VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Letër e hapur kryeministrit të Shqipërisë z Sali Berisha
NËSE ANASHKALOHET PRESIDENTI I KOSOVËS IBRAHIM RUGOVA, UNË NUK FESTOJ!
Nga XHEVAT REXHAJ

E Djelë, 11.25.2012, 10:26am (GMT1)




Me zhvillimin e qenies njerëzore, linden edhe shumë gjëra që jetën e njeriut do ta pasuronin në ecje e sipër gjatë evoluimit të tij. Duhet të jetë më se e sigurt se qysh në fillim të krijimit të njeriut lindi edhe mundësia, dhe dëshira që të festojë për diç të veçantë që kishte përditshmëria, andaj kështu edhe sot e gjithë ditën njeriu ka raste, ka momente dhe ka nevoja që të festojë, ashtu si mbetën të arsyeshme edhe evenimente të tjera që janë pjesë përcjellëse e vet qenies njerëzore, familjes, grupit, shoqërisë dhe vet shtetit si një organizëm i një populli.

Pas kësaj hyrjeje, po ju drejtohem përmes kësaj letre të shkruar Ju Z. Sali Berisha –Kryeministër i Shqipërisë.


I nderuar Z. Kryeministër i Shqipërisë S. Berisha: Ka më shumë se dy dekada që ju me emrin tuaj jeni shndërruar në një pjesë të lavdishme të historisë sonë, keni krijuar emrin, dhe personalitetin prej një shqiptari që së bashku me bashkëmendimtarët tuaj, dhe së bashku me shumicën shqiptare e rrëzuat një diktaturë ndër më të vrazhdat në analet e njerëzimit, ju ishit ai që filluat atë proces të madh, dhe shumë të mirëpritur në fillim të viteve të 90 te shekullit të kaluar. Që të jemi të sinqertë, ju i nderuar së bashku me ikonat e demokracisë, z. P. Arbnori, A. Hajdari dhe qindra e mijëra shqiptarë të tjerë e përmbysët një sistem diktatorial, që më pas t'i ofronit popullit të shumëvuajtur shqiptar brenda kufijve të ngushtuar të Shqipërisë, një mirëqenie dhe një prosperitet me një perspektivë të ndritur për të ardhmen.

I nderuar z. Kryeministër, pak para se ju në Shqipëri të fillonit këto lëvizje, shqiptarët e Kosovës si gjithherë në histori ishin pakëz më përpara, dhe qysh në fund të viteve të 80 të shekullit të kaluar e filluan betejën e fundit me lëvizjen e tyre të quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, si një vazhdimësi e Lidhjeve të Lezhës, të Prizrenit, të Pejës dhe të Junikut, për të u çliruar një here e përgjithmonë nga pushtuesit serbo-sllav. Me këtë lëvizje të fort kombëtare, dhe vërtet nacionaliste e të prirë nga kokat e shqiptarisë në Kosovë, filloi një luftë e ashpër por e suksesshme në ecje, që çështja shqiptarë më në fund të shtrohej në tavolinat e të mëdhenjve, në tavolinat e atyre që do të ishin më vonë përkrahës të çështjes sonë në përgjithësi si shqiptarë, dhe për këtë u kujdes kush tjetër, pos Njeriut që na e dërgoi Zoti e ai ishte Presidenti Ibrahim Rugova, i cili do te na lidhte për së ngushti me mikun tonë disi të harruar që nga koha e Ë. Ëilsonit, pra SHBA në. Ngjitas më këto zhvillime edhe ju në Shqipëri filluat fillet e fundosjes se diktaturës komuniste enveriste e staliniste që mbretëronte dhe shkatërronte çdo gjë shqiptare, afër gjysmë shekulli mbi kokat shqiptare.

