E Premte, 05.27.2022, 03:46pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

LUFTË E FTOHTË MES SERBISË DHE SHQIPËRISË

Nga Dr. ALBAN DACI


E Premte, 07.22.2011, 08:33am (GMT+1)

Pas mbarimit të Luftës së Kosovës (22 prill 1996 - 10 qershor 1999), e cila përfundoi falë luftës që bëri Ushtria Nacional Çlirimtare (UÇK) dhe ndihmës së madhe që dha faktori ndërkombëtar (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) me ndërhyrjen e NATO-s (Aleanca Atlantike që nga krijimi i saj në vitin 1949, mori pjesë për herë të parë në një konflikt të mirëfilltë ushtarak) , si dhe rolit mjaft të rëndësishëm që ka luajtur Shqipëria dhe faktori shqiptar i kudogjendur në Botë, mes Kosovës dhe Serbisë u bë i pamundur fillimi i ndonjë konflikti të ri të armatosur.

Për shkak të rëndit të ri ndërkombëtar, ku një peshë shumë të rëndësishme pa diskutim kanë SHBA dhe BE si edhe për faktin se Serbia për shkak të luftërave që kishte realizuar në ish Jugosllavi në vitet e fundit, ajo ndodhej në një situatë izolimi ndërkombëtar, shkatërrimi ekonomik dhe destabilizimi politik të brendshëm. Ajo, në këto rrethana nuk mund të mendonte të fillonte ndonjë aventurë të re ushtarake as me Kosovën dhe me asnjë shtet tjetër në Rajon. Një pengesë e madhe e Serbisë për të rifituar përsëri një status të hapur dhe bashkëpunues ndërkombëtar ishte çështja e Kosovës (Ajo që lidhet me pranimin de jure të pavarësisë së Kosovës) si edhe për faktin, se gjakpirësit, kriminelët e luftës akoma livadhisnin të lirë nëpër Serbi dhe nuk po dorëzoheshin nga autoritet serbe në gjykatën e Hagës.

Mosdorëzimi i kriminelëve të luftë ishte edhe një ndër pengesat kryesore të Serbisë për integrimin e saj Europian. Ndërsa Shqipëria, për rolin e saj mjaft të rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në Rajon si dhe për shkak të politikës së saj pro-amerikane, ajo bëri hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit euro-atlantik. Shqipëria, në 20 vitet e fundit ka bërë një politikë të jashtme të lidhur ngushtë me interesat amerikane në Rajon dhe më gjerë. Për këtë arsye ajo ka siguruar një mbështetje të rëndësishme nga Shtetet e Bashkuara në Ballkan.

Duhet theksuar se Shqipëria është realisht dhe jo vetëm diplomatikisht vendi më amerikan-dashës në Rajon. Kjo u vërtetuar më së mirë gjatë vizitës që bëri presidenti Bush në Shqipëri. Momenti i vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri ishte në një moment jo shumë të lumtur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të luftës anti-terror që ajo e bëri pjesë të strategjisë së saj nacionale si dhe për faktin e luftërave që kishte ndërmarr në Afganistan dhe Irak. Kishte një rritje në nivel ndërkombëtar të pakënaqësisë kundër politikave të Bush dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Bush, në turneun e tij që ndërmori nëpër Botë, para se të vinte në Shqipëri, u prit nga vendet që vizitoi me protesta dhe thirrje kundër amerikane. Shqipëria ishte i vetmi vend në Botë, ku ai, jo vetëm nuk u prit me protesta, por u prit si një hero i vërtetë i shqiptarëve. Vizita e Bush në Shqipëri, bëri që politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ishte e palëkundur në mbështetje të shqiptarëve. Ishte vendosmëria e politikës amerikane, dëshira e popullit shqiptar, që Shqipëria u bë më në fund anëtare me të drejta të plota në NATO.

