VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DIKTATORËT KANË VDEKJEN QË MERITOJNË

Nga SIMON SEBAG MONTEFIORE, New York Times


E Enjte, 11.03.2011, 08:29am (GMT1)


“Të gjitha karrierat  politike, përveç rasteve kur ato ndërpriten në mes në një moment të lumtur, përfundojnë me dështim”, shkruan Enoch Powell, politikani britanik  kundërshtues, por shpesh herë mjaft i mprehtë, “sepse kjo është natyra e politikës dhe e marrëdhënieve njerëzore”. Por karrierat politike të tiranëve i shterin marrëdhëniet njerëzore me një intensitet të veçantë: vdekja e një udhëheqësi të gjatë demokratik, pas daljes në pension të tij është një çështje private, por vdekja e një tirani është gjithmonë një akt politik që pasqyron karakterin e pushtetit të tij. Nëse një tiran vdes paqësisht në krevat në ndriçimin e plotë të sundimit të tij, vdekja e tij është një teatër i pushtetit të tij, por  nëse një tiran ekzekutohet ndërsa lutet për mëshirë, kjo gjithashtu,  reflekton natyrën e një regjimi të rrënuar dhe reagimin e një populli të shtypur.
Ky fenomen nuk ishte më pak e vërtetë edhe për vdekjen e Kolonel Muamar Gedafi, javën e kaluar. I vetmi ndryshim midis vdekjes së tij dhe tiranëve të tjerë që ka parë historia, është se ajo është filmuar nëpërmjet telefonave celularë, një lehtësi teknologjike e padisponueshme për bashkëkohësit e, le të themi, perandorit romak Kaligula.
Pavarësisht telefonave dhe pistoletave, kishte diçka biblike në atë skenë të egër, aq thelbësore sa edhe në vdekjen e Mbretit Ahab (“ku qentë lëpinin gjakun e tij”) dhe të mbretëreshës Jezebel (e hedhur nga një ballkon i pallatit). Vdekja e Kolonelit sigurisht nuk ishte më tmerrshme si vdekja e perandorit bizantin Andronikut I, i cili u rrah dhe u gjymtua, flokët dhe dhëmbët iu shkulën nga turma ndërsa fytyra iu dogj me ujë të valuar. Në kohët moderne, ekzekutimi i tij ishte më i egër se ekzekutimit gjysmë-formal, në vitin 1989, i diktatorit rumun Nicolae Çaushesku, por jo aq i tmerrshëm si ekzekutimi i kobshëm, në vitin 1958, i të pafajshmit, Mbretit Faisal II të Irakut (23 vjeç) dhe xhaxhait të tij të urryer, të cilët supozohet se u ndëshkuan me ngulje në hell dhe u copëtuan, duke i përdorur kokat e tyre si topa futbolli. Në vitin 1996, ish-presidenti pro-sovjetik i Afganistanit, Najibullah, u trodh, u tërhoq zvarrë nëpër rrugë dhe u var.
Për udhëheqësit perëndimorë dhe intelektualët, ekzekutimi në atë mënyrë i Kolonel Gedafit ishte i papëlqyer. Bernard-Henri Levy i shqetësuar mendon se ky lloj ekzekutimi do të “ndotë moralin thelbësor të një kryengritjeje” - por ka akoma arsye të shëndosha politike për ekzekutim publik të një mbreti - të vetëshpallur mbret i mbretërve. Tirania e Kolonel Gedafit ishte absolutiste, monarkike dhe personale. Problemi me diktatura të tilla është se për sa kohë që ato jetojnë, ato mbretërojnë dhe terrorizojnë. Siç ka thënë edhe  Churchilli, “diktatorët kalërojnë mbi dhe rreth e qark tigrave prej të cilëve nuk guxojnë të zbresin”.
Vetëm vdekja mund t’i japë fund magjisë dhe të drejtës për të dominuar - dhe nganjëherë, edhe vdekja nuk mund ta fshijë atë pushtet. “Terrori i frymëzuar nga mbretërimi i Kaligulas”, ka shkruar historiani i lashtë Svetoni, “mund të gjykohet nga pasojat”. Romakët ishin aq të tmerruar nga perandori sa s’mjaftoheshin me vdekjen e tij. Ata donin ta shikonin atë të vdekur: nga frika se mos ishte një mashtrim dhe meqë atëherë nuk kishte telefona me filmime, ata duhet të ishin të bindur se kishte vdekur. Vargu i gjatë prej miljesh i libianëve të cilët ishin të etur për të parë kufomën e koloneli Gedafit  në dyqanet e varreve frigorifer, do t’i kuptonin më së miri romakët.