I nderuari Z. Kryeministër, qysh prej daljes së juaj në skenën politike të Shqipërisë, thuaja se i gjithë populli i Kosovës u vu në përkrahjen tuaj, në përkrahjen e PD së tuaj, që së bashku me partin si motër LDK-në të bënit të pamundurën të mundur, që në njërën anë të stabilizohej dhe forcohej Shqipëria, e në anën tjetër të ndihmohej dhe përkrahej Kosova si dhe të gjitha trojet shqiptare, kudo të pushtuara nga armiqtë tanë sllav. Në këto ecje të mundimshme, ku vërtet kishte shumë pengesa të mëdha për ju dhe qeverinë e dal asaj kohe pas zgjedhjeve demokratike, ju i nderuar Kryeministër Berisha e kishit gjithashtu përkrahjen e pothuaj të gjithë shqiptarëve demokratë, të djathtë dhe të nacionalizmit të drejtë shqiptarë, por fatkeqësisht pengesa kishit nga langonjtë e partisë së punës të cilët nuk ishin të pakët ne Shqipëri dhe si ndihmesë ata kishin edhe një grup marksistë-leninistësh të rrezikshëm nga Kosova të cilët ditën e natën punonin që juve të ju rrezonin nga pushteti demokratik, dhe të vendosnin përsëri një pushtet enveristo-stalinist. Mjerisht dhe për fatkeqësi të shqiptarëve kjo edhe do të ndodhte ne vitin e mbrapsht të 1997-ës, kur edhe ndodhi ai "Revolucioni i vonuar demokratik" i Rexhep Qosjes dhe sejmenëve të tij si në Shqipëri e si të atyre në Kosovë, e që ata të Kosovës sot për fatin e keq të Kosovës, dhe vet Shqipërisë gjenden në pushtet dhe mbi shtet. Të tillët i nderuari Z. Kryeministër ishin dhe mbesin e keqja e jonë kudo jemi, të tillët i nderuari Z. Kryeministër, sot tentojnë që me çdo kushte ta fusin veten e tyre ( pa merita ) në histori të kombit, sot të tillët para syve ta rrahin krahun, por pas syve ta ndërtojnë gropën, sot ë tillët bëjnë çmos që nga festimet e 100 vjetorit, të largojnë nga kokat dhe shënimet tona emra të mëdhenj të historisë së kaluar, dhe asaj të tashme të popullit shqiptarë, pra të tillët sot janë sahanlëpirës që duan me çdo kushte ta fusin të keqen brenda historisë sonë 100 vjeçare, dhe të i lenë anash ata që gjatë tërë jetës së tyre vepruan, dhe u angazhuan për shqiptarizëm.

I nderuari Z. Kryeministër, që prej 1 janari shteti ynë, pra shteti shqiptar ka deklaruar këtë vit si viti i Festës, për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, vërtet një ngjarje madhore për kombin tonë, ngase në atë ngjarje aso kohe morën pjesë dhe u përjetësuan shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnike. Kjo Festë është e një rëndësie të madhe, e ka peshën e vet historike, dhe e ka domethënien e duhur edhe për gjeneratat e reja, dhe ato të ardhshme, ngase kudo po vlon gjaku i ynë i pastër Kastriot, kudo po ngritën flamuj kuq e zi, kudo po festohet kjo ditë e madhe, dhe kudo shqiptarët po afrohen në mes veti, kuptohet përpos atyre që nuk ishin, dhe kurrën e kurrës nuk do të afrohen me të drejtën, me të mirën për shqiptari, dhe këta janë një grup i madh majtistësh me ide bolshevike enveriste, që nuk pranojnë asgjë përpos Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxhës. Këta mbesin të pandryshuar, këta mbesin gangrena e kombit, dhe këta ende ditën dhe natën bëjnë plane të të rrëzojnë jo vetëm Ty nga pushteti, por edhe të bëjnë maskarada të tipit të vitit të mbrapsht 1997.