Gjithashtu, Shqipëria falë reformave të rëndësishme që ndërmori sidomos në luftën kundër kriminalitetit, trafikut të qenieve njerëzore, sigurimit të kufijve, bëri hapa shumë të rëndësishme në procesin e Integrimit Europian duke përfituar Liberalizimin e Vizave. Pra, me pak fjalë pas një periudhë të gjatë të izolimit ndërkombëtar, për shkak të regjimit të kaluar totalitarë, Shqipëria po e rigjente veten e saj, sepse ajo tashmë kishte siguruar partner mjaft të rëndësishëm strategjik si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të rëndësishme anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Megjithatë, edhe pse fillimi ishte shumë i mirë për Shqipëri, krejt papritur gjatë rrugës drejt Integrimit Europian, ajo hasi pengesa mjaft serioze, të cilat më shumë kishin të bënin me situatën e brendshme politike se sa me linjën e politikës së jashtme që ajo ndërmerrte. Zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor duhet të ishin në të vërtetë një arsye më shumë që Shqipëria të bënte hapa të tjerë të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, si për shembull në marrjen e statusit vend kandidat në BE. Në të vërtetë këto zgjedhje edhe pse ishin demokratike, nuk e ndihmuan procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë, por përkundrazi e penguan atë. Shkaku kryesore i kësaj pengese, i cilësuar disa herë edhe nga BE, ishte ngërçi politik si dhe mungesa e konsensusit politik mes Pozitës dhe Opozitës.

Ndërsa Serbia, duke analizuar se procesi i integrimit dhe anëtarësimit të saj në NATO, ishte shumë i vështirë dhe pothuajse i pamundur, për sa kohë politika e saj e jashtme nuk do të ishte në të njëjtën linjë me politikën e SHBA në Rajon. Atëherë, ata kuptuan se Integrimi Europian është i mundshëm duke bërë vetëm ca sakrifica të vogla. Duhet theksuar fakti se Politika e Jashtme serbe është karakterizuar në të kaluarën për mungesë koherence dhe elasticiteti me proceset e tjera të ndërvarura ndërkombëtare. Ato e paguan shtrenjtë me politikën e jashtme të realizuar nga Millosheviç, i cili i çojë jo vetëm në humbjen e influencës gjeopolitike në rajon, por edhe në një izolim të thellë politik ndërkombëtar. Duke pasur parasysh këtë të kaluar të dhimbshme të politikës së jashtme, qeveria aktuale e Serbisë, ndryshoi strategji duke mos përsëritur të njëjtin gabim.

Ajo, vendosi të zhvillonte një seri takimesh me përfaqësuesit e BE-së, për t’iu mbushur mendjen se Serbia ka ndryshuar dhe për këtë arsye nuk mendon më si më parë me çështjet që lidhen kryesisht me Rajonin, por edhe me gjerë. Ajo nuk i kishte dorëzuar më parë në gjykatën e Hagës kriminelët e luftës, sepse këtë e cilësonte si akt sakrifice dhe prandaj, ajo në një farë mënyrë duhej të paguhej politikisht nëse e bënte një gjë të tillë. Pra, ajo do t’i dorëzonte ata, vetëm nëse merrte garanci serioze nga BE për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Ashtu ndodhi! Pasi mori garancitë e nevojshme nga BE, i dorëzoi një nga një të gjithë kriminelët në formë e një shantazhi, ku për çdo hap të ri të rëndësishëm që bënte në procesit të integrimit, ajo dorëzonte një.

Pra, nëse analizojmë situatën aktuale të Serbisë dhe Shqipërisë, mund të themi se Serbia aktualisht është hapa përpara në krahasim me Shqipërinë për sa i përket anëtarësimit në BE. Shqipëria po kalon një situatë të vështirë në politikën e brendshme për shkak të ngërçit politik, i cili ka dhënë pasoja të forta e serioze edhe në Politikën e Jashtme të saj.

Duke pasur parasysh faktin se Serbia dhe Shqipëria kanë interesa të ndryshme dhe konfliktuale në Rajon, që lidhen me interesat gjeopolitike, edhe pse ata nuk mund të bëjnë një konflikt real ushtarak mes veti, ata tashmë sapo kanë nisur një Luftë të Ftohtë mes tyre. Lufta e Ftohtë lidhet me faktin e çështjes së Kosovës, të rajoneve të tjera me shqiptarë, si Presheva, me daljen në det të Serbisë dhe mbi të gjitha me faktin, se kush prej këtyre të dyjave do të arrijë të integrohet me parë në BE. Është puro një Luftë e Ftohtë mes Serbisë dhe Shqipëri, e cila nuk ndryshon shumë me Luftën e Ftohtë që ndodhi mes SHBA dhe ish Bashkimit Sovjetik. Ndryshim i vetëm është në faktin, se Lufta e Ftohtë mes SHBA dhe ish Bashkimit Sovjetik ishte globale, ndërsa kjo mes Serbisë dhe Shqipërisë do të jetë Rajonale.

