VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BAROMETRI DIPLOMATIK

POLICIA TË JETË NË SHËRBIM TË POPULLIT, JO TË POLITIKËS SË FORCËS!

Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI


E Hënë, 01.16.2012, 07:10am (GMT1)


*** Pas keqtrajtimit të tij brutal nga Policia e Kosovës në protestën paqësore të Lëvizjes Vetëvendosje në pikën kufitare Dheu i Bardhë, bërë më 14 janar 2012, Glauk Konjufca (nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe njëri nga liderët e Lëvizjes Vetëvendosje) deklaroi: " Më goditën me çizmet e Policisë, për t’ia liruar rrugën Serbisë"(
www.botasot.info/15/01/2012)!

*** Krahasimi i protestës së Lëvizjes Vetëvendosje në Merdar dhe në Dheun e Bradhë me barrikadat e kriminelëve serbë në Verin e Kosovës, është jo vetëm diletantizëm, njëanshmëri, subjektivizëm, por edhe vulgarizim dhe prostituim i demokracisë dhe i pavarësisë së Kosovës. Kjo është tezë spekuluese propagandistke armiqësore e vagabondëve filoserbë, që kurrë nuk i kanë prerë lidhjet e ndryshme me Serbinë (1989-2012). Ndaj, kjo tezë akuzuese dhe amputuese antishqiptare, nuk të bëjë me protestat demokratike dhe paqësore të Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kjo vepron dhe proteston në Kosovën e vet, kurse kriminelët serbë me barrikadat, me aksione subversive, vrastare, me ligjet dhe me kushtetutën e Serbisë veprojnë në territorin e një shteti të huaj, që quhet Kosova e Shqipërisë. Ndër të tjera, kjo është ASIMETRIA, që nuk ka asnjë nuancë gjasuese me protestat paqësore dhe demokratike të Lëvizjes Vetëvendosje. Njeriu duhet të jetë i çmendur, injorant, embicil, idiot ose filoserb, të bëjë një krahasim të tillë barazues.

Shtypja e protestave paqësore të Vetëvensojes në Merdare dhe te Dheu i Bardhë-imazh i zi për lirinë, drejtësinë dhe demokracinë e Kosovës(!)

Në saje të televizionit shqiptar ABC News, më 14 janar 2012, shikuesit patën rastin që drejtpërdrejt dhe në hollësi (brenda 4-5 orësh), të ndjekin zhvillimin e ngjarjeve ndërmjet protestuesve paqësorë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Policisë së Kosovës në afërsi të pikave kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Sipas deklaratës së kryeliderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, motoja dhe qëllimi i mbajtjes së kësaj proteste paqësore ishte "Serbia nuk kalon", të bazuar në Vendimin e miratuar të Kuvendit të Kosovës për zbatimin e reciprocitetit të këmbimit mallrave me Serbinë.

Mirëpo, me gjithë thirrjen e Albin Kurtit, që i bëri policisë, të mos e pengonte protestën dhe, të mos ndërhynte kundër protestuesve paqësorë (sepse ajo ishte organizuar kundër shtetit kriminal të Serbisë, jo kundër serbëve, jo kundër Kosovës e as kundër bashkësisë ndërkombëtare), policia e bëri të kundërtën, ndërhyri brutalisht duke përdorur topat me ujë spërkatës, kërbaçin, dhunën fizike dhe gazin lotësjellës mbi qindra protestues paqësorë dhe të pafajshëm, duke mos kursyer as kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin (deputet) e as deputet e tjerë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Visar Ymeri, Albana Gashi etj. Në këtë rast, nuk keqtrajtuan vetëm protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, por në mënyrën më të vrazhdtë u sulmuan demokracia dhe përfaqësuesit legjitimë të popullit dhe të Kuvendit të Kosovës, si instiutucioni më i lartë ligjor dhe demokratik i shtetit të Kosovës.

Sipas masmediave të Kosovës, bilanci i ndërhyrjes së dhunshme dhe i keqtrajtimit të protestuesve të Lëvizjes Vetëvendosje nga ana e policisë së Kosovës, mbi protestuesit ishte " mbi 146 të arrestuar dhe të keqtrajtuar, si dhe dhjetra të lënduar" nga të dy palët konfrontuese.

Dyshimin se, qveria e Kosovës, paraprakisht, kishte përgatitur në detaje strategjinë e ndërhyrjes fizike të policisë së Kosovës për t’i rrahur dhe keqtarjtuar protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, e provoi edhe kontakti i parë fizik provokues , si dhe ultimatumi (5 minutësh) i policisë, që ta shpërndante me dhunë dhe me gazlotsjellës turmën e protestuesve.

Gjithashtu, një dyshim të tillë, e provuan edhe televizionet e Kosovës, të cilat, asnjëra prej tyre, nuk e transmetoi DIREKT-DREJTPËRDREJT protestën e Lëvizjes Vetëvendosje në afërsi katër kilometërshe të Merdarit dhe të Dheut të Bardhë. Por këtë e bëri vetëm ABC NEWS nga Tirana.

