VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZËNIA E POZICIONEVE NË PRAG TË NEGOCIATAVE PËR STATUSIN SPECIAL TË VERIUT

Nga AUGUSTIN PALOKAJ


E Mërkurë, 08.03.2011, 07:59am (GMT1)

Kurrfarë "kërcënimi të sigurisë" nuk ka në veri të Kosovës. Kjo që po ndodh është zënie e pozicioneve të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Beogradit në prag të nisjes së negociatave për statusin special të veriut. Pasojat e asaj që ka ndodhur në veri të Kosovës në dhjetë ditët e fundit janë më të rënda për praninë e BE-së dhe të NATO-s në Kosovë. Përderisa BE-ja dhe prania e saj në Kosovë qëmoti kanë humbur çdo kredibilitet, dështimi i NATO-s që të ndalë talebanët serbë të djegin vendkalimin kufitar ka goditur rëndë edhe imazhin e NATO-s, e cila deri tash ishte i vetmi mision i suksesshëm ndërkombëtar në Kosovë. EULEX-i dhe NATO-ja në Kosovë në një mënyrë janë viktimë e mospajtimeve politike në Bruksel rreth statusit të Kosovës

Vetëm ndonjë diplomat i ri, naiv, që nuk ka kurrfarë përvoje nga Ballkani, mund të besojë se në veri të Kosovës "serbët lokalë" janë "organizuar spontanisht" për t’i bërë ballë "dhunës së njësive speciale policore të Kosovës". Që nga Knini, Vukovari, Srebrenica e deri te "tubimet e së vërtetës" të serbëve nëpër Kosovë në kohën e Milosheviqit gjithmonë prapa veprimeve të cilat në pamje të jashtme janë dukur si "tubime spontane të serbëve lokalë" kanë qëndruar strukturat shtetërore në Beograd. Edhe tash është ashtu dhe kësaj radhe në veri të Kosovës Beogradi nuk ka bërë ndonjë përpjekje të madhe as për ta kamufluar një rol të tillë. Vrasja e policit të Kosovës, të shtënat ndaj helikopterëve kroatë të NATO-s dhe djegia e vendkalimit kufitar nuk janë kurrfarë "veprash të huliganëve", por punë e strukturave mirë të organizuara, me mbështetje logjistike apo edhe pjesëmarrje direkte të njësive të MUP-it të Serbisë. Praninë e tyre në territorin e Kosovës, edhe pse një gjë e tillë do të ishte madje edhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe me Marrëveshjen tekniko-ushtarake Serbi-NATO, nuk e ka hedhur poshtë në vitet e fundit askush. Pse është e tillë sot situata në veri? E para është sepse një gjë e tillë është organizuar mirë nga Beogradi, është stimuluar nga Bashkimi Evropian dhe toleruar me vite nga NATO-ja, ndërkohë që Qeveria e Kosovës, e detyruar të merret me vetveten dhe pa kredibilitet që të marrë qëndrim të fortë karshi bashkësisë ndërkombëtare, nuk ka dashur po ashtu të merret me këtë problem duke pritur se ai do të zgjidhet vetvetiu.

Kurrfarë "kërcënimi serioz të sigurisë" nuk ka në veri të Kosovës. Të besosh sot se Aleanca më e fortë në botë NATO-ja dhe misioni më i fortë në fushën e rendit dhe ligjit në historinë e BE-së nuk janë në gjendje të mbajnë nën kontroll një territor aq të vogël, me më pak se 40.000 banorë, nuk është asgjë tjetër pos naivitet. Kjo që po ndodh është zënie e pozicioneve të Qeverisë së Kosovës dhe Beogradit në prag të nisjes së negociatave për statusin special të veriut. Pasojat e asaj që ka ndodhur në veri të Kosovës në dhjetë ditët e fundit janë më të rënda për praninë e BE-së dhe të NATO-s në Kosovë. Përderisa BE-ja dhe prania e saj në Kosovë qëmoti ka humbur çdo kredibilitet, dështimi i NATO-s që të ndalë talebanët serbë të djegin vendkalimin kufitar ka goditur rëndë edhe imazhin e NATO-s, e cila deri tash ishte i vetmi mision i suksesshëm ndërkombëtar në Kosovë. EULEX-i dhe NATO-ja në Kosovë në një mënyrë janë viktimë e mospajtimeve politike në Bruksel rreth statusit të Kosovës.

