VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

28 NËNTORI - TRIUMFI I FLAMURIT PA YLL
Nga RESHAT KRIPA

E Shtunë, 11.24.2012, 08:26am (GMT1)



Nëntori erdhi. Për datën më të shënuar të tij, 28 nëntorin, në periudhën e sundimit komunist flitej fare pak, sa për të mos harruar se ekzistonte edhe një datë e tillë. Madje, një datë tjetër, 29 nëntori, dita e vendosjes së diktaturës komuniste, i bënte hije kësaj date historike.

Nëntori i vitit 1991. Po afronte dita e shenjtë e flamurit. Por ajo nuk ishte si ditët e tjerat. Ishte festa e parë e flamurit në liri. Në ato ditë në zemrat e qytetarëve sundonte një shqetësim i madh, cili flamur do të ngrihej, ai me yllin e komunizmit që sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Ismail Qemalit? Kuvendi i Shqipërisë ende nuk e kishte vendosur heqjen e yllit nga flamuri.

Diskutime te mëdha zhvilloheshin nëpër tryezat e bisedimeve. Mendimet përplaseshin njëri me tjetrin. Një pjesë fanatikësh, që u kishte mbetur ora në vitin 1945, mbronin tezën se duhej ngritur flamuri me yll, ndërsa pjesa tjetër, më e madhja, të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistët ishin ende në fuqi. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për të ruajtur pushtetin e tyre. Këtë e kishin treguar disa muaj më parë në qytetin demokrat të Shkodrës, ku kishin vrarë katër martirë.

A do të pranonte qyteti turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhtisë së madhe? Këtë shqetësim e ndjente pothuajse i gjithë populli, por më tepër e ndienin ata që i provuan mbi shpatullat e tyre gjëmbat vdekjeprurës të atij ylli, të përndjekurit politikë.

Mbledhja e Kryesisë së Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Rrethit. Merrnin pjesë të gjithë anëtarët e kryesisë dhe disa të ftuar të tjerë. Nga Tirana kishte ardhur, si i dërguar nga Shoqata Kombëtare, Viktor Dosti.

Ai hodhi i pari mendimin se ditën e flamurit duhej të ngrihej me çdo kusht ai pa yll. Një gjë të tillë duhej ta realizonin të përndjekurit politikë, ata që ishin sakrifikuar më shumë se kushdo për atë flamur. Të gjithë e miratuan. Shoqata iu drejtua partive politike dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatës “Çamëria“. Ato e përshëndetën një vendim të tillë.

Pas dy ditësh u bë takimi i përbashkët i tyre. Të gjithë ranë dakord që t’i drejtonin një peticion Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, ku partitë opozitare ishin në pakicë. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e flamurit pa yll. Duke pasur shumicën në këtë komitet, socialistët refuzuan. Të njëjtin qendrim mbajti edhe Byroja e Rrethit e Partisë Socialiste.

Por të përndjekurit politikë nuk u tërhoqën nga kjo pengesë. Më 26 Nëntor me një mesazh, të cilin e transmetoi edhe Radiotelevizioni “Zëri i Amerikës“, ata deklaronin se nuk do të lejonin ngritjen e flamurit me yll dhe i bënin thirrje gjithë qytetarëve të merrnin pjesë në manifestimin e madh të pavarësisë.

27 Nëntor – prologu i ndeshjes së madhe. Në shtizën e flamurit, me urdhër të kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, për të provuar vendosmërinë e të përndjekurve politikë, u vendos flamuri me yll. Por llogaritë ishin bërë gabim. Qyteti kishte djem të gjallë që nuk mund të pajtoheshin me një veprim të tillë. Xhemal Mustafaraj, një ish i burgosur politik, së bashku me të lindurin në internim, Fadil Ndreu, duke hipur mbi shpinat e shokëve të tyre, u ngjitën në shtizën e flamurit, grisën yllin, e dogjën dhe ngritën lart flamurin pa njollën e turpit Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë, Komiteti Ekzekutiv Pluralist u detyrua të pranojë ngritjen e flamurit pa yll.

Po atë mbrëmje, në mbledhjen e grupit të shoqatave dhe partive politike opozitare, diskutohej se kush duhej ta ngrinte flamurin. Mendimet ishin të ndryshme. Një i burgosur politik tha se atë duhej ta ngrinte njëri prej të rinjve që grisën yllin. Një tjetër propozoi që të ngrihej nga një prej përfaqësuesve të vjetër nacionalistë të shoqatës. Së fundi u ngrit dentist Avdulla Iljazi, një demokrat i orëve të para, dhe propozoi:
- Unë mendoj se duhet të ngrihet prej një djaloshi të ri, një trashëgimtari të një prej familjeve më të njohura me traditat kombëtare, një pasardhësi të familjeve që e ngritën në Vlorë më 1912.

Dikush propozoi që ky të ishte Altini, 17 vjeçar,biri i Burim Kokoshit, ish i burgosur politikë dhe nipi i njërit nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësise, Qazim Kokoshit, vdekur në burgun komunist.

Atëherë u ngrit më i vjetri i grupit, Kryetari i Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë për Vlorën, Hysni Alimerko dhe shprehu mendimin e rrezikut që paraqiste një vendim i tillë. Sigurimi i Shtetit ishte ende në veprim. Ngjarjet e muajve të fundit e kishin treguar këtë. Nuk mund të rrezikohej jeta e një djali, aq më tepër që ai ishte i vetmi i familjes së tij.