Këtë skenar të atakut të policisë kundër protestuesve të qetë dhe paqësorë të Lëvizjes Vetëvendosje, Televizioni Shqiptar ABC News nga Tirana, e transmetoi drejtpërdrejt dhe me objektivitet (që nga nisja deri në përfundimin e protestës) nga terreni në aksin e rrugës Besianë – Merdar, më 14 janar 2012.

Edhe pse ngjarja zhvillohej në terrenin e Kosovës, televizionet publike dhe private të Kosovës, nuk e transmetuan direkt për teleshikuesit, por për fat të mirë, këtë e bëri Televizioni Shqiptar ABC News nga Tirana! I lumtë Tiranës, se me këtë dëshmoi se nuk jemi në fillim të shekullit XIX dhe XX, kur shqiptarët në Kosovë dhe në Anamoravë, vriteshin, shpërnguleshin me dhunë, arrestoheshin, burgoseshin, dënoheshin dhe torturoheshin nga Policia dhe Ushtria e Serbisë, e askush në Ballkan, në Evropë e as në botë, por askush nuk dinte se çfarë po nodhte me shqiptarët ngase nuk kishte lajme dhe informacione për shqiptarët e terrorizuar, të masakruar dhe të getoizuar në Ballkan.

Kështu, patën vepruar edhe masmediat e instrumentalizuara, të dekretuara dhe të personalizuara të regjimit policor të Slobodan Milosheviqit, në vitet 1989-1999, në fshehjen dhe në mbrojtjen e politikës së kërbaçit të regjimit fashist, racist dhe antidemokratik të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, mirëpo, një politikë e tillë e censurës policore, ishte edhe varri i demokracisë në Serbi, edhe pse Televizioni i RTS-së dhe masmediat e tjera serbe, e quanin ndryshe, sepse ishin në funksion të politikës policore dhe militariste të Slobodan Milosheviqit, të cilat hermetikisht ishin të mbyllura, të njëanshme, subjektive dhe destruktive në pasqyrimin e së vërtetës dhe të realitetit politik në Serbi dhe në Kosovë etj., ashtu siç u diktonte dhe impononte regjimi policor i Serbisë (1989-1999).

Plutokracia, cenzura politike dhe kërbaçi policor, nuk janë instrumente as vlera të demokracisë, por të diktaturës dhe të anarkisë totalitariste!

Mohimi i shprehjes së mendimit dhe të fjalës së lirë, edhe përmes manifestimit të portestave paqësore të Lëvizjes Vetëvendosje nga ana e politikës së kërbaçit të institucioneve qeveritare të Kosovës, është " "eskavatori" më efektiv i rrënimit të rendit ligjor, kushtetues dhe demokratik të Kosovës.

Edhe sipas konventave ndërkombëtare, duke filluar që nga Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara (1948), çdo qytetar gëzon të drejtën e shprehjes së mendimit dhe të fjalës së lirë, qoftë edhe në formë të organizimit dhe të mbajtjes së protestave demokratike dhe paqësore, ashtu si vepruan edhe protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje më 14 janar 2012, në afërsi të pikave kufitare Merdar dhe Dheu i Bradhë, por që pësuan keq ngase Policia e Kosovës i "bombardoi" me topa uji, me gaz lotësjellës, me kërbaç, me grushta dhe me çizmet e tyre të forta. Kjo formë e demonstrimit të forcës dhe të dhunës fizike jashtëligjore dhe antihumane mbi protestuesit paqësorë të Lëvizjes Vetëvendosje, është shembulli më konkret praktik i dhunimit dhe i rrahjes së demokracisë. Është shkelje flagrante e parimit universal demokratik të sovranitetit të popullit, gjë që kjo, para gjithë botës dëshmoi se krahas popullit, u sulmuan dhe u dhunuan edhe themelet e rendit demokratik të shtetit të pavarur të Kosovës.

Prandaj, një akt i tillë i sulmit brutal të poliicisë së Kosovës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, sa më parë të jetë e mundur, duhet të jetë objekt shqyrtimi i Kuvendit të Kosovës në favor të mbrojtjes së rendit, të ligjit, të kushtetutës dhe të demorkacisë. Ndryshe, ai Kuvend, edhe më tej, do të jetë i manipuluar dhe i instrumentalizuar nga politika e qeverisë së Kosovës.

Harron politika policore antidemokratike e qeverisë së Hashim Thaçit se, në rendet demokratike, ku sundon demokracia, populli është sovran, sepse gjithë pushteti buron nga ai, jo nga pushteti ekzekutiv dhe nga politika e kërbaçit të tij, që është në funksion të disiplinimit të kundërshtarëve politikë.

Së këndejmi, policia e Kosovës, duhet të ketë parasysh faktin se, në radhë të parë, duhet të jetë me popullin dhe, në shërbim të popullit, jo në shërnbim të titullarëve dhe të institucioneve të politikës policore, antiligjore, antikushtetuese, antidemokratike dhe antipopullore.

"Pranvera arabe" e mundshme edhe në Kosovë?