I nderuari Z. Kryeministër, në vitin 1912 shqiptarët më në krye me Ismail Qemalin e shpallën pavarësinë e Shqipërisë, pra pavarësinë e trupit shqiptarë, por pa gjymtyrët e saja. U desh me dekada të tëra të luftohej ,dhe të veprohej nga shqiptarët e mbetur jashtë kufirit të 1912ës, për të arritur në vitin 1990-91 dhe 92 kur edhe një pjesë tjetër e trungut shqiptarë do të shpallte pavarësinë e saj, dhe atë nga një armik shumë i fort, shumë i përkrahur dhe i përkëdhelur nga e tëre bota, siç ishte Serbo-sllavia. Në këto vite me referendum shqiptarët e Kosovës, pas deklaratës Kushtetuese, dhe pas aprovimit të Kushtetutës së Kaçanikut, e shpallën Kosovën shtet të pavarur më në krye ,me strategun, dhe themeluesin e këtij shteti , Presidentin Ibrahim Rugova i cili ishte i zgjedhur me vota të shqiptarëve të Kosovës, dhe me këtë ngjarje Shqipërisë iu ngjit krahu i djathtë i saj. Këto janë jo vetëm fakte, këto janë ngjarje të shënuara me gjakun e derdhur të mijëra shqiptarëve me shekuj, kjo pavarësi ishte e njëjta me atë të 1912-ës , ngase edhe pse nuk pranohej formalisht nga bota, ajo përkrahej në heshtje, dhe në fakt Republika e Kosovës ekziston që prej mbajtjes së Referendumit për shtet te pavarur e sovran mbajtur me 26-30 shtator 1991. I nderuar Z. Kryeministër, pas këtij Referendumi populli i Kosovës e kishte të qarte se do të kalonte edhe pak kohë, gjerë sa të njiheshim formalisht, dhe kjo do të ndodhte pas luftës çlirimtare të luftëtarëve , ose thënë më mire të të gjithë popullit shqiptarë,të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I nderuari z. Kryeministër i Shqipërisë, këto ditët e fundit rreth përgatitjeve të fundit për Festën e madhe me 28 Nëntor, vërehen disa gjëra dhe ngarendje të cilat te shumica shqiptare , e sidomos të ata të Kosovës nuk do te pranohet assesi , që në analet e festimeve të futen edhe njerëz të cilët ende nuk e kanë vendin, ngase ende duhet kohë që të qartësohen disa ecje të individëve të caktuar për dhe rreth shqiptarizues. Në këtë vazhdë vërehet një lënie anash e Personalitetit më të Madh pas Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, e ai është Presidenti dhe themeluesi i shtetit të dytë shqiptarë, njeriu i dy shekujve, njeriu që të pamundurën e bëri të mundur Z. Ibrahim Rugova, andaj i nderuar Z. Kryeministër duhet të keni kujdes në përgatitjet përfundimtare rreth Festës së Madhe. I nderuari Z. Kryeministër, nuk mundet dhe nuk do të ketë peshën e vet 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, pa hisen që i takon Presidentit Rugova. Ismail Qemali me bashkëpunëtorët e tij, dhe mbarë shqiptarinë e shpalli Shqipërinë e pavarur me 1912, ndërsa Ibrahim Rugova e shpalli pavarësinë e Kosovës me 1991, pavarësia e Shqipërisë u faktorizua, dhe u ndërkombëtarizua në vitet e 20 ta, ndërsa pavarësia e Kosovës u formalizua në vitin 2008, pra edhe këtu qëndron ngjashmëria dhe madhështia e dy Burrave të kombit, e Ismail Qemalit dhe Ibrahim Rugovës. I nderuari Z. Kryeministër, I. Qemali bëri të pamundurën që të ruaj shqiptarët nga përçarjet, të njëjtën gjë e bëri edhe Ibrahim Rugova. I. Qemali kishte urtësinë e mençurinë, po edhe Ibrahim Rugova kishte urtësinë, durimin dhe mençurinë, sa madhështor i njeh të tillë historia këta themelues të dy shteteve shqiptare.

Z. Kryemister i Shqipërisë S. Berisha, në këtë përditshmërinë tonë shqiptare, ka mundësi që nga euforia, lakmia dhe jo serioziteti, e mos dhashtë e thashtë Zoti nga smira, ka mundësi që të gabohet, por ama të jeni të vetëdijshëm se gabimet e tilla, ku do të mundë te anashkalohen figura madhore si ajo e Presidentit Rugova nuk falen, nuk harrohen dhe në realitet humbin simpatinë e shqiptarëve ndaj një personaliteti siç jeni ju. 100 vjetori është një vit dhe tani më 28 Nëntori është një datë, që do të kujtohet për çdo vit, por edhe pas 100 vitesh ai që me, apo pa vetëdije "harron" dikë që i takon historia, atëherë pas 100 vitesh të tillin do ta harroi shqiptaria.

100 vjet shtet shqiptarë, 100 vjet ecje të mundimshme shqiptare, dikund të sakatuar nga armiqtë e dikund të sakatuar nga mendësi e budallakia e ynë, megjithatë ky 100 vjetor është një krenari shqiptare. 100 vjetori na takon të gjithë shqiptarëve, por i nderuari Z. Kryeministër këtë 100 vjetor e meritojnë më shumë disa emra të përveçëm të shqiptarisë, ku me të drejte edhe Ju jeni pjesë tani më e historisë shqiptare.

Për në fund i nderuari Z. Kryeministër do e them edhe këtë: Nëse në një apo tjetër mënyrë anashkalohet apo mjegullohet madhështia, nderimi e respekti për Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, atëherë unë personalisht kam të drejtë, që të mos festoj!
Me respekt,
Xhevat Rexhaj


XHEVAT REXHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.