Kur Katerina e Madhe përmbysi burrin e saj, Pjetri III, më 1762, ajo e dinte se në qoftë se i ndodhte ndonjë gjë atij, ajo do të fajësohej. Por shoqëruesit e saj, të udhëhequr nga i dashuri i saj, Grigory Orlov, e dinin se për aq kohë që ai jetonte, ai do të ishte autokrati legjitim: prandaj ata e mbytën atë. Trupi i tij u tregua në publik për të provuar se ai kishte vdekur, por megjithatë, fantazmat e Pjetrit III nuk e lanë të qetë Katerinën në gjithë pjesën tjetër të jetës së saj. Henry IV pati probleme të ngjashme mbas vdekjes së Richard II, një mori fantazmash nuk i shqiteshin uzurpatorit. Por rishfaqje të tilla mund të bëjnë histori: videot që tregojnë Kolonel Gedafin duke u rrahur, dhe më vonë, vrima plumbash në trupin e tij të vdekur, u heq pasuesve të tij të fundit atë mistikën e nevojshme për të udhëhequr një kryengritje në emër të tij. Kulti absurd dhe i ekzagjeruar i personalitetit të tij padyshim u shkatërrua  nga pamje e ekzekutimit të tij.
Ndonjëherë vrasja e tiranëve pasqyron veset e liderit. Shajar al-Durr, e veja e një sulltani egjiptian, e cila u bë (unike në historinë myslimane) një sulltaneshë, ishte e njohur për ekstravagancën e saj. Kur ajo vrau burrin e saj të ri, në vitin 1257, konkubinat e tij e rrahën atë për vdekje me nallanet e saj - si shenjë përbuzjeje dhe ekuivalente me vrasjen mesjetare me stilet. Thuhet se Eduard II, i njohur për marrëdhëniet e tij homoseksuale me të preferuarit e tij, u vra me një mashë të kuqe të nxehtë. Varja kokë poshtë e Musolinit të vdekur me të dashurën e tij në një shesh të qytetit sinjalizoi fundin e pretendimeve të tij për një heroizëm Cezarian. 
Për dikë që rritet në moshën e televizionit, një transmetues i shumë shfaqjeve të dhunës publike, Kolonel Gedafi mori një fund të merituar. Kur ai i kërkoi vrasësve  të tij të tërbuar, të cilët nuk kishte njohur sundues tjetër në jetën e tyre veç tij, “A e dini dallimin në mes të drejtës dhe të gabuarës?” ai sapo ia kishte mësuar atyre përgjigjen.
Sulltani i tmerrshëm po megjithatë brilant i mamlukëve, Baibars I, ishte vërtet një viktimë: sipas disa ngjarjeve, ai helmonte rregullisht mysafirët e tij deri në vitin 1277, kur ai piu gabimisht një gotë qumësht gamileje të helmuar. Gjatë kryqëzatave, Atabegu  i Mosulit dhe Aleppos (që gjenden në Irakun e sotëm dhe në një pjesë të Sirisë), Zangi, të cilit i pëlqente të tridhte bijtë e armiqve, u godit me thikë në shtratin e tij nga një prej atyre eunukëve të poshtëruar. Kur Stalini pësoi një goditje në vitin 1953, ai kishte arrestuar dhjetëra mjekë për tradhti. Ai ndenji shtrirë mbi urinën e tij për më shumë se 12 orë para se rojat e tij të guxonin të thërrisnin një mjek. Ai nuk u vra si Kolonel Gedafi, ai ishte autor i shkatërrimit të tij.
Nuk është ndonjë arritje e madhe për tiranin të vdesë në shtratin e tij. Ai duhet të kontrollojë kohën, vendin dhe pasojat e vdekjes. Kjo është e mundur me një sëmundje graduale. “Tani sëmundja te Herodi po përhapet me shpejtësi... Ky është gjykimi i Perëndisë mbi të për mëkatet e tij”, shkroi Josephus rreth mbretit të Judesë. “Ai kishte ulcer në stomak ...”. Por megjithatë Herodi i sëmurë arriti të vrasë një djalë rebel dhe të ndikojë te tre pasardhësit e tjerë përpara se t’i dorëzohej vdekjes. Ndryshe nga monarkët, të cilët në momentin e vdekjes e kalojnë pushtetin  tek trashëgimtarët e tyre për të siguruar mbijetesën e regjimit, tiranët duhet thjesht të mbijetojnë sa më gjatë të munden. Prandaj bëhen  përpjekje çnjerëzore nga mjekët e palodhshëm për të mbajtur diktatorët e sëmurë, si- Kryetari Mao, Leonid Brezhnjev I., Marshalli Tito, gjenerali Franko - sa më gjatë gjallë. Vetëm Koreanët e Veriut e kanë zgjidhur këtë problem duke e deklaruar Kim Il-Sung  të pavdekshëm, president  të përjetshëm.
