje të gjithë intelektualëve shqiptarë, në mbarë trojet tona etnike, që të japin kontributin e tyre të vyer për emancipimin e klasës politike shqiptare të trekëndëshit të lartpërmendur që të çlirohet një herë e mirë nga ideja e integrimeve evropiane, pa një integrim, fillimisht, brendashqiptar. Ky integrim duhet të jetë paqësor. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të binden se është e nevojshme që të organizohet "Konferenca e Londrës 2", për të korrigjuar gabimet e rënda të së kaluarës, siç kanë theksuar me shumë të drejtë Robin Kuk dhe Uesli Klark, gabime këto që i shkaktuan një tragjedi shumë të rëndë mbarë kombit shqiptar.

Los Anxheles, Kaliforni

08 qershor 2011

ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.