Nëse analizohet së pari roli i BE-së, atëherë nuk është vështirë të gjenden argumente për të fajësuar këtë organizatë për situatën e krijuar në veri. Beogradi ka si opsion rezervë ndarjen e Kosovës. Për një ndarje de jure nuk mund të ketë mbështetjen ndërkombëtare. Por nga BE-ja, së paku nga strukturat institucionale në Bruksel, Beogradi ka mbështetje të fortë për të siguruar një status special të veriut të Kosovës. Ky status do të mundësonte në një mënyrë praninë legale të Serbisë në Kosovë dhe hyrje në realizimin e këtij plani është dialogu i nisur në Bruksel mes Beogradit dhe Prishtinës. Ata zyrtarë të BE-së që janë të inkuadruar në dialog i kanë premtuar Beogradit se "kur të nisin diskutimet për statusin e veriut do të nisen nga realiteti në terren e jo nga Pakoja e Ahtisaarit". Pra Serbisë i është thënë se për të pasur gjasa për status special të veriut duhet mbajtur situata në terren ashtu siç është, pra që të pranohet se "serbët në veri nuk duan të jetojnë nën qeverisjen e Prishtinës". Me tentimin për të vendosur autoritetin e saj në tërë territorin e Kosovës, me aksionin e njësisë speciale policore, Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje për ta ndryshuar këtë realitet në terren. Në këtë mënyrë ajo ka zbuluar edhe publikisht marrëveshjen e strukturave të BE-së dhe Beogradit. Kjo është parë më së miri me dy deklarata identike, një të presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe një të përfaqësuesit të përkohshëm të posaçëm të BE-së në Kosovë, Fernando Gjentilinit: Të dy ata kanë kërkuar që "situata të kthehet në gjendjen e mëparshme". Këtu është edhe arsyeja pse si "shef i kryengritësve" në veri të Kosovës është paraqitur pikërisht Borko Stefanoviq, i dërguari i posaçëm i presidentit të Serbisë Tadiq për negociata me të dërguarën e posaçme të Hashim Thaçit, Edita Tahiri. Stefanoviq duhet jo vetëm të dijë situatën në terren, por edhe ta ketë atë nën kontroll në mënyrë që në Bruksel të arrijë qëllimet e Beogradit për "status special" të veriut që në praktikë do të thoshte mbetje e përhershme e asaj pjese jashtë autoritetit të Prishtinës. E kur BE-ja ka një plan të tillë për një status të veçantë të veriut, atëherë as EULEX-i nuk ka mundur të veprojë ndryshe pos të mbështesë me mosveprim palën serbe dhe të kritikojë Qeverinë e Kosovës pse ajo ka marrë guximin që të kryejë një detyrë të cilën EULEX-i me vite ka refuzuar ta kryejë, me pretendimin se "nuk dëshiron të ndërmarrë asgjë që është në kundërshtim me popullatën lokale".