Nëse edhe më tej vazhdon politika e kërbaçit policor në "përpunimin" dhe në "disiplinimin" e dhunshëm të kokës dhe të kurrizit të Lëvizjes Vetëvendosje, për ta heshtur si kundërshtar potencial opozitar politik, nuk është çudi se, së shpejti, edhe në Kosovë, mund të reprizohet "pranvera arabe", me ç’rast drejtuesit e saj të gabueshëm , do të pësonin pasoja të paparashikuara. Në atë rast, do të përfundonte edhe "imazhi" i tyre politik në sy të popullit dhe të botës.

Ndaj, kujdes, të mos rrihen dhe torturohen kundërshtarët politikë të opozitës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse çmimi politik, do të jetë i pakorrigjueshëm. Të luftohet dhe të garohet me mjete politike dialoguese racionale, institucionale paqësore dhe demokratike, jo më kërbaç policor për të mbrojtur interesat politike, ekonomike dhe tregtare të Serbisë në Kosovë. Kjo politikë e kërbaçit policor, u konvenon vetëm inetresave koloniale të Serbisë në Kosovë, ashtu siç po ndodhë praktikisht qe 13 vjet në pjesën veriore të saj.

Atje në veriun e Kosovës, duhet të përdoret forca dhe kërbaçi i politikës policore të Kosovës, sepse atje sundojnë ligjet dhe kushtetuta e Serbisë (1999-2012), jo ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, që me të drejtë, para gjithë botës po kërkon: "Serbia nuk kalon", por duhet të zbatojë parimin e reciprocitetit të këmbimit të mallrave, sipas vendimit të miratuar të Kuvendit të Kosovës.

E lehtë është për të rrahur dhe torturuar, pa asnjë arsye popullin tënd (konkretisht Lëvizjen Vetëvendosje, që po kërkon shkurorëzimin de fakto dhe de jure të politikës, të diplomacisë, të ekonomisë dhe të tregtisë zhbalancuese të Kosovës nga Serbia, por e vështirë është që t’i rrihësh dhe t’i dëbosh bandat kriminele, vrastare nga pjesa veriore e Kosovës, të cilat qe 13 vjet e kanë okupuar atë pjesë të Kosovës, duke dëbuar mbi 20 mijë shqiptarë nga shtëpitë, nga banesat dhe nga pronat e tyre. Atje, duhet të tregohet forca dhe kërbaçi politik, jo mbi shqiptarët e pafajshëm, të cilët po luftojnë për realizimin e të drejtave dhe lirive të tyre ekonomike, tregtare, politike,ligjore, kushtetuese dhe demokratike, në përputhje me të gjitha standardet dhe vlerat universasle të së drejtës së sotme ndërkombëtare.

Oponenca e rivalëve politikë me forcë, është antidemokraci!

Poltika policore e qeverisë së Kosovës, nuk e rrah Lëvizjen Vetëvendosje, për ta siguruar lëvizjen e lirë të njerëzëve nëpër rrugët e asfaltuara të Kosovës, por për t’ia " mbyllur gojën" asaj si opozitë, që të mos i kritikojë gabimet dhe të metat e politikës, të ligjeve dhe të demokracisë së qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi. Ky është motivi, pse Lëvizja Vetëvendosje pengohet, keqinterpretohet, rrahet dhe keqtrajtohet nga policia e Kosovës, si dhe shpifet dhe anatemohet nga regjimi i masmediave të verdha, në mënyrë që të fitojnë poena në sy të bashkësisë ndërkombëtare, duke u përpjekuar që atë ta pasqyrojnë si lëvizje antidemokratike, jashtëkohe, të rrezikshme dhe armiqësore , jo vetëm për zhvillimin dhe për ndërtimin e proceseve demokratike në Kosovë, por edhe për politikën strategjike të partnerëve evro-perëndimorë (SHBA, NATO dhe BE) në favor të mëkëmbjes së përgjithshme të Kosovës, jo pse ajo proteston në mënyrë paqësore dhe demokratike për mbrojtjen dhe jetësimin standardve dhe vlerave demokratike, të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës.

Policia me kërbaç nuk ndërton politikën dhe demokracinë e një shteti!

Askund në botë, policia nuk është ajo që zgjidh problemet politike të një shteti, por politika, sundimi dhe zbatimi i ligjit, i Kushtetutës dhe i vlerave të tjera demokratike. Policia mbron dhe ruan rendin, qetësinë publike dhe sigurinë e shtetit, ajo nuk është instrument, as kurrfarë mjeti politik, që mund të ndihmojë korrigjimin e gabimeve politike, apo dejtimin e politikës së një shteti.

Ndaj, edhe problemet ekzistuese politike të Kosovës, nuk zgjidhen me kërcënimin dhe me përdorimin e forcës, me zbatimin e startegjisë së frikësimit, me përdorimin e dhunës dhe të kërbaçit policor, ashtu siç vepronte dikur regjimi kolonial policor i Serbisë me shqiptarët dhe me Kosovën, por me marrëveshje, me dialog politik paqësor dhe demokratik, duke zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, në ineteresin e përgjithshëm të popullit dhe të shtetit demokratik të Kosovës.

Prof. Dr. MEHDI HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.