E Enjte, 10.21.2021, 03:31pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

FËRKIME AMERIKANO-KINEZE MBI TË DREJTAT E NJERIUT

Nga FRANK SHKRELI


E Enjte, 02.16.2012, 07:45am (GMT+1)

Udhëheqësi-në-pritje i Kinës, nënpresidenti Xi Jinping, gjendet këtë javë në një vizitë katërditëshe në Shtetet e Bashkuara. Nga kjo vizitë nuk pritej ndonjë marrëveshje me rëndësi midis dy vendeve, por qëllimi i saj duket se ishte më shumë një rast për udhëheqësin kinez – i cili është caktuar nga Partia Komuniste e Kinës, që më vonë këtë vit të bëhet sekretar i përgjithëshëm i Partisë Komuniste kineze që udhëheq vendin dhe vitin që vjen do të marrë edhe detyrën e presidentit të Kinës -- të njihet më mirë me udhëheqësit e administratës amerikane dhe të vëndosë marrëdhënie personale me ta. Ai u takua, ndër të tjerë, me Presidentin Barak Obama dhe nënpresidentin Xho Bajdën.

Gjatë takimit të tij me nënpresidentin kinez Xi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se, "Ne mirëpresim rritjen paqësore të Kinës. Ne besojmë se një Kinë e fortë dhe e begatë mund të ndihmojë në sigurimin e stabilizimit dhe begatisë në rajon dhe në botë.’’ Presidenti Obama priti udhëheqësin e ardhshëm kinez në një kohë kur midis Uashingtonit e Pekinit ekzistojnë mosmarrëveshje të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut në Kinë si edhe me politikën e jashtme të Pekinit, sidomos karshi Sirisë dhe Iranit, si edhe ndaj praktikave ekonomike kineze në tregtinë me Shtetet e Bashkuara.

Në këtë vit zgjedhjesh presidenciale këtu në Amerikë, Presidenti Obama u përpoq të theksonte gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me udhëheqësin–në pritje-të Kinës, por me një ton pak më serioz, pasi kundërshtarët e tij republikanë që po bëjnë fushatë për t’ia marrë postin, kanë kritikuar politikën e administratës Obama karshi Kinës. Gjithashtu një numër organizatash amerikane të të drejtave të njeriut, qindra anëtarë të të cilave -- ndërsa dy udhëheqësit po takoheshin -- protestuan para Shtëpisë së Bardhë për shkeljen e të drejtave të njeriut nga regjimi kinez. Këto grupe i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Obama që të ushtrojë presion më të madh ndaj Pekinit pasi regjimi kinez ka ndërmarrë një fushatë të ashpër kundër disidentëve politikë. Në një letër drejtuar presidentit Obama, aktivisti politik dhe redaktori i revistës "Pranvera e Pekinit’’ që botohet në Amerikë, Jang Jianli i kërkoi administratës amerikane që t'u kushtojë vëmendje më të madhe të drejtave të njeriut në Kinë, pasi, sipas tij, ‘’Problemet e të drejtave të njeriut në Kinë nuk janë vetëm të Kinës, por gjithnjë e më shumë janë duke u bërë problemet e të gjithë botës.’’ Ai gjithashtu i bëri thirrje udhëheqësit kinez në pritje Xi, që ‘’t’iu kushtojë vëmendje më të madhe vlerave universale të të drejtave të njeriut....pasi nga pozita e tij, duke bërë një gjë të tillë, ai mund të avancojë demokracinë dhe të influencojë të gjithë botën.’’ Në një intervistë me Radion Azia e Lirë, ai tha se Kina është i vetmi vend në botë që mban të burgosur një disident, fitues të Çmimit Nobel. Nobelisti Liu Xiaobo dhe një numër i konsiderueshëm disidentësh në zë janë të burgosur dhe shtypjet e regjimit kinez kundër popullit të Tibetit janë të njohura anembanë botës, ndërkohë që shumë tibetas po djegin vetveten për të protestuar politikën kineze ndaj vendit të tyre.

Përballë kritikave zyrtare dhe jo-zyrtare ndaj politikës së Pekinit, Xi Jingping i tha nënpresidentit amerikan Xho Bajden se Kina është e gatëshme të zhvillojë një ‘dialog konstruktiv’’ me Shtetet e Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, për derisa dialogu të jetë i bazuar në ‘’respektin e përbashkët’’. Mirëpo, ai pranoi se mbetet gjithnjë shumë për t’u bërë në fushën e përmirësimit të të drejtave të njeriut në vendin e tij. Ai shtoi duke thënë se ‘’kur të merret parasysh popullësia e madhe, ndryshimet e mëdha rajone dhe zhvillimet jo të barabarta, Kina përballet me sfida të shumëta në fushën e të drejtave të njeriut dhe në përpjekjet e saj për të përmirësuar jetën e njerëzve‘’.

Por aktivisti amerikan i pro-demokracisë kineze, Xhorxh Ge, në një letër të hapur u ankua për ‘’qendrimin arrogant të qeverisë (kineze)’’ ndaj disidentëve dhe përkrahësve të të drejtave të njeriut. Kjo arrogancë e autoriteteve kineze ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut në vendin e tyre u ekspozua dje edhe nga gazeta Uashington Post, e cila njoftoi se disa ditë para vizitës së Xi Jinping në Uashington, autoritetet komuniste kineze nuk i dhanë vizë dhe refuzuan të takoheshin me zyrtaren e lartë të Departmentit të Shtetit, Suzanë Xhonson Kook, ambasadore e Shteteve të Bashkuara për lirinë ndërkombëtare të fesë. Gazeta amerikane thotë se refuzimi i vizës zyrtares së lartë amerikane për të vizituar Kinën, është kundërshtimi më serioz deri më tani ndaj qëndrimit të Shteteve të Bashkuara në lidhje me lirinë fetare në atë vend. Uashington Post thotë gjithashtu se përkrahës amerikanë e kinezë të të drejtave fetare dhe të njeriut janë të zhgënjyer nga administrata e presidentit Obama, sepse ajo nuk ka bërë asnjë deklaratë publike në lidhje me refuzimin e vizës nga autoritet kineze ambasdores amerikane Kook.