Roli i NATO-s po ashtu duhet analizuar mirë. Pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004, është ky edhe një trup tjetër i këtij misioni. NATO-ja në Kosovë javën që shkoi ka dështuar rëndë dhe ka ardhur në situatë kur duhet seriozisht të rishqyrtojë planet e veta në Kosovë. Para vetëm tri javësh në një intervistë me "Jutarnji Listin" e Zagrebit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rassmussen, zotohej se "NATO-ja në Kosovë ka aq forcë sa është e domosdoshme të përgjigjet ndaj secilit kërcënim të sigurisë" dhe e shihte situatën e sigurisë aq të mirë, saqë NATO-ja të vazhdojë planet për zvogëlimin e dukshëm të pranisë së saj në Kosovë. Para disa muajsh në Kosovë kishte qëndruar për vizitë një delegacion i lartë ushtarak i NATO-s, (Komiteti Ushtarak) dhe gjatë asaj vizite tre faktorët kryesorë të sigurisë (Policia e Kosovës, Njësit speciale të EULEX-it dhe KFOR-i) në Kosovë kishin bërë një stërvitje për të dëshmuar se detyrat janë ndarë aq mirë, se secili është i gatshëm dhe asgjë nuk mund të prishë më situatën e sigurisë në Kosovë. Për çudi njëra stërvitje ishte parandalimi i sulmit ndaj një Kishte serbe në Drenicë nga ana e vandalëve shqiptarë. Kur ata, në këtë ngjarje fiktive, nisën sulmet së pari hasën në ndërhyrjen e Policisë së Kosovës. Kur situata kaloi jashtë kontrollit, Policia e Kosovës, si "reaguesi i parë" u tërhoq, atëherë erdhën njësitë speciale të EULEX-it dhe i dëbuan. Por kur masa u vërsul përsëri dhe në mesin e tyre pati të shtëna zjarri, erdhën njësitë speciale të KFOR-it dhe vunë situatën nën kontroll. Stërvitja tjetër ishte, sa e çuditshme, "parandalimi i shkatërrimit të vendkalimit kufitar në portën 1 dhe 31" nga ana e vandalëve serbë. Këtu reaguesi i parë nuk ishte Policia e Kosovës, por menjëherë EULEX-i. Kur forcat speciale të EULEX-it hasën në eskalim të dhunës nga ana e vandalëve serbë, në ndihmë u erdhën njësitë speciale të KFOR-it, që zbarkuan pikërisht nga helikopterët kroatë të KFOR-it. Dhe situata u vu nën kontroll. Të gëzuar ushtarakët u kthyen në Bruksel dhe shpejt u mor vendimi që prania e NATO-s në terren të përgjysmohet, sepse në bashkëpunim me "lojtarët tjerë në aspektin e sigurisë" shumë më pak ushtarë janë të nevojshëm për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë në Kosovë. Krejt këto plane madhështore të NATO-s e BE-së, dolën të ishin vetëm disa ushtrime teorike dhe këto dy organizata humbën turpshëm nga një grup i organizuar i serbëve (që ne nuk mund t’i quajmë as huliganë e as serbë lokalë). Nëse NATO-ja dhe BE-ja përkundër bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që kanë me MUP-in e Serbisë dhe ushtrinë serbe nuk kanë mundur ta parashikojnë një gjë të tillë, atëherë edhe më keq për këto dy organizata dhe imazhin e tyre. Gazetarja e "Jutarnji listit" të Zagrebit duke raportuar nga terreni ka thënë se nga të gjithë serbët, përfshirë edhe kolegët gazetarë, ka dëgjuar se një orë para së të digjej vendkalimi kufitar, u ka ardhur porosia që të heqin veturat nga afërsia dhe të largohen. Tentimi "pos festum" i Tadiqit që të distancohet nga dhuna nuk duhet ta amnistojë kurrsesi Beogradin nga përgjegjësia.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deri tash ka dalë të jetë një lloj fituesi në këtë situatë, së paku në skenën vendore politike. Për herë të parë ka arritur rreth vetes të unifikojë edhe opozitën, edhe shoqërinë civile, edhe mediat. Por ai duhet të qëndrojë në pozicion të fortë karshi bashkësisë ndërkombëtare, sepse, nëse ndodh ajo që dyshojnë disa "miq" të Thaçit në Bruksel, se ai krejt këtë situatë e ka krijuar për të tërhequr vëmendjen nga veprimet e EULEX-it kundër Fatmir Limajt dhe disa ish-bashkëluftëtarëve tjerë të tij, atëherë kryeministri aktual i Kosovës duhet përgjithmonë të largohet nga skena politike e Kosovës.

Thaçi ka dalë të ketë qenë naiv kur ka pranuar "qorrazi" të hyjë në dialog me Beogradin sipas skenarit të përgatitur në relacionet Bruksel-Beograd. Krejt çfarë ka ndodhur para dhe gjatë dialogut ka qenë sipas marrëveshjeve mes zyrtarëve të BE-së dhe Serbisë, ndërsa palës kosovare ajo marrëveshje u është paraqitur si akt i kryer dhe Kosova ka hyrë në dialog. Dhe në fund pikërisht këtu zyrtarë të BE-së, që vetë na thanë se rundi i fundit ishte anuluar për shkak të mosgatishmërisë së Beogradit për kompromis, tash heshtin dhe nuk duan të tregojnë me gisht nga Beogradi, sepse duan t’i ndihmojnë Beogradit.

Thaçi tash duhet ta shfrytëzojë konsensusin mbarëkombëtar në Kosovë dhe të ridefinojë kushtet për dialog dhe raportet me BE-në. Para se të bëhet çfarëdo hapi rreth dialogut, duhet insistuar në zbardhjen e plotë të vrasjes së policit të Kosovës, dënimin e atyre që dogjën vendkalimin kufitar dhe identifikimin e dështimeve të EULEX-it. Kur kjo të ndodhë, atëherë Prishtina duhet të insistojë që në dialog nga ana e BE-së të përfshihen përfaqësues të vendeve kryesore anëtare të BE-së, sepse strukturat e tanishme të Këshillit dhe Komisionit nuk kanë kapacitete për një gjë të tillë duke qenë se kanë dëshmuar se kurrfarë ndikimi nuk mund të kenë ndaj Beogradit, e tash e tutje nuk mund të kenë më fare ndikim as ndaj Prishtinës. Kosova do të jetë nën presion që të hyjë sa më shpejt në dialog, sepse strukturat e BE-së duan që Serbisë t’i japin statusin e kandidatit dhe për këtë nuk do të ketë shumë kohë. Por Kosova nuk ka nevojë të nxitojë, sepse ajo nuk është askund në agjendën evropiane. Karshi agjendës fantome evropiane, e cila nuk duket askund në horizont për Kosovën, ky shtet i ri duhet të fokusohet në strategjinë e funksionalizimit të shtetit, sepse në të kundërtën nga BE-ja me vite do të dëgjojë vetëm thirrje për ruajtjen e status quos.

AUGUSTIN PALOKAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.