Shumë herë autoritetet serbe kanë shprehur dëshirën e ndarjes, ose të shkëmbimit të territoreve të Kosovës. Kjo është njëlloj si në vitet 1946-1947, kur Bashkimi Sovjetik kërkonte ndarjen e Europës në dy zona influence, Perëndim-Lindje, njërën të kontrolluar nga SHBA dhe tjetra nga Bashkimi Sovjetik. Në fillim të 1946, Walt Rostow shkruan, se: "Bashkimi i Gjermanisë nuk mund të ndodh pa bashkimin e Europës, dhe bashkimi i Europës, mund të përballohej më mirë duke e bërë në mënyrë indirekte përmes një bashkëpunimi teknik në fushën ekonomike se sa përmes bisedimeve ekonomike".

Autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të jenë asnjëherë dakord me Serbinë për asnjë lloj forme ndarje territoriale. Ndarja e Kosovës do të ishte një problem serioz për sigurinë e Kosovës, të Shqipërisë dhe të vetë Rajonit. Për këtë arsye Politika e Jashtme e Shqipërisë duhet të punojë dhe të impenjohet fort për të ndalur çdo lloj iniciative që ka një qëllim të tillë. Mund të themi se Serbia e Shqipëria janë në një Luftë të Ftohtë, pasi interesat e tyre jo vetëm janë të ndryshme, por janë edhe konfliktuale. Simbol i kësaj Lufte të Ftohtë është qyteti i Mitrovicës i ndarë nga një urë, e cila simbolizon Murin e Berlinit që ndante Berlinin në dy zona influence. Për sa kohë kjo urë do të ndajë qytetin, Serbia dhe Shqipëria do të jenë në një Luftë të Ftohtë, strategjike, politike dhe ekonomike.

Në shtator të vitit 1946 del një raport top-sekret i titulluar "Marrëdhëniet amerikane me Bashkimin Sovjetik", i cili korrigjohet nga Clifford, i shoqëruar me një kritikë në pjesën e dytë nga Kennan. Presidenti Truman pasi e merr raportin e konsideron dokument aq shumë të rëndësishëm sa vendos se nuk duhet të qarkulloj përtej mureve të Shtëpisë së Bardhë. Në këtë raport ndër të tjera shkruhej: "Nuk do të jetë asnjëherë e thjeshtë me "rënë dakord" me qeverinë sovjetike. Populli amerikan duhet të mësohet me këtë mendim, jo si pasojë e një dëshpërimi, por si një fakt që duhet përballuar objektivisht dhe me kurajë. Nëse e gjejmë të pamundur të arrijmë një bashkëpunim me sovjetikët për zgjidhjen e problemeve, duhet të jemi të përgatitur të bashkohemi me anglezët dhe shtetet e tjera perëndimore në tentativën për të ndërtuar një botë për llogarinë tonë që do të ndjekë objektivat e veta e do ta njohë orbitën sovjetike si një entitet dallues, me të cilën konflikti nuk është se është i pashmangshëm, por me faktin se nuk mund të ndjekim qëllime të përbashkëta".

Kjo pjesë e këtij raporti mjaft të rëndësishëm në raportet e mëvonshme amerikane-ruse gjatë Luftës së Ftohtë, është mjaft konkret dhe aktual edhe në rastin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Për shqiptarët nuk do të jetë asnjëherë e lehtë të bien dakord me serbët. Shqiptarët duhet të mësohen me ketë mendim shumëshekullor, jo si pasojë e dëshpërimit, por si një fakt që duhet përballuar në mënyrë objektive dhe me kurajë. Nëse për shqiptarët ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën, është e vështirë dhe e pamundur të bashkëpunohet me serbët për të zgjidhur çështje të rëndësishme që lidhen me gjeopolitikën, strategjinë ekonomike dhe politike, atëherë faktori shqiptar në Rajon duhet të punojë fort dhe me koherencë që të mbetet një partner i rëndësishëm i SHBA-ve dhe i disa vendeve të tjera të Rajonit dhe të BE-së për të ndërtuar realitetin shqiptar në përputhje edhe me linjat e partnerëve, i cili është dhe do të jetë dallues me atë serb, me të cilin konflikti i drejtpërdrejtë ushtarak është i shmangur, por që qëllimet që ndjekin nuk janë të përbashkëta.

