VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MIRË SE VJEN NË TROPOJË

- Shënime për veprën kolanë « Tropoja, Malësia e Mirë » (Dardania Alpine, Pult, Altun, Malësia e Gjakovës –

Nga ISA HALILAJ, Mësues i Merituar, Historian


E Martë, 06.28.2011, 10:20am (GMT1)

Këto ditë, në kujdesin e Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës në Tiranë, doli në qarkullim libri i studjuesit dhe shkrimtarit të mirënjohur Ramiz Lushaj: "Tropoja, Malësia e Mirë".

Librave dhe monografive për Tropojën, të shkruara këto vitet e fundit, u shtohet edhe ky libër, një vepër e mirëseardhur për shumë arsye.

Që në titull, kjo vepër "Tropoja Malësia e Mirë" ka një tingëllim të ambël si qumshti i bjeshkës të Sylbicës. Është perifrazimi i grishjes popullore "Mirë se vjen në Tropojë se të presim me gjithë të mirat që të don zemra! Erdha unë, i dashur lexues, në dorën tënde si botim kolanë, Vëllimi i parë me sihariqin e njëmbëdhjetë vëllimeve të tjera për në bibliotekën tënde."

Kjo vepër, disa vëllimshe, është një vepër shkencore akademike e veçantë në llojin e vet, e para e këtij lloji për Tropojën, sepse lënda e saj shtjellohet me një stil origjinal, në rendin alfabetik, si një mozaik i fragmentuar me smeralde dhe gurë xhevahiri, që i japin mundësinë lexuesit dhe studjuesit që të lexojë pa u lodhur, pa u ngutur, si në libra të tjerë, duke analizuar e medituar me frymëzimin më imagjinar e në kërkimin shkencor të vlerave të Tropojës si Malësi e Gjakovës.

Ndryshe nga shumë libra të tjerë, të këtij karakteri, që zënë raftet e librarive e të bibliotekave, vepra "Tropoja, Malësia e Mirë" me brendinë e saj, si lëndë e parë, e veçanërisht me shënimet sqaruese burimore bibliografike, kthehet në një Enciklopedi të vërtetë për Tropojën, e munguar deri tani, që me ato informacione e me atë që të nxit e të fut në kërkim të mëtejm do të mbetet për lexuesin e studiuesin, jo vetëm tropojas, si vepër në përdorim të përditshëm.

Përmbajtja e librit, si lëndë e parë, autentike, nuk është trajtesë e një autori, po e shumë autorëve, filozofëve e historianëve, gjeografëve e etnologëve, mjeshtra të penës e të letrave përfshi edhe linguistë, që kanë ditur të japin bukuritë natyrore të Tropojës e Tropojanëve, "ku më mirë shëndrit dielli e hana e ku rriten djelm si zana" – thotë i madhi Gjergj Fishta te "Mrizi i Zanave", apo tek jehon kushtrimi i këngëve historike se "Jo nuk çarten kullat tona / Për pa u mbush me gjak Valbona !"

Me këtë vepër Ramiz Lushaj, me thjeshtësi e sinqeritet, ia ka arritur të bëjë të flas vetë e gjithë natyra e Tropojës, me male e bjeshkë, me lumenj e brigje, me ara, livadhe e prozhme, me fshatra, qytet e qyteza, me rrugë e diga, me dokumente e objekte muzeale, me pasuri të tokës e nëntokës, me pasuri arkeologjike të zbuluara e në kërkim.

Flasin vetë tropojanët në breza e në shekuj, puna e të cilëve jehon e gjëmon në histori e legjenda, në Eposin e Kreshnikëve, në këngët e trimave dhe te erotikës brilante e shpirtit të pastër malësor shqiptar.

E për të gjitha këto flasin qartas e me modesti e urtësi mendimtarë, dijetarë e shkenctarë, mjeshtra të fjalës e të letrave, diplomatë e politikanë të dëgjuar, mjeshtra të punës, ndërtimit e turizmit, të sportit tradicional e të kualifikuar etj. që përfaqësojnë me dinjitet Tropojën e Tropojanët.

I urojmë Ramiz Lushajt suksese në botimin e plotë të kësaj Enciklopedie për Tropojën, me gjithë vëllimshmërinë e saj dhe në vepra të tjera të këtij autori serioz e i mirëpritur nga studjues e lexues.

ISA HALILAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.