Vizita e udhëheqësit kinez- në- pritje po ndodh gjithashtu në një stinë të nxehtë të fushatës politike për president këtu në Amerikë, ndërkohë që udhëheqësit e Partisë Republikane kanë kritikuar ashpër gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë, ndërsa kandidati republikan për president Mit Romni akuzoi administratën Obama se nuk është kritike aq sa duhet ndaj politikave të Pekinit në lidhje me të drejtat e njeriut dhe mbi manipulimet monetare të Kinës. Shtëpia e Bardhë, nga ana e saj, ka thënë vazhimisht se i ka bërë presion Pekinit, publikisht dhe privatisht, në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut.

Përveç pikëpamjeve të ndryshme mbi të drejtat e njeriut në Kinë, dolën në shesh edhe përçarjet midis dy vendeve në lidhje me politikën e jashtme, kur para disa ditësh Pekini u bashkua me Moskën duke i venë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër presidentit të Sirisë Bashar Assad, i cili jo vetëm që po shkel brutalisht standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, por është duke vrarë e sakrifikuar popullin e vet i cili ka dalur në protesta kundër asaj që populli sirian konsideron si një diktaturë tiranike e familjes Assad që ka kontrolluar atë vend me dekada.

Është thënë se shkelja e të drejtave të njeriut në një vend është shkelje e të drejtave të njeriut në çdo vend, dhe në qoftë se nuk flitet -- zyrtarisht dhe publikisht-- mbi këto shkelje kudo që të ndodhin, atëherë të drejtat e njeriut vuajnë kudo. Vendet si Kina dhe Rusia, që nuk përfillin dhe nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe liritë për popujt e vet, nuk mund të pritet që të mbrojnë dhe të respektojnë të drejtat e popujve të tjerë që jetojnë nën diktatura. Prandaj është detyrë e të gjithë atyre që besojnë në të drejtat e njeriut dhe në dinjitetin njerëzor për të gjithë njerëzit pa dallim, që vendeve dhe qeverive si Kina, t'u bëhet presion që të mbrojnë dhe të respektojnë të drejtat universale për popullin e vet, sepse anasjelltas është një përpjekje në mbrojtje të të drejtave dhe lirive njerëzore për secilin prej nesh, kudo në botë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, pothuaj askush nuk parashikonte se komunizmi në Evropë, njëri ndër sistemet më abuzuese të lirive dhe të dinjitetit njerëzor të historisë së njerëzimit, do të shkatërrohej atëherë kur u rrëzuan regjimet komuniste evropiano-lindore, kryesisht në mënyrë paqësore duke bërë të mundur që qindra miliona njerëz të merrnin frymë lirisht pas disa dekada shtypjesh, vrasjesh, burgosjesh e kampesh përqëndrimi. Kështuqë, megjithë gjendjen e keqe të të drejtave të njeriut sot në Kinë, dhe megjithë mendimet e pesimistëve se është vështirë që Kina të ndryshojë siç ndryshoi Evropa Lindore 20 vjet më parë, eskperti amerikan i çështjeve aziatike Lerri Dajmond, në një shkrim të kohëve të fundit, thotë se është e arsyeshme të pritet që mbrenda një gjenerate, pjesa më e madhe e Azisë lindore të jetë demokratike. Le të shpresojmë që kjo të ndodhë për hir të popullit kinez, por edhe për hir të lirisë dhe demokracisë për popujt anembanë botës.

FRANK SHKRELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JO, SHTETI NUK MUND TË BJERË!Nga PËRPARIM KABO (02.14.2012)
NË TWITTER NUK KA BORËNga REXHEP SHAHU (02.13.2012)
RUSIA DHE E KALUARA E SAJ KOMUNISTE''ISHTE SHUMË KOHË MË PARË, DHE SIDOQOFTË ASGJË NUK KA NDODHUR''Nga FRANK SHKRELI (02.13.2012)
DOBIA KRYESORE E KATASTROFAVE NATYRORENga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.12.2012)
NJË QORTIM KUJTESËS KOLEKTIVENga VISAR ZHITI (02.12.2012)
RIK SANTORUM NDËRLIKON FUSHATËN REPUBLIKANE PËR PRESIDENTNga FRANK SHKRELI (02.10.2012)
NEPOTIZMI OSE KLEPTOKRACIA NË MPJ, PJETËR ARBNORI DHE OPOZITANga ELIDA BUÇPAPAJ (02.09.2012)
BAROMETRI DIPLOMATIK"TRAMB" I KEQ "MBATH GJOGUN, DATH DORINË"Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (02.07.2012)
SHQIPËRIA TA REFUZOJË NISMËN E RE TË SERBISËNga SHABAN MURATI (02.06.2012)
SHQIPTARËT NË MAL TË ZI NUK KANË PËRKRAHJEN E DUHUR TË SHTETIT TË TYRE AMËNga XHELADIN ZENELI (02.06.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2021  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]