VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FALËNDERIME NGA ZEMRA KRYEMINISTRIT BERISHA
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Enjte, 11.22.2012, 07:59am (GMT1)



Në emisionin e lajmeve të ditës së sotme të orës 19-00 (ora 10-00, sipas orës së Kalifornisë) të kanalit TV “Albanian Screen”, u njoha me njoftimin mjaft mbresëlënës për ngritjen e shtatores së Presidentit Uillson (Thomas Woodrow Wilson 1856-1924) në njërin nga sheshet e Tiranës. Në inagurimin e shtatores ishte vetë Kryeministri Berisha dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.

Emri i Presidentit Uillson është i lidhur pazgjidhshmërisht me ekzistencën e Shqipërisë Londineze, pra, të kësaj ngastre Shqipërie që mbeti në hartën e Evropës, pas pazareve të ujqve evropianë që u bënë nën presionin e Rusisë cariste, e kësaj armikeje të betuar të kombit shqiptar.

Pavarësia u shpall vërtet më 28 nëntor 1912. Por pas kësaj date Shqipëria u shndërrua në një shesh lufte, ku shovinizmi serbogrek, me përkrahjen e fuqishme të shovinizmit evropianoperëndimor dhe sidomos të shovinizmit rusomadh, arriti të na pushtonte ushtarakisht dhe të na zhvaste nga trungu amtar ¾ e trojeve tona etnike. Megjithatë, diplomacia shoviniste evropiane nuk u kënaq me këtë masakër që kreu kundër trojeve tona amtare. Në Konferencën e Paqes që u organizua në Paris, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, shovinizmi evropianoperëndimor kërkonte ta zhdukte përfundimisht nga harta e Evropës edhe këtë ngastër Shqipërie, të mbetur pas Konferencës së Londrës të vitit 1913.

Falë ndërhyrjes së vendosur të Presidentit Uillson në Konferencën e Parisit, shovinizmi evropianoperëndimor nuk arriti që ta zhdukte njëherë e mirë Shqipërinë nga harta e Evropës.

Prandaj ekzistenca e kësaj ngastre Shqipërie është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Presidentit shumë të nderuar Uillson, i njëzeteteti President i SHBA.

Me rastin e përurimit të shtatores në fjalë, dëshiroj ta uroj nga zemra Kryeministrin Berisha për përkujdesjen e Tij të posaçme për përgatitjen e saj me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Jam i bindur se kjo shtatore do të ngjallë frymëzim në mbarë tokat tona dhe do t’i ngrejë peshë zemrat e shqiptarëve për t’u përgatitur për ditën e Kryefestës së Madhe, ditën e ribashkimit të krejt trojeve tona etnike në një shtet të vetëm mbarëkombëtar, me një stemë dhe një flamur.

Santa Barbara, Kaliforni
22 nëntor 2012


Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.