VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI NUK MUND TË KRAHASOHEN ME MALAZEZËT NË KOSOVË

Reagim ndaj një deklarate tendencioze e ministrit të punëve të jashtme të Malit të Zi

Nga XHELADIN ZENELI, ish deputet
E Enjte, 06.16.2011, 10:55am (GMT1)

Reagim ndaj një deklarate tendencioze e ministrit të punëve të jashtme të Malit të Zi

Para pak kohësh, në Prishtinë u zhvillua takimi i ministrit të Jashtëm dhe Integrimeve Europiane të Malit të Zi, Millan Roqen me ministin e punëve të jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Siç raporton e përjavshmja në gjuhën shqipe në Mal të Zi, "Koha Javore" ( e datës 2 qershor 2011) , në mes tjerash,temë e bisedimeve të tyre ishte edhe "rregullimi i statusit të bashkësisë nacionale malazeze në Kosovë". Me këtë rast ministri Roqen deklaroi:

"Në të vertetë do të dëshironim që pjesëtarët e bashkësisë malazeze të kenë atë respektim dhe mbrojtje çfarë e kanë shqiptarët në Mal të Zi dhe që pjesëtarët e bashkësisë malazeze ta përjetojnë Kosovën si shtet të vetin, siç veprojnë shqiptarët në Mal të Zi".

Kjo deklaratë ministrit malazez mund të kuptohet si tentim që të krahasohen shqiptarët në Mal të Zi me pakicën malazeze në Kosovë,dhe si e tillë është e pavend,e gabuar dhe e papranueshme , për disa arsy:

1. Shqiptarët në Mal të Zi janë popull autokton dhe të cilët me shekuj kanë jetuar dhe jetojnë në trojet e veta etnike stërgjyshore, kurse dihet mire që malazezët,ashtu si edhe serbët u vendosën në Kosovë si rezultat i kolonizimeve gjatë periudhave të ndryshme të shekullit të kaluar, me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të Kosovës;

2. Numri i shqiptarëve në Mal të Zi është shumë më i madh se sa numri i malazezëve në Kosovë.Shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë rreth 7% të popullsisë, kurse malazezët,sipas parashikimeve të përfaqësuesve politikë të vet këtij komuniteti në Kosovë, përbëjnë pothuajse një përqindje të papërfillshme, rreth 0.03% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës;

3. Shqiptarët në Mal të Zi kontribuan dhe ndihmuan drejtëpërsëdrejti në themelimin e shtetit të Malit të Zi duke përkrahur pavarësinë e këtij shteti ,me votën e tyre në referendumin e vitit 2006 ,kurse malazezët në Kosovë,jo vetëm që nuk e ndihmuan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,por përkundrazi,shumica e tyre u angazhuan dhe përkrahën politikën agresore të Serbisë.

Përpjekja e ministrit Roqen ,që të tërheq paralelizma në mes bashkësisë etnike malazeze në Kosovë dhe shqiptarëve në Mal të Zi, është si rrezultat i mosnjohjes së rrethanave shoqëroro-historike të shqiptarëve apo bëhet me qëllime të caktuara politike?!

Gjithashtu,ministri në fjalë kërkon që "pjesëtarët e bashkësisë malazeze (në Kosovë) të kenë atë respektim dhe mbrojtje,çfarë e kanë shqiptarët në Mal të Zi".

Shqiptarët në Mal të Zi, jo vetëm që nuk respektohen apo mbrohen , por përkundrazi,ata shpesh herë keqtrajtohen nga shteti,qytetarë të të cilit janë. Mjafton që t’i rikujtojmë ministrit Roqen, aksionin famëkeq policor "Fluturimi i Shqiponjës", të vitit 2006, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi,me ç’rast u arrestuan, maltretuan dhe u torturuan 18 shqiptarë nga Malësia. Shumica e tyre,gjithnjë po vazhdojnë të vuajnë në burgjet malazeze, vetëm për arsyen se janë shqiptarë.A kështu i "mbron" pushteti i Malit të Zi,shqiptarët ?! E të mos flasim për mos respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në fushat e ndryshme të jetës shoqërore. Po përmendim vetëm disa: mos zgjidhja e problemeve në fushën arsimimit dhe plan-programet shkollore në gjuhën shqipe, mospërfaqësimi i shqiptarëve në Këshillin Nacional të Arsimit, mospërfaqësimi adekuat dhe i barabartë i shqiptarëve në organet dhe ins titucionet shtetërore, Ligji Zgjedhor dhe mohimi i përfaqësimit autentik të shqiptarëve, cungimi i të drejtave të vetëqeverisjes lokale,mos kthimin e pronave private të shqiptarëve aprovimi i ligjeve të tjera diskriminuese ndaj shqiptarëve e kështu me rradhë.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët e pushtetit të Malit të Zi, mundohen të krijojnë njëfarë "çështjeje të pakicës malazeze" në Kosovë.Në fund të vitit të kaluar, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq,deklaroj se "pranimi i ambasadorit të Kosovës,kushtëzohet me njohjen e pakicës malazeze në Kosovë…". Deri më sot, ende muk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike,në nivel ambasadash,në mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Në vend që të angazhohet në përmirësimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve dhe realizimin e të drejtave të tyre legjitime, qeveria e Malit të Zi mundohet që të tërheq vëmendjen gjetiu, tek kinëse "çështja" e pakicës malazeze në Kosovë.

Çështja e shqiptarëve në Mal të Zi nuk ka asgjë të përbashkët me zgjidhjen e statusit të komunitetit malazez në Kosovë. Por nëse Prishtina dhe Podgorica dëshirojnë të aprovojnë parimin e reciproritetit,atëherë shqiptarët në Mal të Zi do duhej të gëzonin status shumë më të avancuar se sa malazezët në Kosovë.

Kërkesa e komunitetit malazez në Kosovë është që atyre t’u njihet statusi i pakicës kombëtare apo i minoritetit.Nëse i bëhet presion qeverisë në Prishtinë nga ana e qeverisë së Podgoricës lidhur me njohjen e këtij statusi, komunitetit malazez në Kosovë, atëherë të njëjtën gjë do të duhej të bëjnë edhe qeveritarët e Kosovës ndaj Malit të Zi, pra të kërkojnë avancimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse komunitetit malazez i njihet statusi i pakicës kombëtare në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, atëherë do të ishte e arsyeshme dhe e logjikshme që shqiptarëve në Mal të Zi t’u njihet satusi i popullit shtet-formues. Vetëm ky lloj parimi i reciproritetit, ka kuptim dhe mund të shërbejë marrëdhënieve fqinjësore në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

 

 

 

Xheladin Zeneli

Ish-deputet në Parlamentin e Malit të Zi qershor 2011

XHELADIN ZENELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.