Shqipëria në raport me Serbinë është në një realitet shumë të ngjashëm me atë që kishin SHBA kundrejt Bashkim Sovjetik. Prandaj Shqipëria duhet të ndjekë dhe të mbajë një politikë të jashtme të "Përmbajtjes". Koncepti i "Përmbajtjes" përdoret për herë të parë nga Kennan në një konferencë me datë 17 shtator 1946, të mbajtur përballë funksionarëve dhe personelit të Departamentit të Shtetit: Me këtë rast, Kennan afirmon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin një avantazh margjinal mbi kundërshtarin sovjetik, që do t’i kishte lejuar ato "për ti përmbajtur si ushtarakisht ashtu edhe politikisht për një periudhë të gjatë". Pra, Shqipëria nuk duhet të mendojë të ketë një politikë agresive ose ushtarake kundër Serbisë dhe interesave të saj, por thjesht duhet të jetë në gjendje ta mbajë atë në një pozicion të tillë nga ku nuk do të jetë në gjendje të cenojë as drejtpërdrejt dhe as në mënyrë të tërthortë interesat gjeopolitike. Shqipëria duhet së pari të jetë e vendosur dhe e palëkundur që partneri kryesor strategjik janë SHBA. Duhet të krijoi një staf diplomatik profesional dhe të frymëzuar për të mbrojtur interesat nacionale në koherencë me lëvizjet ndërkombëtare. Duhet të hiqet njëherë e mirë nepotizmi, që e ka kapur për fyti diplomacinë shqiptare. Duhet të bëj investime në kuadrin e strategjisë së NATO në sistemin e mbrojtjes. Duhet të ketë vullnetin dhe vendosmërinë për të rritur në vlera maksima bashkëpunimin me Kosovën. Shqipëria duhet të vendosë parimin e precedencës së Politikës së Jashtme kundrejt asaj të Brendshmes. Duhet të marrin fund telenovelat e politikës shqiptare dhe duhet t’i mëshohet më fort interesit nacional. Gjithashtu, mbi këtë parim politika shqiptare duhet të jetë e bashkuar, duke punuar së bashku të gjitha forcat politike në vend për të realizuar një integrim sa më të shpejt të Shqipërisë në BE. Sa kohë do të vazhdojë të jetë e ndarë Mitrovica, Shqipëria do të jetë në një Luftë të Ftohtë me Serbinë. Thyerja e asaj ndarje psikologjike, do të shënonte fundin e kësaj lufte, duke shkruar një fazë të re në historinë ballkanike.

Dr. ALBAN DACI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
QYTETARI MURDOCH - JO MË I PAPREKSHËMNga KATRINA VANDEN HEUVEL, Washington Post (07.21.2011)
NGA GALIPOLI NË SINGAPORNga MAUREEN DOWD, New York Times (07.20.2011)
KOLAPSI I KAMERONITNga ROGER COHEN, New York Times (07.19.2011)
"GRUEVSKI, BOKSIERI DHE POLITIKANI I KEQ NGA SHKUPI"Nga BEQIR SINA, New York (07.18.2011)
PËRPLASJA E BREZAVENga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (07.18.2011)
E DREJTA ËSHTË HAKMARRJA QË HEQ DORËNga AMIK KASORUHO (07.17.2011)
ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR GJUHËN SHQIPENga SKËNDER BUÇPAPAJ (07.16.2011)
POLITIKA RUMUNE SI "ALTER EGO" E POLITIKËS ANTISHQIPTARE SERBENga FRANK SHKRELI (07.14.2011)
BOTA SIPAS RUPERT MURDOCHNga DAVID IGNATIUS, Washington Post (07.14.2011)
SI TË PËRBALLEMI ME TË KALUARËNNga SADIK BEJKO (07.13.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2022  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]