Heshtja mbuloi fjalët e Hysniut. Të gjithë prisnin vendimin e Burimit. Vetëm ai e kishte këtë të drejtë. Burimi u ngrit dhe me një zë të vendosur tha:
- Në rast se për djalin tim është vendosur të shkojë te Zoti, kjo është dita më e bukur!

Askush nuk pati kurajo ta kundërshtojë. Gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë për të kryer detyrat e caktuara.

28 Nëntor - Në të gjitha fasadat e godinave binin në sy flamurë pa yll që ishin ngritur në të gjitha pikat dominuese të qytetit. Në sheshin historik filluan të grumbullohen njerëzit. Në duart e tyre shumica mbanin flamurë të vegjël, gjithashtu pa yll.

Ora 10.00. Kryetari socialist i Komitetit Ekzekutiv Pluralist, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të atij komiteti u drejtua për të kryer ceremoninë e ngritjes së flamurit. Pompoziteti i tij ishte i jashtëzakonshëm. Para portës së lulishtes qendrore, një grup i madh njerëzizh u preu rrugën. Shumica ishin ish të dënuar politikë. Një pjese prej tyre diktatura u kishte rrëmbyer njerëzit më të dashur. Të tjerët i kishte syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Midis pjesëmarrësve edhe një dërgatë e të përndjekurve të Beratit me në krye kryetarin e tyre, Fatos Zdrava. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që ishin ngritur kundër kësaj diktature. Në krye kryesia e degës së shoqatës. Aty, në këmbët e obeliskut mbi të cilin ngrihej shtiza e flamurit, u zhvillua dialogu i mëposhtëm:
- Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politikë dhe popullit të këtij qyteti, ju nuk do ta ngrini flamurin.
- Kush do ta ngrejë atëherë?
- Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.
Kryetari shtriu përpara duart dhe foli:
Duart e mia nuk janë të përgjakura. Unë nuk kam vrarë njeri.

Kjo përgjigje u ngjalli shumë kujtime të paharruara të pranishmëve. Para syve u dolën ngjarjet e viteve të gjata të diktaturës. U dolën fytyrat e mijëra të rënëve për liri dhe demokraci.

- Edhe në qoftë se nuk keni vrarë, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë. Ndaj duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit! Ky flamur është i yni.

Kryetari u detyrua të tërhiqej.

Ndërkaq, ndërsa qëndra e zërit transmetonte Himnin e Flamurit duart e njoma dhe të pastra të Altinit ngrinin lart flamurin kombëtar.

Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime. Këngët patriotike pushtuan sheshin. Një vizitë në varrin e Plakut të Pavarësisë dhe një mori kurorash dhe lulesh zbukuruan atë varr historik.

Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para përmendores së Pavarësisë hipën ata që për pesëdhjetë vjet e kishin të ndaluar të flisnin dhe të mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën me dëshirën e tyre për të shprehur atë që mendonin prej vitesh. Në Sheshin Historik të Flamurit gjëmuan zërat e tyre:
- Dita e 28 nëntorit, dita e shenjtë e flamurit, festa jonë kombëtare erdhi. Këtë vit kjo festë ka diçka të veçantë. Për herë të parë pas dyzeteshtatë vitesh robërie komuniste, në qytetin tonë po valëvitet krenar flamuri kombëtar, pa yllin e urryer të sistemit totalitar komunist.

Duçja i vuri flamurit tonë spatën e fashizmit, Enver Hoxha yllin sllav të komunizmit. Por këtë radhë po valon flamuri i Ismail Qemalit, ai flamur që u bë simbol i nderit dhe trimërisë, i qëndresës dhe vetëmohimit. Po valvitet flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore në mes dhe jo flamuri i komunizmit me yllin e urryer.

Në sytë e pjesëmarrësve shiheshin gjurma lotësh. Ishin lotët e lirisë, të asaj lirie që kishin vite që e ëndërronin. Zëri vazhdonte të buçiste:
- Ka kohë që nga vatrat tona ka ikur gazi dhe hareja. Vendin e tyre e kanë zënë brengat dhe lotët. Regjimi e katandisi vendin në një gjendje të tillë që asnjë mendje e shëndoshë nuk mund ta përfytyrojë. Njerëzit janë pa punë, pa bukë, pa strehë, pa mbrojtje.

Kasta e përmbysur përpiqet me të gjitha mjetet, që ende janë në dorën e saj, të fusë vendin në një rrugë pa krye. Në krye të kësaj kaste qëndron Presidenti i vendit, hija e diktatorit të përmbysur. Dora e tij është ndjerë kudo. Është ndjerë gjatë viteve të sundimit komunist. Është ndjerë në dhjetorin e kaluar, kur urdhëronte goditjen e studentëve. Është ndjerë në shkurt kur rrëzohej shtatorja e diktatorit.

- Qindra flamuj kuq e zi pa yllin e kuq të komunizmit po valëviten në këtë ditë të shënuar përmbi të gjitha po ushtojnë vargjet e himnit tonë kombëtar, të harruara qëllimisht nga regjimi i kaluar:
Se Zoti vetë e tha me gojë,
Që kombet shuhen përmbi dhe,
Por Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të jetojmë ne!

Fjalët u shoqëruan me brohoritje të mëdha. Së fundi një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë, pranë bregut të detit.

Kështu u mbyll kjo ditë e shkëlqyer historike që për pjesëmarrësit e saj do të mbetet një
nga ditët më të paharruara të jetës së tyre


RESHAT KRIPA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.