VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BRAVO, ZONJA FAJON!!!

Nga Prof. dr. ESHREF YMERI


E Enjte, 06.16.2011, 10:45am (GMT1)

Në lajmet e pasdites së sotme të kanalit televiz "abc news", lajme këto që për Kaliforninë (e cila me Tiranën ka një diferencë kohore prej nëntë orësh) na përcillen si lajme të "mëngjesit", u njoha me reagimin e eurodeputetes Tanja Fajon ndaj xhevahireve të ndota, të shpërndara në internet prej zotit Erion Veliaj, të cilat ajo na i kishte marrë për të vërteta të kulluara. Çdokush, pasi i ka rënë në dorë një informacion prej dikujt, që është demaskues për një person të tretë, normalisht duhet të interesohet të marrë informacionin e duhur edhe prej personit të tretë, në mënyrë që pastaj, pas ballafaqimit të të dhënave të të dyja palëve, të japë një gjykim të paanshëm. Por zonja Fajon, duke shkelur si pa gjë të keqe këtë praktikë të thjeshtë, por korrekte, për shpërndarjen e informacionit, mashtrimin e zotit Veliaj e merr si të vërtetë absolute dhe ua shpërndanë eurodeputetëve, pa u druajtur aspak se pala e tretë në rastin në fjalë, janë qeveria shqiptare dhe strukturat e rendit të shtetit shqiptar. Duke mos u interesuar për marrjen e informacionit përkatës prej Tiranës zyrtare për rastin e Griselda Roshit (Zaimit), zonja Fajon bëhet palë me zotin Erion Veliaj dhe shpifjet e tij i "tregton" si "mall të cilësisë së parë".

Për figurën e zonjës Fajon kam ushqyer një respekt të thellë, për përpjekjet që ajo bëri për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë të Shqipërisë Londineze dhe besoj se duhet të ketë mbetur kryelartë për misionin fisnik që kreu, se, pas atij liberalizimi dhe deri tani, siç është bërë e ditur nga mjetet e informimit masiv, të shkruara dhe pamore, nga burime të ardhura nga Bashkimi Evropian, asnjë qytetar i vendit tonë nuk ka kërkuar azil politik në Perëndim. Një qëndrim i tillë, me të vërtetë dinjitoz, i bashkatdhetarëve tanë që udhëtuan drejt vendeve të Evropës Perëndimore, me siguri që ka ngjallur xhelozinë e shteteve sllave, fqinje me vendin tonë, shumë qytetarë të të cilave këkuan azil politik në Bruksel apo gjetiu. Pre e ndikimit prej këtyre xhelozive dyshoj se duhet të ketë rënë edhe zonja Fajon, e cila s’përtoi që një shpifje të ndyrë të një shqiptari të bastarduar, por me poste të larta në hierarkinë partiake të Edi Ramës, ta merrte për të vërtetë të padiskutueshme dhe ta shpërndante me një zell të tepruar. Për çudi, zonjës Fajon nuk i shkoi fare ndër mend të merrte në telefon Kryeministrin Berisha dhe të kërkonte sqarime për mashtrimin e Erion Veliajt. Gjykuar nga rasti në fjalë, rezulton se në praktikën e punës të disa parlamentarëve evropianë, çdo informacion i sapoardhur nga Tirana që nxin realitetin shqiptar, u vlerësuaka si ar safi. Me sa duket, europedutetët grekë, e kanë kryer më së miri në Bruksel detyrën që u ka ngarkuar Athina për ta marrë për të vërtetë dhe për ta fryrë çdo shpifje që ka për qëllim nxirjen e realitetit shqiptar.

Shpifja e ulët e zotit Erion Veliaj duhet të shërbejë si mësim edhe pë qeverinë shqiptare, e cila gënjeshtrave që burojnë nga ofiçina e shpifjeve të sejmenëve të Edi Ramës, duhet t’u përgjigjet flakë për flakë, aq më tepër kur dihet që në parlamentin evropian qenka i kuturisur zelli për t’i marrë ato për të vërteta sa herë që është fjala për Shqipërinë.

Meriton falënderimet më të ngrohëta të mbarë bashkatdhetarëve tanë zonja Mersila Doda, deputete e parlamentit shqiptar, që i dha përgjigjen e merituar zonjës Fajon, e cila, në respekt të autoritetit të vetvetes, duhet t’i kërkojë ndjesë Tiranës zyrtare për shpërndarjen e informacionit mashtrues të shpifarakut Erion Veliaj dhe të vërtetën duhet ta përcjellë po në ato kanale ku pati dërguar fillimisht shpifjen e tij.

Santa Barbara, Kaliforni

15 qershor 2011

Prof. dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.