Tiranët modernë janë përpjekur të shmangin shqetësimin që do të sillte vdekja e tyre, duke krijuar monarki trashëguese. Duke lënë mënjanë botën arabe, Kims i Koresë së Veriut, Kadyrovs i Çeçenisë, Kabilas i Kongos dhe Aliyevs i Azerbajxhanit, të gjithë e arritën këtë  ëndërr të një diktatori. Shumë pak nga diktatorët e botës arabe kanë bërë të njëjtën gjë. Hafez al-Asad i Sirisë, i cili sundoi prej 1970, vdiq në shtratin e tij në vitin 2000, duke e kaluar presidencën tek i  biri i tij Bashar. Kolonel Gedafi, Z. Mubarak dhe z. Huseini e kishin  ëndërruar një vazhdimësi të tillë. Por trashëgimtarëve të tiranive të tilla zakonisht u mungon talenti i etërve të tyre.
Të gjitha tiranitë për shumë vite marrin përsipër rreziqe,  ushtrojnë terror, krijojnë iluzione, janë narciziste, japin shfaqje të një kontrolli të plotë personal. Tiranët janë menaxherët më të zotë - sipërmarrës të plotfuqishëm. Ata zgjasin për aq kohë sa prestigji, prosperiteti dhe drejtësia janë të mirëmbajtura. Edhe gjakderdhja e papërmbajtur mund të funksionojë siç demonstruan p.sh. - Bashar al-Asad dhe lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, - ose cunami i rebelimit që ndodhi në Pranverën Arabe.
Në qoftë se një tiran nuk mund të vdesë në shtratin e tij, më e mira që ai mund të bëjë është të përpiqet të menaxhojë situatën në fazën e  rënies e tij, sepse ajo që mund të bëjnë karaktere të tilla pa pushtet është e pa imagjinueshme. Kolonel Gedafi, si shumë të tjerë, ishte aq narcizist sa që ai mohoi faktin se vendi ishte përfshirë në një revolucion para se të shfaqë rolin e tij heroik në aktin e fundit të kësaj drame: "Unë kam vënë jetën time në rrezik," thotë III Richard III i Shekspirit , "dhe unë do të qëndroj  mbi rrezikun e vdekjes". Kolonel Gedafi mund të kishte shpëtuar familjen e tij dhe mijëra të jetë njerëzish duke u tërhequr në një  nga vilat e tij dhe më vonë të përballej me Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Megjithatë, narcizisti e pa rënien e tij vetëm si një “mise-en-scène” shfaqur për pasuesit e tij, familjen dhe vendin e tij, të konsumuar në zjarrin e nihilizmit të tij egomaniak. Kolonel Gedafi duhet të ketë planifikuar të vdesë në betejë si Richard III dhe Makbethi, ose të vrasë veten. Megjithatë, ky njeri monstruoz e kërkoi vetë  vdekjen e tij.
Vendi i parë  në vdekjen e tiranëve i është dhënë Hitlerit i cili, e ruajti kontrollin një kohë të mjaftueshme sa për të planifikuar dhe ekzekutuar testamentin e tij, martesën dhe vetëvrasjen. Por megjithatë ai nuk arriti  dinjitetin e shkëlqyer të vdekjes së Charles I, i njohur si një "njeri i gjakut", hijeshinë dhe elegancën e të cilit para ekzekutimin kolonel Gedafi vetëm mund ta ëndërronte: “Unë jam një martir i njerëzve”, tha ai para se ti prisnin kokën. “Po shkoj nga një botë e  korruptueshme në një botë të pakorruptueshme ku nuk mund të ketë turbullira asnjë turbullirë në botë”.

SIMON SEBAG MONTEFIORE


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.